Gjon Bruçi: Peza është “Meka” e shqiptarëve, si mund të injorohet ajo?!

257
Sigal

Dje, datë 16 Shtator 2022 ishte 80 Vjetori i Konferencës Famëmadhe të Pezës, një prej ngjarjeve më të lavdishme të historisë së shqiptarëve. Konferenca e Pezës, organizuar e zhvilluar me inisiativën dhe nën drejtimin e Partisë Komuniste Shqiptare dhe Shqiptarit të madh Enver Hoxha, me misionin që realizoi, u radhit me nder në krah të Kuvendit të Lezhës të vitit 1444 dhe të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1848. Ndaj Jubileu i 80-të i saj, ishte një ngjarje tepër e shënuar për çdo shqiptar, që këtë emër e ka të vërtetë, e jo vetën në kartën e identitetit.

Por, ndërsa pritej një manifestim madhështor, i dallueshëm nga përvjetorët e zakonshëm, manifestimi pothuajse kaloi pa u vënë re për masën e gjerë të popullit. Nuk ishte shiu, ai që e pengoi këtë madhështi të merituar e të domosdoshme, por ishin politikanët dhe shtetarët që e injoruan dhe e bojkotuan atë:

Vini re: Përfaqësuesi më i lartë i qeverisë, ishte ministri i mbrojtjes, Peleshi, kur duhej të ishte vetë Kryeministri me të gjithë ministrat e ministreshat e tij, sepse Peza me Konferencën e saj famëmadhe është “Meka”, ku shqiptarët duhet të bëjnë homazhe e të marrin copëza lavdie nga ky vend dhe ky event i madh historic.

Qytetarët e shumtë që u gjendën në këtë ditë në Pezë, së bashku me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve dhe asaj të familjeve të Dëshmorëve, i bënë gati “duartrokitjet e furishme” për Kryeministrin Rama, të sigurtë se ai nuk do të mungonte, jo vetëm se e kishte detyrë shtetërore, por edhe për faktin se kur ishte Kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, flinte më shumë në Pezë, e në shtëpinë e Dash Pezës – djalit të Babë Myslimit, se sa në shtëpinë e tij në Tiranë.

Të zhgënjyer nga mungesa e Kryeministrit, pritësit në manifestim, u gatitën të prisnin kryetaren e Kuvendit, zonjën Lindita Nikolla, por përsëri u zhgënjyen. Siç duket, edhe Lindita, ashtu si Kryeministri, kishte probleme shumë më të mëdha se “Peza”. Ndaj ajo kishte dërguar mëkëmbësin e saj, deputetin pothuaj anonim, Toni Goga, i cili, i “frymëzuar” nga Konferenca e Pezës, u bëri thirrje qytetarëve “Të bashkohemi sot kundër sulmit energjetik, që kërcënon kontinentin tonë evropian, dhe sulmit kibernetik, që kërcënon hapësirën tonë virtuale”!

Sikur të mos mjaftonte kjo, shtypi i ditës dhe televizionet lokale e kombëtare, në mënyrë absolute, në lajmet e darkës së 16 shtatorit, por as në kronikat e botimet e të nesërmes, nuk dhanë asnjë sekuencë nga ky përvjetor historik dhe i lavdishëm, me përjashtim të një njoftimi të shkurtër, që një televizon “anësor”, komunikoi për shikuesit se në mbrëmjen e festës, do të kemi një program të zgjeruar me muzikë “rrok”!!

Shtypi dhe medja, jo vetëm bojkotuan manifestimin madhështor, që Partia Komuniste realizoi tek shtatorja e Myslim Pezës dhe tek varrezat e Dëshmorëve, por injoroi edhe aktivitetin që zhvilluan veteranët dhe qytetarët e zakoshëm, të cilët nuk do të riktheheshin për “rrokun” e mbasdites së Bashkisë së kryeqytetit.

Në gjithë këtë histori bojkotuese dhe injoruese, më në siklet ka qenë Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Popullit Shqiptar, nëntëdhjetë  e dy vjeçari, Odhise Porodini. Fjala e tij e saktë në manifestim, si dëshmitar autentik i ngjarjes historike dhe gjithë LANÇ, do të kishte qenë dhjetëfish më e fuqishme, sikur në krah të tij në këtë ditë, të ishte Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, dhe pse jo, edhe Presidenti i Republikës . . .!

Por edhe i nderuari Odhise Porodini, ka një përgjegjësi morale përkundër shokëve të tij të LANÇ dhe pasardhësve të tyre. Mungesën e qeveritarëve kryesorë në këtë event të madh kombëtar, duhej ta denonconte me një revoltë publike në mitingun manifestues dhe në prononcimin në televizion. Madje, ai kishte të drejtën që përfaqësuesit e shkallës së dytë e të tretë të qeverisë, e të parlamentit, t’i përzinte nga manifestimi, siç përzihen krushqit e një dasme, nëse ata vijnë pa “të parin e krushqëve”. . .

Të vetmit shqiptarë, që u gëzuan nga mungesa e qeveritarëve dhe bojkoti unanim i medias për 80 vjetorin e Konferencës së Pezës, ishin Çelot e Institutit të “krimeve të komunizmit” dhe Alibeajt e Parlamentit. Ishin të gëzuar, sepse projektet e tyre antikomuniste e antishqiptare, për zhdukjen e çdo shenje të LANÇ dhe të Socializmit, filluan të zbatohen, ende pa u diskutuar në parlament, dhe për më tepër autorët e parë të kësaj “vepre” të zezë, janë vetë politikanët dhe qeveritarët, që kur kanë ardhur në pushtet, janë betuar e stërbetuar para zgjedhësve, se do të mbrojnë me vetmohim vlerat e LANÇ dhe gjakun e Dëshmorëve të Kombit.

Partia Komuniste e Shqipërisë, por dhe qytetarë me statusin e pasardhësit të veteranëve e të familjeve të dëshmorëve, jo njëherë kanë lajmëruar rrezikun e ringjalljes së nazifashizmit. Jo më larg se katër ditë më parë, dhe pikësisht me datën 13 shtator 2022, në gazetën SOT, unë autori i këtyre rradhëve, botova shkrimin me titull: “Fashizmin e kemi në prag, t’i dalim ballas si në LANÇ të prindërve tanë”!

Ajo që ndodhi me jubileun e 80 vjetorit të Konferencës së Pezës, më bindi se alarmi që është lëshuar disa herë në shtyp, është i vërtetë. Tashmë nazifashizmi është ulur këmbëkryq në mjediset tona qytetare e shtetërore. Mbi të gjitha, ky nazifashizëm është ulur këmbëkryq në mendjet e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë, pavarësisht të kujt krahu politik janë.

Jam i sigurtë se jo vetëm unë, por shumica e shqiptarëve, kur kanë parë (ose më saktë) kur nuk kanë parë në televizion e në shtyp kronikën e manifestimit të Pezës, kanë mbetur të zhgënjyer.

Këtij zhgënjimi i shtohet edhe mungesa e ambasadores së SHBA, Juri Kim. Ajo ndoshta nuk e di, se Konferenca e Pezës ishte një akt i pashoq në Evropë, gjatë periudhës së L 2 B, kur populli shqiptar me Frontin e tij Nacional Çlirimtar, të udhëhequr nga Partia Komuniste dhe Legjendari Enver Hoxha, ishte inkuadruar me Aleancën e Madhe Çlirimtare “Anglo – Sovjeto – Amerikane”, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në relacion me resurset e vendit të tij.

Duke e mbyllur ligjëratën time të thjeshtë, nuk mund të lë pa vendosur në fund të shkrimit, parrullën historike “Vdekje fashizmit, Liri popullit”, që partizanët dhe gjithë populli shqiptar përdori dhe realizoi gjatë luftës për çlirimin e vendit. Madje parrullën në fjalë, do ta vendos në krye të çdo shkrimi, që do të shkruaj e botoj, sepse jam i bindur që tashmë nazifashizmi është ringjallur plotësisht në trojet tona.