Aktiviteti u zhvillua në mjediset e Ambasadës së Shqipërisë në Athinë. Merrnin pjesë diplomatë, ushtarakë me banim në Greqi, shkrimtarë, publicistë vendas e të ardhur nga Shqipëria, kolegë të autorëve etj…
Promovimi “Skënderbegasit ndër vite…”,volumi i katërt, i Kujtim Boriçit & Maksi Fejzulla, ceremoni mbresëlënëse në Athinë

Anjeza MUSOLLARI
Shefe e Sektorit të Botimeve,
në Ministrinë e Mbrojtjes
Ditët e fundit, në mjediset e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë të Greqisë, u bë promovimi i pjesë së katërt të kolanës “Skënderbegasit ndër vite…’, i autorëve Kujtim Boriçi e Maksi Fejzulla. Aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Ambasadores Luela Hajdaraga, me angazhimin e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, degës së saj në Athinë dhe shtëpisë botuese ‘Enja’. Në këtë aktivitet, merrnin pjesë ushtarakë në lirim në Greqi, shkrimtarë, poetë publicistë shqiptar me banim në shtetin fqinj dhe vendas, kolegë të autorëve etj… Morën pjesë gjithashtu, Kolonel Roland Berzani, Atasheu ushtarak i Shqipërisë në Greqi; znj. Eliverta Radomi, Ministre këshilltare, përgjegjëse për kulturën në ambasadën shqiptare në Athinë; Thoma Konduri Presidenti i SH. K. U. R. SH, Shqipëri; Joneda Dodaj, Oficere Koordinuese për Diasporën në Ambasadën Shqiptare në Athinë, Aqif Bozhiqi Kryetari Degës së SH. K. U. R. SH, Dega Greqi.

Aqif Bozhiqi (Kreu i SHKURSH, Greqi)
Të dashur pjesëmarrës, të pranishëm sot në këtë promovim të volumit të katërt të kolanës “Skënderbegasit ndër vite….”, të autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla duke sjellë në duart tona librin voluminoz, “Skënderbegasit ndër vite”, në katër volumet e tij, një pasuri që do ta lëmë trashëgim edhe nipërve e mbesave tona. Ne i falënderojmë nga zemra për punën e bëre dhe i urojmë suksese të mëtejshme! Prandaj ne dhe brezat që do të vijnë, kemi se me çfarë të krenohemi. Ne kemi historinë tonë, heronjtë tanë. Ne nuk kemi përse të montojmë histori e heronj, siç mundohen të bëjnë disa të tjerë. Ne duhet të krenohemi dhe ta mbrojmë këtë histori që kemi nga balta që është hedhur e hidhet nga humbësit dhe bashkëpunëtorët e fashizmit….
ELIVERTA RADOMI
(Ministre këshilltare, përgjegjëse për kulturën në ambasadën shqiptare në Athinë)
Ndihem shumë krenare që në emër të ambasadores znj.Luela Hajdaraga, dhe si një vajzë, motër dhe mbesë oficeri sot jam këtu në këtë aktivitet të rëndësishëm. Libri i Boriçit e Fejzullait, është një vlerë dokumentare e historike për shkollën e lavdishme ‘Skënderbej’, për ushtarakët shqiptar ndër dekada. Ushtarakët, për vite me radhë kanë mbartur dhe përçuar idealet dhe vlerat tradicionale të ushtrisë shqiptare që ka si bosht qendror, besimin ndaj Kombit, Atdheut dhe detyrës. Ato janë vlerat e vendit, të kombit, të popullit shqiptar. Ju u keni mësuar brezave për vlerat që ka një ushtar: 1. Dinjiteti – Si i trajtojmë të tjerët; 2. Integriteti – Si sillemi; 3. Shërbimi përpara Vetes – Gjetja e nderit është duke i vendosur interesat e kombit përpara interesave personale; 4. Llogaridhënia – Veprimi moral dhe etik, duke iu përmbajtur kodeve të sjelljes, rregulloreve, politikave dhe udhëzimeve.
Këto katër vlera thelbësore formojnë themelin e filozofisë së një ushtaraku. Faleminderit për gjithçka që keni bërë për vendin tonë

TOMA KONDURI
(President i SHKURSH,Shqipëri)
…Sot na ka mbledhur promovimi i Vol. 4-të i kolanës “Skënderbegasit ndër vite” i kolegëve tanë Kujtim Boriçi dhe Maksim Fejzulla. …Për mua kolana “Skënderbegasit ndër vite”, është një vepër jo thjeshtë shumë voluminoze, por edhe komplekse. Ajo është enciklopedi, është informacion, është statistikë, është histori, është biografia e një shkolle legjendë e gjallë e jetuar, jo me disa personazhe me vlera apo heronj, por me mijëra të tillë që kanë bërë emër, kanë lënë gjurme, kanë bërë histori. Ajo shkollë lindi vetëm 4 muaj pas çlirimit të vendit nga nazi-fashizmi. Ajo ishte shkolla e parë e mesme e profilizuar e pasçlirimit. Ajo u mbush nga pionierë partizan të UNÇl, të sapozbritur nga malet. … Ishte ajo shkollë që brumosi 47 breza me dashurinë për vendin, për popullin e tij, për edukatorin dhe shokun. Ajo shkollë ishte vazhdimisht në pararojë të arsimit shqiptar. …..Libri ka 16 kapituj ku sejcili ka veçorinë e tematikës, por edhe të mënyrës të trajtimit të fakteve. Libri ka rrjedhshmëri historike, që fillon me hapjen e shkollës, por pa përsëritur në asnjë fakt trajtimet në volumet e mëparshme. Në një kapitull më vete është evidentuar kontributi i disa skënderbegasve edhe në luftën e UÇK. Kapitull të veçantë zë edhe organizimi i sotëm i skënderbegasve në vendet ku kanë emigruar. Personazhe dhe bashkautorë janë edhe mbi 25 anëtarë të degës tuaj të Athinës, të cilët janë vetëafruar kësaj nisme. Kjo kolanë do të mbetet një pasuri e jona intelektuale, e cila do të na ngacmojë në kujtesën tonë me mësimin se po nuk ditëm se kush ishim dhe nga vijmë, nuk do të gjejmë veten se ku jemi dhe nuk do të dimë se ku shkojmë.
KOLONEL ROLAND BERZANI
(Atasheu ushtarak i Shqipërisë në Greqi)
…E pritëm me angazhim e përgjegjësi projektin për promovimin në Athinë të volumit të katërt të librit ‘Skënderbegasit ndër vite…”, të miqve të mijë, Kujtim Boriçi & Maksi Fejzulla. Falënderoj me këtë rast dhe mbështetjen e ambasadores Hajdaraga dhe kolegëve të tjerë në ambasadë.
…Për vlerat e librit, unë nuk dua të ndalem shumë, pasi folën e do të flasin dhe të tjerë këtu, por dua të theksoj se kjo kolanë, do të mbetet jo thjeshtë një numër librash, por dokumente me vlerë për ushtarakët, studjuesit dhe lexuesit, sot e në dekadat që do vijnë, se Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake ‘Skënderbej’, ka shkruar një histori dinjiteti në arsimin shqiptar.

F A L Ë N D E R I M I AUTORIT, KUJTIM BORIÇI
I emocionuar dhe mirënjohës, e ndjej për detyrë, që dhe në emër të bashkautorit Maksi Fejzulla, të falënderoj, nga zemra të gjithë organizatorët dhe kontribuesit, që mundësuan, më datë 3 korrik 2022, një aktivitet të veçantë në mjediset e Ambasadës së Shqipërisë në Athinë të Greqisë, promovimin e volumit të katërt të kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”:Ambasadoren e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga; Kolonel Roland Berzani, Atasheu ushtarak i Shqipërisë në Greqi; znj. Eliverta Radomi, Ministre këshilltare, përgjegjëse për kulturën në ambasadën shqiptare në Athinë; Thoma Konduri Presidenti i SH. K. U. R. SH, Shqipëri; Aqif Bozhiqi Kryetar i Degës së SH. K. U. R. SH, Dega Greqi; gjithë pjesëmarrësit, diskutantët, kolegë gazetarë me banim e aktivitet në Greqi e të ardhur nga Shqipëria; kolegë të medies që e përcollën gjerësisht këtë aktivitet mbresëlënës, në të dy vendet.
Faleminderit! Kujtim Boriçi




















