Dr. Enriko Ceko: Shteti i pafuqishëm të mbrojë nxënësit

– Aspekti arsimor dhe pedagogjik ka nevojë për ndihmë dhe ndryshim.

– Humbja e së ardhmes një dëm për të gjithë.

Sigal

– Akti i vrasjes tregon se me sa sfida të mëdha dhe të shumanshme duhet të përballen brezat e rinj.

 

Ajo që ndodhi – vrasja tragjike e një adoleshenti 14-vjeçar nga një shok në pragun e një shkolle të mesme – nuk është vetëm një tragjedi e tmerrshme për familjen dhe të afërmit e miqtë e fëmijës, është një humbje për shoqërinë. Ky është një akt dhune, të cilin shumë e kanë konsideruar thjesht si një tragjedi e shkaktuar nga problemet në marrëdhëniet ndërpersonale midis fëmijëve, përkundrazi, kjo ngjarje pasqyron çrregullime shumë më të thella dhe më të përgjithshme në shoqërinë tonë, që janë çrregullime që lidhen me aspekte dhe këndvështrime sociale, filozofike, psikologjike, edukative, kulturore, etj. Vrasja e një fëmije është një humbje për të gjithë shoqërinë, sepse lëndon të sotmen dhe të ardhmen, duke na kujtuar se çdo humbje jete si edhe jetë të shkuara dëm në të tëra aspektet, përfshirë edhe jetën në kufizim lirie të individid, prekin ekosistemin shoqëror dhe njerëzor në mënyrë të pashlyeshme.

Humbja e së ardhmes – Një dëm për të gjithë

Në kuptimin e gjerë, kur vritet një adoleshent, është një humbje që ka ndikim në shoqëri në tërësi. Dhuna ka ndikime shumë të mëdha që arrijnë përtej jetës së të rinjve. Ajo dëmton ekosistemin e një të ardhmeje që mund të jetë e mbushur me mundësi, potenciale dhe kontribute të vlefshme. Siç nënvizon Kanti, “çdo njeri është një qenie e arsyeshme me vlerë të pacënueshme”. Kështu, privimi i jetës së një të riu do të thotë shumë më tepër se sa dëm i kufizuar tek individi dhe ata përreth tij dhe mohon faktin që ky i ri të kishte mundësinë që në jetën e tij të rritej si një qytetar i shëndetshëm dhe i denjë. Nuk është vetëm humbja e jetës së një adoleshenti, por humbja e asaj që ai adoleshent mund të ishte në gjendje t’i jepte shoqërisë, arsimit, shkencës, artit ose çdo veprimtarie tjetër apo dhe kapaciteti që ai mund të kishte për të qenë pjesë e së ardhmes që të tërë ëndërrojmë. Një dukuri e tillë tregon se, si shoqëri, ne nuk arrijmë të shfrytëzojmë mundësinë për t’i ndihmuar të rinjtë të realizojnë potencialin e tyre, të kanalizojnë energjinë dhe idetë e tyre dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në krijiminë e një bote më të mirë dhe më të drejtë. Është një humbje e madhe dhe çdo fëmijë, që humb jetën për arsye dhune do të thotë humbje e një mundësie për përparim dhe zhvillim.

Aspekti social – Çfarë po ndodh me rininë?

Mënyra më e mirë për të kuptuar thelbin e këtij akti është të shikojmë ndikimin e tij në aspektin social. Nga tragjedia në fjalë, vëmë re pasqyrimin e një lloj regresioni shoqëror, ku dhuna është kthyer në një mënyrë për të shfaqur zemërimin dhe zhgënjimin. Akti i vrasjes në rastin konkret tregon se me sa sfida të mëdha dhe të shumanshme duhet të përballen brezat e rinj, përfshirë këtu shkakun e mungesës së vëmendjes nga institucionet sociale dhe arsimore, si një sfidë reale, që nëse do ekzistonte si vëmendje mund të ndikonte mirë në reduktimin e stresit dhe tensionit në tërësi dhe te të rinjtë në veçanti. Shkollat janë vende të formimit dhe mbështetjes shoqërore, prandaj, ato duhet të jenë një vend ku adoleshentët mund të përballen me përvoja që formojnë identitetin dhe zhvillimin e tyre dhe jo vende ku dhuna përdoret si mjet për zgjidhjen e konflikteve. Është shumë e rëndësishme të rritet mbështetja psikologjike dhe edukative në këtë drejtim, në mënyrë që çdo adoleshent të ketë mundësinë të zhvillohet në kushte sigurie dhe mbështetjeje. Siç thuhet nga një studim ndërkombëtar i vitit 2019 i Kombeve të Bashkuara, “kultura e dhunës tek të miturit dhe adoleshentët është pasojë e nivelit të lartë të stresit dhe ndjenjës së pafuqisë, që përjetojnë ata përballë kushteve të jetesës dhe presioneve sociale” dhe ky është një shqetësim që kërkon një qasje holistike, të qëndrueshme.

Aspekti filozofik – Çfarë na tregon ky akt?

Është një ngjarje e trishtueshme që pyet filozofikisht se çfarë do të thotë etika dhe morali kur një shok vret shokun, një adoleshent vret bashkëmoshatarin. Një shoqëri e paaftë për t’u kujdesur për jetën e të rinjve duket sheshit se ka humbur shtyllat e saj, të cilat përbëhen kryesisht nga humanizmi, ndjeshmëria dhe vlerësimi për jetën. Sipas Niçes, “ajo (çdo) shoqëri që përdor dhunën si zgjidhje për problemet sociale ka dështuar në zhvillimin e një morali që mbështet individin dhe komunitetin”. Si i tillë, ky akt pasqyron një dështim të kësaj natyre, është një manifestim tërësor i mungesës së vlerave që duhet të shënojë çdo shoqëri e zhvilluar. Nga një këndvështrim utilitar, vrasja e një adoleshenti konsiderohet një humbje e madhe për shoqërinë, sepse një ngjarje e tillë shkakton dëm përtej të rinjve të përfshirë, duke prishur mundësinë për një të ardhme më të mirë dhe në këtë aspekt, sipas filozofit (John Stuart) Mill, “veprimet që po ndodhin duhet të maten me ndikimin më të gjerë që ato krijojnë në shoqëri”. Ky shembull dhune, që është i pandarë nga shembujt e tjerë të përditshëm, ka pasoja shkatërruese dhe padyshim që sjell edhe një hendek të madh brezash, paralelisht me krijimin e një mjedisi dhe kulture ku dhuna gradualisht fillon dhe justifikohet deri në falje.

Aspekti psikologjik – Dhuna si zgjidhje?

Dhuna, e manifestuar në këtë vrasje, është një tjetër simptomë e çrregullimeve psikologjike, që prekin rininë e sotme dhe këto çrregullime lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me pasigurinë, stresin, frikën dhe mungesën e mbështetjes emocionale në jetën e përditshme me të cilën përballen shumica e adoleshentëve kur ata fillojnë e përballen me sfidat e jetës. Pamundësia për të përballuar ndjenjat negative dhe për të menaxhuar siç duhet këto emocione rezulton që këto ndjenja të kthehen në agresion dhe dhunë. Teoria e të mësuarit social, (e trajtuar nga Albert Bandura), është një nga teoritë kryesore që shpjegon dhunën në adoleshencë. Sipas kësaj teorie, individët mësojnë sjelljen e dhunshme nga mjedisi përreth dhe nga modelet që imitojnë. Kur një adoleshent i ri rritet në një mjedis ku dhuna është e pranishme dhe e justifikuar, ajo mund të kthehet në një mjet të fortë në dorën e tij për zgjidhjen e problemeve dhe ngarkesave emocionale, në aspektin se individi mendon dhe beson se kjo zgjidhje është mënyra më e mirë dhe veprimet e dhunshme janë veprimet më të dobishme për të gjetur e dhënë zgjidhje, kur në falt ky është një model i dështuar që do të kërkonte ndërhyrje dhe mbështetje për të parandaluar që të ndodhin fatkeqësi si kjo.

Aspekti arsimor dhe pedagogjik – Nevoja për ndihmë dhe ndryshim.

Shkollat janë ekologji sociale brenda të cilave adoleshentët duhet të zhvillojnë kompetencën akademike dhe social-emocionale. Si të tilla, ata kanë një rol kritik në formimin e individëve të mirintegruar, që mund të kontribuojnë në një shoqëri paqësore dhe të zhvilluar. Megjithatë, shkollat bëhen vende ku tensionet e adoleshentëve kulmojnë me dhunë nëse nuk ka mbështetje psikologjike dhe sociale. Në këtë rast, duket se shkolla ka dështuar në rolin e saj si vend edukimi dhe mbrojtjeje. Një raport i UNICEF (2020) përmend se “shkollat duhet të ofrojnë mbështetje të përhershme për të rinjtë, duke ofruar mundësi për zhvillim emocional dhe social”, gjë që në fakt te ne nuk ndodh.

Si përfundim dhe rezultat, ky akt tragjik, i cili ka lënë pas dhimbje dhe pikëpyetje të mëdha, është një thirrje e fuqishme për ndryshim. Ajo që humbëm nuk ishte vetëm jeta e një të riu, por e ardhmja e përbashkët e shoqërisë, në të cilën secili prej pjesëmarrësve sjell kontributin e tij. Tani është koha e duhur që ne të investojmë në arsim, mbështetje psikologjike dhe një kulturë paqeje, për t’u kujdesur për jetën dhe zhvillimin e rinisë sonë, në mënyrë që shoqëria të rimëkëmbet dhe të riformohet. Siç ka thënë Martin Luther King Jr, “Jo dhuna, por dashuria dhe mirëkuptimi janë mënyrat për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”.