Xhevat Mustafa: Elektorati gri, përcaktues  i rezultatit më 25 prill 2021

398
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këtë herë fati i fituesit do të përcaktohet nga elektorati gri, i cili do të heqë dorë nga bojkoti shumëvjeccar dhe në shumicë do të votojë për të hequr qafe qeverisjen e padurueshme të Ramës dhe jo për trupat dhe sytë e bukur të Bashës e të djemve, vajzave dhe nuseve të ekipeve të tij.

Më 25 Prill 2021 shumë qytetarë shqiptarë, që gëzojnë juridikisht të drejtën e votës, do të jenë në dilemë të madhe. Rreth gjysma e numrit të votuesve në listën e përgjithshme përbëhet nga ata që kanë rreth 25 vjet që i kanë qëndruar larg qendrave dhe kutive të votimit. Sipas frazeologjisë elektorale këta cilësohen dhe llogariten si të “pavarur “, “të paangazhuar në një parti”, “elektorati gri”… Për këtë kontigjent qytetarësh zgjedhjet janë të tejmbushura me premtime, që përsëriten çdo 4 vjet dhe harrohen qysh të nesërmen apo e shumta, pas muajit të parë. Gjithsesi, ky grupim masiv mund të jetë përcaktues për faktin, që përqindja e votuesve, sidomos në zgjedhjet e këtyre rreth 25 viteve të fundit, ka qenë përgjithësisht e ulët, tek rreth 50%. Elektoratet “gjenetike” të dy partive kryesorë janë përafërisisht të barabartë, në rreth 25% ose në rreth 500 mijë votues. Nënkuptohet se po kaq mbetet edhe shifra e “ushtrisë së elektoratit gri”. Nga sa shikohet, dëgjohet dhe lexohet, me shumë gjasa, më 25 Prill shumica e kësaj mase të paparti do të votojë kundër një mandati të tretë për Edi Ramën me ekipin e tij qeverisës. Jo sepse u ka lindur ndonjë dashuri e madhe për partitë e opozitës dhe liderët e tyre, por sepse janë të bindur se “Rilindja” do të ndërrojë vetëm “maskat”. Rrjedhimisht, bëhet shumë më e mundshme fitorja e PD-së dhe e partive aleate të saj, si një alternativë me më shumë figura të reja dhe me një proçes reflektimi 8- vjeçar gjatë 8 vjetëve në opozitë. Nëse shumica e elektoratit gri do të vazhdonte bojkotimin, parë nga një këndvështrim më i gjerë e më perspektiv, më pak individualist e më shumë social e publik, “djegia” prej tyre e votws, do të ishte me rrjedhoja tejet negative për ata vetë, për të gjithë popullin dhe vendin.

Sepse indiferentizmi i tyre ndihmon, pa dashur, disa politikanë të mykur apo të diskretituar, të vazhdojnë të mbijetojnë në politikë dhe të pasurohen papërmbajtshëm nga mandatet e deputetit dhe karriket e pushtetit. Merret me mend se nga ato që kemi përjetuar gjatë dy mandateve të parë si vend dhe si shumicë e qytetarëve, mandati i tretë i PS-Rilindjes apo i Ramës me çetë a bandë, do të ishte një ferr i vërtetë!  Prandaj, jam i bindur se nga vetë ndërgjegjësimi për këtë duhet të jetë shtuar ndjeshëm ushtria e të zhgënjyerve nga ekipi Rama dhe nga ai individualisht edhe me plot votues “të pavarur”, “gri” dhe socialistë. Të gjithë, njësoj si opozitarët, janë të keq qeverisur dhe të viktimizuar prej qeveritarëve “rilindas”, edhe prej mosmbajtjes së shumicës së premtimeve paraelektorale, edhe prej  pagave dhe pensioneve të ulta dhe çmimeve të larta e me tendencë rritjeje të pandalshme; edhe prej veprimeve autoritariste, me mesazhe të qarta apo të nënkuptueshme diktatorale…Të shpresojmë “mrekullinë” se zhgënjimin e tyre do ta tregojnë masivisht me sinqeritet dhe përgjegjshmëri demokratike, edhe  nëpër kutitë e votimit më 25 Prill 2021, duke “i djegur” votat për ” PS- Rilindjen”. Kanë një maune me pakënaqësi, arsye, justifikime ta bëjnë këtë pa ndjerë aspak turp, për pabesi dhe mosmirënjohje. Partia e tyre e zemrës ka 80 vjet që i mashtron , nëpërkëmb dhe “tradhëton” dhe ata, deri më sot, ia kanë falur të gjitha. Edhe kur, me një dozë humori, po këta “burra me karakter” nuk do t’ia falnin as tradhëtinë e parë morale gruas së tyre të jetës dhe nënës së fëmijëve dhe një njeri normal nuk mund të ketë një durim kaq të madh e të tejzgjatur, kur e mashtrojnë, tallin, keqpërdorin, shfrytëzojnë në mënyrë të pashpirt e të paskrupullt.

 

Si rrjedhojë, mbetet si rrugëzgjidhje një aleancë mes “popullit të djathtë” me “popullin e pavarur, jo partiak”…Kjo aleancë mund të rezultojë e efektshme nëse “populli i mesit” do t’i “harrojë” përkohësisht pakënaqësitë, zhgënjimet dhe kritikat ndaj 13 vjetëve të “qeverive Berisha”, për hir të një rotacioni qeverisës, qoftë edhe 25%-50%  më i suksesshëm e pozitiv se dy mandatet e  Ramës me shokë e shoqe, tejet “të suksesshëm” vetëm për vete, familjarët, miqtë më të ngushtë dhe ortakët e tyre vendorë e ndërkombëtarë. Rritja e pjesëmarrjes në votime, mbi 50%, deri në 70%, nënkupton humbje të sigurtë e të thellë të “Rilindjes” dhe fitore të thellë e qeverisje të qëndrueshme të frontit opozitar… Bojkotuesit, indiferentët dhe spektatorët, edhe pa e dashur këtë, më 25 Prill 2021, do të vazhdonin të ishin bashkëfajtorë për mbajtjen e vendit edhe për mandatin e tretë peng nga një ekip politik dhe qeverisës, jo socialist, që ka dështuar plotësisht dhe është diskretituar rëndë në vend e në botë! Është shpresështues fakti se edhe  mes vetë të majtëve do të ketë socialistë të ndershëm, idealistë, që në këta 8 vjet janë ndjerë të zhgënjyer, të keqpërdorur e të turpëruar  nga “Rilindja” e do t’i shkaktojnë asaj firo në vota, siç ndodhi më 23 qershor 2013 dhe më 25 qershor 2017 me elektoratin demokrat apo “të djathtë”. Kjo u shpreh qartë edhe në nivelin e ulët, në rreth 10-12%, të pjesëmarrjes në votime në zgjedhjet për pushtetin lokal më 30 qershor 2019. Këta socialistë idealistë ose do ta djegin votën, ose do të votojnë për parti të tjera. Jo sepse i duan  PD- LSI… dhe nuk kanë rezerva ndaj tyre, por sepse janë armiqësuar me qeverisjen rilindase, që e shikojnë si alternativë të dështuar plotësisht e si të keqen më të madhe. Ndoshta një përqindje e tyre bëjnë në vetvete analizën dhe i vret ndërgjegja se partia e tyre e zemrës e mori Shqipërinë më 29 Nëntor 1944 të fundit në Evropë për zhvillim e mirëqenie dhe e ka sjellë po të fundit, edhe sot, pas 76 vjetësh apo 63 vjetësh qeverisje vetëm prej saj. Me shpresë tek Zoti, ndiejnë keqardhje dhe turp se boll i kanë bërë gjëma e të zeza vendit dhe shumicës së popullit, por edhe vetes dhe familjeve të tyre, sa mund t’i mallkojnë të gjallë e të vdekur, me 47 vjetët e diktaturës së Enverit dhe të Ramizit, me rreth 8 vjetët e Fatos Nanos, me afro 8 vjetët e Edi Ramës.

Krahas këtyre, nuk janë të paktë ata socialistë fanatikë që tregohen hipokritë…Plot nga ky këta i dëgjon të thonë: nuk e duam më Edi Ramën, por edhe nuk mund ta tradhëtojnë PS-në! Pastaj vazhdojnë me sebebe apo argumente të tjera, vetëm nga ana e djathtë…Kujtojnë praninë në listën e kandidatëve të PD-së të Berishës, Mediut, Ndokës…brishtësinë si natyrë njerëzorë të Lulzim Bashës dhe disa akuza bajate ndaj tij. Por, jo rastësisht harrojnë në krahun e tyre, të së majtës, praninë në krye të listës së kandidatëve për deputetë më 25 Prill të Edi Ramës,(që “nuk e duan më”), Ruçit, Ahmetajt, Ballës, Gjiknurit, Spiropalit, Manastirliut, Ballukut, Xhaçkës…Një sebeb dhe argument tjetër i stërpërdorur për justifikimin e ngecjes së tyre po në batakun e “të majtës” është”mungesa e një klase politike të re”, e cila, sipas meje, me shumë gjasa, mund të krijohet aty rreth vitit 2050, nga fëmijët e 25-35 vjeçarëve të sotëm. Gjithashtu, plot nga këta kapen fort tek teza e “qenies e të dy krahëve të politikës shqiptare njësoj”, kur nuk janë 100% njësoj as dy binjakë…Këta “harrojnë”, jo rastësisht, se kjo varros për së gjalli mundësinë e rrotacionit politik, prej vitesh të domosdoshëm dhe lejon Edi Ramën me shokë e shoqe të vazhdojnë të mbretërojnë si sulltan e pashallarë, edhe të paktën një mandat tjetër 4 vjeçar…E keqja dhe ndëshkimi ynë në këta 76 vjet ka qenë dhe është doza e lartë e enverizmit pikërisht tek ky lloj apo soi i “popullit të majtë”, sidomos në fshat, në qytetet e vegjël dhe krahinat e largëta e  të thella malore. Ky, duke qenë nga shpirti individualist, lekist, mikroborgjez, karrierist, me nivel masiv varfërie, injorance, partishmërie dhe militantizmi të verbër…,deri në nëpërkëmbjen e vetes, të familjarëve dhe të tjerëve, fare afër e më larg, deri në shitjen jo vetëm të votës, por edhe të gocës, (edhe tek pleq serbë dhe grekë) përbën shumicën. Fatkeqësisht, ai ka shtënë në dorë, krahas pushtetit politik dhe qeverisës, qysh më 1992-1997, edhe pushtetin ekonomik…”Populli i djathtë”, sidomos ky i këtyre 30 viteve, gjenetikisht as tamam gjysëm i djathtë, nuk ka homogjenitetin, unitetin, devotshmërinë partiake, egoizmin, ligësinë dhe ambicjet e pafre të “të majtit”…

Pra, këtë herë fati i fituesit dhe i të ndëshkuarit do të përcaktohet nga elektorati gri, i cili, me shumë gjasa, në shumicë do të votojë për të hequr qafe qeverisjen e padurueshme të Ramës dhe jo për trupat dhe sytë e bukur të Bashës e të djemve, vajzave dhe nuseve të ekipeve të tij. E shton dozën e optimizmit fakti se në “elektoratin gri” një masë e madhe janë intelektualë, me nivel të lartë arsimor, kulturor, profesional, emancipimi qytetar dhe demokratik, që nuk e llogarisin si parësore frikën e humbjes së vendit të punës dhe dinë të bëjnë vlerësimin e saktë të dy alternativave. Nënkuptueshëm, që do të votojnë atë që është relativisht më e mirë e më e dobishme për shumicën e popullit dhe jo atë që e ka mbyllur si mos më keq ciklin për 8 vjet, me mendt dhe duart e veta, që u ka nxirë jetën dhe Shqipërinë…