Edmond Pinguli: Studimi historik-Labët ose Lapët Pellazgë

1003
Sigal

Studim historik – Labët ose Lapët Pellazgë (Pjesa e 2-të)

Akademik Edmond Nasi Konstantin Pinguli(Vijon nga numri i kaluar)

“Demosteni dhe Eurimedoni do të kapërcejnë Gjirin e Jonisë me të gjitha trupat e ekspeditës dhe do të mbërrijnë majën e Japigës. Të nisur prej aty, ata do të shtrihen në ishujt Koirade, të cilët varen nga Japiga dhe do të marrin në bordin e tyre 50 Japigë të fisit të Mesapëve”
Straboni në lidhje me ata shënon ( VI, 3/1 ) :
“I tillë është rasti fillimisht i Japigës. Grekët i dhanë asaj emrin e Mesapisë, ndërkohë që vendasit e quajnë territor të Salentinëve rajonin e “Kepit të Japigës”, si edhe Kalabri (Ka-Labëri), të gjithë pjesën tjetër. Prapa Kalabrisë në drejtim për nga Veriu gjenden popujt Peusetianë dhe Daunianë. Indigjenët i japin emrin “Apulia” të gjithë territorit nga Kalabëria dhe kombit që banon aty emrin Apulianë, por një pjesë midis tyre, në veçanti Peusetianët janë të njohur me emrin “Poedikli”. Mesapia formon një farë gadishulli të kufizuar nga Istmi prej 310 stadesh (55, 35km ), i përfshirë midis “Bretensionit dhe Tarentes”.
Pra, për Mesapët po hap një parantezë. Bëhet fjalë për Pellazgët Kretas të mbërritur aty që në kohët e hershme. Ekzistojnë toponime që të kujtojnë emrin e tyre: Lumi Mesapos në Kretë dhe Mali Mesapion në Greqi. Beotia dikur quhej Mesapia. Pastaj më tej Straboni (VI, 31 ) vijon:
“Përsa i përket emrit të Japigëve është pranuar, se ai vjen nga “Japiksi”, i cili do të ketë qenë i biri i “Dedalit” dhe i një Kretase dhe se do të ketë qenë “Prijësi i Kretasve”. Qyteti i Tarentes emrin e ka nga një hero dhe është fjala për Tarasin, sipas Times”.
Polibi në “Historinë” e tij i përmend Japigët dhe Mesapët, të cilët formojnë të njëjtën trupë ushtarake përbri Romakëve kundër ushtrive të “Hanibalit”. ( II, 25 ). Përkundrazi, ai e zmadhon territorin e Japigëve duke e shtrirë atë tek Daunianët, Peucetienët dhe Mesapët.
Përsa i takon “Konëve”, është fjala për një popull, i cili ka shumë të ngjarë të ketë mbërritur nga Thesprotia, ku gjenden “Kaonët”, popull barbar sipas Tuqididit ( II, 68 ). Tradita i lokalizon ata midis “Krotones dhe Tarentes”, duke i mveshur këtij populli pjesën më të madhe të ultësirave bregdetare, që lageshin nga lumenjtë Kalabrezë dhe Lulianë. Si shumë popuj të tjerë të trungut Pellazg që kanë banuar në Itali janë dhe Kaonët.
Si shumë popuj të tjerë të trungut Pellasg që kanë banuar në Itali, Kaonët janë mbuluar nga logografë grekë (shumë autorë modernë i kanë ndjekur verbërisht ata), të cilët i kanë bërë krejtësisht grekë, meqenëse kishin ardhur nga vendi, që u bë Greqi!
Nuk mund të flitet për historinë e lashtë të Italisë, pa u ndalur tek Ligurët, një nga popujt më të lashtë të Evropës së bashku me Pellasgët, Lelegët dhe Iberët. Ja çfarë na thotë Dionisi i Halikarnasit (I, X), duke folur për “Aborigjenët” e Italisë së Lashtë :
“Të tjerë akoma shpikën një histori, të cilën Aborigjenët do të kenë qenë Kolonë Ligurë, një popull fqinjë me Ombrianët. Ligurët në fakt jo vetëm që janë ngulur nga pak kudo nëpër Itali, por gjithashtu zënë një pjesë të Keltikës, emri grek i Galisë. Vendlindja e lashtë ( midis Keltikës dhe Tirrenit na thotë Straboni V, 2/1) ishte pushtuar nga popullsi Ligure të trungut Pellasg, siç tregon jo vetëm emri i tyre (Lëkurë me “K” që në Shqip kuptohet mjaft mirë dhe nga ana tjetër “Lë(n’)gurë”, që do të thotë i lindur në guva (shpella)”. Dhe duke e zgjeruar kuptimin, do të merrej “lindur në shpella”, d.m.th. ata që kanë lindur në “guva”, ose “njerëz të veshur me lëkurë”. Por, këtë e tregon edhe një pjesë e madhe e toponimisë të një krahine, e cila shtrihej prej “Luginës së Ronit” deri në “Piza”, duke kaluar nëpër Genët. Por toka e zgjedhur prej tyre ngjall shumë kundërshti”.


Në të vërtetë sipas Strabonit Liguria shtrihej drejt Cizpadanës dhe sipas Stefan Bizantit drejt grykëderdhjes së Lumit Po. Nga ana tjetër territori Ligur sipas Strabonit dhe Plintit, territori shtrihej drejt Perëndimit deri në Narbones (Francë) dhe sipas Pseudo-Skylaksit deri në Ampuria. Sidoqoftë, aty bëhej fjalë për një nga popujt më të vjetër të Italisë. Seneka pohonte, se Korsika ishte një “Ishull Ligur”. Autorë modernë të tillë si Roger de Belloquet (Etnogjeneza Galeze, 1861), d’Arbais de Jubainville (Banorët e Parë të Evropës 1877, 1889 ) dhe Camille Julian (Historia e Galisë, 1920) nuk ngurojnë të besojnë në ekzistencën e një “Perandorie Ligure”.
Ja, se çfarë na thotë Herodoti (V, 9):
“Sidoqoftë, Ligurët që banojnë në brendësi të vendit mbi Masalia quhen “Siginë” tregëtarët-pramatarë dhe Qipriotët i japin këtë emër shigjetare të tyre”.
Ai përmend gjithashtu në librin e tij (VII, 165) Ligurët si mercenarë, që bëjnë pjesë në ushtrinë e tiranit të “Himerit”, Terillasi i Krinipos. Përveç treguesit që na jep për Ligurët, Herodoti na jep pa dashje një tjetër tregues gjuhësor. Pikërisht emrin “Siginë”, me të cilin Qipriotët e lashtë quanin shigjetat e tyre apo shtizat. Kjo shpjegohet me një modifikim të vogël dialektor nëpërmjet Shqipes së sotme: “Shigjetë”. Shënojmë, se Qipro popullohej nga ata që quhen në përgjithësi “Mikenë”, por që në vërtetë ishin Pellasgë. Përveç kësaj dialekti Qipriot trajtohej sëbashku me atë Arkadian, si idioma më e vjetër e gjuhës greke. Në të vërtetë duke qenë dhënë, se greqishtja rrjedh pjesërisht nga Pellasgjishtja e lashtë, atëherë Arkado-Qipriotja është dialekti, që ka ruajtur për një kohë të gjatë fondin e saj të vjetër gjuhësor, i cili rrjedh nga “Pellasgjishtja e Lashtë”. Të mos harrojmë, se Arkadija ishte një nga vatrat e Pellasgëve dhe që zakonet e tyre, kultura dhe gjuha e tyre, do të mbeten mjaft të gjalla deri në epokën e vonë edhe pas qytetërimit grek. Shumë fjalë të Qipriotes së lashtë shpjegohen ende edhe sot jo nga Greqishtja por nga Shqipja e sotme, e cila është kjo “fosile e gjallë”, e vetmja trashëgimtare e “Pellasgjishtes së Lashtë”.
Deri këtu emri i Ligurëve nuk ka arritur të shpjegohet në mënyrë të kënaqshme. Konkretisht, Lygis ( në greqisht do të thotë një tingull i qartë dhe i mprehtë, por melodioz ), ligu-rire ( shpreh në latinisht lakminë), ligurio (folje latine që do të thotë lëpij ose shijoj ose bëj të vështirë ), etj. Pra, vetëm Shqipja arrin t’i japë një kuptim të pranueshëm. Përveç kësaj, veç emrit të Marsejës (mar e sjellë) edhe toponime të shumta kanë prapashtesa ( Floyosc, Manosque, Auriasque, Arnasco dhe shumë toponime të tjera italiane mbarojnë me: asco, esco, isco, asca etj.), të cilat gjenden në përgjithësi në sintaksën e “Pellasgjishtes së lashtë dhe Shqipes së Sotme”. Gjenden gjithashtu disa ngjashmëri të tjera gjuhësore në homografitë Valbone (Alpet bregdetare), Valbonais (Isere / Francë ) dhe Valbonë, Valbona (Shqipëria e Veriut ). Po ashtu në toponimet që përfshijnë parashtesën tipike “Pellasgo-Shqiptare”, Mal, fjalë që në gjuhën Shqipe kuptohet shumë mirë, e përdorur në të gjithë Evropën e Lashtë (Malans, Mallenko, Malta, Malh, Malvan, Malpartida, Malaga, Male, Malea etj.), si edhe disa teutologji si Malmont (Mal që mbisundon qytetin Draguignon në Var) ose Malberg (mal në Ardenet gjermane). Një legjendë e sjellë nga Helanikosi i Mitilenit, tregon, se një popull i vjetër, “Sikelët”, të cilët rridhnin nga Ligurët, do të kenë kolonizuar Siçilinë, duke u nisur nga Italia tri breza (njëqind vjet) përpara Luftës së Trojës. Përveç kësaj Antiokos i Sirakuzës dhe Dionisi i Halikarnasit pohojnë, se Sikelët ose Sikulët dhe Ligurët i përkasin të njëjtit trung etnik.


Herodoti nga ana e tij nuk e ka përmendur emrin e Sikelëve. Ai përmend emrin “Sikania”, që është emri i vjetër i Siçilisë (VII, 170). Përkundrazi Tuqididi (VI, 2), ndër banorët e parë të Siçilisë numëron Ciklopët dhe Laistrigonët pastaj Sikanët, të cilët sipas tij thoshin, se ishin autoktonë dhe madje pretendonin, se ishin para të tjerëve. Tuqididi shton, se Sikanët ishin Iberë dhe vendi i tyre quhesh Trinakria, përpara se të quhesh Sikania. Ai shton, se Trojanët pët t’i shpëtuar Akenëve erdhën dhe u vendosën në ishullin pranë Sikanëve. Dhe se të dy popujt u shkrinë me njëri tjetrin dhe u quajtën “Elime”. Së fundi Tuqididi pohon, se Sikelët do të mbërrinin nga Italia, për t’u vendosur në ishullin, që nga Sikania u quajt Sikelia. Në shpjegueset e tij Tuqididi shënon, se një nga mbretërit Sikelë, Italos, i dha emrin e tij Italisë. Ja pra kjo është sipas Tuqididit, historia e lashtë e Siçilisë. Megjithatë disa gërmime arkeologjike kanë bërë të mundur, që të nxirren mbetje të një popullsie “Neolike”, të pranishme në ishull nga mijëvjeçari i tretë dhe që ka të ngjarë, të jetë popullsia e Sikanëve. Sidoqoftë Sikelët apo Sikulët përfundojnë duke u asimiluar krejtësisht dhe do të zhduken gjatë shekullit të IV-të (4) p.e.s.
Le të kthehemi së fundi tek Ligurët, për të thënë, se ata ishin zotër të vendit përreth. Mirëpo emri i Marsejës rrjedh drejtpërdrejt nga gjuha Ligure, e cila rrjedh nga gjuha Pellasge dhe e rigjejmë degëzimin e saj në gjuhën Shqipe të sotme. Në të vërtetë “Merr-siell ose Marr-siell” është më se e kuptueshme në gjuhën Shqipe, d.m.th. një lloj import-eksporti antik, një nga format e para të tregëtisë ndërkombëtare! Pra, është i vetmi port tregëtar i Detit Mesdhe, i cili do të ketë përmbajtur në vetvete një emër kaq kuptimplotë! Dhe të thuash, që gjatë shekujve me rradhë janë bërë shpjegime mbi historinë e “Qytetit të Marsejës”, pa vënë kurrë theksin mbi zanafillën Ligure dhe jo Greke.


Latinët fjalën barka=bark e kanë huazuar qoftë nga Pellasgët e Italisë (Japigët, Mesapianët, Pisetianët etj.) qoftë nga Etruskët. Në të vërtetë kjo fjalë rrjedh nga Pellasgo-Shqipja “bark”, forma e së cilës ngjan më mirë më barkun. Po kështu në të vërtetë fjala “ar” në Shqip do të thotë “ari”, term që u përcoll qoftë nga Etruskët (metalurgë të trungut Pellasg) qoftë nga popullsi të tjera Pellasge të Italisë së lashtë (Japigët, Mesapët….)
Gjithësesi malësorët e lashtë, Kaonët, Thesprotët e Emathianët rridhnin nga i njëjti trung etnik me Molosët, që në shekullin V (5) p.e.s. u quajtën : Epirotë dhe Maqedonas. Për më tepër, që vendi i shenjtë kryesor i kultit dhe ai politik i Pellasgëve dhe i Akilit, “DODONA”, gjendej në këtë rajon. Mirëpo emri “MOLOSË” shpjegohet falë gjuhës shqipe me fjalët: “MALËSOR E MALËSI”. Fjala “Malësi” përkon edhe me infrastrukturën e saj: “vend malor”.
Populli i Thesalisë sipas Homerit (II, 749, 750), Perrhebët dhe Lapidët, në “Epokën e Strabonit” ndanin Pelasgoitidën, d.m.th. Luginën e poshtëme të Peneas, që është lumi kryesor i Thesalisë. Sipas Simonidit, Perrhebët=Perhaibët=Perrhaebit e Olimpit janë quajtur “Pelasgiotidë”. Në të vërtetë sipas Hekateut të Miletit, Helanikosit të Mitilenit dhe Ptolemeut, Thesalia quhej “Pelasgiotitë”.
Lapithes=Lap, Lapët, Labër, Lebër, është populli parahelen i Thesalisë, e cila quhej Pellasgiotidë dhe ishte rajon i banuar nga malësoret Perrhebë dhe nga Lapidët. Mbreti i tyre më i shquar ishte Piritosi, biri i Zeusit ose i Iksionit. Kryeqyteti i saj ishte Girton. Ky është emër tipik Pellasg, që ndeshet kudo shpesh në të gjithë rajonet Ballkano-Egjease, Azinë e Vogël dhe Italinë e Jugut. Piritosi në luftë me gjysmë-vëllezërit e tij Centaurët, i mundi ata. Ata u strehuan në Epir. Emri Lapidë mbijeton dhe ende edhe sot në Jug të Shqipërisë. Në të vërtetë një pjesë e banorëve të Perëndimit të Epirit të Veriut (në Shqipërinë e sotme) quhen “LAB” dhe “LABËR” në dialektin Toskë. Por, Gegët e Veriut i quajnë (Lap, Lapët). Ata kanë ruajtur shqiptimin e lashtë, se dialekti Gegë ishte më i përdorur në kohën e Pellasgëve të lashtë, siç e provojnë deskriptimet e shumta. Rotacizmi i dialektit Toskë është më i afërt me Etruskishten, një tjetër dialekt Pellasg.
Straboni (VII, 7, 10) thotë se :
“Sipas Eforit, themelimi i Orakullit të Dodonës ngjitet deri tek Pellazgët, më të lashtët e popujve që kanë ekzistuar dhe thuhet, se ishin zotër të Greqisë. Poeti shprehet kështu : Zeusi i gjithëfuqishëm, “Perëndi e Dodonës dhe e Pellazgëve”…. Për sa i përket Dodonës ajo ishte e rrethuar nga “Barbarë”, këtë Homeri na i jep, që ta kuptojmë qartësisht ( VII, 7, 12 )…..Thuhet gjithashtu, se në gjuhën e Molosëve dhe Thesprotëve, plakat quheshin “Peleiai” dhe pleqtë “Peleoi” ( “Pelaq-Peletsh” në gjuhën “Pellazgo-Shqipe” do të thotë “Pleqtë-Plakat” ). Ndoshta “Peleiadet” ( emër që emëronte priftëreshat e Dodonës ), për të cilat flitej shumë, nuk ishin zogj, por tri gra të moshuara, që ia kushtonin veprimtarinë e tyre “vendit të shenjtë”.


Në epokën e Herodotit ekzistonin popullsi të shumta të quajtura “barbare” dygjuhëshe. Ata shpesh ngatërroheshin me grekët, sepse flisnin greqisht. Është zbuluar, se më shumë se 78% e popullsive krejt barbare (që nuk flisnin greqisht) të shekullit të V-të të përmendura, ishin me zanafillë Pellazge. Herodoti (V, 3) edhe një herë më shumë ka pasur të drejtë, kur thoshte se :
“Populli Trak është, pas Indianëve, më i shumti në numër, që mund të ekzistojë në botë”.
Thraka duhet kuptuar si sinonim i Pellazgjisë.
Emrat e popujve apo fiseve dhe etnonimeve të përmendura nga Homeri, jepen në një tabelë. Në këto 180 terma të përmendura nga Herodoti, 25 kanë të bëjnë me etninë greke dhe 93 etni të dala nga grupi Pellazg, pra bëjnë 25 + 93 = 118. Në këtë tabelë të bën përshtypje që “Triballët” paraqiten si Ilirë, kurse në Epir kemi: Ambrakiotët, Dodonët, Dolopët, Molosët, Thesprotët, Kaonët, Pellazgionët. Në Thesali kemi: Enianët, Lapidët, Magnetët, Pagasianët, Perrhebët. Pellazgët që janë popull parahelen midis të cilëve: Lelegët, Karianët, Ligurët, Dardanianët, Aigialenët, Arkadianët, Kranaenët, Tirrenianët e Kalkidikës, Etrurisë, Lemnos, Imros, Samotrakës-Kaukonët (banorë parahelenë të Peloponesit perëndimor) dhe pasardhësit e tyre.
Herodoti (VIII, 44, II, 51) thotë se :
“Ata që rrethojnë apo fortifikojnë banesat e tyre të Greqisë, Italisë, Azisë së Vogël, madje Lindjes së Afërme dhe konkretisht “Jeruzalemi” përpara marrjes së tij nga “Mbreti David” quhej “JAPUDA, JAPUSA apo JEPUSA” prej emrit të “Jebusianëve apo Japudianëve”, shtrembërim i “Japudëve apo Japodëve”, që ishin popull Pellazgo-Trojan, i afërt me Teukrët e Azisë së Vogël. Ky emër rigjendet në Italinë e Jugut, tek ai i “Japigëve” dhe në Iliri nën emrin “Japodë”.
Pausania (X, 17. 2) i përmend krejt në mënyrë të veçantë banorët e shpellave midis popujve më të lashtë të Sardenjës. Diodori i Siçilisë (V, 17/1, 3) pohon, se në epokën e tij, banorët e “Ishujve Baleare” banonin ende në shpellat e maleve të tyre dhe se në verë ata nuk vishnin rroba.


Për të provuar të ekzistuarit më parë si nga ana historike ashtu edhe gjuhësore të Pellazgëve, studiuesi Mathieu AREF nuk është mjaftuar duke u bazuar në trajtesa vetëm gjuhësore apo filologjike, por të mbështetet edhe në elementë konkretë. Ato janë shkrimet më të lashta antike (mbi të gjitha në gjuhën greke e latine por edhe në gjuhën egjiptiane, hitike, ugaritike, asiriane, madje tekste të “Testamentit të Vjetër”), të vetmet të besueshme si edhe në analiza të thella të këtyre teksteve. Gjithashtu, në një studim të hollësishëm të teksteve homerike, të legjendave dhe miteve historike si edhe së fundmi në rezultatet e studimeve të shumta moderne ( poleontologji, arkeologji, antropologji, etnologji, mitologji, histori antike, sistemin e datimit, etj. ) të përshtatshme për “epokën parahelene e arkaike” të Greqisë.
Kështu në lidhje me studimet dhe hulumtimet e ndryshme për temën e Pellazgëve dhe gjuhën e tyre del qartazi se:
“Gjuha Shqipe e sotme përmban një mori fjalësh dhe fonemash të lashta dhe aq më tepër, parahelene. Ato na bëjnë të mundur, të deskriptojmë një pjesë të madhe jo vetëm të; antroponimeve, teonimeve, etnonimeve, toponimeve apo oronimeve greke dhe latine, por gjithashtu edhe një farë numri fjalësh të përbashkëta hitike, etruske, mesape, rumune, baske, armene, kelto-gjermanike, lituanishte, letonishte, anglishte”.
Ky qe një përshkrim i shkurtër i dhënë nga studiuesi i mirënjohur shqiptaro-francez, Prof. Mathieu AREF.