Engjëll Musai: Harresa e politikës, për poetin e vegjëlisë dhe “Hakërrimës”

36
Sigal

Engjëll Musai Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Më 20 dhjetor 1966 u nda nga jeta, publicisti, intelektuali dhe patrioti i madh vlonjat Ali Asllani. Poeti që i shkroi Vlorës himnin e pavdekësisë “Vlora, Vlora”. Mjeshtri që i këndoi me ëmbëlsi dashurisë dhe finesë intrigave, zemërimit, hakerrimit, por pa harruar dëshmorët dhe shumë pak Partisë. Ziliqarët, pas vitit 1945 nuk donin ta pranonin as në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,duke e lënë për pak kohë jashtë saj. Kryesekretar i Ismail Bej Vlorës nê Qeverinë e Vlorës, Kryetar i Bashkise së Vlorës në çlirimin e parë të saj nga Italia më 1920 dhe në pushtimin gjatë Luftës së Dytë Botërore më 1939.  I harruar si shumë atdhetarë dhe kontribues të Vlorës.Do ishte në nderin e të gjithëve të kishte një bust para godinës së bashkisë së parë ku shërbeu si kryetar i saj.

Poezi nga Ali ASLLANI

Vlora, Vlora!

Jam vlonjat e jam vlonjat,

e kam shkabën mëm’ e atë,

shkaba trime dykrenore

fron’ e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare

si rob jetën s’e do fare,

a do mbetet Shqipëri,

a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,

s’duron burri zgjedhë kurrë,

jam vlonjat e si vlonjat

di bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,

rreth flamurit di të vdesë,

a me hir a me pahirë

doemos do rroj i lirë …!

VIDI-VIDI PULLUMBESHË

Vidi-vidi pullumbeshë!

Zëmra ime virgjëreshë

Do të thot’ një fjal’ në veshë;

Do të të them ne vesh një fjalë…

Nuk ësht’ fjal’, po është valë,

Që nga shpirti del e vjen

Dhe ne zemër vjen e zjen;

Me rrëmbim e me termete,

E më bën që s’jam në vete…

Her, ja hedh me brohorim,

Her, ja thyej me ngashërim…

Flas për ty dhe flas për ty,

Për atë të shkretin sy,

Për atë, për aq për kaq.

Më ke marr’ në zëmër paq!

* * *

Vidi-vidi pullumbeshë,

Për ty qaj e për ty qeshë,

Që nga nis e sos veriu

Nuk i kam zilin’ njeriu.

As florive, mbretërinjve

Kur në mes të dy gishtërinjve

Vjen e thyhet trupi yt,

Trup për kup’ që s’ka të dyt’!

* * *

Vidi-vidi pullumbeshë

Dëgjo zemrën virgjëreshë

Çdo gjë shkon e çdo gjë vete,

S’mbetet gjë, asgjë per vete…

Ato thashë e këto theme,

Jan’ të kota e të rreme,

E janë në ëndra e përralle,

E çdo ëndër ësht’ rrëmalle

Nuk le gjurma mbi qepalle…

Po ajo që ska të sosur

Gjer në dit’ të lemerisur,

Mbetet yll në sy skalisur

Jan’ kujtime rreth flori,

Rreth të shkretës dashuri!