Dylejman Karaj: Historia e rrallë e Pedagogjikes së Shkodrës dhe Matura 77

Pak histori…

 

NOA

Shkolla e mesme pedagogjike e Shkodrës, si shkollë më vehte, është hapur në vitin 1951.

(Kjo ishte si vazhdim i degës normale që ka ekzistuar në qytetin e Shkodrës që në vitin 1917 dhe që, mbas hapjes së Liceut të shtetit më 1922, me ndonjë ndërprerje , si degë e këtij Liceu.

Edhe pse u krijua si shkollë e veçantë, për mungesë ambienti , mësimet zhvilloheshin në ndërtesën e gjimnazit (1951-1955), me tri klasa të para A, B, C, me afro 100 nxënës. (Lëndët jepeshin edhe prej pedagogëve të gjimnazit). Drejtori i parë në vitin 1951-52, ka kenë Qemal Mandia. Në vitet e tjera u zëvendësua prej Evrinomi Panda, mësuese e re, ardhur mbas studimeve në B.S. Ndërsa zëvendës drejtor ishte Ligor Prift. Me fillimin e vitit shkollor 1955 – 56 ,shkolla pedagogjike u instalua si ndërtesë më vehte, në godinën tjetër përballë gjimnazit sot “28 Nandori “ Me nga një oborr secila dhe me një lulishte në mes. Të dy shkollat më me zë dhe ma të rëndësishmet e qytetit Shkodër dukeshin sikur ”përshëndeteshin” me njëra – tjetrën!

Drejtori i pedagogjikes ishte Gani Daiu, “Mësues i Popullit”. Ndonëse godina e shkollës ishte e papërshtatshme, me punën vetëmohuese të mësuesve e nxënësve, shkolla pedagogjike u ba model edhe për shumë shkolla të tjera të rrethit Shkodër. Të diplomuarit e parë ishin 52 (19 vajza), të cilët filluan punën e mësuesit në rrethe të ndryshme të vendit si Pukë, Tropojë, Kukës, Mirditë, Mat e deri në Skrapar. Pedagogët e parë , pjesa më e madhe e tyre, ishin diplomuar në Europën Perëndimore si në Itali, Francë, Austri etj. Është momenti që disa prej tyre t’i kujtojmë e mos t’i harrojmë si :Kol Kamsi, Gaspër Ugashi, Rexhep Neziri, Gaspër Jakova, Jup Kastrati, Luigj e Arta Franja, Ded Shala, Lazër Kakarriqi, Enver Dizdari, Abdyl Kajanaku, Gaqo Harilla, Kadrije Kopliku, Karlo Ljarja, Isuf Çoba, Fadil Podgorica, Roza Bepi, Muhamet Doraci, Esat e Pina Haxhi, Enver Thanasi dhe “Piktori i merituem” Simon Rota, i cili kishte fituar simpatinë e të gjithëve mësues e nxënës. Shkolla pedagogjike kishte edhe aneksin e saj, shkollën ushtrimore, ku nxënësit zhvillonin praktikën me mësuesit e metodistë të talentuar; Njac Nenshati, B.Mandia, Kristina Deda, Marika Shala, V.Dragovoja,Vitore Alimhilli e Ida Kraja. Në vitin1987, për arsye urbanistike, ndërtesa e shkollës pedagogjike “Shejnaze Juka “  u prish . Aty sot ndodhet një shatërvan i madh i qytetit!

Në këtë vit (përgatitjet ishin bërë më përpara), u inaugurua ndërtesa e re e shkollës me stil të ri e modern, me kabinetet e pajisjet e nevojshme, palestër, terren sportiv etj, me drejtor Agim Kodraliun….

45 vite më vonë

 

45 vite më vonë, në ditën e 10-të, të Korrikut 2022, maturantët e klasave IV-A, IV-B, IV-C ,IV-D të diplomuar në vitin e largët 1977 të shekullit të shkuar, pas afro katër dekadash,

u mblodhën së bashku për herë të parë pas shumë vitesh për të parë njëri-tjetrin, për të kujtuar me nostalgji vitet më të bukura të rinisë, vitet e shkollës së mesme.

Atëhere 18-19 vjeçarë, nxënësa, që vinin nga Tropoja, Puka, Shkodra, Lezha, Mati, Mirdita , Tirana, Kavaja madje deri dhe nga Saranda perla e Jugut si, Age Qehaja, Pavlina Simoni, Pashkë Malaj, Lekë Pjetri, Donika Neziri, Katrina Hasa, Tonin Maxhuni, Kolë Buja , Dedë Vukaj , Gjelosh Docaj, Loshe Nikaj, Agim Uka, Agim Bruci, Dedë Qehaja, Marash Kolaj , Mrika Deda, Marie Gjoka, Cesk Shtjefni, Pjetër Lani , Gëzim Nura , Elez Treshnjeva, Dylejman Karaj , Haxhë Murati , Lena Shtjefni , Lindita Malaj , Gjyle Neza , Bedri Bukaci, Allaman Cipi, e shumë të tjerë…..do të kishin fatin të uleshin në bankat e njërës prej shkollave më elitë të pedagogjisë shqiptare, atë të mirënjohurën me emrin “Shejnaze Juka” në Shkodër.

Kjo shkollë “shuajti urinë” për mësues të Ciklit të Ulët në të gjitha krahinat e Veriut të Shqipërisë , duke kontribuar masivisht në rritjen e cilësisë mësimore, pasi sado vite të kalonin, mësuesit e pedagogjikes “Shejnaze Juka ” njiheshin, nga ditari, si për kaligrafinë e bukur, ashtu edhe për metodikën e mësimdhënies.

Shkolla e mesme padagogjike “ Shejnaze Juka “ në Shkodër, një ndër shkollat më elitare dhe më të mirat e kohës, fidanishtja e përgatitjes së mësuesve të Ciklit të Ulët, të këtyre edukatorëve themeltarë të vërtetë të brezit të ri, si godinë , nuk është më aty ku ka kenë  –  thonë shkodranët.

Por kujtimet, emocionet, ëndërrat, lotët e dashurisë ishin aty, në truallin e ish – pedagogjikes , në lulishtet plot trandofila, në pishat e moçme, që dikur qarkonin oborrin gazmor të pedagogjikes sonë të dashur. Përballë ishte po aty, gjimnazi “28 Nandori” një shkollë dinjitoze dhe me emër të mirë në Shkodër.

Kujtojnë natën e fundit të qënies bashkë të gjithë. Pasi kishim përfunduar mbrëmjen e maturës atë fund qershori të vitit 1977, mësuesit bashkë me nxënësit , si për të mos dashur të ndaheshim me maturën e parë të jetës së tyre, shëtitëm deri në mëngjes në të gjithë rrugët e qytetit të Shkodrës. Por ndarja do vinte. Të gjithë u shpërndanë në rrugët e tyre të jetës, shumë syresh nëpër shkolla të larta, por të gjithë punuan si mësues me përkushtim e pasion të veçantë.

Erdhën të përmalluar për shoqërinë e rinisë së parë nga të gjitha trevat e veriut të Shqipërisë, tashmë shumë të rritur, prindër shembullorë dhe gjyshër të urtë, disa në pension dhe të tjerë në prag të pensionit. Ashtu të përmalluar dhe plot emocione, u takuam me njëri – tjetrin duke u prezantuar me emër dhe mbiemër, sepse për shkak të erozionit të kohës, rrjedhojë e viteve të gjata në punë dhe të përpjekjeve në jetë, ishte e vështirë njohja me shikim të parë. Kjo është gjëja më e dhimbshme dhe më e trishtë që i ndodh çdo njeriu në jetë, kur ti kujton atë vajzën 18 -19 vjeçare të bukur, bjonde me sy të kaltër e plot shkëlqim, me faqe të kuqe si molla dhe buzët si qershi, apo atë djaloshin me trup të palestruar, flokët kaçurrela të zeza apo të verdha si gruri në qershor…,por përpara teje shfaqet një grua, një mësuese, në prag pensioni, sigurisht shumë fisnike e thinjur, por e kuruar bukur në parukerinë e qytetit, me forma të rrumbullakosura dhe pakëz e lodhur nga pesha e halleve të kohës…

Po aty, përpara teje nuk është më ai shoku i ngushtë i klasës 19-të vjecari i hedhur , capkën dhe sportiv me sy të zinj apo blu që ti ke njohur në maturën e vitit 1977,  por tashmë ti, shtërngon duart me një burrë të forte, të pjekur dhe të kalitur nga dallgët e jetës, por gjithësesi me rrudha në qafë e mjekër, flokë të thinjur fisnkërisht, sepse mbi të gjitha ai shoku yt i maturës , ka punuar mbi 40 vite si mësues shembullor nëpër fshatërat dhe qytetet e Shqipërisë së Veriut në kushte tejet të vështira, duke edukuar me shumë dashuri dhe pasion, dhjetëra breza nxënësish me dije dhe kulturë me qëllimin e lartë që ata të ecin me zotësi dhe krenarë në jetë.

Ishin këta breza mësuesish të përkushtur të dalë nga bankat e pedagogjikes në Shkodër, të cilët përgatitën dhe mirëarsimuan një brez të ri plot dije, që tashmë janë bërë intelektualë të zotë , doktorë shkencash duke shërbyer jo vetëm në Atdheun tonë, por falë demokracisë dhe anembanë Europës.

Në këtë takim brezash ishte rasti të kujtonim me shumë dashuri, respekt dhe nostalgji, disa nga mësuesit dhe profesorët tanë të nderuar dhe të përkushtuar si Lufti Hoxha, Nuri Abdiu , Ndue Luka, Drita Garuci, Magdalena Ujka, Rudolf  Mëhilli, Halim Shpuza, Enrik Baba , Mit’hat Hoxha , Bjanka Radoja, Agim Kadillari etj, etj…  

Miku im gazetar Agron Prebibaj në një shkrim të tij për gazetën “Nikaj – Mërtur “ për këtë takim brezash në Shkodër, ndër të tjera tha se e përzgjedhura e shkrimit do ishte profesoreshë Age Qehaja- Doçaj, e cila me një  ndjenjë njerëzore të sinqertë e ka ngacmuar duke i thënë: “Tash po të vjen radha edhe ty si një brez tjetër, si një ish – nxënësi ynë, ndaj dhe shkruaj e respekto brezin që të ka mësuar dhe edukuar kaq të mirë ” !

Shumë urime erdhën nga ish – nxënësit e këtyre mësuesve (matura 77 ) nga të katër anët e krahinave të Veriut të Shqipërisë, kur ndoqën këtë takim brezash në “TV1 Channel” Shkodër.

Nga e gjithë Shqipëria u mblodhëm në Shkodër. Ishte një takim pas 45 vitesh ku vendosëm të ktheheshim pas në kohë, me kujtimet dhe emocionet e viteve 1973 – 1977, atëhere kur përfunduam maturën.