Flet Ahmet Shqarri “Mjeshtri i Madh” kujton ndeshjen Barcelona- Flamurtari në tetor 1986

287
Sigal

  Tmerri i faksit të ardhur nga Tirana për transmetimin live, problemet me linjën dhe mirënjohja për futbollistët, ambasadorë e kombit

  • Kujtimet e ‘Mjeshtri të Madh” Ahmet Shqarri: ”Barcelona”- “Flamurtari” më 1 tetor 1986, transmetim që ngjalli aq shumë polemika…
  • -Tmerri i faksit të  ardhur nga Tirana: Ndeshja do të transmetohet e gjitha
  • Me çfarë linje telefonike do të realizohej, ku asnjëra nuk ishte prenotuar më parë?!
  • -Me cilin duhej të kontaktoja nga vendasit, që t’më ndihmonte në studio për të më siguruar kabinën e transmetimit dhe paisjet teknike,
  • Radio-Tirana ka bërë lajmërimin disa herë për dëgjuesit, prandaj merr masa për transmetim!…
  • -Pashë një gëzim të madh tek Petro Ruçi, Vasil Ruçi, Rrapo Taho, Kreshnik Çipi, improvizuesi  Ferko, Zijai, etj…
  • – Si më ndihmoi Hoze Luis Fernando Abajo, komentatori i futbollit, më i miri i Radio-Katalonjës
  • – Nevzat Dibra nga Radio Tirana :”Të dashur dëgjues, po lidhemi tani nëpërmjet linjës telefonike me Barcelonën e Spanjës

Gazeta Telegraf

 Ajo rrugë e parë drejt një vendi tjetër, ato ditë qëndrimi plot emocione në Barcelonë, loja e mrekullueshme që bëri ekipi vlonjat në stadiumin gjigand të “Camp Nou”-t, të gjitha këto janë kujtime që nuk mund të mos më emocionojnë edhe tani, pas më shumë se 35-vjetësh. Ndërkohë kjo kujtesë, është thjesht diçka profesionale që ka të bëjë me transmetimin e asaj nate të vonë të ndeshjes së futbollit:”Barcelona”- “Flamurtari” më 1 tetor 1986, transmetim që ngjalli aq shumë polemika…dhe që kishte aq shumë përgjegjësi. Çdo gabim të kushtonte atë kohë. Aq më tepër në një ndeshje të tillë ku gjithë bota e futbollit e kishte synë në Barcelonë. Lindëte pyetja: Çfarë do të bënte një ekip i vogël i një shteti të vogël me Barcelonën gjigande?!

 Faksi i papritur

Kisha shkuar me ekipin vlonjat në Spanjë, por para nisjes asnjë nga drejtuesit e mi në RTSH nuk më kishte thënë se do të duhej ta transmetoja atë ndeshje. Sepse, edhe masa teknike për këtë qëllim nuk ishin marrë, madje as nuk i kishte shkuar ndërmend ndonjërit që ta bënte këtë. Vetëm se do të shkruaja një reportazh për gazetën “Sporti”, për të pasqyruar lojën e “Flamurtarit” atje, pas atij rezultati interesant 1-1, që kishte arritur në Vlorë në ndeshjen e parë. Vetëm kaq. Madje nuk më porositën as për një kronikë të shkurtër për lajmet e Radios. Por pikërisht paraditen e ndeshjes atje në Hotel Presidente ku ishte akomoduar ekipi ynë në adresën time mbërrin një fax nga Tirana. Aty shkruhej qartë: “Ndeshja duhet të transmetohet e gjitha!. Radio-Tirana ka bërë lajmërimin disa herë për dëgjuesit, prandaj merr masa për transmetim!… Mbaj mend atë çast, se rreth meje nuk kishte asnjë prej lojtarëve apo përgjegjësve të ekipit. Të gjithë kishin dalë të shijonin bukurinë e Barcelonës, si dhe për të bërë ndonjë pazar. E mbaj mend atë çast se më duhej që t’ia thoja ndonjërit prej tanëve për atë fax që kishte ardhur! Si do të mund ta transmetoja atë ndeshje? Me çfarë linje telefonike do të realizohej, ku asnjëra nuk ishte prenotuar më parë?!. Me cilin duhej të kontaktoja nga vendasit, që t’më ndihmonte në studio për të më siguruar kabinën e transmetimit dhe paisjet teknike, që do të bënin të mundur realizimin e asaj që kërkohej me fax?!

Dreka në restorantin e Hotel “Presidente”

Ishte dreka në restorantin e Hotel “Presidente”, që e mblodhi të gjithë ekipin e “Flamurtarit”-t dhe ku unë mezi prita për t’u vënë në dukje shqetësimin tim. Por, ndryshe nga unë, futbollistët, për çudi, u kënaqën nga ky lajm, duke thënë se në Shqipëri sonte do të ketë rast ta dëgjojnë të gjithë atë se ç’do t’i bëjmë Dhe këtë e tha jo vetëm Petro Ruçi, i shquar për gjakftoftësinë dhe sigurinë e tij, por edhe Vasil Ruçi, njeriu gol prej të cilit pritej ndoshta një mrekulli edhe në ndeshjen e kthimit, e tha edhe i madhi Rrapo Taho, edhe inteligjent Kreshnik Çipi, improvizuesi  Ferko e pohoi me kokë, ashtu në qetësinë e tij edhe Bubeqi, por kështu edhe të tjerë ndër të cilët mbaj mend që Alfred Zijai theksoi se ky transmetim do të bëjë bujë se do të jetë i pari për një ekip shqiptar që luan jashtë vendit, prandaj,- më tha,- rëndësi ka që të arrish ta realizosh këtë…Ndërkohë trajnjeri Leonidha Çuri s’kishte nge që të merrej me shqetësimin tim, mjaft i kishte të tijat! Atij i duhej së bashku me ndihmësin Skënder Elmazi, të përgatisnin ekipin për ndeshjen e mbrëmjes. Pas drekës, të mbledhur të gjithë në dhomën e trajnjerit, futbollistët, në vend që të thelloheshin në detyrat që po u jepte Leonidha, që kishte shpërndarë nëpër krevat copërat e letrave me emrat e lojtarëve të “Barcelona”-s shikonin herë pas here nga unë dhe me shenjat që më dërgonin, dukej sikur më thonin: “Ti vetëm rregulloje ta transmetosh ndeshjen, se do ta shohësh se si do të luajmë!”…

Ndihma e Hoze Luis Fernando Abajo

Po afrohej koha kur ekipi do të hante diçka të lehtë, pikërisht katër orë para ndeshjes. N’atë çast vjen në hotel, Hoze Luis Fernando Abajo, komentatori i futbollit, më i miri i Radio-Katalonjës, i cili pasi na kishte pritur një ditë më parë në aeroportin “El Prado” të Barcelonës, ishte bërë pastaj një shoqërues tepër i sjellshëm për të gjithë ne. Kur mësoi për shqetësimin tim, më tha se kjo, në këto kushte urgjente, mund të bëhej vetëm nëpërmjet instalimit të një telefoni të veçantë në një prej kabinave të shumta të stadiumit “Camp Nou”, në numrin e të cilit duhej të më kërkonte Radio-Tirana. Dhe, prej aty ndoshta mund të realizohej transmetimi?!. Rrugë tjetër nuk kishte. Duhej të ishin marrë masat në kohë, që para nisjes nga Tirana. Pa asnjë akreditim në kabinat e transmetimit, pa asnjë prenotim linjash telefonike për kohën gjatë të cilës ato duheshin vënë në dispozicionin tonë, e gjitha kjo krijonte një vështirësi shumë të madhe për të realizuar atë që më urdhërohej në atë faks dhe që mbante firmën e një  funksionari të lartë!…Nuk di se si kaloi ajo kohë deri sa erdhi ora e ndeshjes! Megjithatë ashtu i djersitur dhe plot ankth jam future në një kabinë, pranë Fernando Abajos që do të transmetonte për radion katalanëse… Derisa kisha rendur poshtë e lart për të siguruar telefonin, loja ndërkohë kishte filluar.

Lojë mes emocionesh

Portieri ynë durrsaku Artur Lekbello, u vu që në fillim në shënjestër nga një gjuajtje e anglezit të famshëm Geri  Lineker, që atë vit ishte kurorëzuar si mbret i golit në Botërorin e Meksikës! Mendova se do ta kishim shumë të vështirë dhe do të pësonim shumë shpejt gol. Këtij shqetësimi i ishte bashkuar dhe ai i mostransmetimit të ndeshjes, ngaqë nuk isha lidhur ende me Tiranën!. Loja po i afrohej minutës të 15-të, entuziasmi ishte shumë i madh nga spektatorët, që inkurajonin ekipin e tyre. Ndërsa unë plot emocione më shumë nga ajo që po shihja në fushën e lojës, por për pritjen që po i bëja ziles së telefonit që më kishin vënë në kabinë, pasi numrin e tij ia kishim dhënë më parë Radio-Tiranës. Dhe, ja më në fund, zilja u dëgjua sikur të ishte një bori alarmi! Në fakt ishte ajo që prisja. Kërkonin menjëherë që të nisja transmetimin, sapo të dëgjoja anonçimin e spikerit. Pas kësaj, në kufje dëgjova tingujt e një muzike që bënte pjesë, me sa duket, në një program të improvizuar për ato çaste, në vend të transmetimit të ndeshjes që mungonte?! Dhe ja, muzika nisi të sfumohej dhe në çast ndërhyri zëri i njohur i spikerit të orëve të vona, Nevzat Dibra:”Të dashur dëgjues, po lidhemi tani nëpërmjet linjës telefonike me Barcelonën e Spanjës, për të transmetuar ndeshjen ndërkombëtare të futbollit: “Barcelona”-“Flamurtari” i Vlorës, e vlefshme për turin e parë të Kupës së UEFA-s. Në mikrofon gazetari ynë Ahmet Shqarri”. …Për një çast, shumë të  shkurtër, mezi jam mbushur me frymë, dhe duke mos i ndarë për asnjë çast sytë nga fusha, ku tani kishin nisur të sulmonin  edhe futbollistët tanë, nisa atë transmetim, për të cilin u fol aq shumë, vinte me radhë, ndoshta për origjinalitetin e tij të detyruar, ndoshta ngaqë dilte jashtë kornizave të transmetimeve të tjera, ndonëse ngaqë u ndikova dhe u frymëzova nga vetë loja e mrekullueshme e futbollistëve të shkëlqyer të “Flamurtarit”, ndoshta ngaqë kur flisja kisha parasysh jo vetëm nivelin e mirë që ata po paraqisnin në atë  ndeshje, por dhe vetë atë psikologji  të mrekullkueshme të tyre, që i bënte aq optimist përpara se të niste kjo lojë…Nuk e di, por atë natë, në atë transmetim unë nuk mora përsipër të imitoja asnjërin. Dhe, nuk kisha se pse ta bëja këtë. Madje, as nuk më kishte shkuar në mend. Vetë ajo atmosferë në Barcelonë dhe në “Camp Nou”, vetë ajo lojë dhe ai karakter i fortë i futbollistëve tanë, që edhe atje në Spanjë po e sfidon “Barçën” e famshme, e gjithë kjo solli atë transmetim që është quajtur i veçantë dhe mjaft i diskutueshëm, sepse ndër të tjera, në atë transmetim unë kam përmendur edhe  gjëra të ndaluara për kohën si p.sh. komfortin e hotelit me pesë yje ku qëndroi ekipi ynë. Kam përmendur edhe bukuritë e qytetit magjepsës të Barcelonës e të tjera, që kur u ktheva në Shqipëri disa m’i quajtën si  herezi. Ndër të tjera atë natë të stadiumit “Camp Nou” e quajta tempull përrallor. S’kisha se si mos i thoja të gjitha këto! Të hyja drejt e në temë për të dhënë kronikën e lojës nuk ishte aq e lehtë, sepse transmetimi filloi 15 minuta pasi kishte nisur ndeshja, dhe ajo ç’ka po zhvillohej në fushën e lojës, nuk mund të përshkruhej aq me gjakftohtësi. Kishte edhe gjëra të tjera që më dukej se duhet t’i thoja për hir të realitetit.

Atë natë shumë gjëra duheshin thënë …

Mbi të  gjitha, ishte transmetimi i parë i një ndeshjeje të një ekipi simpatik si “Flamurtari” ndaj skuadrës së famëshme spanjolle ku luanin  shumë yje me të shndritshmin Lineker, ku më parë kishte luajtur edhe me të mëdhenjtë e futbollit Botëror Kroif e Maradona, dhe që kishte trajnjer të mirënjohurin Terri Venejbells, që arriti të bëhej më vonë edhe trajnjeri i Anglisë. Prandaj, realizova atë transmetim, që sipas një ankete thuhet se ka pasur dëgjues më shumë se çdo program tjetër, që ka  transmetuar ndonjëherë Radio-Tirana! Një transmetim që pati aq shumë polemikë.

Rezultati 0: 0, ja çfarë thoshte shtypi Barcelonës

35 mijë spektatorë, nën ndriçimin e fuqishëm të prozhektorëve i pritën me këngë dhe brohoritje skuadrat që dolën në fushën e “CAMP Nout” në atë mbrëmje të vonë, të së mërkurës së 1 tetorit 1986. Gjithshka që ndodhi atë natë në “Camp Nou”, pas asaj që nisi në ora 21:15, është transmetuar tashmë nga Radio-Tirana dhe është parë e regjistruar nga TVSH, megjithatë është mjaft e vështirë të transmetosh gjithshka që futbollistët tanë dhanë atë natë në shfaqjen e tyre. Loja ishte mjaft korrekte dhe “Flamurtari” demostroi se në futboll duhet të vraposh dhe të lëvizësh me topin,- shkruante të nesërmen e ndeshjes gazeta spanjolle “Sport”. Po kjo gazetë shkruante: “Lojtarët tanë janë të trishtuar, por edhe të kënaqur që mundën të kualifikohen pas këtij barazimi pa gola. Barcelona u gjend përballë një “Flamurtari” entuziast, por mjaft teknik dhe e kalon turin në sajë të një goli në fushën kundërshtare”. Ndërsa intervistat folën edhe më shumë. Presidenti i klubit sportiv “Barcelona”, Nuniez, tha: “Nuk mund të bënim më shumë, se “Flamurtari” u mbrojt mjaft mirë. Kënaqësia jonë është që u kualifikuam”. Një nga futbollistët më të shquar të përfaqësueses spanjolle dhe të “Barcelona”-s, Voktor, u shpreh: “Flamurtari” luan futboll të nivelit të lartë dhe më 3 dhjetor në Tiranë për eliminatorët e Kampionatit Evropian them se Spanja, duke parë këtë nivel të “Flamurtarit”-t do ta ketë të vështirë me kombëtaren e Shqipërisë. Golshënuesi më i mirë i finaleve të kampionatit botëror (1986), futbollisti anglez Lineker, që sapo ishte transferuar tek “Barcelona”, ndër të tjera tha se,” ishte rasti më i mirë që në takimet e para ndërkombëtare në radhët e Barcelonës të shënoja gol, por mbrojtësit shqiptarë ishin të një klasi të lartë”. Ky mendim u shpreh edhe nga mjaft tifozë të pranishëm atë mbrëmje të vonë në “Camp Nou”. Studenti Eduardo Prades, i cili ishte ulur aty pranë kabinës, ku transmetova ndeshjen, tha, se “S’duhet të qahemi, Flamurtari luante bukur dhe ne mirë që u kualifikuam! Kur ekipi kthehej vonë në mesnatë për në hotel, nëpër rrugë e sheshe dukej sikur “Flamurtari shkelte si triumfator. Sepse, në fund të fundit, nuk mund ta quaje të mundur. Në dy ndeshje, dy barazime! Dhe, ndaj kujt? Ndaj “Barcelona”-s së famëshme!…

Presidenti i FC Barcelonës, Nuniez, në pritjen që dha për ekipin tonë, nuk i kurseu fjalët plot dashamirësi për futbollistët vlonjatë, duke I quajtur ndeshjet midis dy ekipeve si një hap i mirë për forcimin e miqësisë midis dy popujve dhe zhvillimin e marëdhënieve të dy vendeve në të ardhmen!.

Duken si tepër ceremonialë dhe deklarativë të gjitha këto, po kështu ngjau me të vërtetë. “Flamurtari”Me atë lojë dhe rezultatet që arriti ndaj “Barcelona”-s në fushën e futbollit, u bë ambasadori i parë i Shqipërisë në Spanjë, duke merituar notën më të lartë të diplomacisë për kohën.