Dede Edmond Brahimaj: Bektashinjtë, sot, Mevlud, në qytetin e bukur të Përmetit

215

Sot në Përmetin e lashtë, përkujtojmë 12-vjetorin e ndarjes nga jeta të Dede Reshat Bardhit; 21-vjetori, i ditëlindjes shpirtërore të vëllait tonë, baba Hekuran Nikollari dhe, njoftojmë nisjen e ndërtimit të teqesë së re të baba Xhaferrit

Sigal

 

Qyteti i bukur i Përmetit, vendlindja e Frashërllinjve të mëdhenj, më 4 prill 2023, kthehet në një qendër e një feste të bukur bektashiane. Kjo datë, përkon me disa ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për bektashinjtë: Është 12-vjetori i ndarjes nga jeta, i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Dede Reshat Bardhi; është ditëlindja shpirtërore e 21-të, e baba Hekuran Nikollarit dhe, merr udhë nisja e ndërtimit të teqesë së re, të baba Xhaferrit. “…Sot, është një ngjarje e shënuar, për komunitetin botëror bektashian në Shqipëri e kudo që janë në botë. Sot, në Përmetin e lashtë, ne përkujtojmë 12-vjetorin e ndarjes nga jeta të Dede Reshat Bardhit; ditëlindjen shpirtërore të 21-të të vëllait tonë, baba Hekuran Nikollarit dhe njoftojmë nisjen e ndërtimit të teqesë së re të baba Xhaferrit”,-pohon mes të tjerave, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Dede Mondi, Baba Hekurani dhe Dervish Mikeli

Prej ditësh, nën drejtimin e angazhimin e Dede Edmond Brahimajt e baba Hekuran Nikollarit, është punuar me objekt dhe përgjegjësi, për një mbarëvajtje sa më të mirë të këtij aktiviteti. Sipas Nuri Çunit, Sekretar i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë Bektashiane, në funksion të masave të mësipërme, do të organizohet Mevludi, do të ketë një ekspozitë të plotë fotografike dhe kumtime nga klerikë, studjues, teologë e historian si dhe vizita në objektet bektashiane në trevën e Përmetit.

Dede Reshat Bardhi

Shenjti Dede Reshat Bardhi

Reshat Bardhi ka lindur  më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit. Në  moshën 6 -7 vjeçare, fillon  të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht.

Në vitin 1944 në Shqipëri, pasi Bardhajve u digjet shtëpia, vijnë  evendosen në periferi të Tiranës, shumë pranë vendit ku sot ndodhet Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Reshati vazhdon mësimet në shkollë, ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit. Falë prirjeve fetare, por e tolerancës dhe dashurisë  tradicionale bektashiane ai hyn në biseda të gjata dhe të këndshme me dervishë dhe baballarë, që ndodheshin në Kryegjyshatë.

Teqeja e Frasherit, Permet

Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror  të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit dhe sipas rregullave bektashiane e drejton atë në rrugën mistike të çelur nga Haxhi BektashVeliu. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Për arsye se shteti komunist shqiptar, kishte projektuar rrënimin e besimeve fetarë, në vitin 1958 ai internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin.

Dede Reshati me Papa Vojtila

Prej 1958 deri 1967, dervish Reshati do të provonte mbi shpinë një varg torturash psikike dhe fizike të kryera nga regjimi i kohës. Por ai nuk do të largohej nga udhëheqësi i vet shpirtëror dhe as nga praktikimi i riteve fetarë bektashianë. Në teqenë e Drizarit, do të shkonin fshehurazi besimtarë nga Kosova dhe Delvina, nga Kruja dhe Përmeti, nga Dibra e Vlora, nga Tetova dhe Skrapari. Me rrënimin e objekteve fetarë në Shqipëri në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi do të shkonte në Tiranë, për të provuar të tjera  dhimbje  fizike dhe shpirtërore. Ka punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë  moment besimin  tek Zoti. Me ringritjen e besimit fetar në vitin 1991, ai riorganizon bektashizmin në Shqipëri  me gjithë strukturat e saj. Njëzëri nga organizmat ndërkombëtarë vendimmarrës më të lartë, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, me titull “Dede”, në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993. E gjallëroi besimin bektashian, ringriti nga themelet objektet e kultit brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Dha një shembull të shkëlqyer të tolerancës fetare. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë. Mbas një sëmundje të rëndë ndërroi jetë më 2 prill të vitit 2011. Dede Reshati, është dekoruar me medaljen: “Pishtar i Demokracisë” 1993 dhe urdhrin “Naim Frashëri i Artë” 2005; Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në shtator 2015. Pas vdekjes, i jepet Urdhëri: “Flamuri Kombëtar” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ai është dhe “Qytetar Nderi” i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Durrësit, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës dhe në diasporë. Ai mbetet një figurë e shquar e bektashizmit në qëndrimin e palëkundur të udhës së Hakut, kontribuoi dhe ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe konsolidoi lidhjet dhe bashkëpunimin me komunitetet bektashiane në botë.

Xhafer Sadik dede 1945–1945

Xhaferr Sadik Dede (1874-1945)

Ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Xhafer Sadik Dede, ka lindur në vitin 1874, në Gjirokastër, në familjen fisnike bektashiane, Baboçi. Pasi bëri shkollën në vendlindjen e tij me dëshirën e prindërve mori njohuri fetare në teqenë e Zallit, ku u bë dhe myhib e u vesh dervish. Rreth viteve 1902 shkon në Haxhi Bektash, në Turqi, ku përgatitet si klerik.

Këtu kreu vizita në vendet e shenjta të Lindjes, Irak, Iran, Siri, Egjipt. Më pas vjen në Përmet dhe shërben në teqenë e vjetër të këtij qyteti. Ai përkrahu gjithë patriotët në çështjen e çlirimit kombëtar në vitet 1908-1912. Teqeja e tij priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë. Bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit. Merr pjesë aktivisht në mitingjet e abc-së në Përmet me klerikët e shquar baba Abedini i teqesë së Frashërit dhe baba Abdullai i teqesë së Alipostivanit. Kontributi i tij në Rilindjen kombëtare është i madh jo vetëm në Përmet, por edhe Tepelenë, Gjirokastër etj. Në maj të vitit 1945 Këshilli Klerikal e zgjodhi Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, punoi si  Kryegjysh për katër muaj, deri në 8 gusht të vitit 1945, duke dhënë kontribut brenda dhe jashtë vendit. Organizoi dhe drejtoi Selinë e Shenjtë në të gjitha veprimtaritë e saj kombëtare dhe ndërkombëtare me përkushtim si një klerik i përgatitur gjatë gjithë jetës së tij. Por fatkeqësisht i ndodhi aksidenti fatal në rrugën Tiranë-Elbasan, u aksidentua rëndë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Eshtrat e tij prehen në tyrbet e dedelerëve në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Pas vdekjes është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 1993 me “Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit I-rë”. Ai mbetet një klerik i shquar i bektashizmit për kontributin fetar dhe atdhetar e përkujtojmë sot me nderim dhe respekt të veçantë nga gjithë besimtarët bektashian në Shqipëri dhe në botë.

“Klerikut Hekuran Nikollari,  me Dekretin e Shenjtë, Nr. 7 datë 29.12.2009, të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba’dhe u emërua baba i teqesë së ‘Baba Nasibiut’ të Frashërit, të teqesë ‘Baba Aliu’ në Alipostivan dhe të teqesë së ‘Baba Xhaferit’, në qytetin e Përmetit.”

Dede Edmond Brahimaj, baba Hekuran Nikollari

Baba Hekuran Nikollari

Baba Hekurani u lind më 7 shtator të 1963 në Seniçan të Përmetit. U rritën përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët i dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë, dashurinë për Shqipërinë. Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan, më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënjë. Pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit, pastaj në Bonifikimin e Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë dhe në Shfrytëzim-Përpunimin e Drurit të Përmetit. Më 1992 emigroi në Greqi. Në vitin 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare dhe bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut të Alipostivanit. Në Seniçan rindërtoi Mekamin në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili edhe sot quhet “I miri i Nakove”. Më 22 mars 2001 shkoi në Alipostivan. Teqja ishte e shkatërruar në vitin 1967. U mbështet te familja e Refat Hasimit me tradita atdhetare. Me Refatin, i cili ishte usta, së bashku me Demir Elmazin dhe besimtarët e Alipostivanit, ngritën në fillim tyrben e Baba Ali Horasanit. Për këtë pati bekimin dhe mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi. Më 04 prill 2002, pasi qëndroi disa ditë pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut. U emërua dervish në teqenë e Baba Ali Horasanit të Alipostivanit. Këtë ditë baba Hekurani e ka të shenjtë, ditëlindjen shpirtërore. Në vitet 2007-2009 emërohet dhe punon si dervish në teqenë e Frashërit, të cilën e ringriti dhe ruajti orgjinalitetin e monumentit të historisë dhe kulturës të kësaj teqeje të famshme. Sot është një mrekulli e vërtetë. Disa vite bëri shërbime në teqenë e Kulmakut Tomorr. Me Dekretin e Shenjtë, Nr. 7 datë 29.12.2009, të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli ‘Baba; dhe u emërua Baba i teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit. Baba Hekurani është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli i Bashkisë së Poliçanit, Titullin “Nderi i Frashërit” nga Këshilli i Komunës së Frashërit, me Vendimi Nr.19, datë 21.03.2015) dhe nga Presidenti i Republikës, me “UrdhëriNaim Frashëri i Artë”. Me punën e tij të palodhur  drejton teqenë e Alipostivanit, Frashërit dhe po bën përpjekje të mëdha për ndërtimin e teqesë së baba Xhaferit në Përmet. Me autoritetin e tij dhe klerikut të devotshëm ka fituar admirimin respektin dhe dashurinë e gjithë besimtarëve dhe dashamirësve jo vetëm të Përmetit, por edhe më gjerë. Me punën e tij të devotshme ka bërë identifikimin e të gjitha teqeve, tyrbeve dhe vendeve të  mira në Përmet. Ngriti nga themelet teqenë e Cfratit në Bual të Përmetit, me një tyrbe të mrekullueshme. Po lufton dhe bën përpjekje të mëdha që teqetë e tyrbet në rrethin e Përmetit të kthehen në origjinën e tyre. Puna e tij është një kontribut i veçantë për bektashizmin.

240 vjetori i themelimmit te Teqe e Frasherit

“Në teqenë e Baba Xhaferrit, kanë shërbyer: Bektash Babai në vitin 1861; baba Xhemali, 1908- 1919; baba Xhaferi, 1920-1945; dervish Asim Tahiri 1940; dervish Avdullah Mehmet, 1940; dervish Ismajl Ibrahim, 1940; Ismail baba; baba Zenjel Çobani 1950-1956; dervish Bajram Çerçizi, 1963; dervish Muçua 1967; baba Hekurani, nga viti 2002 e në vazhdim.”

Tyrbja e Baba Xhaferrit, Permet

Teqeja e Baba Xhaferrit

Teqeja E ‘Baba Xhaferrit’, ndodhet mbi qytetin e Përmeti, në rrëzë të malit Nemërçkë. Bashkia e Përmetit është themeluar nga Bektash Babai në vitin  1861, i ndihmuar nga Haxhi Ali Haqi i Gjirokastrës. Baballarët dhe dervishët e teqesë së baba Xhaferit kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në rilindjen kombëtare, sidomos për përhapjen e gjuhës shqipe. Ishte një teqe e pasur me toka dhe vreshta. Në vitin 1905 ka shpërndarë bukë për nevojtarët.Teqeja priste dhe përcillte luftëtarët e lirisë dhe bashkëpunonte ngushtë me teqenë e Alipostivani me baba Hajdarin, baba Abedinin e Frashërit, etj. Baba Xhemali me baba Abedinin e Frashërit, në vitet 1908-1912, dhanë kontribut në shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1915, teqenë e zaptuan grekët dhe e kthyen në kazermë. Baba Xhemali, në dhjetor të vitit 1918, mori pjesë në Kongresin e Durrësit. Më vonë filloi funksionimi i teqesë, me baba Xhaferin. Baba Xhaferi dhe baba Kamber Prishta, në janar të vitit 1930, pritën Sali Niazi Dede në Sarandë dhe e shoqëruan  në teqenë e Sukës, Këlcyrës dhe Përmetit. Baba Xhaferin, për meritat e tij,  e zgjodhën Kryegjysh Botëror të Bektashinjve në vitin 1945. Ai drejtoi punimet e Kongresit IV Bektashian në Tiranë. Teqeja mbyllet nga shteti monist në vitin 1967. U rihap në vitin 1995 me një tyrbe tip kupolë. Kjo teqe është nën drejtimin e baba Hekuranit nga viti 2002.

Përgatiti: Kujtim BORIÇI