Gjermanët ruajnë gjenet e perimeve autoktone shqiptare që nga viti 1941

333
Sigal

Që kur shkencëtari gjerman Hans Stubbe mblodhi 355 kampione farërash për drithërat e bishtajorët në vitin 1941, të cilat më pas i çoi në Institutin e Gjenetikës në Gjermani, banka e gjeneve agro-biodiversitetit shqiptar është rritur vit pas viti duke arritur në ditët e sotme në 4105 kategori, sipas një studimi të posaçëm nga kooperacioni gjerman.

Banka e gjeneve rreth 3,219 kategori i mban si farëra nën ruajtje afatgjatë, ndërsa rreth 886 lloje pemësh ruhen dhe mbahen në terrene të hapura. Rigjenerimi i gjeneve është mision i autoritetit kombëtar, i cili i ka të koleksionuara trashëgiminë gjenetike edhe në gjuhën shqipe. Aktualisht nga 3.200 konservimet afatgjata të farërave, rreth 10% janë rigjeneruar, por rreth 50% e tyre duhet të rigjenerohen. Konservimi dhe menaxhimi në fermë i burimeve gjenetike të bimëve është i përqendruar vetëm në disa ferma që synojnë të testojnë varietetet për kapacitetet e tyre të prodhimit dhe përmirësimin e teknikave të kultivimit.

Të dhënat e raportuara tregojnë se aktivitetet e menaxhimit të gjeneve në ferma kanë qenë kryesisht për perime lokale për konsum familjar dhe shitjen e tregut, në komunitetet e rajonit të Korçës dhe të zonën e Alpeve të Shqipërisë, kryesisht qepë, lakër, pjepër, piper, domate, kungull, marule, leh, hudhër dhe fasule. Rreth 170 fermerë janë angazhuar për mbjelljen e kulturave tipike gjenetike shqiptare. Qeveria shqiptare po promovon bujqësinë organike dhe sipërfaqja e kësaj fushe është rritur gjatë dhjetë viteve të fundit.

Kjo në njëfarë mase zgjeron diversitetin e varieteteve dhe tipareve lokale të përdorura në bujqësi. Ekspedita e parë e grumbullimit në territorin shqiptar u organizua në vitin 1941, e udhëhequr nga shkencëtari Hans Stubbe, kryesisht për të studiuar drithërat dhe bishtajoret. Kampionet e mbledhura rreth 355 u dërguan për ruajtje në Institutin e Gjenetikës së Bimëve dhe Kërkimeve të Bimëve (IPK) në Gjermani.

Informacioni për këto kampione është aktualisht në dispozicion nga baza e të dhënave IPK. Aktivitetet e para të organizuara dhe të mbështetura nga qeveria e kohës u ndërmorën gjatë periudhës 1950-‘60 nga Instituti i Kërkimeve Bujqësore e Lushnjes. Shumë varietete lokale të grurit, elbit, tërshërave, misrit, bishtajoreve, etj., u mblodhën, me të cilat u krijuan koleksionet e para të kulturave bujqësore.

Vetëm për grurin, misioni i vitit 1956 grumbulloi 24 varietete lokale. Në fillim të viteve 1970, Universiteti Bujqësor i Tiranës nën udhëheqjen e profesor Përmetit, organizoi disa misione kërkimore dhe grumbulluese të varieteteve autoktone. Rreth 220 lloje të reja u grumbulluan kryesisht misër dhe fasule Në periudhën 1970 – 1980, disa misione grumbullimi u kryen nga Instituti i Shkodrës, Instituti i Kërkimeve Bujqësore të Lushnjës, i Duhanit në Cërrik dhe Instituti i Kërkimeve për Frutat në Vlorë. Gjatë këtyre misioneve u mblodhën më shumë se 2,000 kampione gjenetike. Pas rënies së regjimit komunist, 6 misione me shkencëtarë nga Evropa zbarkuan në Shqipëri për të grumbulluar lloje të ndryshme gjenetike të cilat mund të rrezikoheshin nga hapja e ekonomisë. Të 14 shkencëtarët mblodhën 1.136 kampione nga 210 vende në Shqipëri./Monitor