Çano Nora: Majori Pëllumb Shalari rrëfen për humbjen e jetës të katër shokëve të tij ushtarak në tragjedinë e Picarit në vitin 1997

172
Sigal

SI U DOGJËN OFICERËT E GARNIZONIT TË GJIROKASTRËS PARA SYVE TË MI

Ishte muaji maj i vitit 1997 ku në depot e municioneve në vëndin e quajtur Ramanza , afër fshatit Picar të Gjirokastrës, u dogjën katër ushtarak të Divizionit “Labëria” të Gjirokastrës dhe mbetën të plagosur dhjetra të tjerë. Gjatë grumbullimit dhe evidentimit të municioneve shpërthyen predhat. Kjo ngjarje tronditi Gjirokastrën në ato vite , pas ngjarjes së Matit ku dhe atje humbën jetën 23 vetë. Majët vijnë në përgjithësi me lule , por ai maj këtu në jugun e vëndit erdhi me dhimbje e lot, erdhi me flakë e zjarr, të shkaktuara nga shpërthimi i befasishëm i predhave në tunelet ku ato ishin grumbulluar. Të katër oficerët e këtij garnizoni ushtarak, që u përplasën me flakën vdekjeprurëse , kishin shërbyer në reparte të ndryshme ushtarake, por vdekjen atë ditë e patën të njëjtë. Ata u flijuan për të mbrojtur të tjerët nga rreziqet që paraqisnin ato municione të grumbulluara dhe të hedhura sa andej këndej, në atë vit të mbrapshtë të 97- s.

Atyre s’u erdhi e keqja nga deti, por u erdhi nga toka, u erdhi nga tunelet me predha , nga gjuhët përbindëshe të flakëve, që zaptuan depot dhe gjithçka që ishte për rreth tyre, flakët që pushtuan tokën dhe qiellin. Ata ishin 15 ushtarakë, nga më të mirët e divizionit “Labëria” të Gjirokastrës, që në datën 15 maj të vitit 1997, me marrjen e detyrës nga komanda e këtij divizioni, morën përsipër që të bënin grumbullimin e municioneve dhe të eksplozivit, të cilat ishin shpërndarë pa kriter dhe asnjë garanci , nga trazirat e vitit 1997 dhe që në atë gjëndje që ishin përbënin një kërcënim serioz për jetën e banorëve të kësaj zone. Dhe kompetentë për të kryer këtë detyrë ishin këta oficerë . U bënë bashkë të pesëmbëdhjetë dhe në krahë të njeri – tjetrit filluan zbatimin e detyrës edhe pse ajo punë ishte me risk të lartë. Por që në fillim të operacionit ata u ndeshën me shumë të papritura. E pazakonta ndodhi që në orët e para të asaj dite, kur të gjithë bashkë u mblodhën për t’i dhënë kurajo dhe zemër njeri – tjetrit për të dalë me sukses e fitimtarë nga ajo betejë , po ku ta dinin ata se në ato çaste ishin fare pranë rrezikut që u mori jetën. Flakët e shpërthimit përpinë trupat e këtyre katër ushtarakëve , që s’u tërhoqën ,por vazhdonin të kryenin operacionin me guxim. U dogjën të katërt, nga shpërthimi i menjëhershëm i predhave. Ranë të djegur, pranë njeri – tjetrit. Britmat dhe ulërimat tronditëse e të llahtarëshme lemerisën të gjithë ata që ndodheshin në atë zonë atë ditë. Kanë kaluar 27 vite që atëherë ,por njeri prej atyre që i mbijetoi tragjedisë, ushtaraku Pëllumb Shalari, s’e ka të lehtë të na tregojë për atë ditë të dhimbshme, që tronditi dhe lëndoi shumë njerëz, atë ditë që u dogjën nga gjuhët e flakëve dhe morën jetën e katër shokëve ushtarakë , para syve të tij. Ne insistuam për t’i marrë këtë intervistë major Pëllumbit, për ata që u dogjën mes flakëve të pabindura, si dhe të atyre që u mbijetuan djegieve të marra.

Zoti Pëllumb! Ç’farë të sjell ndërmënd ai moment i shpërthimit të municioneve? Si u dogjën shokët e t’u dhe mbetën të lënduar dhjetra të tjerë?

Vendi ku ndodhi ngjarja e pazakontë quhet Ramanza dhe është afër teqesë së Baba Hasanit, në Picar. Në datën 15 maj të atij viti , oficerët që morën detyrën nga komanda e Divizionit tonë, hypën në karrocerinë e një makine ushtarake dhe u nisën për të bërë evakuimin e municioneve luftarake nga grupdepot e Ramanzasë, në perëndim të rrugës nacionale Gjirokastër – Tepelenë. Në përbërje të grupit të asgjësimit të municioneve të shkatërruara e të nxjerra jashtë përdorimit , ishin oficerët më të përgatitur për të kryer atë mision. Njeri prej tyre ishte dhe oficeri nga qyteti i Gjirokastrës, Vladimir Çumaku, në atë kohë me detyrën e shefit të armatimit të brigatës së pestë. Ai do të ishte edhe në krye të operacionit për zbatimin e masave për kryerjen e detyrës së marrë. Oficer Ladi, sa kishte lënë shërbimin në repart mëngjesin e asaj dite që solli tragjedinë. E kishte marrë Flutura,e shoqja e tij, që të vinte njëherë nga shtëpia ,për të takuar fëmijtë se i kishte marrë shumë malli. Por Ladi nxitonte të arrinte shokët, të përballej me rreziqet e municioneve. Edhe pse ishin një grup specialistësh mjaft të përgatitur për të kryer këto operacione,e keqja ndodhi që ndodhi. Një ngjarje e tillë si ajo tona , kishte ndodhur dhe në Qafë Shtamë të Matit, ku humbën jetën 23 qytetarë ,nga këta edhe fëmijë. Pra siç të thashë edhe më lartë , duke parë se si ishin hedhur predhat, baruti e municionet nëpër depo, na shkonte ndërmend edhe ndonjë e papritur rrugës në operacion e sipër. Kjo ishte situata. Për të mos ndodhur ndonjë e papritur për banorët e zonës dhe për të mos u vënë në rrezik jeta e tyre, ne s’u tërhoqëm për asnjë moment. Municionet në depot e Picarit ishin në mëshirë të fatit, në atë vit pa shtet, çdo municion ishte hedhur jashtë çdo rregulli e kriteri. Ishte një moment për jetë a vdekje. Ladi Çumaku , i mblodhi për herë të fundit shokët dhe para hyrjes së tuneleve të vdekjes, për t’i instruktuar të 15 oficerët që do të kryenin operacionin. Po ku ta dinin ata se ky ishte operacioni i fundit për ta. Pas disa minutave, nga fillimi i punës jo të zakontë, ndodhi e papritura, ndodhi tragjedia, tragjedi e tillë s’ishte parë e dëgjuar në historinë e divizionit jugor në Gjirokastër.

Edhe pse mbete vet i lënduar, si arrite që t’i njihje shokët e tjerë të djegur ?

Pasi mblodhëm ca eksploziv  , sistemuam edhe predhat e grumbulluara , në karrocerinë e makinës . Unë isha aty vet prezent. Edhe u dogja prej flakëve, por kisha merakun e të tjerëve që u dogjën më shumë se unë. Shpërthimi ishte i menjëhershëm, flakët zaptuan çdo gjë, që u dilte përpara. Oficerët ranë pranë njeri – tjetrit, atje ku këputej filli i jetës së tyre. U dëgjuan thirrje për ndihmë, ulërima therëse, tortura pafund që të këpusnin shpirtin. Panik, tmerr i vërtetë, frikë. Të katër shokët, Ladi  Çumaku, Bardhi Këlliçi,

Berti Lela e Ferdi Dosti,u dogjën para syve të mi. I gjithë teritori mori ngjyrën e flakës së kuqe. Në ajër përhapeshin zhurmat tronditëse e të frikëshme .Sa dola prej flakëve, pashë Ladin i cili bërtiste dhe që kërkonte ndihmë parreshtur. Ai dhe oficerët e tjerë ishin duke u djegur. Ecnin të tmerruar , për të dalë në një vënd ku s’kishte zjarr e flakë , të shuanin flakët dhe pastaj të ktheheshin te shokët e tjerë që kërkonin ndihmë, për t’u shpëtuar jetën. Ndërkohë Oficer Ferdinandi teksa nxirrte gjak nga goja ,u afrua tek unë dhe më tha se duhej të vinim për të ndihmuar Bertin e Bardhin , të cilët po digjeshin mbi karrocerinë e makinës, mes ngarkesës me predha. Edhe ato pak predha që kishin mbetur, ishin gati për të shpërthyer. Papritur shpërthyen të gjitha predhat. U trondit e gjithë zona. Gjëmime pafund, të frkshme si mijra bubullima.Mbi karroceri u dogjën shokët.Vetëm Fotaqi arriti që të shpëtonte i gjallë, edhe pse i rrethuar si një rob mes flakëve. Kaq kujtoj nga ai moment i llahtarshëm, kaq. Atje u dogja dhe unë dhe më çuan te reparti i djegieve në spitalin rajonal të Gjirokastrës.Vet shpëtova, por shokët-shokët m’u shkrumbuan të katërt.Ata që i gjithë kolektivi i divizionit tonë i kishte më të mirët.

Këtij rreziku i vunë gjoksin të parët oficerët e specialistët e divizionit , duke u sakrifikuar edhe vet. Ajo ditë u tregua e pamëshirë, na mori katër jetë , për t’ja çuar vdekjes. Ikën shpejtë,shumë shpejtë nga jeta që e dashuronin aq shumë!

Nga shpërthimi i papritur i depove me municione , ata vërtet u dogjën nga flakët e pamëshirshme, por katër shokët e mi oficerë nuk vdiqën që atë ditë. Ndihma e parë iu dha në spitalin rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës dhe prej andej i dërguan për t’u mjekuar në spitalin e djegieve të rënda, në Athinë. Dhe atje prej djegieve të shumta që kishin marrë, s’arritën që t’ju mbijetonin kthetrave të vdekjes.

Si i kujtoni shokët që humbën jetën në krye të detyrës?

Ata të katërt që ranë në krye të detyrës , ishin ushtarakët e sakrificës, që donin t’i shërbenin Atdheut gjer në vetmohim. Secili në karrierën e tij si ushtarak, shërbeu në reparte të ndryshme të divizionit , larg familjes, atje mes ushtarëve dhe detyrës. Ata të mirët dhe të dashurit me këdo, që kishte raste që ktheheshin vonë nga repartet dhe fëmijtë i gjenin në gjumë, dhe të nesërmen iknin herët për në repart se i priste puna, i prisnin ushtarët, detyra. Alberti,Vladimiri, Bardhi e Ferdinandi , sakrifikuan edhe s’j’u dhimbs as jeta e tyre, edhe pse linin familjet e tyre në një hyrje të qytetit të Gjirokastrës, edhe pse u takuan rrallë me fëmijtë e tyre të vegjël e që s’i kishin dalë për zot jetës së tyre. Atje mes flakëve u flijuan, për të mbrojtur jetët e banorëve të Picarit dhe të fshatrave të tjera përrreth, prej predhave e municioneve që ai vit i mbrapshtë i 97- s, solli rrëmuja, amulli e pasiguri kudo, sidomos në depot e vdekjes ku grumbulloheshin municione, predha e eksplozive.

Është vënë në vënd nderi e dinjiteti i shokëve të t’u që i përpinë flakët në depot e Picarit?

Ata tani janë shpallur dëshmorë të Atdheut. Në çdo 15 maj,por edhe në ditë të tjera të zakonshme, ne shokët dhe kolegët e atyre që u dogjën në flakët e vdekjes, bëhemi bashkë si atëherë dhe me nganjë lule në dorë drejtohemi për në Ramanza, tek obelisku’ që është ngritur në respekt dhe në nderim të tyre. Lemë nga një tufë me lule, dhe të dëshpëruar për humbjen e jetës para kohe nga tragjedia, i kujtojmë me mall, si dhe bëjmë nga një foto bashkë me ata, që s’i kemi më fizikisht, por që i mbajmë gjallë në kujtimet e bisedat tona të përditëshme, sa t’u vemi pranë. Kujtojmë me dhimbje e mes lotëve, ditën kur gjuhët e flakëve dhe plasjet e municioneve u vërsulën me tërbim mbi trupat e tyre. Një “mal” me flakë do të gllabëronte atë ditë maji të 97 -s jetën e katër oficerëve më të zot . Pas mjekimeve

të gjata dhe vuajtjeve të njëpas njëshme, ne të lënduarit arritëm të ringrihemi në këmbë. Dhe të gjithë tok merrnim rrugën për atje ku ranë shokët tanë më të mirë. Harronim dhimbjet tona në trup, jo vetëm unë, por dhe të mbijetuarit e tjerë, Fotaq Noti, Jorgo Nikolla, Mete Peçi, Pëllumb Shalari, Neki Haredini, Fejzi Duro dhe Ilia Rizuamundoheshim të harronim gjithëçka nga dhimbjet e plagëve në trup,

se s’na linte dhimbja për shokët të zinim në gojë dhimbjet tona.

Zoti major! Çfarë mendoni tani pas kaq vitesh?Mund të shmangej tragjedia?

Pasi ndodh një ngjarje të gjithë flasin. Po është ndryshe të flisje atëherë në mes gjuhëve të flakëve dhe ndryshe të flasësh tani. Edhe unë pas kaq vitesh , si ushtarak dhe pjesëmarrës në operacionin e atëhershëm, nuk kam një mendim përfundimtar. Ndonjëherë mendoj se mund të shmangej tragjedia dhe herë tjetër them të kundërtën. Isha me fat që mbijetova, por mund ta kisha pësuar dhe unë si shokët e mi të pajetë. Ndodhi çudia, ngjarja e pazakontë , që tronditi të madh e të vogël në Gjirokastrën e atyre viteve, që e mbuluan tokën dhe qiellin flakët e “pashpirta”. Ishin përzier predhat me barutin.Trëmbeshim të preknim predhat, po edhe barutin po ashtu. Na pushtoi një frikë e ankth i paparë. Grumbulluam predhat në karroceri të mjetit. Për pak çaste na rrëmbeu paniku. Shpërtheu flaka në mënyrë të menjëhershme. S’e morëm vesh se nga erdhi shkëndija, që ndezi municionet. Ne shpejtonim të linim të sigurta e jashtë rrezikut jetën e banorëve, të asaj gjëndje që ishte krijuar para depos së municioneve, që nga çasti në çast ajo dilte nga kontrolli e mund të bënte kërdinë tek banorët e pafajshëm të Picarit dhe të tjerët.

Tani hiqen të gjithë të zgjuar dhe bëjnë ekspertin, por tjetër gjë ishte atëherë nën presionin e tmerrin e flakëve dhe tjetër gjë sot.

Ndihma ndaj atyre që u dogjën dhe që humbën jetën, si dhe ndaj atyre që u dëmtuan më lehtë dhe mbijetuan mrekullisht, nuk mungoi, qoftë nga banorët e Picarit , por edhe nga të tjerët. Shpëtimi i jetëve njerëzore ishte e para. Disa i çuan në spitalet e shtetit helen dhe disa që ndjeheshin më pak të lënduar i çuan për t’i mjekuar në spitalet e vëndit, në Gjirokastër e në Tiranë.Të mbijetuarit, mes dëshpërimit për humbjen e katër prej shokëve më të mirë, do të tregonin edhe për atë ngjarje të dhimbshme, që s’kishte ndodhur kurrë më parë , në efektivat e një divizioni të tërë.

Faleminderit për këtë intervistë!