Mihallaq Andrea: Serenata, emblema që e admirojnë të gjithë. Kitara është bërë dashuria ime e përjetshme

102
Sigal

 Si kaloi vëllai nga Gjermania Lindore në Perëndim dhe pse e ktheva  poezinë “A të kujtohet ajo natë” të  një vajze nga Tirana në këngë

Vëllai im, shkoi për studime në Gjermaninë Lindore dhe kapërceu gardhin dhe kaloi në Gjermaninë Perëndimore

-Kitara është bërë dashuria ime e përjetshme

Në moshën 15-vjeç një vajzë tiranase më dha poezinë “A të  kujtohet ajo natë”, që e ktheva në këngë

-Kur isha ushtar Gëzim Kruja më afron në Estradën e Shkodrës

– Mihal Luarasi më kërkoi të bëhem pjesë e trupës të teatrit dhe estradës profesioniste si istrumentist dhe këngëtar

-Në Festivalin e 11 më dënuan si ”krijues i muzikës dekadente e sentimentale”

– Në vitin tetëdhjetë  i hoqa të dyja këmbët, për të shpëtuar jetën

– Kam marrë pjesë në “Këngët e Stinës”, “Kënga Magjike”, “Këngët e Shekullit” dhe “Këngë Moj”

-Në 7-vjeçarë fitova konkursin për pikturë, por arratisja e vëllait e la ëndrrën në mes

 Jeta e tij është si në filma. I vëllai me studime në Gjermaninë Lindore arartiset në Perëndim. Në Festivalin e 11 i heqin të drejtën e këngës. Në vitin 1980 pas një sëmundje i priten të dy këmbët. Por ai se hoqi kurrë kitarën nga dora. Kënga e ka mbajtur gjallë…

Rriktheheni shpesh në retrospektivën e viteve të fëmijërisë dhe rinisë tuaj. Si do i kujtonit ato në këto çaste?

Eshtë e vërtetë.Të gjithë i kujtojmë herë pas herë e pse jo rikthehemi me shumë mall në  vitet e fëmijërisë dhe aq më tepër, vitet e rinisë. Fëmijëria ime deri në moshën nëntë vjeç, ka qenë e bukur, si gjithë fëmijët që nuk u mungonte asgjë. Babai im ishte drejtor ndërmarje dhe kishte rrogë të mjaftueshme për të jetuar.

Përse konkretisht deri në këtë moshë thoni që keni qenë i lumtur. Çfarë ju ndodhi më pas?

Por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Shumë vite më parë vëllai im, pas studimeve në Tiranë,  shkoi për studime në Gjermaninë Lindore dhe nuk u kthye më pas. Kapërceu gardhin dhe kaloi në Gjermaninë Perëndimore. Kjo ndodhi, pothuajse tjetërsoi jetën e familjes time. Kuptohet çfarë peripeci do të kishim më pas. Babai u shkarkua nga detyra e drejtorit duke kaluar punëtor i thjeshtë, rrobaqepës. Duke parë gjendjen jo të mirë ekonmike, nëna ime, e cila deri atëhere ishte shtëpiake, u detyrua të futej në punë, rrobaqepëse.

Thuhet që ju kur keni lindur, ju kanë shoqëruar melodi me kitarë. E vërtetë?

 

(Buzëqesh) Ndoshta është dhe kështu si thoni ju. Dikur…edhe gjyshi im që kishte qenë mësues prej shumë vitesh më përpara ka luajtur  në kitarë. Po kështu dhe im atë ka luajtur në kitarë, por ndoshta punët e shumta e kishin lënë mënjanë kitarën. Ndoshta ishte ky motiv çka më shtyu qysh herët t’i bija nga pak kitarës. Natyrisht që nuk ishte rastësi që unë doja muzikën dhe kisha vokal jo të keq.

A ju shoqëronte ky pasion dhe në vitet e shkollës?

 

Kurrësesi nuk e kisha menduar që instrumenti i kitarës do të ishte dashuria ime e përjetshme, pasi në shkollën fillore dhe atë shtatë vjeçare, unë dallohesha si nxënës shumë i mirë në mësime, njëkohësisht, shquhesha për vizatim, aq sa në konkursin e zhvilluar në Pallatin e Kulturës, duke u cilësuar si më i miri, fitova të drejtën për të vazhduar studimet në Liceun Artistik në Tiranë. Por…gjithçka  mbeti veçse një ëndërr e pa realizuar. Shkaku dihej. Unë kisha një vëlla të aratisur. Pra as që bëhej fjalë…emri im u zhduk.

Kur ende ishit më pak se 15 vjeç, për të luajtur në kitarë, shkak u bë  një letër, brenda së cilës ishin vargje të një poezie, nga një vajzë. Si erdhi kjo poezi tek ju?

 

Më kujtohet krijimi im i parë, ndërkohë që shkoja në shtëpinë e pionierit në një kurs kitarë. Në oborin e shtëpisë të një shokut tim, po akordoja kitarën e tij.Vjen një vajzë trembëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjeçe, po aq sa mosha ime dhe duke më thënë se ishte nga Tirana, më zgjat një copë letër ku kishte shkruar një poezi. Më tha a mund ta bëni këngë? Nuk u mendova gjatë, megjithëse në moment u befasova. Pas dy ditësh kënga u realizua shumë bukur. Këtë e dëshmon dhe jetëgjatësia e saj, e cila ashtu si vite, dekada më parë këndohet e mirëpritet edhe sot.(këtu Mihallaqi nis e këndon lehtë, vargjet e kësaj kënge)

A të  kujtohet ajo natë,

kur doçkat m’i hidhje në qafë,

edhe më puthje, më puthje si e marrë,

me ato buzë, që shumë të ishin tharrë, 

edhe më puthje , më puthje si e dehur, 

me ato buzë, që shumë të ishin nxehur… etj.

Cilat prej vendeve në qytetin e Korçës, ishin preferenca juaj për të kënduar?

 

Unë me shokët e mi 15-16 vjeçarë preferonim të shkonim tek Panda, por më shpesh, tek Parku Rinia që po zbukurohej nga pemët dhe lulet e mbjella që po rriteshin me shpejtësi aty. Rinia korçare këndonte e këndonte në grupe të vogla me shumë zëra sidomos aty tek Parku Rinia. Me shokët e mi bashkëmoshatarë, preferonim të shkonim aty, sepse aty këndonim dhe dëgjonim këngë. Më vonë, kur u rritëm filluam të preferonim edhe rrugët e qytetit dhe me kitarën në duar, këndonim nën dritaret e vajzave të bukura korçare.

 

E mendonit që me krijimet dhe këngët tuaja, emri juaj do të bëhej i famshëm në Korçën plakë, Korçën nuse? 

 

Eh, atëhere ishin dhe vitet e krijimeve të mija të serenatave të dashurisë. Ishte mosha. Por asnjëherë nuk e mendoja, se ato krijime  bënë shumë shpejt  do të  bëheshin të njohura dhe do të këndoheshin jo vetëm në qytetin tim por në gjithë vendin, sidomos në shkollat e kryeqytetit ku studionin shumë djem e vajza korçare.

Troket tek ju kryerja  e shërbimit ushtarak, si e mirëpritët atë?

 

Ishte periudha kur sapo kisha nisur të merrja pjesë si këngëtarë në premiera e spektakle që vinte në skenë estrada profesioniste e qytetit. Më pas më thirrrën ushtar, ku shërbimin ushtarak do e kryeja në qytetin që e dua mbas Korçës, në Shkodër. I ndjeri Gëzim Kruja atëhere aktor humori në trupën e teatrit dhe estradës në Shkodër, ndodhur rastësisht në një aktivitet muzikor të Korpusit të Veriut ku edhe mua më kishin thirrur si korist, më dëgjon dhe më pas më mundëson pjesëmarrjen time si këngëtarë në një nga premierat e estradës së Shkodrës. Pastaj shërbimi mbaroi dhe kthehem në Korçë.

 

A e menduat se me mbarimin e ushtrisë, problemet si familje me biografi të keqe do të merrnin fund?

 

Ndonëse hija e vëllait të aratisur më shqetësonte, pas ushtrisë fillova punë në Uzinën e Instrumentave në Korçë, ku trupa e estradës amatore e uzinës, ishte cilësuar më e mira në vend në festivalin e trupave amatore, zhvilluar në Elbasan. Që në shfaqjen e parë me UIK, vjen në uzinë drejtori i teatrit, së bashku me regjisorin shumë të njohur Mihal Luarasi dhe më kërkojnë në drejtori të uzinës, duke më kërkuar të bëhem pjesë e trupës të teatrit dhe estradës profesioniste si istrumentist dhe këngëtar. Unë nuk pranova si profesionist por vetëm si amator dhe ashtu vazhdova. Ndërkohë vazhdoja të krijoja këngë, të cilat këndohen edhe sot.

 

Ishte periudha kur këngët tuaja mirëpriteshin kudo në çdo qytet, madje një krijim i juaj në festivalin e 11, bëri që njerëz nga “lart” të gërmonin në historinë e biografisë suaj. Fshesa e diktaturës nuk  kurseu as juve. Çfarë ndodhi me ju?

 

Në fakt ishte një periudhë sado e shkurtër që mund të kompozoje çfarëdo lloj muzike. Diktatura  e proletariatit u topit për pak kohë, deri sa në festivalin e 11-të, mori hov të pa parë për të goditur ”krijuesit e muzikës dekadente e sentimentale” ashtu si u cilësova unë. U përballa me dhimbje nga masat ekstreme ndaj meje, duke më ndaluar çdo lloj aktiviteti artistik, duke më përjashtuar dhe nga dega e lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve. Tronditja ime ishte e madhe. Ndërkohë  një viti më parë kisha fituar konkursin për aktrim dhe përsëri VIZË.

 

Vazhdonit të punonit ende në uzinë?

 

Kthetrat e diktaturës i pashë dhe në vëndin tim të punës, në uzinë. Duke më hequr nga ai vënd pune i mëparshëm, drejtuesit  e uzinës donin të më detyronin të punoja në kovaçanë. Por unë e refuzova dhe kërkova largimin nga uzina. Mirëpo libreza ime me të kuqe dhe motivacioni “ka thyer disiplinën në punë”, nuk më ofronin sërish punë. Më pas nisa të punoj si punëtor në punë të vështira në ndërmarjen e ndërtimit për më se dy vjet. Aty më filluan dhimbjet e këmbëve. Një mjek, miku im, pas vizitës më tha se “dhimbjet të vijnë nga stresi” duhej të qetësohesha. Asnjë mjekim s’mund të më bënte efekt. Natyrisht ato që dispononte mjekësia jonë atëhere.

 

Ishit në moshën 27 vjeç. Si u ndjetë kur mjeku, kirurgu,  ju komunikuan se juve ju duhej të pritnit të dyja këmbët?

 

Kur kirurgu erdhi dhe më komunikoi për amputacionin e këmbëve, e dija që nuk kisha rrugë tjetër. Gangrena përparoi shumë shpejt dhe në vitin tetëdhjetë  m’i hoqën të dyja këmbët, për të shpëtuar jetën. Falë pranisë së prindërve Vangjel dhe Sofia,  vëllezërve Gjergji dhe Taqka, dhe  motrës time Meri, e cila jeton në Florida në Amerikë, e kalova dhe ja ku jam  sot, për aq sa Zoti të më japë jetë. Asnjëherë nuk kam ndjerë mungesën e miqve të mi. Por vëllezërit dhe motra, ashtu si në spital në Tiranë para dhe pas operacionit janë shpirti dhe zemra ime. Megjithëse janë larg ata shpirtërisht janë këtu në çdo moment me mua.

 

Ju nuk u mbyllët në shtëpi, por madje u rrikthyet sërish jetës artistike. Menduat që pas kësaj fatkeqësie do të ishit i mirëpritur si më parë, si artist?

 

U jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen që unë të rrikthehesha sërish si më parë. Pata fatin e madh të njihem me Gëzim Çobanin që ishte drejtor i grupit amator të minierës në  Mborje Drenovë. Aty ai më dha mundësinë të merem me grupin artistik si udhëheqës artistik për disa vite, deri në prag të vitit 90.

 

Fillimi i viteve 90, si kudo në vëndet e lindjes, edhe në Shqipëri sollën proçeset demokratike. Ishit i sigurtë që dhe për ju po vinte një kohë ndryshe? 

 

Asnjëherë nuk jam marrë me politikë, apo të çirrem për padrejtësitë ndaj familjes dhe vetes time. Padyshim e mirëprita këtë ndryshim. Do të isha i lirë si njeri dhe artist. Nisën demostratat e studentëve të dhjetorit, u shtrinë në gjithë vendin. Kur për çudi diktatura lëshoi “pe”. Shumë shpejt nisën premierat e reja. Ndjehesha mirë pasi menjëherë u bëra protagonist në një shfaqje me tetë e këngë të mia, të kënduar në premirën e estradës profesioniste, me të madhin, të paharruarin Aleko Prodani, shfaqje e cila  u ndoq me shumë interesim, masivisht për shtatë  netë me rradhë, në sallën e teatrit “ Andon Zako Cajupi “ të Korçës. Ndërkohë pas një viti në vitin 1991, në televizionin kombëtarë RTSH, dhashë koncertin tim, ku  u vlerësua dhe u reklamua albumi im i parë. Ishte koha që nisa të krijoja sërish këngë pa fund.

 

Sërish këngët tuaja. serenata, marrin udhë, çelnin si lule Maji, duke u cilësuar të sukseshme jo vetëm në mbarë vendin, por madje dhe në disa shtete në Amerikë. Ju lumturon ky fakt?

 

Padyshim kur shikoj që puna ime, kënga ime mirëpritet e vlerësohet nga çdo publik, ndjehem krenar. Kam marrë pjesë në disa edicione tek evenimentet artistike“Këngët e Stinës”, “Kënga Magjike”, “Këngët e Shekullit” dhe kohët e fundit “Këngë Moj” , koncerte të netëve të vitit të ri…e tjera. Natyrisht kam performuar edhe në disa koncerte recitale në sallën e teatrit apo Pallatin e Sportit në qytete të tjera. Në koncerte në Amerikë, ku shkova si i ftuar në kongresin e 27- të, të  institutit të biografive botërore me qëndër në Uashington, ku jam edhe anëtar i saj prej viti 1999. Po kështu jam dhe anëtar që prej vitit 2002 i shoqatës botërore të shkrimtarëve dhe artistëve si shkrimtar dhe kantautor me presidente zonjën Terezina Periera.

 

Jeni vlerësuar me diploma dhe çmime të ndryshme, por doja të veçoja titullin e lartë akorduar nga presidenti i republikës, “Mjeshtër i Madh” dhe tiullin vlerësuar nga pushteti vendor  si “Personalitet i shquar i qarkut të Korçës”. Si vlerëson këto çmime?

 

Më vjen mirë që jam vlerësuar nga presidenti i republikës me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe nga  pushteti vendor me titullin ” personalitet i shquar i qarkut të Korçës”…Doni më për… Belulin?(Buzeqesh) Mendoj se këto dyja janë vlerësime, të cilat më shtyjnë më shumë  në përkushtim tim ndaj magjisë së artit.

 

Jeni zgjedhur president i shoqatës kulturore të serenatave. Si është të ndodhesh në këtë etiketim ?

 

Ishte domosdoshmëri krijimi i një shoqate të tillë, pasi kryesisht në qytetin tonë  në veçanti në vitin 1998, duke parë, që mjaft lokale të qytetit  po i jepnin më shumë hapësirë këngës greke, dhe serenata e ëmbël korçare ishte disi më pak  e prezantuar, vendosëm me disa artistë dhe kantautorë apo këngëtarë të serenatës të krijojmë shoqatën e Serenatave korçare, ku qëllimi kryesor i yni të ishte që të ekspozohej dhe vlerësohej siç e meritonte, serenata jo vetëm në shpirtin korçar, por edhe në skenë. Skena do të sillte atë që gjithëkush të përjetonte maksimalisht melodinë e pakrahasueshme të serenatës korçare. Dhe ashtu ndodhi. Pas tre festivaleve të përvitshëm që organizuam, kënga e huaj në lokale u sfumua dhe serenata dominoi kudo, ashtu  si edhe sot mbretëron kudo në Korçë. Ndiej krenari që mjaft turistë dhe vizitorë nga i gjithë vendi, vijnë e vizitojnë bukuritë e Korçës, ku padyshim emblema është  serenata që admirojnë të gjithë.

 

Në jetën tuaj shfaqet një nga fansët e këngëve tuaja, Irena, vajza e bukur e dikurshme që më pas u bë dashuria juaj e përjetshme. Si erdhi kjo dashuri tek ju?

 

Irena është gruaja ime dhe kemi dy fëmijë vajzën Klaudia, e cila  pas studimeve për stomatologji në“La Sapienca” në Romë, punon aty në dy klinika private, ndërsa djali Kristi pasi mbaroi shkollën e lartë degën histori – gjeografi si dhe mori njohuri për informatikë, punon në Korçë në studio arkitekturore. Dy fëmijë të mbarë, të edukuar që më bëjnë krenar.

 

Keni arritur të krijoni e këndoni mbi 400 këngë tuaja, serenatë, keni nxjerrë albume të arrira, të mirëpritura. Me çfarë po merreni konkretisht në këtë stinë Vjeshte.?

 

Në shtëpi kam një studio muzikore dhe jo vetëm kaq, pasi aty përveç muzikës vitet e fundit kam nisur të shkruaj kryesisht prozë. Kam botuar tre romane ndërkohë jam duke punuar me romanin e katërt timin. Më pëlqen të shkruaj dhe të bëj të kuptojnë lexuesit, në veçanti të rinjtë se çfarë diktature ka qenë ajo që ne kemi përjetuar. Tani  në këto ditë vjeshte, në studion time modeste krijoj muzikë, me poezitë e mija dhe krijime të disa miqve të mi poetë, ku pastaj i këndojmë me shokët kur mblidhemi mbrëmjeve.

 

Çdo të thoshit për Korçën dhe korçarët?

 

Korça ka marrë pamjen e një qyteti modern dhe klasik. Pavarësisht që ka akoma për të rregulluar në kuadër të klasikes së saj. Më vjen mirë që vlerësohet shumë nga gjithë shqiptarët  dhe të huajt. Qytetari korçar ruan edukatën dhe kulturën që e bën të veçantë. Aristokracia korçare jeton në çdo shpirt korçar. Zoti të bekojë gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen. Faleminderit për realizimin e kësaj interviste.

Intervistoi Fadil Shehu