Flet Prof. As. Jorgji Hanxhari: Bëmat e Komisariatit të Posaçëm për Naftën , si u sabotua barbarisht vendburimi i Gorisht – Koculit, pasi një studim rrezikoi padrejtësisht të gjithë specialistët e naftës

323
Sigal

 Dënimi I Ballukut, Këllezit dhe Theodhosit pati ndikim edhe në sektorin e naftës

Ju tregoj bëmat e Komisariatit të Posaçëm për Naftën ose Sigurimit të naftës

  • -Dënimi i Koço Theodhosit, Abdyl Këllezit, Beqir Ballukut pati ndikim dhe në sektorin e naftës
  • – Një i ashtuquajtur ‘’studim’’, e nxirrte vendburimin e Gorisht-Koculit, të shfrytëzuar barbarisht dhe të sabotuar
  • – Si ju përgjigjëm pyetjeve të Pali Miskës, Hekuran Isait, Prokop Murrës për vendburimin e Gorisht-Koculit
  • – Pali Miska tha tekstualisht që ‘’atje”, në kulmin e vendburimit, do ta ngrejmë trekëmbëshin për përgjegjësit e sektorit të kulmit’’
  • – Menduam se u kthye edhe një herë gjendja si në vitin 1975, kur u dënua i ashtuquajturi ‘’grup armiqësor’’ i Lipe Nashit
  • -Do të ishte një veprim shumë i drejtë rishtetëzimi 50%  i industrisë nxjerrëse të naftës dhe gazit.
  • -Një shembull i gjallë se si mbrohet dhe zhvillohet pasuria e zbuluar, në interes të popullit, nga një shtet serioz mbetet Norvegjia
  • – Shteti mban në dorë frenat, ndërhyn dhe kontrollon kompanitë që merren me naftën!
  • – Ja historia e pasurimit të shpejtë të Norvegjisë ose një iraken që i mungon Shqipërisë
  • – Norvegjia me vetëm 5 milion banorë sot është eksportuesja më e madhe e naftës në Evropë dhe një nga më të mëdhatë në botë.
  • -Sipas vlerësimeve të 2010-s, ky shtet eksporton rreth 1.6 milionë fuçi nafte çdo ditë, më shumë se dyfishin e vendit të dytë evropian M. B.

Albert Z. ZHOLI

Në periudhën e komunizmit investohej shumë për naftën, por dhe prodhimi politizohej. Fryma e partisë duhej të ishte dhe në grykën e pusit. Janë dënuar padrejtësisht shumë inxhinierë. Ndërsa sot nafta nuk është më sektor i kontrolluar nga shteti. Firmat e huaja bëjnë ligjin. Këto probleme do diskutojmë në këtë bisedë me Prof. Asoc. Jorgji Hanxhari…

-Jeni një inxhinier më mjaft përvojë në nxjerrjen e naftës dhe në fushën pedagogjike. Në sistemin monist flitet shumë dhe për rolin e Sigurimit në sektorin e naftës. Çfarë ngjarje ju ka lënë më shumë shije të hidhur ku Sigurimi ka ndërhyrë në një fushë që nuk e njihte (pasi duheshin specialistë të fushës) dhe që lidhet me ekonominë e vendit?

-Sot duket e pabesueshme, madje  nga të rinjtë mund të aludohet se është një fantazi e shfrenuar por në fakt dikur ka qenë një realitet. Në sistemin monist ishte dhe një sektor që quhej Komisariati i Pocaçëm i Naftës, si Sigurimi famëkeq! Ishte koha kur, nga fundi i vitit 1978 ose në fillim të vitit 1979, u krijua Komisariati i Posaçëm për Naftën, në krye të të cilit u caktua Hekuran Isai, që ishte njëkohësisht Sekretar i Komitetit Qëndror të Partisë. Ai kishte mbaruar shkollën e Rezervave të Punës (ose, siç quhej ndryshe F.Z.O.) në Kuçovë dhe kish punuar disa vjet në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Cërrik, si pompist. Pastaj, në fushatën e ngritjes në përgjegjësi të kuadrove nga klasa punëtore, pasi bëri shkollën e Partisë, u bë Sekretar i Parë i Partisë në rrethin e Peshkopisë dhe kur u përjashtua nga Byroja Politike dhe u dënuan Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Beqir Balluku, etj u katapultua si Anëtar i Byrosë Politike, në të njëjtën kohë me Pali Miskën, etj. Ai njihej si njeri i ashpër, ndaj dhe u emërua si Shef i këtij Komisariati, që u bë tmerr i naftëtarëve, për masat ekstreme dhe të pambështetura as në ligje e as në argumente! Mori në përbërje të tij edhe disa specialistë, që ndiqnin dhe imitonin shefin e tyre!

Ata që kanë punuar në atë kohë në naftë, kujtojnë urdhërat e tyre, me afate zbatimi të pambështetura dhe me paralajmërime për dënime dhe shkarkime nga detyra të shumë kuadrove të naftës. Për sektorin e Nxjerrjes së naftës, në Komisariat ishte Bajram Baxhia, një inxhinier që kishte punuar vetëm në Vendburimin e Gazit në Divjakë dhe nuk ia kishte idenë shfrytëzimit të vendburimeve gëlqerore! Pikërisht ky person, bëri një të ashtuquajtur ‘’studim’’, që e nxirrte vendburimin e Gorisht-Koculit, të shfrytëzuar barbarisht dhe të sabotuar, edhe pas dy projekteve, që u quajtën më të arrira nga pikëpamja shkencore!

Çfarë pasojash mund të sillte ky “studim”?

Ky material bëri jehonë të madhe në sferat e larta të Partisë dhe na rrezikonte padrejtësisht të gjithë specialistët, që nga ndërmarja, tek Instituti dhe deri tek Drejtoria e Përgjithshme e Naftës, edhe pse ishte krejtësisht jashtë realitetit! Kështu që, të gjithë neve, u përgatitëm seriozisht, për ta hedhur poshtë me argumente shkencore! Paraqitja e këtij materiali të zi u bë në zyrën e Sekretarit të Parë të Partisë të Vlorës, ku erdhën antarët e Byrosë Politike Pali Miska, Hekuran Isai, Sekretari i K.Q. të Partisë Prokop Murra, sekretarët e Parë dhe Kryetarët e Komiteteve Ekzekutive të Vlorës, Fierit, Beratit, titullarët e Drejtorisë së Përgjithëshme të Prodhimeve, si dhe titullarët e Instituteve dhe specialistët e tyre. Materialin e tij e referoi vetë B.Baxhia, ndërsa materialin që e hidhte poshtë, të përgatitur nga ana jonë, e referoi Kryeinxhinieri i Ndërmarjes i ndjeri Vasil Manxhari, i mbështetur nga diskutimet e shumë specialistëve të Institutit dhe të ndërmarjes. Materiali u pa qartë edhe nga drejtuesit e lartë, që nuk qëndronte, mbasi u kundërshtua me argumente shkencore, të cilave Bajrami nuk mundi t’iu qëndronte, edhe pse këmbëngulte në konkluzionet e tij! Por, gjatë zhvillimit të kësaj mbledhjeje drithëruese, për ne të gjithë, që akuzoheshim se e kishim sabotuar shfrytëzimin e vendburimit, kaluam çaste tepër të vështira, nga ndërhyrjet e ashpra të Palit dhe të Hekuranit!

-Ju ku ishit me punë në këtë kohë?

Unë kisha rreth dy muaj që isha transferuar në Ministri, nga sektori i dytë i Prodhimit. Ky sektor mbulonte pjesën kulmore të vendburimit, të cilën Bajrami e stigmatizonte si më keq të shfrytëzuar nga i gjithë vendburimi! Në momentin kur Bajrami përmendi pikërisht këtë keqshfrytëzim të pjesës kulmore, hidhet Pali Miska dhe thotë tekstualisht që ‘’atje, në kulmin e vendburimit, do ta ngrejmë trekëmbëshin për përgjegjësit e sektorit të kulmit’’! Kjo shprehje na kalli datën të gjithëve, por veçanërisht mua, si inxhinier i atij sektori për dy vjetët e fundit dhe shefit të sektorit Laze Kashuri, por edhe për specialistët e tjerë të ndërmarjes, duke filluar nga Kryeinxhinieri! Por, gjaku na shkriu tepër vonë, kur u pa që akuzat e Bajramit, në emër edhe të Komisariatit, nuk qëndronin, mbasi, siç e theksova më lart, u hodhën poshtë njëzëri nga të gjithë specialistët! Kështu që, dalngadalë u shua vrulli i Bajramit si një flluskë sapuni dhe titullarët e lanë pa e diskredituar, por e mbyllën në ‘’paqe’’, duke na lënë porosi për ta zbërthyer e për të nxjerrë detyra për të ardhmen! Ne vërtet që morrëm frymë, në fund të mbledhjes, por frika na përfshiu, pasi u kthye edhe një herë gjendja si në vitin 1975, kur u dënua i ashtuquajturi ‘’grup armiqësor’’ i Lipe Nashit, etj. Bëmat e këtij Komisariati ishin të shumta dhe i mbajnë mend mirë ata që i kanë përjetuar ato kohë! Por edhe kjo kohë kur nafta e gjithë nxirret nga kompanitë e huaja është shumë e rëndë. Naftën tonë, e marrin të huajt.

-Ju në disa biseda mes miqsh apo shkrime jeni shprehur se do të ishte në interes të popullit dhe të shtetit rishtetëzimi i një pjese të sektorit të naftës. Këmbëngulni ende tek kjo ide dhe dëshirë?

Po! Do të ishte një veprim shumë i drejtë dhe mjaft shpresëdhënës, që, më në fund të merrte vendime të drejta për vendin, duke rishtetëzuar, qoftë edhe pjesërisht (por me mbi 50 përqind të aksioneve!) industrinë nxjerrëse të naftës dhe të gazit! Kjo e para! Pastaj të tjerat vijnë vetë!…

Ka shumë vende që sot kanë një ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme vetëm nga industria nxjerrëse e naftës dhe gazit. Cilat janë vendet që mund të merren shëmbull në këtë drejtim nga qeveria shqiptare?

Një shembull i gjallë se si mbrohet dhe zhvillohet pasuria e zbuluar, në interes të popullit, nga një shtet serioz mbetet Norvegjia. Shteti mban në dorë frenat, ndërhyn dhe kontrollon kompanitë që merren me naftën! Ja historia e pasurimit të shpejtë të Norvegjisë (ose një irakën që i mungon Shqipërisë). Suedezët tregojnë gjithnjë barcaleta mbi norvegjezët duke i përshkruar si më budallenjtë dhe naivët nga të gjithë nordikët. Por, Norvegjia me vetëm 5 milion banorë sot është eksportuesja më e madhe e naftës në Evropë dhe një nga më të mëdhatë në botë. Sipas vlerësimeve të 2010-s, ky shtet eksporton rreth 1.6 milionë fuçi nafte çdo ditë, më shumë se dyfishin e vendit të dytë evropian në klasifikim (Mbretëria e Bashkuar).

-Si e ka përdorur pasurinë e naftës për të forcuar pasurinë e vendit?

Norvegjia ka përdoruar pasurinë e naftës për ta shndërruar ekonominë e saj, e cila pas luftës së dytë botërore mbështetej vetëm te peshkimi dhe shfrytëzimi i pyjeve. E megjithatë, deri në vitin 1968 ajo as që e dinte se zotëronte naftë. Gjithçka nisi në vitin 1968 nga një gjeolog me origjinë irakene, Faruk al-Kasim, i cili sot është 79 vjeç dhe jeton në portin norvegjez të Stavenger. Al-Kasim, që kishte studiuar në Londër, u njoh dhe u martua atje me një vajzë norvegjeze. Pasi jetuan disa vite në Irak u transferuan në Norvegji, në maj të ‘68-s. Me të mbërritur në shtetin skandinav, 31 vjeçari iraken vendosi të vizitonte zyrat e Ministrisë së Industrisë për t’u informuar nëse kishte kompani nafte në Norvegji dhe nëse ndonjëra prej tyre kërkonte gjeolog. Al-Kasim ishte me fat. Ministria e Industrisë kishte nevojë për një gjeolog ekspert për të vlerësuar rezultatet e një sërë testesh të zhvilluara gjatë muajve të kaluara në Detin e Veriut. Prej më se 5 vitesh autoritetet norvegjeze kishin zbatuar projekte eksploruese, por deri atëherë nuk kishin gjetur gjurmë nafte, edhe sepse sektori që mbulonte këtë fushë kishte vetëm 3 nëpunës. Al-Kasim kaloi tre muaj me interpretimin e të dhënave të nxjerra nga 13 puse eksplorimi dhe doli në përfundimin se në brigjet norvegjeze kishte sasi të mëdha nafte, por askush nuk i dha të drejtë. Autoritetet ishin skeptike dhe thuajse të gjitha kompanitë e naftës po largoheshin nga vendi, pas vitesh të tëra eksplorimi. Por në dhjetor të 1969-s, kompania amerikane “Phillips Petroleum” gjeti për herë të parë naftë në zonën Ekofisk, e cila pas disa ditësh u deklarua si një nga depozitat më të mëdha në botë. Al-Kasim pohon se politikanët norvegjezë kur u bindën se depozitat e naftës ekzistonin vërtet, filluan të druheshin për ardhjen e beftë të shoqërive të huaja për eksplorim në truallin norvegjez. Nga eksperienca e tij nuk mund veçse të ishte dakord: “Kisha jetuar në agoninë se mos isha një dordolec i imperializmit”, thotë ende sot. Ai i kishte shumë të qarta dy rrugët që mund të ndiqeshin për menaxhimin e naftës:

1.krijimin e hapësirave për kompanitë shumëkombëshe (kjo zgjidhje ishte vërtetuar shpesh herë e dëmshme për ekonomitë vendase) apo 2.nxjerrja e tyre jashtë ligjit, ashtu siç kishin bërë shumë vende në Lindjen e Mesme midis viteve ‘50-’60. As kjo nuk funksiononte: përqendrimi i naftës në duart e pak autoktonëve, thellë-thellë nuk ndryshonte shumë nga lënia e saj “imperializmit”. Por al Kasim e gjeti shumë shpejt rrugën.

-Në çfarë mënyre?

Ai dhe një koleg hartuan një projekt në lidhje me çështjen më të rëndësishme: si duhej menaxhuar gjithë ajo naftë. Thelbi i tij ishte ky: ngritja e një kompanie të kontrolluar nga shteti “Statoil”, në mënyrë që të punësoheshin norvegjezët dhe të zhvilloheshin kompetencat lokale në këtë sektor, në të njëjtën kohë krijimi i një organizmi kontrolli plotësisht të pavarur: “Drejtoria e Naftës Norvegjeze”. Shoqëritë e huaja të naftës mund të vazhdonin të shfrytëzonin burimet në këtë shtet (në ndryshim nga vendet lindore që ndoqën rrugën e monopolit), por aktivitetet e sektorit do të rregulloheshin nga Drejtoria, me vëmendje të veçantë ndaj pasojave ambientale.

Shteti zgjodhi të vinte në praktikë projektin e al-Kasim që u bë baza e suksesit norvegjez.

Në ndryshim nga pjesa më e madhe e prodhuesve të naftës, qeveria norvegjeze përdori paratë e qytetarëve për të financuar gjysmën e investimit, duke marrë përsipër gjysmën e risqeve në zhvillimin e puseve. Kur fitimet nisën të vinin vërtet në vitet ’90, shteti i vendosi ato në një fond kursimi, në pritje të momentit kur depozitat do të ezauroheshin. Drejtoria e Naftës, së cilës iu desh të luftonte shumë për të balancuar pushtetin “Statoil”-it (ku al-Kasim punoi për dy dekada si një nga drejtuesit kryesorë), vendosi objektivin e “ndotjes zero” të mjedisit dhe si rrjedhojë shumë pak agjentë kimikë të dëmshëm janë shkarkuar në Detin e Veriut. Për vite të tëra al Kasim këmbënguli në zhvillimin e teknologjive të reja për shfrytëzimin maksimal të puseve, një bindje personale që bëri të mundur shfrytëzimin me 45% të depozitave të naftës, ndërsa në pjesën tjetër të botës vazhdon të jetë rreth 25%. Fondi sovran norvegjez, i cili administrohet nga banka qendrore është më i madhi në botë, ndërsa pak ditë më parë ai tejkaloi vlerën e përgjithshme prej rreth 5 miliardë koronash (më shumë se 600 miliardë euro) dhe 183% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ky lajm u raportua nga agjencitë ndërkombëtare me sintezën e sugjeruar që “secili nga ata 5 milionë norvegjezë është një milioner i mundshëm”

Norvegjia kursen në një fond gjigand fitimet nga nafta

Kush nuk do t’i donte ato- burime prej të cilave vërshon naftë? Vetëm se mirëqënia në shumë vende që nxjerrin naftë shpesh mungon. Ndryshe është puna në Norvegji, ku mendohet në mënyrë më afatgjatë. Ai që kërkon të dijë se pse është kaq e pasur Norvegjia, ai duhet të vizitojë njëherë muzeun e naftës në Stavanger. Këtu mund të mësosh historinë e një kombi të varfër peshkatarësh, i cili në vitet ’60 gjeti si të thuash në derën e shtëpisë naftë dhe gaz dhe problemi më i madh i të cilit sot është si të veprojë me mirëqënien, thotë drejtori i muzeut të naftës, Finn Krog: “Ne duhet ta administrojmë pasurinë me mençuri dhe largpamësi. Dhe neve na nevojitet më shumë këmbëngulje në shfrytëzimin e burimeve. Prandaj kemi ngritur një fond bankar nafte, duke futur aty disa mijëra miliarda krona. Ky është një hap për të ardhmen, për të treguar kujdes, në mënyrë që të mos shpenzojmë shumë nga pasuria jonë. Mua kjo më duket e drejtë dhe besoj se personat përgjegjës deri tani kanë vepruar në mënyrë të zgjuar në këtë drejtim.” Mbi 300 miliardë EURO ka mbledhur deri tani fondi i naftës i Norvegjisë, shumica e parave investohen në tregjet ndërkombëtare financiare, vetëm një pjesë e vogël investohet në atdhe. Të gjitha të ardhurat nga nafta derdhen në fonde, gjë që u shërben dy qëllimeve: që të ruajë aftësinë për të paguar të vendit, në rast se nafta nuk do të vërshojë një ditë më si tani, ose po të bien çmimet, dhe për të lënë një rezervë edhe për brezat që do të vijnë. Vetëm me një pjesë të fitimit nxiten investimet shtetërore ose sistemi i pensioneve, pa qenë të nevojshme rritje të ndjeshme taksash- të tilla norvegjezët paguajnë mjaft. Për administrimin e fondit është përgjegjëse Norges Bank, Banka e Norvegjisë, por asaj nuk i lejohet ta investojë Fondin si dëshiron: bizneset u nënshtrohen një detyrimi për të qenë të pastra dhe këtë e mbikqyr një Këshill Kombëtar i Etikës.