Perëndimi i biznesit të lojërave të fatit, ja kompanitë që punësojnë mbi 7,000 persona

589
Sigal

Biznesi i lojërave të fatit pritet të marrë një goditje pas vendimit të qeverisë që do t’i largojë kazinotë dhe pikat e basteve nga qendrat e qyteteve deri në 31 dhjetor të këtij viti. Disa kanë filluar të mbyllen tashmë, ndërsa nga janari pritet që në treg të krijohet një ofertë e lartë për ambiente me qira. Pikat e lotove basteve e kazinove e kishin rritur ndjeshëm tregun e qirave sidomos në kryeqytet, teksa ishin të gatshëm të paguanin më shumë (p.sh., një pikë bastesh afër Bllokut paguante deri në 200 euro për metër katror qira, nga 35-40 euro që është qiraja në qendrat e biznesit të kategorisë A). Nga ky ves shqiptarët shpenzonin mbi 130 milionë eur në vit, që ishte qarkullimi vjetor i kazinove e basteve sportive në 2017-n, teksa të ardhurat e kompanive po shënonin rritje dyshifrore vit pas viti, pas 2013-s. Shpenzimet më të mëdha janë në kazino, me rreth 60% të totalit. Zgjerimi i këtyre kompanive ka rritur dhe numrin e të punësuarve, sidomos në pikat e basteve sportive, të cilët, së bashku me kompanitë call center, vitet e fundit janë dhe ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend.

Në total, sipas të dhënave nga tatimet, janë mbi 7,000 të punësuar në kazinotë e bastet sportive, me të dhëna që i referohen fundit të 2017-s. Bastet sportive janë ato që punësojmë më shumë, për vetë natyrën e aktivitetit të tyre me shumë pika të hapura në gjithë vendin, ndonëse kazinotë kanë një qarkullim vjetor më të lartë.

ITSGA, me 3,027 të punësuar deri në fund të 2017-s, sipas të dhënave nga tatimet është punëdhënësi më i madh privat në vend dhe i dyti në Shqipëri, pas kompanisë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE, që ka rreth 6,300 të punësuar). Kompania kishte një qarkullim vjetor prej rreth 11 milionë eurosh në 2017-n.

LOTTO SPORT SH.A, është punëdhënësi i nëntë më i madh në vend, me 1,722 të punësuar në total.

Më pas renditen kazinotë. Adriatik Game dhe Astra Albania kishin përkatësisht nga 292 dhe 239 punonjës deri në fund të 2017-s.

Apex-Al, ndonëse është operatori më i madh i lojërave të fatit në vend, sipas qarkullimit vjetor, me 20 milionë euro në 2017-n, kishte vetëm 231 të punësuar.

Regency Casino dhe VLT Albania kishin përkatësisht nga 217 dhe 144 të punësuar.

Operatorët e tjerë kanë më pak se 100 të punësuar.

Numri i lartë i të punësuarve në pikat e basteve dhe fakti që subjektet e lojërave të fatit u kthyen në punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend ,reflekton modelin jo produktiv të ekonomisë shqiptare, të orientuar drejt vesit dhe jo drejt vlerës së shtuar, duk e e nxjerrë zbuluar përballë këtij vendimi drastik të qeverisë, pesë vjet pas lulëzimit të kësaj industrie .

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi së fundmi në Kuvend se “po përgatisim një program rikualifikimi për të gjithë ata që do të dalin të papunë nga shërbimet e kësaj industrie. Shërbimi Kombëtar i Punës ka nisur punën për hartimin e një programi specifik për një rikualifikim të detyrueshëm”.