Bujqësia shqiptare në kolaps, ja si fermerët nuk kanë mundësi ujitjeje, vuajnë eksportin e kufizuar dhe infrastrukturën mjerane

392
  • Bujqësia shqiptare në kolaps, pa mundësi ujitje, me eksport të kufizuar, me mjete jashtë standarteve, infrastrukturë mjerane.
  • Toka bujqësore në Republikën e Shqipërisë zë rreth 24% (ose rreth 699,000 hektarë) të sipërfaqes së përgjithshme të vendit.
  • – Raporti eksport- import në sektorin agro ushqimor për vitin 2018 ishte 1:8. 
  • – Vetëm 22% e tokës është e ujitur megjithëse mundësitë e ujitjes janë për 70% të sipërfaqes totale.
  • – Eksportuesit shqiptar janë të renditur në fund të tregut global.
  • -Popullsia rurale në Shqipëri përbën mbi 5 % të popullsisë totale, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish është i punësuar në aktivitetin bujqësor.
  • -Sipas statistikave të INSTAT, në Shqipëri ka aktualisht 350,000 ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët.
  • – Pavarësisht se bujqësia konsiderohet si motor ekonomik në vendin tonë dhe gati gjysma e popullsisë shqiptare është e punësuar në këtë sektor, ajo përbën rreth 18 % të GDP-së.
  • – Në sektorin e mekanizimit, 350,000 fermave u përgjigjen vetëm 20, 600 mjete.
  • -Toka bujqësore është 700 mijë hektarë, 80% e së cilës, është ndarë me ligjin nr.7051 datë 19.7.1991 “PËR TOKËN” edhe 130,000 hektarë janë tokë bujqësore në pronësi të shtetit.
  • – Përgjatë 2 dekadave të fundit, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një ekonomi të dominuar nga shërbimet.
  • – Përpunimi i prodhimeve agro ushqimore është një problem tjetër aktual.
  • – Në raport me ekonomitë bujqësore të vendeve fqinje, sektori bujqësor në Shqipëri mbetet ende i pazhvilluar dhe me një infrastrukurë të pamjaftueshme.
  • – Investimet për përmbushjen e standardeve të mbrojtjes mjedisore dhe trajtimit të mbetjeve janë të pakta për momentin
Sigal

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

 

“Toka bujqësore”, që si e tillë figuron në regjistrat kadastrale të shtetit është sipërfaqja e tokës, e zëne me bimët e arave, pemishtet, vreshtat dhe ullishtat, kudo ku ndodhet dhe që ka veçori thelbësore te saj pjellorinë. Sipërfaqja totale e tokës bujqësore në Republikën e Shqipërisë zë rreth 24% (ose rreth 699,000 hektarë) të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Shqipëria është vend me mundësi të konsiderueshme sa i përket kushteve të tokës, të klimës, numrit të ditëve me diell, pasurive ujore dhe potencialit njerëzor në zonat rurale. Të gjitha sa përmendëm janë faktorë të rëndësishëm që vërtetojnë potencialet e ekonomisë bujqësore në vend. Popullsia rurale në Shqipëri përbën mbi 50 % të popullsisë totale, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish është i punësuar në aktivitetin bujqësor. Sipas statistikave të INSTAT, në Shqipëri ka  aktualisht 350,000 ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave, në një mesatare të përgjithshme, nuk i kalon të 1.2 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon të 0.2 hektarët. Në sektorin e mekanizimit, ku 350,000 fermave u përgjigjen vetëm 20, 600 mjete. Toka bujqësore është 700 mijë hektarë, 80% e së cilës, është ndarë me ligjin nr.7051 datë 19.7.1991 “PËR TOKËN” edhe 130,000 hektarë janë tokë bujqësore në pronësi të shtetit. Megjithatë, një pjesë e madhe e kësaj toke nuk është bujqësore, për shkak të një numri të madh ndërtimesh pa leje.

Pavarësisht se bujqësia konsiderohet si motor ekonomik në vendin tonë dhe gati gjysma e popullsisë shqiptare është e punësuar në këtë sektor, ajo përbën rreth 18 % të GDP-së. Megjithë forcën punëtore dhe potencialin agrikulturor jemi vendi, që eksporton më pak prodhime bujqësore në rajon. Bujqit shqiptarë vuajnë çdo ditë një realitet ekonomik të ashpër, ku për shkak të organizimit të mangët dhe politikave të dobëta shtetërore produktet nuk gjejnë kërkesë dhe as nuk munden të plotësojnë tregun. Disa nga arsyet kryesore të kësaj gjendjeje kanë të bëjnë me sipërfaqen e vogël të fermave, cilësinë e ulët të tokës bujqësore (vetëm 22% e tokës është e ujitur megjithëse mundësitë e ujitjes janë për 70% të sipërfaqes totale), nivelin e ulët të përdorimit të plehrave kimike, distancat e mëdha ndërmjet fermave, dhe distancat e mëdha nga zonat urbane. Raporti eksport- import në sektorin agro ushqimor për vitin 2018 ishte 1:8.

Përgjatë 2 dekadave të fundit, ekonomia shqiptare është transformuar nga një ekonomi kryesisht bujqësore në një ekonomi të dominuar nga shërbimet.

Ky transformim ka ndodhur pjesërisht si pasojë e ndryshimeve politike në vend, hapjes së kufijve, dhe rritjes së importit të produkteve agroushqimore, gjë që solli në veçanti një rënie të prodhimit vendas. Gjithashtu, parë në raport me ekonomitë bujqësore të vendeve fqinje, sektori bujqësor në Shqipëri mbetet ende i pazhvilluar dhe me një infrastrukurë të pamjaftueshme bashkëkohore që është e domosdoshme për të përballuar në cilësi kosto dhe volum kërkesat e tregut vendas dhe atij rajonal. Përveç arsyeve të mësipërme, ndryshimet legjislative të lidhura me trojet dhe tokën bujqësore në vitet 90, të cilat çuan në një copëzim të tokës bujqësore për frymë, financimet e kufizuara dhe politikat fragmentare të zhvillimit bujqësor e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Megjithëse ekziston një tendencë pozitive për konsolidimin e fermave, konkurueshmëria e sektorit të bujqësisë është ndikuar negativisht nga sipërfaqja e vogël e fermave bujqësore. Fermat në Shqipëri janë kryesisht ferma të subsistencës (vetë-mbajtjes) dhe shumica e produkteve bujqësore janë të destinuara për konsum vetjak. Mes fermerëve ekziston një mungesë tradite si dhe dëshirë e kufizuar për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Numri i grupeve të prodhuesve dhe shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (kooperativave) deri tani ka qenë i vogël pavarësisht përpjekjeve të disa donatorëve për të nxitur bashkëpunimin mes fermerëve lidhur me veprimtaritë e furnizimit dhe marketing-ut. Rezulton se aktualisht fermat në Shqipëri kërkojnë intensitet të lartë pune ndërkohë, që niveli i përparimit teknologjik është i ulët. Një përqindje e lartë e fermave kanë mekanizim të vjetëruar, si dhe ambiente ruajtje të papërshtatshme. Intensiteti i ulët i kthimit të kapitalit nga prodhimi bujqësor ka rezultuar në produktivitet të ulët, kosto prodhimi relativisht të larta, cilësi të ulët, humbje dhe fitime të pakta. Përmbushja e standardeve mjedisore, sigurisë ushqimore dhe mirëqenies së kafshëve vazhdon të jetë e ulët. Një përqindje e lartë e fermave bujqësore nuk arrin t’i përmbushë këto standarde si pasojë e burimeve financiare të kufizuara për të përmirësuar ambientet apo teknologjitë si dhe e mungesës së ndërgjegjësimit apo njohurive të këtyre standardeve.

Përpunimi i prodhimeve agro ushqimore është një problem tjetër aktual.

Përpunimi ushqimor është një sektor ekonomik relativisht i vogël në Shqipëri. Në industrinë e përpunimit ushqimor operojnë përafërsisht 2000 kompani, 95% e të cilave janë mikrosipërmarrje. Industritë më të rëndësishme të përpunimit ushqimor në Shqipëri janë prodhimi i miellit dhe i bukës, prodhimi i pijeve jo-alkoolike, si dhe përpunimi i mishit dhe qumështit. Zhvillimi i sektorit të përpunimit ushqimor në Shqipëri është i kufizuar nga një numër faktorësh, disa prej të cilave lidhen me pamjaftueshmërinë e lëndës së parë, mungesën e homogjenitetit në lidhje më sasinë dhe cilësinë e saj, integrimin jo të zhvilluar vertikal mes prodhuesve të lëndës së parë dhe industrisë përpunuese, mungesën e burimeve për përmirësimin e cilësisë përmes futjes në përdorim të sistemeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore. Futja në përdorim e sistemeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore ka filluar, por deri tani vetëm në kompanitë e mëdha të përpunimit. Investimet për përmbushjen e standardeve të mbrojtjes mjedisore dhe trajtimit të mbetjeve janë të pakta për momentin. Në mënyrë të ngjashme me prodhimin primar, rritja e sektorit të prodhimit ushqimor pengohet nga burimet e brendshme të kufizuara të sipërmarrësve dhe vështirësia e tyre për huamarrje.

Për më tepër, Shqipëria përballet me një sfidë domethënëse për sa i përket mbështetjes së bizneseve private gjatë adaptimit të teknologjive më të sofistikuara, që nevojiten për të arritur standardet dhe rregullat e BE. Ndërkohë që autoritetet arrijnë progres duke prezantuar rregullat dhe standardet e reja të BE, ka një nevojë jo vetëm për të përmirësuar implementimin e tyre nga ana e sektorit publik, por edhe për të krijuar një ambient, i cili lejon firmat private që të marrin njohuritë e nevojshme teknike për t‘ju përshtatur me këto kërkesa.

Eksportuesit Shqiptar janë të renditur në fund të tregut global

Eksportuesit shqiptar janë të renditur në fund të tregut global, duke u përfshirë vetëm në procese përpunimi dhe me pak vlerë të shtuar ndaj produktit.

Gjithashtu infrastruktura e vaditjes, e cila është jetësore për të forcuar avantazhin konkurrues të sektorit të bujqësisë mbetet në kushte të dobta dhe duhet të adaptohet me kushtet e ndryshimit klimaterik. Ndërkohë që Shqipëria ka reshje të shumta vjetore, më pak se 20 përqind e këtyre rreshjeve ndodhin gjatë periudhës nga prilli në shtator çka e bën vaditjen të nevojshme për të mbjellat e verës dhe ato vjetore. Mbrojtja nga përmbytjet është gjithashtu e rëndësishme për bujqësinë, veçanërisht në ultësirat bregdetare.

Ndër problematika të tjera do të përmendim gjithashtu koston shumë të lartë të prodhimit bujqësor, dhe gjithashtu mungesën totale të Shërbimeve dhe e Infrastrukturës Financiare Rurale, i cili është faktor frenues për zhvillimin e bujqësisë dhe atij rural në përgjithësi.

Pavarësisht nga problematikat, Shqipëria mbetet një vend me një potencial të madh bujqësor, dhe ky sektor po merr një vëmendje nga operatorë vendas dhe të huaj, përmes granteve dhe favorizimeve për t’i siguruar bujqve shqiptarë mundësi konkurrimi me vendet fqinje.

Si dihet, përgjatë viteve 90, dhe ndryshimeve të rëndësishme në sistemin qeverisës të vendit, pjesa më e madhe e tokave buqësore kaluan në pronësi private. Kjo u realizua me anë të Ligjit nr.7501/91 “Për Tokën”, një ligj, i cili gjeti dhe vazhdon të hasë shumë kundërshti për shkak se në shkallë të gjerë konceptohet si antikushtetues duke qenë se nuk mori parasysh pro. Në vitin 1938 Shqipëria kishte 250.000 ha tokë bujqësore, ndërsa në vitin 1990 kishte 750.000 ha tokë bujqësore, pra 500.000 ha më shumë. Toka bujqësore iu nda anëtarëve të familjeve bujqësore, pa i marrë parasysh pronarët e parashtetëzimit duke u bazuar tërësisht në parimin se “toka i takon atij që e punon” dhe jo pronarit të ligjshëm të saj dhe shkaktoi në vend si rezultat një situatë kaotike, e cila vazhdon edhe sot.

Legjislacioni ynë me ligjin Nr.8337,

Legjislacioni ynë me ligjin Nr.8337, datë 30.4.1998 “ Për Kalimin në Pronësi të Tokës Bujqësore, Pyjore, Livadheve dhe Kullotave” lejon transferimin e lirë të pronësisë mbi tokat bujqësore private, përveç për personat fizikë dhe juridikë të huaj. Personat fizikë dhe juridikë të huaj gëzojnë të drejtën e marrjes së tokës me qira deri në 99 vjet. Dhënia me qira e tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil.

Shteti ynë është përpjekur të fazorizojë kalimin e pronësisë së tokave bujqësore, dhe të kufizojë transferimin për qëllim të ndryshimit të destinacionit të tokës. Me rëndëi për të përmendur janë ndryshimet lidhur me tatimin e kalimit të pronësisë , ku specifikohet se personat që shesin tokë bujqësore, të cilën e kanë përfituar me ligjin nr.7501/91 do të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin. I vetmi kusht për të përfituar përjashtimin nga 15% e tatimit është fakti se kjo tokë duhet të mbetet bujqësore dhe jo të përdoret për truall. Gjithashtu, nuk do të paguhet tatim fitimi as në momentin që kryhet kalimi i titullit të pasurisë brenda familjes burrë, grua, fëmijë në momentin që toka është fituar me ligjin nr.7501/1991. Gjithashtu paketa e re fiskale sjell një lehtësim për sektorin e agroturizmit, reduktimin e TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera, që ofrohen nga subjekti i licensuar agroturistik. Ferma që do të ketë edhe struktura akomoduese do të përfitojë Tatim mbi Vlerën e Shtuar po 6% edhe për mallrat që merr furnizim.

Gjithashtu përveç kalimit të pronësisë një investitor potencial mund të marrë me qira tokë bujqësore në pronësi të shtetit në Republikën e Shqipërisë, sipas përcaktimeve të VKM nr. 373, Datë 20.6.2018 “ Për Përcaktimin e Kritereve, të Rregullave, Procedurave dhe Kontratës Tip Për Dhënien me Qira të Tokave Bujqësore në Pronësi të Shtetit”. Sipas këtij vendimi, Tokat bujqësore në pronësi të shtetit jepen me qira për afate kohore, si më poshtë vijon: a) Deri në 10 vjet, kur destinohen për kultivimin e bimëve të arave, eterovajore dhe bimëve dekorative;

  1. b) Deri në 30 vjet, kur destinohen për: i. krijimin dhe kultivimin e vreshtave; ii. krijim pemëtoresh me specie drufrutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik; iii. ndërtim serrash e kultivim të bimëve në to; iiii. fidanishte.
  2. c) Deri në 99 vjet, kur: i. destinohen për krijim ullishtash; ii. destinohen për krijim pemëtoresh me drufrutorë, si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje,

Janë një sërë grantesh dhe mundësish për një investues në bujqësi në Republikën e Shqipërisë. Do të përmendim si një risi të sukseshme pjesëmarrjen e Shqipërisë në një program të hapur europian për mbështetjen e bujqësisë, programin Ipard II, i cili ka për qëllim financimin e subjekteve për periudhën 2014-2020 në zinxhirin nga ferma deri tek agropërpunimi dhe zhvillimin e zonave rurale vendase me buxhet ndihmës me total prej 71 milionë euro. Ky program mbështet disa fusha të bujqësisë si:

– Investime në asetet fizike në fermat bujqësore;

– Investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit;

– Diversifikimi fermës dhe zhvillimi biznesit;

– Asistenca teknike;

Shqipëria ka një vendndodhje të shkëlqyer gjeografike, mjaft të përshtatshme për eksportet dhe vendosjen e kontakteve ekonomike me vendet e rajonit. Me një popullsi prej 3.2 milion banorë, Shqipëria gjendet në Ballkanin Perëndimor dhe gëzon një vendndodhje gjeografike të favorshme në Evropën Juglindore si dhe burime natyrore me vlerë. Përveç kushteve shumë të favorshme natyrore Shqipëria ka një pozicion të përshtatshëm gjeografik, për fakt të distancës shumë të favorshme me ekonomi shumë më të zhvilluara (Greqia, Italia, etj), të cilat janë të rëndësishme për shkak të partneritetit tregtar, si bujtëse të emigrantëve shqiptarë dhe si burime investimesh. Me politikat e duhura shtetërore produktet agroushqimore mund të gjejnë një treg shumë më të gjerë se sa tregu vendas.

Aktualisht agrobiznesi është një nga tregjet më pak të specializuar në Shqipëri, karakterizuar kryesisht nga investitorë të vegjël. Investimi në teknologjinë e duhur dhe fokusi në produktet me kërkesë të lartë në treg siguron një performancë të mirë në një treg ku konkurrenca është relativisht e ulët.

Krahu i sigurt i punës. Një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare është e vendosur në zonat rurale, dhe kanë burim ekonomik të vetëm bujqësinë, si rrjedhojë sigurimi i punonjësve të përshtatshëm nuk do të shpaloste problem për një investitor.