Flet poeti Xhahid Bushati/ Serafin Fanko: E çmonte shumë kombëtaren, e lidhte me identitetin, ndaj si regjisor, iu përkushtua dramës shqipe

Telegraf.al / Astrit Fani, miku im, arkivisti model i Teatrit “Migjeni” dhe një nga të pakët pasionantë dhe idealistë të Teatrit shqiptar, përmes telefonit, në një mbrëmje maji me një qiell të bukur e plot yje, ngadalë e me një qetësi olimpike siç flet Astriti, më kujton Pavdekësinë e Serafin Fankos. Dhe në çast m’u kujtua, si e kam njohur edhe unë Mjeshtrin e shquar Serafin Fanko (24.05.1937 – 29.11.2007), një figurë emblematike e teatrit dhe e filmit shqiptar, e më gjerë. Gjurmët e tij si regjisor, dramaturg, skenograf, muzikolog… etj., mbeten ende udhërrëfyese për teatrin shqiptar, veçanërisht për konceptet, etikën dhe estetikën, risitë dhe vizionet… Imazhi i Mjeshtrit m’u shfaq para syve të mi, hyjnor, i bukur siç ishte Ai… Më shoqëroi ajo dritë e papërsëritshme gjatë gjithë rrugës. Teksa ecja rrugës, m’u kujtua poezia “Poeti” e poetit Xhevahir Spahiu që i kushtohej Mjeshtrit Fanko. Po përmend ca vargje: “Kur patë se goditja keq ju theri / ju shpikët heshtjen, si një mur të ftohtë. / Një ditë gjithçka mund të ma merrni / po penën kurrë nuk ma merrni dot, shprehet poeti Xhahid Bushati

-Për Serafin Fankon flitet shumë, madje dhe unë kam bërë një portret të tij. Por askush nuk mund ta njohë më shumë se ju pasi si gazetar dhe si mik kalonit shumë kohë bashkë….Si e keni njohur të madhin Serafin Fanko?

Me këto vargje plot diell e ëndërrime trokita në portën e viteve dhe të kujtime! Mbase kështu do ta kisha parë më dritshëm Mjeshtrin Fanko, do të kuvendoja me të, do ta pyesja për teatrin dhe jetën e do t’i merrja ndonjë këshillë. Gjithmonë kam besuar se Regjisori Fanko është një model që duhet ndjekur, është SHKOLLË! Në jetën artistike të Serafinit, regjisura ishte një komponent i rëndësishëm artistik, në mos më i rëndësishmi, do të thoja. Rrezatoi estetikisht mahnitshëm! Në shfaqjet që vuri në skenë, ai shpërfaqi konceptet e krijimtarisë së tij duke ndërtuar platforma interesante në skenën e dramaturgjisë shqipe. E çmonte shumë kombëtaren. E lidhte me identitetin. Si regjisor iu përkushtua dramës shqipe. I dha asaj vlera dhe dinjitet. N ë shfaqjet që vuri në skenë, përdori të gjitha mjetet e veprimit skenik, të mizanskenës, të dekorit, dritave, muzikës, rekuizitës, etj. Punoi me forcë në skalitjen e individualitetit të aktorit apo aktorit-ansambël duke e materializuar me tekstet e dramës, komedisë, etj. I përcolli hijshëm, plot finesë e poetikisht te spektatorët. Puna e Serafinit dallohet edhe për logjikë, qartësi dhe impulse dramatike. Nëpërmjet detajeve, theksimit të ngjarjeve kryesore, ndërtimit të kontrasteve, etj., komunikon qartë dhe plot emocion me spektatorin, me ndjenjat dhe zemrën e tij. Regjisori-Serafin në të gjitha dramat që vuri në skenë, i zbërtheu ato gjer në imtësi, i zbuloi çdo vlerë dhe i minimizoi në maksimum çdo të metë të saj. Në mendësinë e tij si regjisor, kurrë nuk e filloi punën pa patur të qartë çdo qelizë të materialit, duke mos i lënë asgjë spontanitetit dhe rastësisë. Gjatë hulumtimit për gjetjen e detajeve e dukurive të reja të regjisurës së Serafin Fankos, horizonte të reja, veçanërisht, na fali studimi i Prof. Dr. Josif Papagjonit. Qasja ndaj dramave të vëna në skenë dhe grupimi i tyre në përbashkësinë e platformave, analizat e thelluara dhe deduksionet në marrëdhënie me kohën dhe kohësinë e çdo drame, kanë bërë që të ndriçohet e plotë figura e tij regjisoriale. Në mënyrë të përmbledhur po japim disa veçori të konstatuara nga studiuesi Papajorgji, të cilat janë: *Dallohet për trajtimin regjisorial të thelluar dhe elegant të veprës dramatike, për kulturën e pasur skenike që derdhet harmonishëm në të gjithë përbërësit teatrorë. *Mendimi regjisorial zbuloi te kjo dramë (“Fisheku në pajë” – shënimi im Xh. B.) botën e ndrydhur të gruas malësore prej zakoneve të vjetra, me kërcënimin e vdekjes së paralajmëruar në rast kundërshtimi ndaj burrit. Ky kah u gërshetua me aksionin politik për çlirimin dhe emancipimin e gjithë shoqërisë shqiptare, me apelin për respektimin e të drejtave të gruas, si dhe të jetës si e drejtë natyrore. *Me dramën “Gjaku i Arbrit” e F. Krajës, 1981, ai i dha trajtë poetike e dramatike baladës shqiptare të Doruntinës dhe Kostandinit, si dhe asaj të Ago Ymerit, duke ndërtuar një spektakël të modelit epik, në suazat dhe përmasat e të madhërishmes, tragjikes dhe sublimes, çka u vërejt në mënyrën dhe stilin e lojës së aktorëve, në skenografi, në mizanskenë, etj. *Një nga tiparet e artit të S. Fankut është fakti se ai arrin të gërshetojë kompozimin piktural me lojën realiste të aktorëve, duke i çuar këta drejt karaktereve të vërtetë. *Shprehja e pastër e mizanskenës, paraqitja vizuale e tipit monumental, sensi i hollë dhe bukuria e fjalës poetike, bashkë me mendimin e figurshëm dhe ngarkesën metaforike të detajeve, janë disa nga cilësitë dalluese të këtij regjisori, të cilat u shprehën edhe në konceptimin e dramës “Baca i Gjetajve”, 1968, e F. Krajës. *Në vitet ’90 arriti të pasurojë dukshëm format shprehëse, si një regjisor me identitet të spikatur. *Koncepti i tij regjisorial ka synuar të diskutojë, sidomos pas viteve ’90, mbi problemet ekzistenciale të kombit shqiptar në zgripe e kthesa të forta të historisë, duke mbajtur qëndrim kritik ndaj miteve e tabuve, ndaj shtresimeve arkaike, atyre patriarkale e konservatore, si dhe ndërgjegjes kolektive destruktive përgjithësisht. Ai ka apeluar për përqafimin e një mendësie të re., etj.

Sigal

-Sigurisht në njohjen tuaj ka dhe copëza bisedash, kujtimesh, debatesh, që nuk njihen nga publiku i gjerë, si mund të na i sillni këto detaje jetësore për lexuesin?

Njohja me regjisorin elegant Fanko ka një rrugëtim shumëvitesh. Duke e parë nga larg, si bashkëqytetarin tim, te Serafini çdo gjë ishte elegante, shije, ecja, veshja, fytyra, shikimi, edhe flokët e sapothinjura… Dallohej nga të tjerët, veçanërisht “për modernitetin e tij” dhe dukej sikur “stononte” me realitetin ekzistues, që shpesh herë ishte i ashpër edhe për modën e veshjes. Në fakt, te Serafini çdo gjë ishte njerëzore, e zakonshme, etike e estetike e njëkohësisht evropiane. Miqësia jonë erdhi duke u forcuar dhe bisedat tona u bënë më të shumta, kur fillova punën si gazetar në Radio Shkodra. Intervistat e shpeshta, kultura e rrëfimit të tij, profesionalizmi… etj., nuk bënin gjë tjetër veçse plotësonin portretin e tij dhe e dritësonin atë. Më pas, pjesëmarrja ime në premierat, ku Serafini ishte regjisor, më vonë si regjisor e dramaturg; nisën të bëheshin më të shpeshta. Po, më të shpeshta ishin “trokitjet” në dyert e Teatrit si spektator, dashurues i Teatrit e si studiues. Më ka qëlluar, po shpesh, të merrja pjesë në diskutimet që bëheshin pas shfaqjes-premierë të vënë nga Serafini. Shikoja e dëgjoja trysninë, shpesh të ashpër të debateve, kritikat kot së koti e deri ato të karakterit ideologjik, që nuk mungonin etj. Disa drama të Serafinit, jo për fajin e tij, po për hir të prurjeve dhe imazheve të reja që sillte, “e trondisnin” këshillin artistik apo diskutantët e ndryshëm që merrnin fjalë. Vizioni i regjisorit Fanko shpesh nuk kuptohej… E “për të qenë brenda dhe i sigurt”, disa shfaqje “e kishin rrisk” t’u bëhej analiza ditë e net me radhë. Ka pasur shfaqje-premierë që në “biografinë e tyre” jepeshin deri në 10 herë, derisa “t’u jepej leja” për t’u shfaqur për spektatorin… Tani, sikur “drama” i plotësonte kushtet, ishte përmirësuar. Mendoni një çast botën e trazuar të regjisorit Fanko, bisedat e tij me vetveten, dramën e tij shpirtërore. Ai fliste në emër të artit bashkëkohor e, ata, ishin larg, shumë larg tij, shumë larg kulturës së tij… E vjetra dhe provincialja dukeshin dhe zhdukeshin e përsëri dukeshin me rrënjët e mykta, që i prodhonte realiteti ekzistues…

-Ju keni realizuar dhe një libër kushtuar Teatrit “Migjeni”, që ju ka kushtuar shumë vite punë. Në këtë libër është dhe emri i Serafinit. Si vjen ai në librin tuaj?

Kur po punoja për librin kushtuar Teatrit “Migjeni” me titull: “Teatrit ‘Migjeni’, kujtesa e një qyteti”, libër që më kushtoi 31 vjet punë, në mes aktorëve ishte dhe emri i Serafin Fankos, që e njoha edhe më në thellësi. Realisht për Serafinin mungon një monografi studimore. Mbase, dikush, ndonjë ditë do të kujtohet-Vitet kalonin- Erdhi një moment i trishtueshëm në jetën artistike të Serafinit, kur ai kishte nisur bisedën me vetminë. Në këtë kohë i telefonoj dhe i kërkoj një intervistë. Ai më kundërshton disa herë. Më në fund “dorëzohet”. I dërgoj pyetjet. Atë ditë, kur trokita dhe Serafini doli të më priste, pashë në fytyrën dhe sytë e tij një dritëz që nuk e kisha parë më herët, e përzier me ca pika loti. U përshëndetëm dhe u përqafuam. Pashë shënimet e tij anash fletëve të pyetjeve të mia. Ishte përgatitur, ashtu siç dinte regjisori. Ndoshta edhe ky bashkëbisedim i dukej si një “shfaqje e re. Mund të ketë zgjatur kjo intervistë rreth katër orë. Në fund më tregoi edhe “Muzeun” ku qëndronin trofetë e fituara me djersë, me mund, me talent. Në ikje u përqafuam përmallshëm. Nuk do ta shihja më, se kishte vendosur të jetonte në Tiranë. Teksa zbrisja shkallët, sikur më shfaqeshin rradhërradhë shfaqjet e regjisorit e dramaturgut Serafin Fanko. Më dukej vetja si në një amfiteatër dhe, ashtu, jo i vetmuar, po ndiqja dramat e vëna në vite, në fakt po ndiqja jetën e tij Mrekudhënëse kushtuar Teatrit, Regjisurës dhe Filmit.

-Pak është folur për jetën e tij, ose më mirë pak dihet. Ju si mik i tij çfarë keni zbuluar në detaje nga kjo jetë e mbushur me aktivitete?

Serafin Fanko lindi më 24.05.1937 në Shkodër. Ka një fëmijëri tragjike. Në vitet 1946 – 1948 Serafini së bashku me një motër ka “strehëz” Shtëpinë e fëmijës. Më vonë e merr gjyshja dhe do të jetojë me të. Që në moshë të vogël te Serafini xixëllojnë yjëzit e parë të një artisti të ardhshëm. Kjo është arsyeja që, gjatë viteve të shtëpisë pionierit, aktivizohet në rrethet e teatrit, pikturës, valles, këngës, etj. Në kujtimet e tij, aktori Ndrekë Prela (instruktor i rrethit të teatrit) thotë: “Serafini spikaste mbi të tjerët. Tek ai unë shikoja një djalë me përspektivë për skenën tonë”. Viti 1951. Valltar në Ansamblin e ushtrisë, ku qëndroi dy vjet. Për shkaqe ekonomike kthehet në Shkodër. Në qytetin e tij të lindjes, në fillim punon si shkrues në: Fermentim, NISH – Lëkura, NSHRAK, etj. Më vonë e shohim përgjegjës kulture në shtëpinë e oficerëve. Këtu, ai shkruan dhe vë në skenë një operetë me amatorët. Ndërkohë, nisi dhe botimet e para të poezive në gazetën “Zëri i rinisë”. Viti 1954. Punon si instruktor baleti në Klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”. Në këto mjedise kulturore njihet me shkrimtarin Fadil Kraja, që në vitet e mëvonshme këto dy emra (autor + regjisor), për shumë vite me radhë, për veprat teatrore që u vunë në skenën e teatrit “Migjeni”, ata do të jenë pjesë e historisë së tij, duke lënë vlera dhe gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar. Viti 1959. Serafini mbaron shkëlqyeshëm Liceun artistik “Jordan Misja”. Në këtë kohë, në Tiranë hapet shkolla e lartë për dramë. Serafini, pasi i nështrohet ritualit të konkursit, fiton. Pas tre muajsh jetë studentore, fiton konkursin për studime jashtë shtetit. Niset për studime në Çekosllovaki, për regjisor filmi. Kthehet pas dy vjetësh, dhe vitin e tretë dhe të katërt e bën, përsëri, në Institutin e Lartë të Arteve. (Gjatë shfletimit të arkivës personale të Serafinit, gjejmë një fotografi ku Artisti i madh Naim Frashëri i lë një përkushtim: “Të bëhesh artist nuk është vështirë, mjafton të kesh… talent dhe vullnet. Të dyja i ke, prandaj me guxim çaje rrugën përpara.” Kolegu yt Naimi (Frashëri). Detaje të tjera jete. Pasi mbaron shkollën, emërohet aktor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Në vitin 1966 shkon për specializim (regjisurë) në Tiranë. Gjatë kësaj kohe punoi edhe si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në kursin e parë. Përsëri vjen në Shkodër. Vë në skenë si dramë-provë pjesën “S’ndalet lumi me gardh”, kurse diplomën e mbron me dramën “Fisheku në pajë” të autorit Fadil Kraja. Në vitin 1979 zgjidhet deputet i Kuvendit popullor.

Intervistoi Albert Z. ZHOLI