Dr. Hekuran Rrapaj: Kuvendi i VII-të i Labërisë, gur themeli i patriotizmit dhe shkëmbim vlerash përmes Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”

36
Sigal

Shkëmbimi universal i vlerave në funksion të realizimit programor të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”

Si intelektual, anëtar i Kryesisë së Përgjithshmë të Labërisë dhe si një person që në zemër dhe në gjakun tim ngelet të jetë përkushtimi, dashuria dhe atdhetaria për Mëmën tonë Labëri, po shpreh disa mendime, të cilat mund të ndihmojnë Kryesinë e re të Përgjithshme që ky Kuvend madhor do t’i promovojë. Tre janë kolonat kryesore të bazamentit në qëndrueshmëri dhe në vlerë për Shoqatën “Labëria”, të cilat e lartësojnë në vendin e merituar “Nderi Kombit”: Kultura; Atdhetarizmi dhe Statuti i Shoqatës Shkëmbimi universal i vlerave ka të bëjë me qarkullimin e njerëzve, kulturave, historisë dhe ideve. Koncepti i kulturës, si dhe ai i shoqërisë, është një nga nocionet më të përdorura në këtë Milenium të Ri. Kulturat përbëhen nga vlerat, të cilat u përmbahen anëtarët e një grupi, nga normat që ata respektojnë dhe nga të mirat materiale që krijojnë. Vlerat janë ideale abstrakte, ndërsa normat janë parime të përcaktuara, ose rregulla, që njerëzit duhet të respektojnë. Normat përfaqësojnë “atë që duhet bërë” dhe “atë që nuk duhet bërë” në jetën sociale. Nëpërmjet mendimit veprues dhe shpirtit praktik identifikues, Shoqata Labëria e ka përdorur termin kulturë në jetën dhe aktivitetin e saj të përditshëm, ashtu siç e meriton; ekuivalent të elementeve të larta të mendjes – të artit, letërsisë, polifonisë, muzikës, pikturës, krijimtarisë, tradicionalizmit, dashurisë, etj. Meritë të posaçme që duhet vlerësuar ka Kryesia e Përgjithshme e Shoqatës “Labëria” dhe kryesisht Kryetari i saj Prof. Dr. Ago Nezha, i cili përherë aktiv dhe i pa lodhur, ka drejtuar dhe udhëhequr me plot përkushtim këtë shoqatë mbarë kombëtare, deri në nivelin më të lartë të marrjes së titullit meritor: “Nderi i Kombit”. E ardhmja kërkon që grupet e strukturuara, të ngritura për këtë qëllim, përvojën dhe hapësirat që janë, promovojnë dhe studiojnë në çdo rajon, degë e nëndegë të Labërisë.

Po çfarë mendojmë se duhet bërë më mirë?

Kultura i referohet dhe mënyrës së jetesës së anëtarëve të një shoqërie. Në të përfshihen mënyrat e të veshurit, zakonet e martesës dhe të jetës familjare, mënyra e të kënduarit, mënyra e të punuarit, ceremonitë fetare dhe shfrytëzimi i kohës së lirë. Në të gjitha trevat tona kemi ngjashmërinë si labër, por dhe specifikimet tona të veçanta të çdo krahine. Ky ngjyrësim dhe bashkim kolori e bën të veçantë këtë qasje studimi, por dhe shumë specifike dhe konkuruese. Folklori, polifonia e lartësuar nga UNESKO dhe larshmëria e veshjeve dhe kostumeve krahinore, më shumë mund të jenë në qendër të promovimeve brenda për brenda Labërisë dhe konkuruese e lartësuese me krahinat e tjera brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, në trojet shqiptare si në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Greqi, Italinë Jugore, Amerikën e Veriut dhe në disa vende të Bashkimit Evropian ku të listohen për funksionim shoqatat e Labërisë. Në fund të çdo viti, mendojmë që gjatë muajit nëntor (e diskutueshmë), grupet polifonike të Labërisë, të bëjnë të mundur organizimin e festivalit polifonik dhe artistik të Labërisë, fillimisht në qytetin e Vlorës, pastaj në mënyrë të alternuar në Gjirokastër, Tepelenë, Sarandë, Himarë, Delvinë, Tiranë, Athinë etj. Ndërsa Grupi i punës dhe Juria profesioniste të vlerësojë gjithpërfshirjen specifike në art, kulturë, traditë, muzik, krijimtari etj., me çmimet përkatëse. Shoqata Labëria ka forcën dhe të drejtën morale, të bashkëpunojë dhe të udhëheqë me profesionalizëm intelektual shkëmbimin universal të vlerave në të gjitha trojet shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me mjaft shoqata dhe organizma jo-qeveritare, brenda dhe jashtë vendit, kudo ku jetojnë dhe militojnë familjet labe. Të tilla organizma, me plot produktivitet larshmërie aktiviteti ka në rajonet tona Labërit, krahas diturisë e trimërisë kanë mbijetuar me bujqësinë, kultivimin e frutarisë, perimeve, duke shkëlqyer në blektori, në produktet e rralla të saj si në regjien e lëkurëve, urlën e kaçubit, e cila mund të fitojë çmin kombëtar e më gjerë, duke përbërë objekt në rritje të tregtisë dhe ekonominë e familjeve. Labërit prodhimet cilësore i tregtonin me kulturë. Jeta shoqërore, shpirtërore, çdo fshat e vatër labe ka patur dhe ka një numër zakonesh të lidhura me ngjarje të ndryshme të jetës njerëzore, që pak njihen, por që janë shembull kulture, mirësie e bujarie. Për shembull, zakonet e lindjes së fëmijëve, sidomos kur lind një djalë, zakone të fejesës dhe të martesës, zakonet e vdekjeve dhe të cerëmonive të luftëtarëve, dëshmorëve dhe bijve të shquar të saj; të mpleksura këto me disa festa e ditë të shënura me origjinë të hershme pagane e kaonine. Para disa ditësh, për arsye të punëve të mia personale u ndodha në Athinë. Atje mora vesh një lajm shumë të hidhur, mbi ndërrimin e jetës të një vajze 25-vjeçare nga Picari. U mblodhën në atë ceremoni lamtumire shumë e shumë njerëz nga vetë Picari dhe nga fshatrat për rreth; Shtëpëzi, Kolonja Golëmi, Medari, Gropa e Barxhit etj., të cilët e përcollën vajzën duke e marrë në krahë, deri në banesën e përjetësisë. Ky veprim i pashembullt, vlerë zakoni e shtuar në emigracion, detyroi mjaft grekë të delnin nga shtëpia e t’i bashkoheshin kortezhit.

Kush, veç labërit e bëjnë këtë veprim?

Ne kemi se çfarë të promovojmë edhe mbi mënyrat e jetesës. Një pjesë e labëve kanë jetuar e punuar jashtë, të cilët kanë sjellë me vete jo vetëm të ardhurat financiare, por sende e pajisje të ndryshme për përdorim shtëpiak, që ndikuan në kulturë e në marrëdhëniet social-ekonomike, në ndërtimin e shtëpive tipike të thjeshta, por solide në qëndrueshmërinë funksionale. Familjet labe i kanë mbijetuar vështirësive jetësore, ekonomike, të natyrës së ashpër, por janë shquar si njerëz arsim-dashës, pranë dyfekut mbanin një armë tjetër të fuqishme: Abetaren. Kjo merr rëndësi të magjimshme, aktualisht, kur po shohim se po venitet cilësia dhe standarti mësimëdhënës, niveli i tyre dhe, me kaq alarm, pavlefshmëria e diplomave dhe formacioni që kërkohet t’i jepet gjuhës shqipe. Historia e hapjes së shkollave të para shqipe në Labëri, me aq mundim e sakrifica, me gjak e djersë, në terrorin e masakrës së pushtuesve, mund të kthehen në simbole reflektuese për këtë brez të ri dhe kryesisht për ekselentët e së ardhmes në shoqatën “Labëria”. Nga këto treva kanë dalë dhe po lindin gjeni. Nuk ka familje dhe as fis në Labëri të mos ketë në themele të historisë, jo vetëm luftëtarë, por intelektualë të profesioneve të ndryshme, shkencëtarë, poetë, krijues, politikanë, sipërmarrës të guximshëm, rapsodë, artistë, muzikantë, kompozitorë e këngëtarë të mrekullueshëm. Të tillë personalitete duhen njohur, afruar, promovuar dhe pafund vlerësuar me të gjitha mënyrat organizative dhe mediatike që ekzistojnë, nderim për ta në shkollat e mesme dhe në universitete, në emërtimin e rrugëve të lagjeve e të qyteteve, në sheshe e shumë më gjerë. Statuti i Labërisë na e jep këtë mundësi të shkëlqyer, të identifikojmë momentet dhe njerëzit e duhur. Krahas formave të administrimit shtetëror të kohës, në fshatrat dhe në krahinat e Labërisë kanë ekzistuar dhe forma të tjera të administrimit, që kanë ardhur si rezultat i një produkti trashëgimie të diktuar nga nevojat e jetës dhe nga prakticizmi i hollë lab. Disa nga këto, pse jo, duhet t’i bëjmë efikase dhe objekte studimi e promovimi, si për shembull, kuvendi i burrave të mençur, odat e diskutimeve, grupet e punës zhvillimore me objekte të ndryshme, për t’u marrë me një mori problemesh të administrimit ekonomiko-shoqëror. Kemi mjaft fenomene që në Labëri nuk duhet të ekzistojnë, si zgjidhje të konflikteve mes individëve, kullotave, pronave, prishjen e familjeve, dhuna në familje, në shkollë, në rrugë, bullizmi etj. Kemi mundësinë që të diskutohen e të merren vendime, se shqetësimet që kanë rrjedhur dhe situatat e veçanta e kanë një zgjidhje mirëkuptimi e dashamirësie. Këto qendra të mendimit të mençur, mund t’i kthejmë dhe si qendra argëtimi: takime brezash, festivale, panaire, promovime vlerash krijuesish të fushave të ndryshme dhe nga emigrantë. Le të shkojmë, në çdo fshat e pranë vatrave të të parëve e të konkurojnë mendimet rinore të lirë në shkëlqim; ku grupet e burrave, baballarëve dhe gjyshërve pranë një gote gëzimi rakie, të dëgjojnë nipërit dhe mbesat, të apasionuarit pas magjisë së polifonisë labe, pas valleve tradicionale të Jugut, pas poezisë, aktrimit, muzikës, etj., duke lartësuar Labërinë, dashurinë njerëzore dhe familjare, natyrën që na ka falë ZOTI. Por edhe të bëjmë humor, për të thumbuar shfaqje e sjellje jo të këndshme, për të vënë në lojë mëndjemëdhenjtë, fenomenin e largimit nga fshati, vëmendjen e shtuar ndaj prindërve të pispillosurve, mburracakëve, për ata që martohen sot e ndahen nesër, që braktisin fëmijët e shkatërrojnë qelizën bazë të ekzistencës njerëzore e mjaft të tjera.

Kemi fatin e madh që kryetarët e bashkive janë më të përkushtuarit, me zemër e gjak lab.

Na takon një bashkëbisedim dhe koordinim që të mund të administrojmë këtë perandori vlerash të Labërisë, Kurveleshit e në të gjithë Shqipërinë në kuadrin dhe për shkëmbimin dhe evidentimin universal të vlerave. Por roli i individit është gjithmonë parësor dhe ka rëndësi. T’i hapesh vetes është një gjë. T’u hapesh të tjerëve është e vështirë. Mirëpo kur distancohesh nga njerëzit e shikon sesa të rëndësishëm janë ata.  Le të marrim gjithçka me duart dhe mëndjet tona. Pandemia na humbi kohë. Duhet të guxojmë për të vrapuar. Jemi në paqe me gjithçka, me risinë dhe krijimtarinë kreative. Edhe pse mendimet tona mund të na ndajnë, ne jemi një familje, vëllezër e motra, jemi Labëria. Jemi në një epokë ku e vërteta është në prag të zhdukjes. Përkushtimi dhe serioziteti janë tejet të rralla në kohët e sotme. Çdo gjë që mund të ndodhë, nuk do të ndodhë aksidentalisht. Shoqëria labe kërkon njerëz që përkushtohen në Misionin tonë të lavdishëm. Jemi mbrapa me promovimin dhe anëtarësimin e brezit të ri dhe në raportin e gjinive. Çdo formë organizimi e ndërtuar bazuar tek dija, prodhon efekte të fuqishme shpërndarëse, duke u shpërndarë shpesh herë si zjarr, duke nxitur novacione të mëtejshme dhe shkaktuar shpesh herë reaksione zinxhir për bashkëveprime të reja. Shkëmbimi universal i vlerave, prodhon e promovon këdo që mund të bëjë punën më të mirë, nxjerr në dritë të së vërtetës njerëz, vende dhe momente historike ekzistuese, që pluhuri i harresës i ka lënë në hijen e padukshmërisë. Mjaft vende historike mund të kthehen shumë mirë në qendra të turizmit dhe biznesit lokal. Ne nuk pezmatohemi nga ndryshimi i qëndrimeve. E përbashkëta jonë është të shohim përpara me mëndje dhe shpirt kreativiteti për Labërinë. Tepelena, si thembra e Labërisë është një shans dhe fat i mirë për të gjithë. Sigurisht që dikush nga ne, ose të tërë si Kryesi, duhet të vendosë, të mbajë përgjegjësi, që këto të mos humbasin kurrë.

Përfundimisht: Pas kësaj ne duhet të shkojmë në shtëpi. Atje të nisim punën, të promovojmë hapësirën e perspektivës, dhe të zhvillojmë kudo familjen tonë të fuqishme: Shoqatën e Labërisë.

 

Tepelenë, më 16 dhjetor 2023

Labëria në Tepelenë u betua për Atdhenë

Asim Canaj 

Të nderuar pjesëmarrës, miq edhe të ftuar!

Mirëse u gjetëm e mirëse na urdhëruat!

 

Ju përshëndes, me zemër e penë,

në bark të Labërisë, sot në Tepelenë.

I bardhë si bora na qoftë takimi

besoj se më njihni, nga Kuçi, Asimi.

 

Vij nga Saranda nga deti me valë,

të themi ca gjëra e të shuajmë mallë!

Të gjithë e dime e kemi dëgjuar,

det e histori këtu shkojnë kaluar.

Nga Lëkurësi ngjyer gjaku edhe pena,

tek sofra e Aliut, majë edhe bedena.

 

Po e nis nga Agua, të takon i pari,

se je dollibash, je vetë kryetari.

Të falenderojmë siç jemi të tërë,

për punën e kryer, çke thënë e çke bërë.

 

Miqësisht ta them, si burrë oxhaku,

për ç’dhe deri tash, nuk të hahet haku ,

mos ka ardhur koha, të ndërrohet gjaku?!

Në skenë të thërrasim të renë, rininë,

t’ua lemë stafetën brezave që vijnë?

S’mbaron Labëria në vajza e djem

ka rrjedhur e rrjedh, porsi një madem.

 

E mira s’ka fund, si gjendet karari,

e rëndësishme është të mos fiket zjarri.

Në Sarandë ta dini, mba vlagë akoma,

dhe pse e rreh kripa, janë rrënjët të njoma.

 

Ju uroj të gjithëve një dimër të butë,

shoqatën ta mbajmë me zell e uxhut.

Të japim të gjithë, një fjalë e një dorë

Sarandë e Tiranë, Tepelenë e Vlorë.

 

Në mungon buxheti s’mbaron dashuria,

ta mbajmë të ndezur, siç do Labëria.

Kërkohet më shumë, jo gjoksi të rrihet,

që shoqata jonë përpara të shpihet.

 

Besoj s’u mërzita, arrita tek fundi,

për të gjithë urime, nga deti tek lumi.

Rroftë e qoftë Labëria,

zemërrrahura nga plumbi

 

Kryetari i SH.A.K Labëria 

Dega Sarandë 

Asim Canaj