Adolf Hitleri rekomandonte që, nëse Gjermania do të synonte të bëhej një Fuqi e Madhe, ajo detyrimisht duhej të zgjerohej me territore në Lindje.
Klodi Stralla
Në veprën e tij të vetme programatike “Mein Kampf”, të shkruar në burg në 1923, kur ende ishte një i panjohur, Adolf Hitleri rekomandonte që, nëse Gjermania do të synonte të bëhej një Fuqi e Madhe, ajo detyrimisht duhej të zgjerohej me territore në Lindje. Bëhej fjalë për tokat e Ukrainës, një hambar i madh prodhimi ushqimesh aq jetike për gjermanët dhe po ashtu një burim i madh lëndësh të para dhe energjitike defiçitare për industrinë e saj. Me të ardhur në pushtet, në 1933, ai ndërmori një plan veprimesh diplomatike, ekonomike dhe ushtarake në funksion të realizimit të këtij synimi madhor. Por përpara tij qëndronte një pengesë serioze – albioni britanik.
Hitleri, gabimisht mendonte, se likuidimi i Rusisë bolshevike (komuniste) ishte edhe përparësi e diplomacisë britanike dhe këtu u gabua. Për të Rusia ishte një bacil (mikrob) ngjitës që, atyre kombeve që iu ngjitej, i shkatërronte dhe i çonte në shpërbërje. Prandaj rekomandimi i tij ishte përdorimi i “antibiotikëve” efikasë dhe me këtë ai nënkuptonte luftën, duke i çuar sllavët aty nga kishin ardhur 1000 vjet më parë, në stepat, përtej Uraleve. Ai i kërkoi Anglisë “liçencën” e një spastrimi të tillë, me koston e vet njerëzore dhe monetare, mjafton që Anglia të hiqej mënjanë dhe t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve (gjermanëve). Por anglezët llogarisnin ndryshe.
Ata (anglezët), për shumë kohë, hezituan ndaj një propozimi të tillë (vizita enigmatike e Rudolf Hessit, krahut të djathtë të Hitlerit, në Angli), por më në fund triumfoi lobi liberal i Financave Ndërkombëtare (bankat), i përfaqësuar nga Çurçilli (dhe më vonë Rusvelti), i cili, midis dy fuqive totalitare të kontinentit, shihte si më të rrezikshëm për interesat britanike – Gjermaninë. Anglezët e pranuan sfidën, ndonse nuk ishin të përgatitur për luftë, dhe kjo ishte në thelb Lufta e dytë botërore.
3 tetori 1990 është data e ribashkimit të dy Gjermanive, të ndara që nga L2B katër dekada më parë dhe njëkohësisht lindja e “Rajhut të katërt”, gjigandit ekonomik të kontinentit. Ngjarjet në Rusinë e Putinit (Ukraina) dhe synimi i tij i dukshëm për ta rindërtuar Perandorinë e dikurshme caristo-bolshevike, ka rikthyer në botën Perëndimore rishikimin e pozitës ushtarake të Gjermanisë.
Do ta pranojnë gjermanët sfidën? Jam dyshues. Popujt sot nuk duan luftë, aq më shumë gjermanët që e pësuan prej saj. Ata ndihen mirë ekonomikisht dhe s’ka pse dëgjojnë “sirenat” anglo-saksone që do të donin të gjenin “Stalinin” e ri (gjermanët) për t’iu kundravënë “Hitlerit” të dikurshëm – Putinit të sotmë..























