Engjëll Musai: Zija Çela shkrimtari me shpirtin e madh si horizonti, ikonë e gjallë i letrave shqip!

Engjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”

25 Mars, ditëlindja 79-të e shkrimtarit “misionar” Zija Çela

Një prej shkrimtarëve më të shquar shqiptarë të të gjitha kohëve!
-Shkrimtari misionar, që së bashku me Ismail Kadarenë, përbëjnë sot dy shtyllat qëndrore të prozës shqipe!
-Nderi i Kombit dhe fitues i dhjetra çmimeve.
-Shumë vepra të Zija Çelës janë cilësuar nga kritika e mirëfilltë letrare si kryevepra të letërsisë shqipe!

NOA

-I shpallur shkrimtari më i mirë për vitin 2022!

-Historiani i letërsisë, Akademiku Rexhep Qosja e ka propozuar shkrimtarin shqiptar Zija Çela kandidat për Çmimin “NOBEL”

  

Vlerësime për autorin

Ali Aliu: Nga tërë tabloja e romanit “Ora e Zooparkut”, Zija Çela krijon një metaforë të përsosur, përmes së cilës realitetin e sotëm e vendos edhe në kopshtin zoologjik, ku njeriu dhe shtazët shkëmbejnë maskat (rolet) me njëri-tjetrin nëpër kafaze. Le ta gjejë pastaj vetë lexuesi, ky “bashkautor” kult në romanet e Zija Çelës, se përse në vend të vrasë luanin, i cili e copëton vizitorin e ka sfiduar duke i hyrë në kafaz. Rojtari i parkut tonë vret njeriun… Është një roman me shumë kapituj që qëndrojnë si medalione narrative refleksive të përsosura, mbase të pashembullta në prozën bashkëkohore shqipe; një roman i hapur, i pakufi dhe pa pretendimin për një domethënie të vetme, pra të mbyllur në fund. Është rrëfim romanor që ka jo vetëm një të vërtetë sovrane, por edhe shumë të vërteta reale me kundërthënëset e tyre, duke e relativizuar shpesh njëra-tjetrën. Me pak fjalë, “Ora e Zooparkut” është një roman, që nxit tundime medituese për sferat më të qenësishme të ekzistencës dhe që, do të thosha, është privilegj që lexuesi ka në dorë një kryevepër.

Visar Zhiti: Sipas shkrimtarit Z. Çela, mund të hysh në historinë e letërsisë dhe mund të mos mbetesh në letërsi. Ky mendim interesant na kumton se letërsia e madhe është ajo që mbetet gjithmonë letërsi dhe jo histori e saj. Me veprën e tij, Zija Çela hyn tek ata shkrimtarë të rëndësishëm që po bëjnë letërsinë shqipe. Tani Zija Çela ka truallin e vet në letërsi dhe popullin e vet të personazheve.

Ali Podrimja: “SOS, një buzëqeshje”, romani më i ri i Zija Çelës, përmes një artikulimi modern shpalos fatet njerëzore, duke rrëzuar kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës. Para lexuesit shkrimtari vë një botë, ku ballafaqohen vrushkujt e dritës dhe hijet e zymta, duke na bërë me dije se rreth nesh frymon diçka që na kërcënon vazhdimisht.

Çmime letrare

Zija Çela ka marrë nëpër vite 16 çmime letrare:

1984 : Çmimi i Republikës (“Buletini i borës”);

1996 : Çmimi i Ministrisë së Kulturës për romanin më të mirë të vitit;(“Monedha e dashurisë”);

2012 : Çmimi “Petro Marko” për romanin më të mirë të vitit (“Apokalipsi sipas Shën Tiranës”);]

2012 : Çmimi “At Zef Pllumi” për prozën më të mirë të vitit (“Buza e kuqe dhe gjaku i errët”);

2013 : Çmimi “PEN të Shqipërisë”;

2016 : Urdhri “Nderi i Kombit”;

2022 : Çmimi i karrierës “At Gjergj Fishta”;

2022 : Çmimi për vepër jetësore “Teuta” në Podgoricë; etj!

Tituj të veprave letrare

1971: Yje mbi lumë 1974 : Jeta në shtëpinë tonë, 1979 : Pëllumbat e janarit, 1979 : Një verë pa lamtumirë, 1984 : Buletini i bores,  1987 : Eklips dhe proza të tjera etj.

Ndjenja dhe kujtime të dhimbëshme transmeton Zija Çela për djalin e vetëm!

 

1.Ja Vdekje, ja Dashuri!

Askënd më shumë nuk kam dashur.
Dhe më shumë askënd nuk dua.
Ndonjë ndarje tjetër s’më ka mposhtur,
sa dhembja jote për mua.

Çfarë kisha të shpirtit t’i dhashë,
çfarë kishe m’i fale edhe ti!
Kujtoj si u bëmë dy bashkw,
harroj si ikëm një nga një.

Harroj se nuk dua ta vuaj
këtë peng që po më shkallon:
Fluturojnë në vjeshtë dy zogj bashkë
dhe tek ti më vjen të rend.

Stuhi, stuhi…
Ja Vdekje, ja Dashuri!
Shkrepëtin, shkrepëtin.

E sheh si dridhet drita?
Është shpirti që i thërret shpirtit.
Zogjtë që bashkë fluturojnë në vjeshtë,
shkojnë drejt rrufesë së dimrit…

  1. Përkohësisht kishim dalë nga spitali për të shtunë dhe po ktheheshim për të shtunë.

Shëndeti i Dritanit ishte rrënuar, por megjithatë ende s’na shqiteshin nga mendja ndërdyshja dhe vendosmëria njëkohësisht. Edhe sa muaj, edhe sa vjet?

Kur ishte më këmbë e kurohej, ne thoshim: Ti vetëm jeto, Tanush, se pranë teje do të jemi gjithmonë. Kur e lanë këmbët dhe zuri karrocën, ne thoshim: Ti vetëm jeto, Tanush, se të shëtisim ne me karrocë derisa të kemi frymë. Kur iu rëndua edhe karroca e zuri shtratin, prapë njësoj thoshim: Ti vetëm mbahu, jeto, biri ynë, se shërbimet t’i bëjmë ne për tërë jetën. Tërë jetën e jetës, Dritan!

Dritani vdiq pa zbardhur, sipas meje në 04:30 minuta. Në çertifikatën mortale shënohet 04:40. Janë dhjetë minuta jetë më tepër, dhjetë minuta që nuk i pati, por kjo ndodhi se atëherë guxoi të hynte në dhomë ekipi i vogël për ta regjistruar vdekjen zyrtarisht.

Ne patëm mundësi të rrinim pranë Dritanit edhe dy orë të tjera. Kur e shoqëruam deri te dyert e morgut, kishte gdhirë.

Na thanë se mund ta shihnim përsëri aty nga dreka, atëherë do të ishte gati.

Në Castelnovo po binin kambanat, ndërsa Don Danilo po na priste para kangjellave të shtëpisë.

3.E kërkoj nganjëherë, e thërras në emër. Sidomos në muzg. Në muzg dal në ballkonin që sheh nga Dajti dhe malet shpatull më shpatull. Më shkon koka djathtas e majtas, gjithë vargorin e ndjek me sy, pamja më përthyhet prej lotëve, pastaj më ngjan se befas një aeroplan po del nga grykat dhe tani më përgjigjet: “Mos u habit, u nisa nga Perëndimi e po kthehem nga Lindja, sepse sido të nisesh, bota e rrumbullakët është.

Ngado kalova pashë se fati ishte qorr dhe vdekja bënte kërdinë!”

Plakem duke mbetur i ri, në mënyrë që ditën (mos do të jetë e shtunë?) kur të bëhemi prapë bashkë, unë të jem i denjë për Miqësinë e djalit.

… E këtu mjaft, po mbyllen këto shënime. Sa ishte gjallë, s’e patëm zakon t’i flisnim gjindjes për Dritanin.

Mund të thotë ndokush se tash është vonë. Por ç’të bëjmë pra, në këtë mënyrë na habiti jeta, gjithë jeta na shkoi duke u dashur.

Në fillim ne deshëm ta jetonim dashurinë, pas vdekjes u kujtuam se shkruhet edhe në letër.

(Shkëputur nga  libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” -Tiranë, 25 mars – 17 korrik 2006)

*Titulli i origjinalit: “E shtuna e vdekjes dhe e dashurisë”.