Dorëshkrimet e Nënkolonel, dirigjent Fatmir Foçi: Në ceremonin e viktimave të Otrantos u luajtën dy marrshet funebër, që ishin krijuar për Enver Hoxhën

18

Në vitin 1977 shkuam në Kalabri me artistët Gaqo Çako, Vaçe Zela, Hysni Zela, Sali Brari, Tatjana Korro etj.

Sigal

Ja intervista dhënë për Telegraf.al

Kam pritur 16 Presidenta dhe Kryeminsitra me bandën e Ushtrisë

Në funeralin e Enver Hoxhës u bënë enkas për 48 orë dy marshe funebër

Marshet funebre u krijuan nga Kujtim Laro dhe Limos Dizdari.

Në Kinë na pritën si heronj, kishin dashuri shumë për shqiptarët.

Pas tre ditësh Nexhmije Hoxha na falënderoi.

Në përcjelljen e Hysni Kapos lodhja ishte e madhe.

Në paradën e 1979 Mehmet Shehu dha urdhër që banda të nxitojë. Unë nuk reagova.

Dita më e vështirë kur përcollëm të mbyturit e Otrarntos, 1 orë në rrugë

Albert ZHOLI

Jeta e tij ka qenë e mbushur me ngjarje. Dhe pse ka ndërruar jetë ka lënë shumë dorëshkrime. Dorëshkrime me vlera. Para një 10-vjeçari kam zhvilluar një intervistë interesante. Një pjesë e mirë është në këtë shkrim. Punoi si dirigjent kur ishte periudha që muzika në Shqipëri kishte marrë vlerat e duhura reale. Dirigjentët e parë kishin mbaruar studimet e tyre jashtë dhe kishin sjellë eksperienca shumë të bukura. Mbi 40 vjet si dirigjent jeta e tij, ka qenë e mbushur plot me ngjarje dhe me suksese. Por ka pasur dhe shumë ankth, stres, lodhje, sakrifica. Midis shumë ngjarjeve ai përmend vdekjen e Enver Hoxhës, ku për 48 orë u krijuan dy marshe funebër nga dy kompozitorë të mëdhenj. Por po kaq me rëndësi ka qenë dhe vdekja e Hysni Kapos dhe e Myslym Pezës. Në kësi rastesh banda punonte deri një orë në lëvizje një punë kolosale. Por punë e vështirë apo demonstrim ka qenë dhe në rastet e paradave, ku shpesh herë udhëheqësit kërkonin që të shpejtohej hapi i bandës. Në tërë këto kujtime ai e ka ndjerë veten më keq gjatë ceremonisë së varrimit të personave që u mbytën në tragjedinë e Otrantos, pasi shoqërimi me marshe funebre zgjati afërsisht një orë me një gjatësi të madhe rruge deri në 5 km. Ka qenë pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve nga viti 1970-1989 për dirigjim bande dhe klas orkestre në vitin 2010-2011…

Në vitet e para të sistemit monist profesioni i idirigjentit ka qenë shumë i kufizuar. Edhe orkestrat kanë qenë shumë shumë të kufizuara, pasi nuk kishin marrë ata  vleërsim nga qevritë e mëparshme.

Ju kur i keni mbaruar studimet për dirigjim?

Unë kam qenë për studime në BS në Fakultetin e dirigjentëve (dirigjorëve) ushtarak në vitin 1961. Me prishjen e marrdhënieve midis dy vendeve u kthyem shumë studentë midis të cilëve dhe unë. Në janar të vitit 1962 u hap Konservatori Shtetëror i Tiranës, ku unë fillova studimet për dirigjim, sigurisht, përsëri si kuadër i ushtrisë, për dirigjent bande. Pedagog kam pasur Artistin e Popullit Rifat Teqja. Studimet i mbarova në qershor 1966 dhe prisja  të caktohesha dirigjent në Bandën e Ushtrisë, meqë mbarova shkëlqyeshëm dhe isha për atë degë. Por në atë kohë mua më tërhoqi Gaqo Avrazi, Artist  Popullit, si dirigjent Orkestre pranë Ansamblit të Ushtrisë. Pra fillova dirigjent në këtë orkestër deri në vitin 1970. Këto vite punova pranë Gaqo Avrazit, një njeri me kulturë, i dashur, plot vitalitet për të cilin ruaj një respekt tepër të veçantë. Gaqo ishte edhe dirigjent edhe Udhëheqës Artistik në Ansamblin e Ushtrisë. Në vitin 1970 Gaqo del në pension dhe unë mbeta dirigjent në Ansamblin e Ushtrisë njëkohësisht dhe si udhëheqës Artistik, në vend të Gaqos, detyrë që e mbajta deri në vitin 1975. Pas këtij viti kërkova të vinte patjetër një udhëheqës Artistik, pasi kishte shumë punë dhe më sollën të madhin Kujtim Laro. Në shtator të 1975 ai ka ardhur në këtë detyrë. Unë vazhdova detyrën e dirigjentit të Ansamblit të Ushtrisë deri në vitin 1977 dhe në fund të këtij viti më caktuan të shkoj Udhëheqës Artistik i Orkestrës Frymore të Ushtrisë, ose Bandës së Ushtrisë për të cilën isha profilizuar. Nga fundi i vitit 1977 deri në mars të vitit 1999, që dola në pension rreth 22 vjet kam  kryer detyrën e Udhëheqësit artistik dhe të dirigjentit të Orkestrës Frymore të Ushtrisë, ose ndryshe Bandës së Ushtrisë.

Kur ke dalë për herë të parë jashtë shtetit me këto Insitucione ku ke punuar?

Për herë të parë kam dalë në vitin 1969 në Kinë me Ansamblin e Ushtrisë ku unë drejtoja grupin e valleve, solistët, ndërsa Gaqo Avrazi vetëm korrin. Në Kinë na pritën shumë mirë. Për ne kishin një interesim të veçantë. Enveri njihej në gjithë këto vende ku dhamë aktivitete. At’here Kina ishte vend i varfër, nuk kishte këtë zhvillim, nuk kishte këtë nivel ekonomik, që ka sot, por megjithatë ne na pritën shumë mirë.

Në 1972 në Festivalin e Ohrit këtu shkova me një grup të Arsim Kulturës, ose që quhej Ansambli Dajti. Në këtë Festival isha me Ferdinand Dedën, dhe me disa artistë të tjerë të mëdhenj. Me Ferdinand Dedën mbaruam paralel, ai për dirigjim simfonik, unë për dirigjent bande ushtarake. Të dy diplomën e mbrojtëm me notën 10.

Në vitin 1977 dolëm me grupin artistik të Tiranës në Kalabri, tek arbëreshët. Ishte prap një grup i arsim kulturës, ku kishte në përbërje artista të mëdhenj si Gaqo Çako, Vaçe Zela, Hysni Zela, Sali Brari, Tatjana Koro etj. Ishte prill 1977. Në Kalabri na bënë një pritje të shkëlqyer. Ne pak dinim për ata. Në radhë të parë e mendonim a do merrshim vesh, a dinin shqip, se ne shfaqje do të jepnim vetëm në ato fshatra Kalabreze. Por për çudinë tonë ata dinin shqipen e vjetër, që ne shumë fjalë i kishim harruar. Disa gra u bënë kurioze se si flisnim ne në bashkbisedimin tonë intim. Në një fshat kur zbritëm nga autobuzi ato na u afruan dhe i thanë njera tjetrës dale të shohim se si i flasin njeri tjetrit këta skipëtarët? Unë i dëgjova dhe u thashë, ja kështu skip si ju flasim. Pra i mora vesh shumë mirë. Ato na buzëqeshën dhe na uruan mirseardhjen. Me ne në këtë turne ishin dhe Profesor Eqerem Çabej dhe Jorgo Bulo, të cilët  erdhën për të gërmuar më tepër për gjuhën e lashtë. Atje kishe çfarë të gjeje. Një jetë interesante mbushur me shumë histori. Ato ditë kemi kaluar si mos më mirë. Na pyesnin për shumë gjëra. Gjuhën e flsnin me shumë dëshirë. Nuk kishte ndonjë zhvillim kushedi në Kalabri, fshatra të thjeshtë. Profesor Çabej me Jorgo Bulon gjithë ato ditë ndenjën vetëm në Bibliotekat e asaj zone. Gjetën materiale të rralla na thanë. Veçoj vizitën në shtëpinë muze të De Radës. Nuk patëm asnjë provokim. Madje unë isha kryetar grupi dhe aty më thanë se është hera e parë që një grup artistësh kanë si kryetar një artist, pasi shumë herë çonin kryetar partish ose administrator. Shumë familje na quanin vëllezër. Na bënë çudi. Nuk ishin në nivelin e Italisë së Veriut. Ishim ftuar nga shoqata “Skënderbe”. Dhamë shfaqje në të gjitha  fshatrat arbëreshe pasi ndenjëm 15 ditë.

A keni takuar ndonjë nga udhëheqësit e kohës në gjithë këto aktivitete?

Unë kam qenë pranë të gjithë udhëheqësve në shumë koncerte, në qindra koncerte, por nuk kam biseduar kurrë me ta. S’më ka lidhur puna e drejtpërdrejt.

Ju keni pritur dhe përcjellë me dhjetra figura politike, në Rinas me bandë, apo ke përcjellë për në banesën e fundit me bandë, me marshë funebër shumë ish udhëheqës, çmund të na thuash për këto?

Unë me bandën e ushtrisë kam pritur dhe përcjellë shumë president dhe Kryeministra, Shefa Shtabi të ushtrive të vendeve ish komuniste, nga shumë vende të botës. P.sh kam pritur Presidentin e Etiopisë që do shkonte në BS dhe kaloi në Shqipëri. Ishte viti 1960. Kam pritur Papën e Romës në vizitën e parë në Shqipëri. Kam pritur Çu En Lain, Sekretarët e Mbrojtjes së Shtetit në USA, pra rreth 16 Presidentë dhe Kryeministra. Një numër i madh. Ministri i Luftës i Italisë ka bërë një nderim ushtarak tipik që më ka bërë përshtypje.

Në cilat varrime të ish udhëheqsave shqiptarë ke marrë pjesë si shoqërues me marshe funebër me bandën e ushtrisë?

Për herë të parë në varrimin e Hysni Kapos. Ishte një vdekje e veçantë, ku pashë sa e donin i madh e i vogël, madje mund të them se e donin të gjithë ish udhëheqësit. Pasatj kam vazhduar me Myslym Pezën, Enver Hoxhën, dhe disa Heronj të Popullit. Pra këta janë shumë, por këta të tre i veçoj.

A more vlerësim për shoqërimin e Hysni Kapos?

Po vetë shoqja Vito Kapo dërgoi falënderimet e saj. Eshtë shumë e lodhshme të përcjellësh në varreza udhëheqës, plus kohës së punës duke u rënë veglave pro edhe përgjegjësia e ndonjë gabimi. Këtu në këtë vdekje u luajtën marshet funebër të Bethovenit, Shubertit, Shopenit.

Cila ka qenë e veçanta e shoqërimit me bandë të varrimit të Enver Hoxhës?

Përpara se të them këtë që kërkoni do të them diçka tjetër. Për funeralin e Enver Hoxhës, u porositën dy marrshe funebër, njëri nga Kujtim Laro dhe tjetri nga Limoz Dizdari. Secili nga një marsh funebër, pra marrshe funebër, pasi deri dje ne përdornim marshe të huaj. Afati u la 48 orë. Unë Kujtim Laron e mbylla në Orkestrën Frymore të Ushtrisë (Laprakë)  ndërsa Limoz Dizadarin tek TKOB. Gjatë kësaj kohe unë lëvizja sa tek njeri tek tjetri. Më kishin dhënë një makinë në dispozicion. Brenda 48 orëve ata arritën që të dy të bënin secili nga një marsh funebër. I kopjuam dhe  fillova të punoj me orkestrën. Pra unë isha dirigjent dhe Udhëheqës Artistik i bandës së Ushtrisë. I përgatita për dy ditë rresht me orkestrën dhe erdhën për ta dëgjuar nga Komiteti Qendror dhe Lidhja e Shkrimtarëve. I miratuan  të dy, thanë që janë shumë të mirë, por më i miri u cilësua ai i Kujtim Laros. Me këto 2 marshe plus tre marshe të tjerë të Bethovenit, Shubertit, Shopenin, u bënë plot 5 marshe funebër me të cilat është përcjellë Enver Hoxha për në banesën e fundit, tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit tek monumenti Nënë Shqipëri.

Cilat ishin lëvizjet tuaja?

Lëvizjet ishin nga KQPPSH, në Sheshin Skënderbej, pastaj tek rruga e Elbasanit dhe deri tek varrezat ‘Dëshmorët e Kombit’. Duhet të dish se me marshin funebër ecet avash. Psh që nga KQ deri tek sheshi ne e bëmë gjysëm ore. Pastaj deri tek rruga e Elbasanit prap gjysëm ore.

Ishe në gjendje ankthi ato ditë?

Unë kisha një formacion ushtarak, i cili me korrektësi, me shumë profesionalizëm mundën ta përballonin këtë detyrë aq të vështirë në atë kohë.

A ju falënderuan për këtë punë?

Nuk morëm ndonjë falënderim të veçantë. Falënderuan dhe shoferin që ngiste makinën me arkivolin, edhe ata që bënin roje nderi, ne nuk na thanë asgjë fare, asgjë. Megjithatë më vonë një falënderim na erdhi më vonë nga shoqja Nexhmije, e cila u kujtua dhe na tha ishit ju që përcollët emocion të madh.

Sot këto dy marshe funebër a janë orkestruar prapë?

Po ka disa vite që janë luajtur në vdekje të ndryshme, por dua të theksoj se në atë kohë u dha një urdhër që të mos përdoreshin, Për vite të tëra ato u bllokuan. Në varrimin e viktimave të Otrantos këto dy marrshe u luajtën sërish. Ajo ishte një ditë më e veçantë për mua. Ishte një vdekje tragjike e shumë njerëzve. Kërkonte shumë mobilizim. Ajo ishte rrugë shumë e gjatë.

Si shkuat në këtë varrim kaq të dhimshëm?

U bë mbledhje në Ministrinë e Mbrojtjes për gjithë grupin që do shoqëronte këtë ceremoni mortore. Ushtria kishte marrë detyrën kryesore, me truproje nderi, me makinat, me bandën etj.Na mblodhi Ministri i Mbrojtjes një ditë para për të ndarë detyrat. Një nga detyrat ishte banda do nisej në 12- të, të natës nga Ministria e Mbrojtjes për në Vlorë. Në orën 9 ishte ceremonia. U ndanë dhe detyrat e tjera kur Shefi Shtabit tha se kush ka ndonjë pyetje?

Unë i thashë që nuk jam dakort që banda të niset në ora 12-të pasi lodhet gjatë rrugës dhe nuk do ketë fuqi që t’u bjerë veglave muzikore. Na bie që në orën 4 të jemi në Vlorë dhe ata s’do kenë ku të pushojnë. Lëvizja  ishte nga Skela në shesh të flamurit dhe prej këtu në varreza. Pra ishte një rrugë mbi 3 km. Aleks Andoni ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Si mendon ti më tha? Unë them të nisemi tani dhe në orën 7-të, të jemi në Vlorë. Flemë dhe jemi gati të nesërmen. Kur më dëgjoi  më tha, po si do ikni, ku do flini, kush e merr përgjegjësinë e fjetjes? E marr unë i thashë. I merr me përgjegjësi më tha? Po i thashë. Do përgjigjesh më tha. Po; do përgjigjem i thashë. Ashtu u bë, u nisëm në orën 5.

Ishte e vështirë ajo ditë?

Shumë e vështirë. Rrugë e gjatë nga Skela në Shesh të Flamurit. Kur kishim disa minuta që ishim nisur. Shefi i Shtabit dërgon korierin dhe na thotë shpejtoni hapin. I them thuaji që tempi i marshit funebër është ky. Nuk lëviz me regulloren. Korieri nuk erdhi më. Pastaj kaluam për tek varrezat…U lodhëm shumë. Të nesërmen Shefi i Shtabit më thotë ke pasur të drejtë. U lodha unë që si bija veglës, jo ju që vetëm lëshonit frymë.

Problem keni pasur?

Në paradën ushtarake të vitit 1979 ka pasur një problem. Ministri i Mbrojtjes ishte Mehmet Shehu. Filloi parada dhe kaluan kuadratet e parë. Pas disa kuadratesh, ishte kuadrati me veteranët e Brigadës së parë. Ata ishin të vjetër, të shkurtër, që s’ecnin dot me hap. Mehmeti i thotë dikujt që të shpejtohet banda. Pra të eci me ritmin e veteranëve. Por ajo s’mund të bëhej, pasi s’mirnin dot frymë instrumentistët, pastaj ne kishim dhe normë në lëvizje. Unë mbaja kronometër në dorë. Ne duhej të bënim 116-118 hapa në minutë. I them se ne me tempin që kemi jemi në rregull. Rregullorja nuk thyhet. Iku shoqëruesi pa na thënë gjë. Mbaroi parada erdhën në shtëpi, hapa televizionin dhe pashë paradën. Isha në rregull me rregulloren. Nuk kisha gabuar, por prap nuk isha i qetë. S’bëhej fjalë me Mehmet Shehun. Kur ja pas 10 ditësh më thërrasin në Ministri. Shef Shtabi ishte Veli Llakaj. U bënë vlerësimet për paradën. U dhanë shumë fletë lavdërime. Midis atyre ishim edhe ne. U qetësova. Më shkonin djersë të ftohta në trup. Kisha 10 netë pa gjumë. Ishte punë me përgjegjësi në atë kohë. Nuk bëhej shaka!