Gëzim Prengzi: Sot në Bajram Curri, vendoset shtatorja e Ali Ibrës

606
Sigal

Me rastin e vendosjes së shtatores së tij në qytetin Bajram Curri dhe 185- vjetorit të lindjes

“Mirë se erdhe Ali Ibra, Shqiptarisht udhën prina”

Ndërsa jemi në prag të Festës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Atdheut,në qytetin Bajram Curri përurohet me 14 nëntor 2020, shtatorja e patriotit të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Ali Ibër Neza nga Shipshani i Malësisë së Gjakovës. Emri dhe personaliteti i tij historik kulmon kryesisht në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e në vijim në kuvende e beteja të lavdishme. Drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare vlerësuan drejt momentin historik për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj organizate politike-ushtarake që do t’i dilte zot tërësisë territoriale shqiptare përballë synimeve shoviniste të shteteve fqinje të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha dhe për jetësimin e së drejtës për të formuar shtetin shqiptar. Sa herë sjellim në kujtesën tonë historike figurat e shquara të kësaj Lidhjeje si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Binak Alia, përkrah tyre me atdhedashurinë dhe përkushtimin kombiar gjendet edhe Ali Ibra. Lindi me 1835 në Shipshan të Tropojës, në këtë vend ku në breza ecën krahas trimëria e mënçuria duke i përdorur si gurë themeltarë në rrugën e bashkimit kombëtar e Pavarësisë.

 

Ali Ibra i mbrujtur me virtytet më të mira atdhedashëse nuk vjen rastësisht në këtë Lëvizje të madhe kombëtare, ishte koha kur aleatët e shqiptarëve ishin të pakët, dhe ai u mbështet e bashkëpunoi me figura të shquara atdhetare  duke marrë përsipër detyra të vështira për kohën duke u nisur nga mundësitë që ekzistonin. Kjo Lidhje me platformën dhe drejtuesit e saj mbrojti ekzistencën e rrezikuar të kombit e shtetit shqiptar në trojet e tyre etnike. Për angazhimin e tij impenjativ e të dobishëm Ali Ibër Neza u zgjodh në Kryesinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qershor 1878 si përfaqësues i denjë i Malësisë. Disa javë më pas një deklarimi të rremë  se austro-hungarezët do të sulmonin tokat shqiptare nga drejtimi i Bosnjës, Ali Ibra në vend të dërgimit të shqiptarëve në front, ai në krye të një delegacioni të Lidhjes shkoi në Pazar të Ri (Novipazar) për vërtetimin e fakteve, duke biseduar e vërtetuar se austro-hungarezët nuk kishin një plan të tillë. Një nga ngjarjet më të mëdha të Lidhjes së Prizrenit ishte “Aksioni i Gjakovës” shtator 1878 siç quhet Shpesh, “Pushka e parë e Lidhjes Prizrenit”. Në fundgushtin e vitit 1878 Porta e Lartë dërgoi në Kosovë mareshalin Mehmet Ali Pashë Maxharin, njërin nga nënshkruesit e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare. Pas disa bisedimeve mes krerëve të Lidhjes dhe mareshalit, ato përfunduan në disfavor të tij, dhe jo vetëm kaq, por atij ju kërkua kthimi pa kusht nga kishte ardhur duke mos pretenduar tjetër dorëzimin e Plavës e Gucisë padrejtësisht Malit të Zi. Maxhari i strehuar në sarajet e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë, pas disa ditë luftimesh mes përkrahësve të tij dhe forcave të shumta të Lidhjes, vritet nga Col Delia i Geghysenit. Kjo fitore e Lidhjes ishte një sinjal pozitiv i vendosmërisë së saj për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë shqiptare. Kjo betejë evidentoi përsëri Ali Ibrën, Haxhi Zekën, Sylejman Vokshin, Jakup Ferrin, etj.si figura qendrore organizative të Lidhjes. Pas kësaj beteje pati disa tentativa për t’i ndjekur disa mbështetës katolikë të Maxharit dhe për të djegur kishën në Gjakovë, por ndërhyrja e mençur e burrërore e Ali Ibrës e parandaloi konfliktin. Zhvillimi i ngjarjeve në vijimësi,nga njëra anë këmbëngulja e Malit të Zi për aneksimin e Plavës e Gucisë, e nga ana tjetër Lidhja Shqiptare, që nuk pranonte kurrsesi dorëzimin e trojeve shqiptare, bëri të detyrueshëm bisedimet mes shqiptarëve e malazezëve në fundin e tetorit 1879. Ali Ibra kryesoi delegacionin shqiptar i cili shfaqi qëndrimin e prerë për të mbrojtur me çdo kusht trojet e veta. Teodor Milani që kryesonte delegacionin malazez, bashkë me Mark Milanin në dhjetor 1879 e janar 1880, në krye të 12 mijë forcave të armatosura zhvilluan luftime të ashpra me forcat e Lidhjes Shqiptare, këto të fundit mbrojtën me gjak trojet e veta duke i shkaktuar humbje të mëdha forcave malazeze. Edhe këtu Ali Ibra la shembull trimërie në krye të forcave të Gashit.

Duke parë keqësimin e gjendjes në terren, lëkundjen e disa krerëve të Lidhjes, kërcënimet e vazhdueshme që u vinin trojeve shqiptare, e detyroi Kryesinë e Lidhjes të bënte ndryshime në përbërjen e saj. Në fillim të vitit 1881 u zgjodh Qeveria e Përkohshme me kryetar Ymer Prizrenin. Ali Ibra mbetej gjithmonë i njëjti i palëkundur në rrugën e tij për një shtet shqiptar. Pas riorganizimit të Lidhjes,në prill 1881 forcat osmane nën drejtimin e Dervish Pashës, me 20 mijë forca të armatosura, vërshuan për të shpërndarë Lidhjen Shqiptare dhe për të varrosur idenë e autonomisë shqiptare. Luftimet e ashpra që u zhvilluan në grykën e Carralevës, Shtimje e Slivovë, nxorën në pah përpjekjet e shqiptarëve për bashkim kombëtar. Në këto beteja dhanë jetën bashkëluftëtarët e Ali Ibrës, Mic Sokoli e Sefë Kosharja, por edhe Ali Ibrës “i shkoi gjaku për zingji”.

Ali Ibrën u munduan shumë herë ta korruptonin osmanët me dhurata e tituj por ai kurrë nuk i pranoi gradat as dekoratat. I veshur me lavdi ai ndahet nga jeta më 1900 në Osek afër Gjakovës.

Ali Ibra i vjen historisë besnik e i paepur për çështjen kombëtare, i bindur se kombi i tij është i denjë të ecë përkrah kombeve të përparuar të Botës. Vlerësimet që iu ofruan në jetë i refuzoi, por pasardhësit e tij të familjes Nezaj e përjetësuan me një shtatore në Gjakovë në 100- vjetorin e Pavarësisë, ndërsa tani në 120- vjetorin e ndarjes nga jeta, shtatorja e Ali Ibrës po vendoset në vendlindjen e tij, në Tropojë.

Vargjet e bukura të poetit çam Namik Selmani janë mjaft mbresëlënëse:

 

“Zbrit nga bronxi, Ali Ibër Neza,

Të pret oda mes një kulle,

Të pret kënga, portë për breza,

Hap pas hapi, udhë pas udhe,

Zbrit or zbrit, udhën prina,

Nëpër shkronja, nëpër krisma”.