Shqipëria po përballet me një krizë të thellë të kostos së jetesës, ku çmimet e ushqimeve bazë po rriten me ritme alarmante. Të dhënat më të fundit tregojnë se rritja e çmimeve të ushqimeve në vend është pesë herë më e shpejtë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në një paradoks të thellë ekonomik, sektori i ndërtimit njeh një rritje 2.5 herë më të lartë, duke nxjerrë në pah një ekonomi që lulëzon në beton, por gërryen xhepat e qytetarëve për mbijetesë.
Deputetja e PL, Erisa Xhixho tha se, kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vullnetit politik. Premtimi elektoral i vitit 2013 i kryeministrit aktual për heqjen e plotë të TVSH-së për produktet bazë nuk u mbajt kurrë. Propozimet e fundit nga opozita për ta ulur këtë taksë në 5%, të ngjashme me nivelet prej 6-7% që aplikohen në Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi, janë refuzuar vazhdimisht në parlament.Në vend të politikave reale mbështetëse, si ulja e taksave, lufta ndaj pastrimit të parave që po zhvlerëson euron dhe rrit kostot, apo mbështetja për bujqësinë që tashmë ka hyrë në recesion, qeveria ka zgjedhur një rrugë tjetër. Ministrat po shfaqen nëpër tregje për t’u treguar qytetarëve ku të blejnë perimet më lirë. Një lëvizje e tillë propagande nuk e fsheh dot dot problemin numër një të qytetarëve: koston e papërballueshme të jetesës.





















