Dorëshkrimet e regjizorit dhe skenaristit Kujtim Gjonaj: Nga filmi ‘Vagabondi’ tek ‘Ali baba me dyzet hajdutë

417
Sigal

Dorëshkrimet e regjisorit dhe skenaristit Kujtim Gjonaj

-Filmat që lanë gjurmë “Çuku dhe Gegu”, “Ali baba me dyzet hajdutë”, apo “Fan fan tulipan”

-“Vagabondi” me   Raçkapurin e famshëm e shtynë drejt magjisë së filmit

– Habija me Fuat Çelën, një kooperativist i verbër

Albert Z. ZHOLI

Kujtim Gjonaj mbetet një ndër ikonat e kinematografisë shqiptare. Me mbi 150 filma dokumentarë dhe me dhjetëra skenarë filmash ai mban një rekord si në sasi dhe cilësi. Në çdo kohë filmat e tij shikohen me ëndje. Por ai ka lënë pas dhe shumë dorëshkrime pasi në rininë e tij ai ishte një ndër letrarët që premtonte. Dhe pse ka disa muaj që është në përjeëtsi ai kujtohet mes miqsh gjithmonë, për thjeshtësinë, korrektësinë dhe botën e madhe shpirtërore.

Në rrugën “Hoxha Tahsim”

Ai e kaloi fëmijërinë dhe u rrit në rrugën “Hoxha Tahsim”, një lagje ku fëmijët pjesën më të madhe të kohës e kalonin në rrugë e ku kish shumë djem rruge, por dhe nga ata që mësonin shumë mirë. Ai, megjithëse bënte pjesë tek këta të dytët, kishte shumë miq dhe shokë tek fëmijët që disa prindër dhe mësues i etiketonin me termin “rrugaçë”. Si një fëmijë paksa i pavarur në atë që bënte ai kishte shumë shokë, të afërm dhe gjithnjë ka ditur të “peshkojë” tek të tjerët më të mirën edhe pse përgjithësisht i pranonte shokët ashtu siç ishin, me të mirat dhe të metat e tyre. Si një fëmijë nëpunësi me nivel mesatar jetese për kohën, ai një pjesë të kohës e harxhonte për mësimet dhe pjesën tjetër, ndoshta më të madhen, duke luajtur futboll apo duke u ulur pasditeve tek kreu i rrugicës me shokët e afërt. Kur ndjeu se interesat e moshës nisën të kapërcenin dëshirat fëminore, shpesh buzë mbrëmjeve zbriste me shokët e lagjes në qendër të qytetit dhe stacionoheshin te rruga e famshme “Brodueji”, ku mbrëmjet e freskëta të Tiranës kaloheshin këndshëm. Dhe vonë kur ktheheshin në shtëpi binin për të fjetur me ëndrra dhe dëshira, derisa qepallat e rënduara për gjumë mbylleshin dhe buzët mërmërisnin fjalë dashurie të pathëna. Kujton  këngën që sapo kishte dalë në ato vite “Tuist again”  dhe jo pa ironi dhe doza humori sesi ai me dy shokë të strukur poshtë një çadre të vogël të zezë dhe me tela të thyer, ndërsa qielli lëshonte litarë shiu shëtisnin nëpër rrugët e qytetit, të bërë qull deri në kockë dhe këndonin këngën që shumë shpejt u bë hiti i kohës. Skenë groteske ku tre adoleshentë të lagur tërësisht, me një çadër që e valëviste era nga ti donte qejfi këndonin si të tërbuar. Tërbim adoleshence në rritje. Kujton jo pa emocion kontaktin e parë me filmin. Kishte shumë kinema  në atë kohë, dimërore dhe verore, ndoshta mbi dhjetë kinema, por në kujtesë i ka mbetur kinema “Brigada”, aty ku sot është ndërtuar kisha ortodokse. Çdo të diel shfaqeshin filma me pesë lekë për fëmijë. Në ekranin e asaj kinemaje të vjetër ai fiksoi për herë të parë “Çukun dhe Gegun”, Fernandelin te filmi “Ali baba me dyzet hajdutë”, apo Jerard Philipe te filmi “Fan fan tulipan”. Ishin një grup filmash që të vegjëlit i shikonin me ëndje. Mezi e prisnin të dielën. Dhe nëse gjatë javës ishin sjellë mirë, fitonin të drejtën për të shkuar në kinema. Të vjen për të qeshur sot sesi përpiqeshin për t’u mbushur mendjen prindërve të njëri tjetrit se vërtet gjatë gjithë javës qenë sjellë mirë…ata që siç thoshte shpesh nëna e tij “…s’kishin lënë dy gurë bashkë gjatë gjithë javës”. Ai e pëlqente filmin, e donte kinemanë, pa i shkuar asnjëherë ndërmend se në një të ardhme jo shumë të largët do të merrej dhe vetë me këtë art që jo më kot sot i ka dhënë emrin magjia e filmit. Në këtë periudhë ka patur kontaktin e parë edhe  me filmin “Vagabondi” me   Rackapurin e famshëm. Ndonjëherë nuk i linin të hynin në kinema  se ishin të vegjël në trup dhe nuk lejohej poshtë 16 vjeç dhe ato kacavirreshin nëpër mure dhe hynin tinëz për ta ndjekur filmin që kishte dhe ndonjë skenë dashurie. Në përgjithësi shikonin filma rusë. I shikonin me ëndje dhe kuriozitet të paparë. Botë interesante.  Aty ku fillonte Profarma mbaronte Tirana dhe fillonin varrezat. Në njërin krah varrezat e myslimanëve dhe në tjetrin ato të krishterëve. Më pas shtrihej një fushë e madhe dhe në krye fare aty ku kryqëzoheshin dy rrugët që të shpien në Dajt ngrihej korpusi i Kinostudios “Shqipëria e re”. Shpesh shkonin me djem të lagjes për të luajtur me top apo kopaca dhe kur kishin ndonjë lek dhe me pesë lekësha. Që nga fusha ku luanin shpesh vështronin se pas mureve që rrethonin Kinostudion dilte një tym i zi që davaritej mes ullinjve. Kurioziteti i shtynte të kacavirreshin sipër mureve dhe të shihnin ca gra me përparëse të bardha, që zbraznin në një gropë shirita filmi. As që i shkoi ndërmend në atë kohë se pas disa vjetësh ato gra me përparëse të bardha do të bëheshin kolege të tijat. Sapo gratë largoheshin ato kapërcenin murin dhe mblidhnin copëra filmash dhe në kuadrot e mbetura pa djegur dalloheshin qartë aktorë të kohës.

-Ja, gjeta një Toto…

-Unë kam Ali Babanë.

-Po shoh një grua të bukur, por s’ia di emrin.

Më vonë mësuan se ajo grua e bukur dhe tërë hijeshi quhej Sophia Loren. Pa e kuptuar dhe pa i shkuar asnjëherë ndërmend ai afrohej pa dashur me filmin, me kinemanë.

 

Kampet e pionierit

Kampet e pionierit ishin një moment shumë i gëzuar në jetën e asaj kohe se shkëputeshin nga familja dhe kishin një lloj ndjenje pavarësie. Ishte një organizim bashkërisht ku hahej më mirë, luhej pa fund dhe ishte më mirë se ç’ishte në shtëpi. Ka frekuentuar kampet e pionierëve në Durrës, në Pogradec, Selitë në Voskopojë. Ishin momente shumë të gëzuara. Në shkollë të mesme ngjiteshin në Dajt disa herë në vit dhe e merrnin rrugën në këmbë.   Ishte rrugë shumë e lodhshme, por kënaqësia ishte maksimale, sepse në darkë organizoheshin mbrëmje me muzikë dhe aty kërcenin me vajzat që simpatizonin. Dhe pasi kalonte kjo festë të gjithë i mburreshin njëri tjetrit se sa herë  i kishin kërkuar një vajze për të kërcyer dhe emocionet dhe ëndrrat djaloshare triumfonin. Dukeshin sikur kishin fituar betejat më të mëdha të jetës. Ishin mendime të sinqerta dhe fluturonin mbi lulet më të bukura që në atë kohë ishin të turpshme dhe me një nur marramendës. Kampi i Dajtit ishte me të vërtet një vend shumë shik për adoleshentët dhe rininë shkollore të  kryeqytetit ku ata argëtoheshin shumë dhe jepnin e merrnin shumë kënaqësi. Dhe fakti nuk ishte vetëm ideja e ekskursionit në vetvete por dhe sepse shkonin me një grup shokësh, miqsh dhe aty ravijëzoheshin simpatitë dhe pëlqimet e para dhe mendja fluturonte në një hapësirë të pamatë. Sigurisht që dhe atëherë ndodhnin histori dashurie. Dhe ato vijonin gojë më gojë si legjenda urbane dhe ricikloheshin pas ca ditësh aty ku  mbaron pallati i Kulturës dhe fillonte hotel Vjosa tek ajo  bordurë e famshme ku mblidheshin gjithë djemtë e Tiranës. Kishte një grafikë me orar të caktuar se ishin shumë djem gjimnazistë dhe s’kishte vend. Dhe e gjitha ishte si një sahat.  Aty bëhej xhiroja,  i bihej rreth e rrotull ndërtesës, rrugës ku sot është Pallati i Kulturës pra rrugës së Barrikadave, zbritej te rruga e Dibrës dhe bëhej qarku. Tek ajo zonë  që siç e kemi përmendur më parë ishte  Brodueji i famshëm dhe të gjithë që rrinin aty quheshin Brodueistë. Më pas shëtitja u s’postua te Bulevardi i madh, duke filluar nga lulishtja te monumenti i Skënderbeut dhe deri aty ku sot është sheshi “Nënë Tereza”. Në bordurat rreth monumentit të Skënderbeut rrinin më shumë burra të moshuar dhe shumë radhë të rinj.

-Hë, do të shihemi sot në mbrëmje?

-Po, patjetër.

-Ku do takohemi?

-Sot jam hollshëm. Shihemi te kafe “Gjirokastra”.

Kafe “Gjirokastra” ia kishin vënë nofkën bordurave rreth lulishtes “Skënderbeu”, meqë mund të rrije sa të doje dhe pa harxhuar asnjë lek. Nganjëherë i vinte keq për nofkën që i kishin vënë atij vendi se njihte shumë gjirokastritë , por nuk ishin cingunë siç u kishte dalë nami. Shëtitjet ishin një kënaqësi e madhe dhe ishte normale që djemtë dhe vajzat të përzgjidhnin veshjet më të mira për t’u dukur sa më bukur dhe më hijshëm. Ishte si një paradë mode dhe bukurie e gjitha në standardin e kohës që pa dyshim kishte rregulla të caktuara. A kishte thashetheme? Sigurisht! Si në çdo kohë…

Prishja me BS dhe vëllazëria me Kinën

Kur Shqipëria u prish me rusët ishte 14 vjeç. I erdhi keq për faktin e thjeshtë se kur të mbaronin gjimnazin nuk do kishin mundësi të shkonin të studionin jashtë shtetit. Kjo ishte e vetmja keqardhje. Por ishte në moshën kur një djalë 14 vjeç nuk mund ta konceptojë, kursin politik të vendit të tij. Në atë kohë ishte normale që të stimulohej dashuria për vendet e kampit socialist, në mënyrë të veçantë me Bashkimin Sovjetik.  Pas prishjes ishte normale që do fillonte indoktrinimi.  Shqipëria kishte të drejtë gjithmonë. Bashkimi Sovjetik devijoi nga kampi socialist. U bënë vëllezër me Kinën. Më pas dhe ajo devijoi ndërsa Shqipëria ecte krenare në ndërtimin e socializmit. Dhe me hir apo me pahir, me vullnet apo pa vullnet, me dëshirë apo pa dëshirë ishte normale që do përqafoje politikën e kohës. Ishte në fakt absurd po Shqipëria ai vendi i vogël në hartë kishte gjithnjë të drejtë. Për më tepër si punonjës të propagandës, ishin nga më të vlerësuarit  e asaj kohe jo se kishin ndonjë gjë të veçantë, po respektoheshin dhe admiroheshin shumë jo vetëm nga populli, por dhe nga drejtuesit e shtetit. Shqipëria si vend i diktaturës së proletariatit kishte shumë kinezërira. Në rrethe të ngushta bënin dhe humor me njëri-tjetrin por gjithnjë të parrezikshme. I kujtohet pathosi dhe obsesioni i madh i vajzave që vinin nga fshati në aksionet e rinisë, që prisnin flokët, që hiqnin rrobat e trasha të fshatit dhe vishnin rrobat e dokut si vullnetarë nëpër hekurudha.  Një heroizëm masiv i tejskajshëm, do të thoshte siç ishte e tejskajshme dhe gjimnastika e mëngjesit. Qeshnin në atë kohë, por dhe më pas kur ndodhte që shihnin material arkiv dhe shikonin bulevardin e madh apo godinat e Ministrive të mbushura plot me burra e gra që kryenin në mënyrë të sforcuar gjimnastikën e mëngjesit. Kinezërira dhe plot të tjera, që në momente të caktuara i hasje pa kursim, ngjallnin ilaritet, por të vinte dhe keq për të gjithë ata që qenë të detyruar t’i vinin në zbatim. Më shumë gajaseshin me ato zyrtarët burokratë e barkmëdhenj që tundnin krahët me devotshmëri në oborret e institucioneve. Qesharake ishte dhe fakti nuk u lejohej vajzave të reja dhe nuseve të mbanin unaza, vathë,  stoli. Kishte ekzagjerime që  dashje pa dashje të ngjallnin ndjenjën e ilaritetit. Koha qe e tillë dhe për arsye nga më të ndryshmet i bëhej jehonë edhe në propagandën e asaj kohe, herë realiste dhe herë –herë e stërfryrë. Ndodhte që edhe ai, me ndonjë mik shumë të afërt, qeshte dhe bënte humor bie fjala me Fuat Çelën, një kooperativist i zonave të Skraparit,që megjithëse i verbër qëllonte aq mirë me pushkë që godiste në zemër të armiqve që ishin ngjitur në tabelë, apo barcaletat që zunë të qarkullojnë për Pal Vatën, babai i Shkurte Vatës, që u bë i njohur nga vdekja aksidentale e të bijës në aksion.

Manifestimet dhe paradat ushtarake 

Manifestimet dhe paradat ushtarake  kishin bukurinë dhe madhështinë e vet, por kur rastiste që turmat e eksituara kalonin me histerizëm para tribunës, kur montonte filmat festivë mundohej t’i eliminonte , jo entuziazmin, por histerizmin. Dhe kur zgjidhnin planet për t’i montuar jo rrallë ravijëzoheshin buzëqeshje të lehta, vështrime me nënkuptim dhe ndonjë fjalë e hedhur si pa dashje…por vetëm kaq. Ata që merreshin me filmin e kuptonin njëri tjetrin pa folur. Në Kinostudio kish krijues që humori nuk u shteronte asnjëherë. Barcaleta të ndryshme qarkullonin herë pas here, herë me gjysmë zëri e herë me zë të plotë. Vetëm nga fundi i viteve 80-të ato shpërthyen me tërë vrullin e tyre dhe ato që fliteshin në Kinostudio amplifikoheshin shumë shpejt. Socializmi kish dështuar në shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe  dhe jo rrallë ai përsëriste dialogun se perse dështoi socializmi…

-A e dini perse?

Dhe përgjigjej po vetë.

…Sepse në vendet socialiste teoria e Marksit dhe ai vetë u vu tek altoparlantët, ndërsa bota perëndimore  ua vuri motorëve dhe motori prodhon punë jo llafe…Sot shume grafomanë apo rrëfimtarë  heroikë, mburren lart e poshtë nëpër tv dhe gazeta, duke u gafurrur se në atë kohë kanë bërë namin duke kundërshtuar apo kritikuar regjimin…Ai nuk e beson dhe nuk e pranon se e ka bërë ndonjë regjisor, skenarist, operator apo kineast këtë “sakrificë”sublime. Këtë nuk e bëri në atë kohë as Ismail Kadareja që ka ndershmërinë dhe kurajën e madhe kur e pohon, por as shumë shkrimtarë të njohur të kohës ,jo me ta ketë bërë këtë “sakrificë”sublime ndonjë regjisor,skenarist , operatorë apo ndonjë piktor i Kinostudios. Edhe kur ka patur ndonjë dukuri të kësaj natyre,  më tepër kanë qenë rezultat i ndonjë spiunllëku apo xhelozie për njëri tjetrin dhe viktimat përfunduan  aty ku përfunduan. Nuk ka patur kritikë të mirëfilltë apo ndonjë qëndresë të organizuar. Fjala disidencë pothuajse ka qenë  e pa njohur, aq më pak në Kinostudio kur bëhet fjalë të paktën për 30 vitet e fundit, nga viti 60  e më pas. Le që ishte krijuar edhe mendimi që po të punoje në Institucione si Kinostudio ishte nder. Trimat “disidentë” lindën si kërpudhat pas vitit 91,kur e kish marre ferra uratën dhe treni kish kohë që kishte ikur. U bënë me sens kritike  dy –tre filma dokumentarë pas vitit 1991 dhe këta për vështirësitë e  momentit. Kjo është e vërteta  si drita e diellit. Kush flet ndryshe gënjen pa pikën e turpit dhe të moralit.