Arbitrazhet, tenderat dhe pushimet nga puna, kushtojnë 318 mln euro

271
Sigal

Auditimi i financave shqiptare zbulon një humbje prej 400 miliard lekësh në buxhetin e shtetit. Shkak janë tenderat, largimet nga puna, gjyqet ndërkombëtare, ndërprerjet e kontratave të PPP etj. Nuk ka asnji të dhënë në buxhetin e 2022 për arbitrazhet përvecc 2 mln.euro për Avokatin e Shtetit

 

 

Humbja në buxhetin e shtetit për vitin 2020, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, llogaritet në 318 milionë euro (39.1 mld lekë). Sipas KLSH, këto humbje kanë ardhur kryesisht për shkak të pagesave të të larguarve nga puna apo gjyqet ndërkombëtare.

Humbjet janë evidentuar nga rreth 103 auditime të kryera në institucione të ndryshme shtetërore. Efektet negative financiare vijnë kryesisht nga tenderat, pagesat për të pushuarit nga puna, nga humbjet e Bashkive dhe pagesa për gjyqe të humbura në arbitrazhet ndërkombëtare. Sipas KLSH, në vitin e pandemisë 119 tendera që përbëjnë 48% të fondeve të audituara janë kapur me shkelje. Drejtoresha e Buxhetit të KLSH, Valbona Gaxha u shpreh se çështjet do të referohen edhe për kallëzime penale:

“Duhet të tregojmë kujdes, sepse bëhet fjalë për nëpunës të lartë dhe njerëz në pozita të larta drejtuese. Ne i dërgojmë dosjet në drejtorinë juridike për t’u siguruar që janë në rregull nga ana ligjore dhe i çojmë në prokurori. Jemi shumë të përkushtuar dhe do i zbulojmë rast pas rasti”.

Kryetari i KLSH, Arben Shehu duke dëshmuar në Komisionin e Ekonomisë në lidhje me raportin u shpreh se kërkonte dhe mbështetjen e opozitës për kallëzimet penale që do të bëheshin.

Ndërsa dihet tashmë se shteti shqiptar ka në lojë qindra miliona euro në arbitrazhet ndërkombëtare, edhe në Buxhetin e vitit 2022 Qeveria nuk jep asnjë të dhënë për ecurinë e tyre apo shifrat që rrezikon të paguhen në favor të kompanive fituese. E vetmja shifër e publikuar për këtë zë është buxheti i akorduar për Avokaturën e Shtetit, i cili nuk e kalon shifrën modeste të 221 milionë lekësh, afërsisht 2 milionë euro, të cilat përdoren kryesisht për pagesën e studiove apo kompanive të konsulencës që kontraktohen për mbrojtjen në arbitrazhe.  Nga ana tjetër Qeveria ka parashikuar një fond rezervë prej 2.4 miliardë lekësh, afërsisht 20 milionë euro, për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, por pa specifikuar ndonjë rast që mund të ketë lidhjet nga arbitrazhet.

Ndërkaq, me siguri dihet se shteti shqiptar rrezikon qindra miliona euro vetën nga tre përplasje të rëndësishme në arbitrazhet ndërkombëtare.

Fatura më e kripur është ajo e biznesmenit Italian Francesco Beçhetti. Vendimi që tashmë është i formës së prerë, detyron Qeverinë t’i paguajë biznesmenit italian plot 120 milionë euro bashkë me kamatë vonesat. I dyti është ndaj kompanisë “Aktor” për punimet shtesë në autostradën Tiranë-Elbasan. Kompania pretendon se në vitin 2020 Arbitrazhi ka gjetur fajtor qeverinë shqiptare për largimin e saj, pasi ajo përfundoi Tunelin e Kërrabës, por u largua pas rishikimit të projektit për pjesën e shembjes në Ibë. Fatura për këtë përplasje është 44 milionë euro. Një përplasje tjetër nga e cila shteti shqiptar rrezikon të humbasë 100 është ai me kompaninë Kurum.

Dëmi Financiar
318 milionë euro
103 auditime të kryera
143 institucione
Burimi: KLSH