Fatos Nano: Ja njeriu që shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile në 1997

1332
Sigal

Flet Gëzim Zilja: Si i shpëtoi jetën i burgosuri politik Bedri Ccoku, Kryeministrit Fatos Nano, ish-zv/drejtorit i studimeve M-L. Udhëtimi me helikopter në Marsin e ‘97 mes plumbave të bandave, bisedat në burgun e Bënçës, vizita në shtëpi dhe si e lanë pa punë për 8 vjet “Burrin e besës që shpëtoi burrin e shtetit”. Ja historia e plotë.

Përgatiti Gëzim Zilja

“Burri i besës që shpëtoi burrin e shtetit”

Bedriu në kohën e trazirave në mars 1997, drejtonte sistemin e burgjeve të republikës. Nga burgjet e Sarandës dhe Bënçës, nën presionin e bandave të armatosura ishin arratisur gjithë të burgosurit, me përjashtim të dymbëdhjetë pushtetarëve të diktaturës dhe ish-kryeminstrit Fatos Nano, (dënuar për shpërdorim detyre,) që nuk pranuan të largoheshin nga burgu. Bedri Çoku kërkoi takim urgjent me Ministrin e Drejtësisë dhe i propozoi masa sigurie, veçanërisht për Fatos Nanon, kryetar i partisë socialiste, të transferohej në Tiranë, në burgun 313.
Afër mesnatës, e thirri Ministri i Drejtësisë, dhe e njofton se me urdhër të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, duhet të nisej menjëherë me helikopter, për të marrë Fatos Nanon. Nuk u mendua gjatë Bedri Çoku, mori helikopterin dhe u nis, i shoqëruar nga një oficer i Ministrisë së Brendshme. Dhjetëra banda nga Tepelena, Memaliaj e Gjirokastra, vigjëlonin me kundërajrorë, mitralozë të rëndë e automatikë dhe në çdo çast mund të godisnin “alikopterin qeveritar” edhe për argëtim.

 

Edhe pse komisariati ishte i pushtuar me forcën e armëve, nga bandat e Komitetit të Shpëtimi Publik (KSHP) të Tepelenës, ia doli të lidhej me shefin e komisariatit Bernard Çaushaj, të cilin e njoftoi të ndizeshin zjarre rreth vendit, ku do të ulej helikopteri, detyrë që oficeri trim e kryeu me sukses. Reth orës 1.00 helikopteri u ul pa problem. Bashkë me rojet e burgut shkuan në qelinë e Fatos Nanos, që rrinte shtrirë në krevat me kokën e futur nën batanie. Edhe pse Drejtori hyri në qeli buzagaz, i dënuari nuk e uli batanien, që e mbulonte deri te hunda. – Ngrihu se do të shkojmë në Tiranë! Kam ardhur vetë të të marrë me helikopter për në burgun 313, se aty je më i sigurt. Urdhëri për të larguar prej këtu është dhënë nga Presidenti i Republikës.- Fatos Nanua dukej i trembur dhe mosbesues. Ndihej më i sigurt atje, në atë vrimë të burgut të Bënçës, duke menduar se shteti kishte marrë rrokullimën. Me të njohur drejtorin, largoi mbulesën dhe hodhi këmbët në dysheme. – Më fal se nuk të njoha…Epo, me ato që po dëgjojmë …kohë të vështira po kalojmë… – Duhet të kesh besim tek unë. Do të jem edhe vetë në helikopter. Nuk ka pse trembesh. Çdo veprim bëhet për të siguruar jetën tënde…- I burgosuri, tashmë i ngritur në këmbë, plot gjallëri deklaroi: – Kam besim te ty Bedri! Me ty kaloj oqeanin në këmbë po deshe, nuk e kam problem. Njihesh Bedriu me Fatos Nanon. Si njeri i drejtë e pa paragjykime e respektonte ish zv/drejtorin e institutit të studimeve m.-l. tashmë kryetar i partisë socialiste. Madje, në çdo inspektim që bënte, ai e pranonte ftesën e të burgosurit, për një kafe në qelinë e tij. Asnjë e shtënë me mitraloz apo pushkë nuk qëlloi helikopterin, që po ngrihej, ndërkohë që nata po venitej e po ia linte vendit ditës. Me sa dukej KSHP-të, që kontrollonin plotësisht qytetin e Memaliajt e Tepelenës, ishin informuar se ç’po ndodhte andej nga burgu i Bënçës. Të burgosurin e çuan drejt e në qeli në masa të rrepta sigurie. -Tashmë je plotësisht i sigurt,- i tha Bedriu duke u larguar. I burgosuri i hodhi dorën në sup, miqësisht, dhe deklaroi: – Kurrë nuk kam për të ta harruar. Jetën time ta detyroj ty… Nesër me siguri do të vish të më takosh apo jo?- Nënteksti dhe pasiguria ishte e qartë: -Mirë që më solle këtu, por a do të jem gjallë, nesër?- Drejtori qeshi, i ra krahëve dhe u largua, pa i thënë asnjë fjalë. Po atë ditë, të dy pinin kafe te qelia numër 47. Muaj më vonë, para shtëpisë së Bedri Çokut qëndruan disa makina me targa qeveritare dhe në derë të shtëpisë u shfaq së bashku me avokatin e tij besnik, ish i burgosuri, tashmë me kostumin e Kryeministrit të Shqipërisë. Bedriu i habitur i ftoi brenda. Kryeministri me humorin e zakonshëm, plot batuta, s’pushonte së foluri për vuajtjet e tij në burgun e Bënçës, ku nuk i mungonte asgjë. Njeriu që kishte bërë pesëfishin e kohës së tij në burgjet e diktaturës, e dëgjonte dhe buzëqeshte hidhur pa e ndërprerë mysafirin hokatar e të zhurmshëm.


Para se të ngrihej, Fatos Nano përsëriti fjalët që kishte thënë, kur u transferua në burgun 313. –“Ty Bedri të detyrohem jetën dhe kurrë nuk kam për ta harruar nderin që më ke bërë. Prania jote në helikopter, nga Tepelena deri në Tiranë dhe anasjelltas, në atë kohë, rrezikonte edhe jetën tënde. Po t’i them këto edhe në sy të gruas dhe mikut tonë, avokatit të nderuar, se, në ka njeri që shpëtoi Shqipërinë nga lufta civile, ky je ti,- burri yt-, iu drejtua pastaj gruas së drejtorit të burgjeve. Po të isha eliminuar unë, pa diskutim që do të shpërthente lufta e përgjakshme. Yt shoq vuri jetën në rrezik për të më shpëtuar mua, por edhe për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga një katastrofë të madhe…”
Disa muaj më vonë, me fitoren e PS-së, pjesa dërrmuese e ish të burgosurve dhe internuarve politikë të punësuar në burgje e polici, megjithëse të trajnuar e diplomuar, u pushuan nga puna. Bedri Çoku transferohet si zv/drejtor në burgun 325. Duke parë se në drejtimin e burgjeve, e policinë e shtetit ishin vendosur njerëz të ish sigurimit të shtetit e gjithfarë militantësh, banditësh e kokëpalarësh të Komiteteve të Shpëtimit Publik, tepër i fyer edhe pse me dy fëmijë të vegjël, nuk e pranoi detyrën e re. Hapi një dyqan të vogël ushqimesh atje në lagje… Kryeministri nuk ishte bërë më i gjallë, qysh prej vizitës në shtëpi. Dikur Bedriu dërgoi një letër dorazi te Fatos Nano. Përgjigje nuk mori kurrë. Ja çfarë tregon më tej burri i besës dhe shqiptari i mirë, Bedri Çoku: “Mbeta pa punë, edhe pse isha diplomuar jurist në Fakultetin Juridik të Tiranës. Gjeta ngushëllim, ngaqë borxhin që i mbeta Partisë së Punës së Shqipërisë, sepse u lirova para kohe, pasi më kishin mbetur edhe tetë vjet burg, ua shleva pasardhësve të diktatorit, që më lanë tetë vjet pa punë…”