Këshilltari i Presidentit, Bledi Dervishaj: Kameleonët, që dhe Shqipërinë e nxjerrin në pazar

293
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“5 ditë dhe petrit”, thotë një fjalë e urtë popullore, ose ndryshe – 5 ditë e me nder, sesa sorrë përherë.

Ky togfjalësh magjik na tregon shumë thjesht se, në çdo vend ku shërben, punon, apo zhvillon të përditshmen tënde, duhet të jesh kryelartë, i pavarur, i përgjegjshëm, dhe mos lejo që dikush të të diktojë në vendimmarrjet e tua të drejta, mos lejo të shpërdorojnë, apo të tërheqin prej hunde e thënë ndryshe. Por ndërkohë, ka disa që vet-ofrohen për t’u shpërdoruar, që moralin as e njohin, e as duan ta mësojnë se ç’është. Pikërisht këta lloj syresh, i gjen kudo, i gjen në politikë, në administratën publike, në shoqërinë civile, në sistemin e drejtësisë, në media, në sistemin shëndetësor, arsimor, policinë e shtetit, etj. Praktikisht kudo e në çdo fushë.  Janë pikërisht këta lloj individësh, që dhe zhapikut i marrin të keqen, për nga mënyra se si zvarriten, ngjiten, dredhojnë, duke u ngjitur shpesh herë dhe lart, aty në elitën përfaqësuese të fushës/profesionit ku janë të angazhuar. Këta janë pikërisht ata që, gjakun e kanë të prishur, kryesisht surratin e verdhë, dhe pulsin gjithmonë e mbajnë nën kontroll me ndonjë gjysëm kokrre atenolol, jo se janë sëmurë, por frika dhe lepuri që u ka mbirë në bark, që kur kanë lerë, nuk i lenë rehat. Këta shesin këdo, e shiten në çdo kohë, mjafton një pazar më i mirë, dhe janë gati për çdo tramë.  Këta janë shumë të dëmshëm për shoqërinë në përgjithësi, pasi jo vetëm gërryejnë energjitë dhe burimet e saj, por krijojnë njëkohësisht modele negative që kopjohen nga brezat që vijnë. Prandaj ky model duhet dënuar, i duhet treguar vendi. Këta për t’i bërë qefin shefit apo grupimit shoqëror nga anojnë, bëjnë gjithçka, pavarësisht kostos. Shtrembërojnë të vërtetën, shpifin, vendosin në dëm të interesit të përgjithshëm, thellojnë padrejtësinë, dëmtojnë marrëdhënie familjare, shoqërore, shpikin çdo lloj mënyre që shpifja dhe e gënjeshtra të duken të vërteta, dhe kjo e fundit, të vonojë sa më shumë, në mënyrë që shefat dhe ata vetë të mos dëmtohen, të mos e prishin rehatin, të përmbushin epshet/dëshirat e tyre politike, ligjore apo pasurore. Për këta ka rëndësi vetëm që shefat të kënaqen, dhe të mos mërziten kurrë. Sepse shefi/at do t’i rishpërblejnë, do gjejnë mënyrën, për t’i mbështetur kur këta të kërkojnë fuqizim, karrierë më të mirë, rehati për të afërm, krushqi, etj, etj. Janë të gatshëm që dhe Shqipërinë ta nxjerrin në pazar, vetëm që lulet e bahçes së tyre të mos vyshken. Tmerri është kur shesin dhe mend, tangërllëk, apo japin këshilla suksesi, shpesh herë e aty- këtu duke përdorur dhe fraza anglisht, për t’i dhënë vlerë një idiotësie që po tentojnë të shprehin. Kur sfidojnë të dobtin, e kur qëmtojnë ata që punojnë me ndershmëri. Kur mburren se si ja kanë hedhur njërit, apo si ja kanë shkarë tjetrit, apo kur sulmojnë padrejtësisht atë që mendon ndryshe, që i pëlqen rregulli, disiplina dhe normaliteti. Këtyre çdo gjë që sot gëzojnë, nuk mundesh t’ua justifikosh as moralisht, as dhe për ndonjë meritë apo vepër që mund të kenë bërë për shtetin, shoqërinë, bashkëjetesën në komunitet dhe interesin e përgjithshëm publik. Këtyre nuk u gjen asnjë shenjë pozitive në veprimtarinë e tyre jetësore apo profesionale.  Jo rastësisht këta rezultojnë më të shpërblyerit. Kanë marrë padrejtësisht shumëçka dhe nuk kanë dhënë asgjë. Çdo gjë që shijojnë, ju është dhënë si shpërblim për zvarritjen, shtirjen, hipokrizinë, lëpirjen, apo shërbesat pa kufi, që pa moral kanë ofruar. Ah, sa shumë ka si këta, dreqi ta hajë, janë pafund, janë kudo. Për këta lloj që mund t’i quaj dhe kameleonë-oportunistë, populli ka një tjetër fjalë të urtë, “Këtyre duhet t’u rrahësh edhe vendin ku rrinë”! Pra edhe kur të ikin, nga aty ku janë ulur, kujdes, duhet pastruar mirë vendi, ku kanë ndenjur. Ku i dihet, sëmundja e vesi i tyre mund t’i ngjitet edhe tjetrit, që do vijë pas tij.