Eri Sulo: Butrinti hap sofrën e mikpritjes për vizitorët e turistët

846
Sigal

Flet Eri Sulo Drejtor i Parkut Kombëtar të Butrintit: Vitin e kaluar Butrintin e vizituan mbi 230 mijë persona. Rekord

– Çdo 48 orë kryhet procesi i dezinfektimit të territorit të Parkut

Nga Agron MEMA

Mes një kodre të gjelbëruar gjithëvjetore, buzë ujërave të kaltra të Liqenit dhe blerimit të fushave të gjera e syprinës së detit Jon, ndodhet qyteti antik i Butrintit. Qysh prej tre mijë vjetësh që qe qendër e banuar, vijon ende të komunikojë me njerëzit duke u radhitur ndër qendrat turistike më të vizitueshme të Sarandës, Shqipërisë, rajonit dhe më tej. Bukuria rrezëllitëse e tij është si bari i bletës që ndjell bletët në kosheren e tij për të derdhur pjalmin në hojet e tellarove historike që bart në vetvete qyteti antik. Ka ndërtesa të famshme që datojnë ndërmjet shekujve të IV para Krishtit dhe shekullit të VI pas Krishtit. Kjo është edhe periudha kur u ndërtuan edhe një pjesë e shumicës së ndërtesave që shihen sot brenda mureve të qytetit antik të Butrintit. Gjatë asaj kohe, ndryshe nga sot që është me vizitorë, Butrinti ishte qendër e banuar dhe qe qytet i fisit të kaonëve, një prej fiseve kryesore të Epirit, por ai gjithashtu, sipas burimeve arkeologjike, banohej dhe vizitohej nga njerëz që vinin nga pjesë të tjera të Mesdheut, siç qenë grekët, romakët dhe ilirët. Më vonë në Butrint erdhën vizitorë venecianë, francezë dhe otomanë. Gjatë asaj periudhe shekullore të lartpërmendur kur qe qendër e banuar pati një zhvillim të theksuar kulturor dhe tri janë monumentet më të rëndësishme të tij dhe historia se çfarë ka ndodhur me to, tregon qartë vijimësinë e qytetit antik. Fillimisht Butrinti u bë i njohur si vend për shkak të një tempulli, ose vendi të shenjtë, dedikuar Perëndisë Asklep, bir i Apollonit. Ky ishte Perëndia e shërimit, kështu që njerëzit vinin nga larg për kurimin e të gjitha llojeve të sëmundjeve. Ata bënin dhurata të çmuara, të çfarëdoshme për Zotin, para se ti luteshin atij në tempullin pranë Teatrit. Dhe me kalimin e kohës, të gjitha këto dhurata e bënë Butrintin të pasur, si rrjedhim u ndërtua një teatër, por dhe ndërtesa të tjera madhështore. Teatri përdorej për mbledhje publike, si vend për ceremoninë e manimisionit (akti i lirimit të skllevërve) dhe shfaqjeve teatrale. Në teatër mund të ulen rreth 700 persona, por sot skena është e mbuluar nga uji. Në fillim kur u ndërtua qe në formë patkoi, por pas pushtimit romak u shndërrua me harqe që i dhanë formën gjysmë rrethore. Po sot? Butrinti përsëri korr para. Është qendra kryesore turistike dhe ka statusin e “Park Kombëtar”. Për detaje se si funksionon sot në kushtet e Pandemisë ne morëm një prononcim nga drejtori i Parkut Kombëtar “Butrinti”, z. Eri Sulo, një nga dejtorët më të rinj në moshë të emëruar në jug të Shqipërisë dhe i arsimuar dhe diplomuar në SHBA. Ja çfarë thotë drejtori Eri Sulo për gazetën “Telegraf”:

–Zoti Eri përshëndetje! Nuk është hera e parë që ju prononcoheni për gazetën “Telegraf”. Sot duam t’ju pyesim se si u përballua nga stafi i administratës së Parkut Kombëtar “Butrint” periudha e Pandemisë?

-Ju përshëndes dhe ju falënderoj së tepërmi si staf i gazetës. Në situatën e Covid-19 edhe duke u përshtatur dhe zbatuar Protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë Shqiptare, është punuar me staf të reduktuar në mënyrë që të bëhej mirëmbajtja dhe konservimi i monumenteve. Pse e theksoj këtë? E theksoj për vetë faktin se kodra ku ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit është me banorë pyjorë dhe shkurrore të gjithë gjelbëruar vjetor dhe koha që jemi, është periudha e vegjetacionit të tyre, janë në shpërthimin lastaror dhe po nuk u ndenje me gërshërë në kokë, siç thotë populli, degët e tyre shpërthyese nga stina, mbulojnë dukshmërinë e monumenteve. Prandaj puna ka qenë e përditshme në kontroll të krasitjes dhe dhënies së formës dekorative të bimësisë brenda parkut, pavarësisht rrethanave që përballemi.

-Sa ka qenë numri i vizitorëve vitin që kaloi, po i të ardhurave?

Vitin që kaloi numri i vizitorëve arriti një rekord. Kaloi mbi 230 mijë persona, duke mbajtur kështu pozitën e parkut me më shumë vizitor në rang republike. Ndërsa të ardhurat kaluan mbi një miliardë lekë.

-Cilat janë masat për këtë sezon, kur dihet se vetëm disa lehtësira janë dhënë nga qeveria për lëvizjen e qytetarëve brenda vendit, ashtu edhe për vizitorët e huaj?

– Në radhë të parë zbatojmë rregullat e përcaktuara për Pandeminë. Sidomos distancën sociale e kemi primare. Janë instaluar pajisje dezinfektimi në ambientet e parkut dhe monitorohen me rigorozitet dhe pa asnjë tolereancë. Është bërë ndarja dhe programimi i ruajtjes së distancës sociale me shenjat orientuese për vizitorët. Janë kudo në mjedise afishimet për informacion turistik dhe atë shëndetësor. Çdo 48 orë kryhet procesi i dizinfektimit të territorit të Parkut, kjo për të garantuar vizitorëve siguri gjatë vizitës në Park në këtë kohë Pandemie. Mund të them dhe një lajm të gëzueshëm për vizitorët vendas e të huaj se së shpejti hapim një shteg të ri hyrjeje për të vizituar Butrintin e cila është kodra e Kalivait. Kjo hapet për herë të parë si hyrje për në park. Do ta prezantojmë publikisht këtë lehtësi hyrjeje për publikun që ka interes për eksplorim turistik.

 

-Sa janë parashikuar për këtë vit të ardhurat dhe cila është pritshmëria ndaj vizitorëve, nisur nga situata jo-favorizuese që sundon vendin?

-Duke parë se impakti për turizmin këtë vit është negativ, them se edhe këtë vit Parku Kombëtar “Butrinti” qëndron optimist në objektivat e tij përsa i përket prurjeve të turistëve. Dhe këtë e them nisur edhe nga kontaktet me operatorët turistikë, të cilët na përcjellin mesazhe kurajuese se Parku ka interes të veçantë nga të huajt për vizitë, dhe njohjen me historinë antike të jugut shqiptar dhe si e tillë, themi se do të qëndrojë si shtyllë e fuqishme dhe kryesore për turizmin në Shqipëri. Deri tani shifrat janë të kënaqshme, kjo duke parë dhe vlerësuar edhe nga situata që jemi. Jemi optimist dhe presim rritje vizitorësh, pavarësisht, siç e theksova, se barrierat e jashtme kanë frenuar disi turizmin botëror dhe si të tillë ndikimet e lëkundjeve sizmike janë ndjerë edhe në Shqipëri.

 

-Ulja e çmimeve të biletave për vizitorët në parqet kombëtare a do të ndikojë në vjeljen e planifikuar të të ardhurave dhe pse ky hap që numri i vizitorëve qëndron i ulët dhe nuk dihet zhvillimi me situatën Pandemike?

-Duke parë që hapja e kufijve do të jetë e ngadaltë dhe situata është shumë e brishtë, Ministria e Kulturës ka gjetur zgjidhjen më të mirë dhe e ka gjykuar këtë si të tillë për konsumatorin turistik si vendas ashtu dhe të huaj, për t’i ofruar atij komoditetin që të eksplorojë vendin e tij. Këtu përmendim implementimin e paketës së ofertave që qëndron jo vetëm nga çmimet e biletës, ruajtja e shëndetit, por edhe akseueshmëria për ato shtresa sociale në nevojë, por edhe dashamirës të kulturës. E diela e fundit e çdo muaji do të jetë falas për këdo që viziton Parkun Kombëtar “Butrinti”. Ju faleminderit!