Përvoja e përbashkët me Elez Biberajn në Shqipërinë e mars–prillit 1991 : Pamë një Tiranë të trazuar, ku rrëzimi i regjimit komunist nuk kishte sjellë ende qartësi
Ajo vizitë ngriti pritshmëri të mëdha por, njëkohësisht, paralajmëroi për sfidat që do të vinin. Sot, kur shikojmë pas, vizita e Elez Biberaj mbetet një pikë referimi. Jo vetëm për atë që përfaqësonte atëherë, por për pyetjen që vazhdon të na ndjekë: a arriti Shqipëria të përmbushë pritshmëritë e atij momenti historik, apo mbeti peng i një tranzicioni të pafund. Një nga aspektet më domethënëse të kësaj vizite ishte perceptimi i publikut shqiptar. Për shumë qytetarë, prania e një figure si Elez Biberaj bashkë me delegacionin e Kongresit amerikan ishte një garanci morale se Shqipëria nuk ishte më e braktisur. Ishte një sinjal se Perëndimi jo vetëm po vëzhgonte, por edhe ishte i gatshëm të angazhohej. Megjithatë, në një lexim më kritik, vizita nxori në pah edhe kufijtë e entuziazmit fillestar. Ndërsa shpresa ishte e madhe, strukturat shtetërore mbeteshin të dobëta, mentalitetet e vjetra të rrënjosura në komunizëm dhe tranzicioni i pashmangshëm do të rezultonte më i gjatë dhe më i dhimbshëm se sa pritej. Në këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat e Elez Biberaj shërbyen edhe si një pasqyrë realiste për politikëbërësit amerikanë.
Një kujtim që mbetet. Sot, kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo vështirësitë, por mbi të gjitha shpresa e shqiptarëve për ditë më të mira për veten e familjet e tyre. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga njerëz që kishin duruar shumë, por megjithkëtë nuk kishin humbur besimin.

Dhe në këtë kujtesë, figura e Elez Biberaj mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me ato ditë si mik, si bashkëpunëtor dhe si një nga zërat që e kuptoi heret se Shqipëria, megjithë plagët e saj, kishte ende një të ardhme për të ndërtuar. Ato ditë në Shqipëri, pranë Elez Biberajt, mbeten një kujtesë e gjallë e një kohe kur gjithçka dukej e mundur, por asgjë nuk ishte e sigurt. Ishte fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë një rrugë që, edhe sot, vazhdon të kërkojë përgjigje për pyetjet e lëna pezull atë pranverë të largët. Në fund, ajo që mbetet më e fortë nga ajo përvojë është bindja se historia nuk ndryshon vetvetiu, por ajo ndryshohet për më mirë nga njerëzit që kanë guximin, moralin dhe vullnetin e fortë politik të përballen me të Vërtetën historike, jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra.

Një koment personal si post-scriptum, nëse më lejohet: Përvoja e përbashkët me Elez Biberajn në Shqipërinë e mars–prillit 1991 nuk ishte thjesht një udhëtim në një vend që po hapej ndaj botës ishte një përballje e drejtpërdrejtë me historinë në lëvizje. Shkuam dhe pamë një Tiranë të trazuar, ku rrëzimi i regjimit komunist nuk kishte sjellë ende qartësi, por kishte hapur një boshllëk të madh politik, institucional dhe moral. Ishte një Shqipëri ku e kaluara dhe e ardhmja përplaseshin çdo ditë, në çdo takim, në çdo debat, në çdo shpresë të shprehur me zë të lartë. Si pjesë e angazhimit amerikan pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri 1991, prania e dy delegacioneve amerikane, përfaqësues të ekzekutivit dhe të legjislativit të qeverisë amerikane, kishte një dimension të dyfishtë: nga njëra anë, përfaqësonim një lidhje të shumëpritur të Shqipërisë me Perëndimin; nga ana tjetër, ishim dëshmitarë kritikë të një realiteti, që kërkonte më shumë sesa entuziazëm kërkonte transformim të thellë. Në ato ditë, me Elez Biberajn ndamë jo vetëm axhendat dhe takimet, por edhe reflektime të vazhdueshme mbi atë që po shihnim. Pamë nga afër një shoqëri të etur për liri, por të pa-përgatitur për kompleksitetin e saj. Pamë liderë që flisnin për demokraci, por që shpesh mbartnin mendësitë e vjetra. Pamë një popull që besonte fort tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonjëherë më shumë si një mit, sesa një realitet politik.
Në diskutimet mes nesh, Elez Biberaj theksonte se Shqipëria nuk do të kishte sukses vetëm duke përmbysur të kaluarën; sfida e vërtetë ishte ndërtimi i një kulture demokratike dhe përpjekjet serioze, konkrete për ndërtimin e institucioneve dhe të mendësisë së re politike e shoqërore. Por ajo që na bashkoi më shumë në atë përvojë ishte jo vetëm ndjenja se po jetonin një moment historik, por edhe vetëdija se ky moment ishte vetëm fillimi. Shqipëria e vitit 1991 nuk kishte nevojë vetëm për miq dhe mbështetje ndërkombëtare; kishte nevojë për një përmbysje të brendshme të mendimit, të etikës publike, të marrëdhënies mes shtetit e qytetarit, por mbi të gjitha një përballim zyrtar me të kaluarën komuniste. Përvoja e jonë e përbashkët mbetet një dëshmi e asaj kohe kur shpresa ishte e madhe, por rruga përpara ishte e pasigurt. Ishte një kohë kur dy shqiptaro-amerikanë, nga dy realitete të ndryshme, u gjendën së bashku në një pikë kthese për kombin e tyre duke parë, duke analizuar dhe duke besuar se Shqipëria mund të bëhej ndryshe. Dhe ndoshta, vlera më e madhe e asaj përvoje nuk qëndron vetëm në atë që pamë, por në mënyrën si e kuptuam: me realizëm, pa iluzione të tepërta, por me një besim të qëndrueshëm se ndryshimi, sado i vështirë, ishte i pashmangshëm, mgjithë zhgënjimet e mëdha të klasës politike shqiptare këto 35-vite e deri në ditët e sotme.
Tifozët dhe dëgjuesit e rregullt të Zërit të Amerikës pasi u përhap lajmi se Elez Biberaj, Shef i Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës ishte në Tiranë, reagimi ishte i menjëhershëm, siç tregon kjo fotografi përpara Hotel Dajtit. Një përzierje krenarie dhe shprese, pa tjetër. Për shumë prej tyre, prania e dy delegacioneve amerikane në Shqipëri ishte diçka më shumë se një vizitë diplomatike; ishte një shenjë se Shqipëria, më në fund, nuk ishte më vetëm, as e izoluar nga bota. Ishte një kohë kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe për herë të parë në historinë e tij nën drejtimin e Dr Biberajt, kishte numrin më të madh të dëgjuesve në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, në krahasim me programet e tjera evropiane të VOA’s, në proporcion me popullsinë, natyrisht.
Kryetari i delegacionit të Kongresit Amerikan, Senatori Dennis DeConcini i shtetit Arizona në konferencë me shtypin në Tiranë
Konferencë shtypi i delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ato ditë në Tiranë
Zbritja e delegacionit të parë të Kongresit Amerikanë në aerportin Rinas të Tiranës, Mars, 1991
Takimet me intelektualë, gazetarë dhe figura të reja politike zbuluan një shoqëri në fermentim, por edhe një elitë ende të papërgatitur për sfidat e një sistemi pluralist. Në rrugët e Tiranës, njerëzit na ndalonin, pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë. Kishte një idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë prej tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte sinonim i demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies një kontrast i fortë me realitetin komunist që kishin përjetuar ata për dekada.

Me Elezin, bisedat tona shpesh shkonin përtej detyrës zyrtare. Si dy shqiptaro-amerikanë që kishim ndjekur për vite me radhë fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nga larg, tani ndodheshim në zemër të saj, duke parë nga afër pasojat e një sistemi barbar që kishte lënë plagë të thella në trupin e Kombit. Një miqësi në shërbim të një momenti historik — Ditët me Elez Biberajn në Tiranë nuk ishin vetëm një përvojë profesionale; ishin një dëshmi e asaj se si miqësia dhe përkushtimi mund të ndërthuren me historinë. Kishte momente reflektimi, por edhe një ndjenjë të fortë detyrimi – ndaj vendit të origjinës, ndaj së vërtetës, lirisë e demokracisë dhe ndaj së ardhmes. Në ato ditë të marsit dhe prillit 1991, Shqipëria ishte ende e brishtë, por e gjallë. Dhe ne, në mënyrën tonë modeste, ishim dëshmitarë dhe pjesëmarrës në atë zgjim.




















