Prof. Selman Sheme: Kontributi i rilindasit Hoxho Tasin në mbrojtje të trojeve, ndodhitë në kuvende dhe rreziqet e kohës

826
Sigal

Kontributi patriotik i rilindasit Hoxha Hasan Tahsini në mbrojtje të trojeve jug-shqiptare.

Delegat në Kuvendin e Frashërit dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

Kuvendi i Prevezës në mbrojtje të trojeve jugshqiptare.

                           ( Me rastin e 141 vjetorit të vdekjes)

Në  momentet kyçe të historisë shumëshekullore të popullit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci, kur Perandoria Osmane ishte futur në një krizë të thellë dhe trojet shqiptare rrezikoheshin nga ambiciet nacionaliste të shteteve fqinjë të sapoformuar, një kontribut të rëndësishëm në mbrojtje të trojeve jug-shqiptare, ka dhënë edhe rilindasi i shquar Hoxha Hasan Tahsini.

Dijetar i gjithanshëm dhe atdhetar i flakët.

Hasan Tahsini ishte jo vetëm një dijetar i gjithanshëm dhe personalitet poliedrik, por edhe një atdhetar e patriot i flakët, lëvrues i gjuhës shqipe dhe përhapës i diturive në gjuhën amtare, me një veprimtari politike të spikatur në mbrojtje të trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet shoviniste fqinje. Tek personaliteti i Hasan Tahsinit është shumë e vështirë të ndash atdhetarin nga shkencëtari, të ndash patriotin e penës nga luftëtari me pushkë në dorë, autorin e alfabetit nga propagandisti i zjarrtë në popull, shkencëtarin e kabinetit, nga përhapës i zellshëm i dijeve në masat e gjera. Në drejtim të formimit të tij atdhetar ndikuan ngjarjet mjaft të vrullshme të viteve 20-30 të shekullit XIX. Lufta e Ali Pashë Tepelenës dhe e Bushatllinjve kundër Portës së Lartë pati një jehonë të madhe në gjithë vendin. Tek Tahsini i ri, i cili i vogël u rrit në oborrin e Mustafa Pashës në Shkodër, kjo jehonë qe më e ndjeshme. Kryengritjet popullore të viteve ’30-50 e çuan më tej këtë proces dhe, në fillim të viteve ’60 Tahsinin e gjejmë midis organizatorëve më veprues të një kryengritje të re në veri të vendit. Veprimtaria patriotike e Hasan Tahsinit kulmon në prag dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në prill 1877 shpërtheu lufta Ruso-Turke, e cila kishte karakter të theksuar fetar. Dëshmi për këtë ishte proklamata që lëshoi Cari Rus më 24 prill 1877 me të cilin ai ftonte të gjitha kombësitë e krishtera të Gadishullit të Ballkanit të rrëmbenin armët në krah të ushtrisë ruse, pasi për ta tashmë kishte ardhur dita e çlirimit nga shtypësi musliman osman. Theksi i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë nga platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e saj për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit nuk kishte vend për shqiptarët muslimanë si subjekt “të së drejtës kombëtare”.  Në këto rrethana kur Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial qarqet atdhetare përparimtarë shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin e tërësisë territoriale të atdheut tek organizimi i kryengritjes së armatosur çlirimtare kundër osmanëve, që do të çonte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Nismën për të vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundër osmanëve e mori Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në maj të vitit 1877. Por ngjarjet, që ndodhën në frontin e luftës Ruso-Turke me thyerjen e qëndresës së Plevenit (Bullgari) ndikuan në orientimin e ri politik të lëvizjes kombëtare shqiptare. Më 18 dhjetor 1877 u formua “Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” apo siç u quajt shkurt “Komiteti i Stambollit”, në të cilin Hasan Tahsini ishte ndër themeluesit së bashku me Abdyl Frashërin, Pashko Vasën, Jani Vreton, Zija Prishtinën, Sami Frashërin e tjerë.  Në fund të dhjetorit të vitit 1877 kur trupat ruse po marshonin drejt Stambollit dhe po kërcënoheshin direkt tokat shqiptare nga pretendimet shoviniste greke mbi Çamërinë, Komiteti i Stambollit i kërkoi Portës së Lartë autorizimin për krijimin e reparteve vullnetare shqiptare për mbrojtjen lokale nga shovinistët fqinjë. Gjatë muajit shkurt 1878 tensioni politik për shqiptarët u rrit edhe më shumë pasi qeveria greke organizoi ekspeditën ushtarake kundër trojeve kombëtare shqiptare. Më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 vullnetarë të ashtuquajtur epirotë të rekrutuar në Greqi, të pajisur me armë e topa të ushtrisë helene dhe të komanduar nga oficerë grekë zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në afërsi të Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën fillimin e kryengritjes “greke” në viset e Epirit. Në këto rrethana në fund të janarit 1878 Hasan Tahsini shkon në vendlindjen e tij në Filat të Çamërisë ku gëzonte një autoritet dhe ndikim të madh dhe organizoi mbrojtjen vullnetare të krahinës. Në mbrojtje të Shqipërisë së Jugut u ngrit gjithë Çamëria dhe Labëria. Rreth 1000 dyfekë dolën vetëm nga zona e Filatit. Autori turk Ismail Habib lidhur me aktivitetin patriotik të Hasan Tahsinit shkruan:  “Hasan Tahsini ishte patriot i shquar. Në luftën me grekët në vitin 1878 në kundërshtim me moshën e tij të pleqërisë formoi një tabor vullnetar nga bashkatdhetarët e tij dhe u nis për në luftë”.

Duke parë rrezikun që kërcënonte trojet jugore shqiptare shkojnë në këto vise edhe rilindës te tjetë si Abdyl Frashëri, Abedin Dino e tjerë. Në krye të Komitetit të Shpëtimit Publik ushtarak, i cili do të merrej me formimin e organizimin e reparteve ushtarake vullnetare u caktua Abedin Dino. Ndërsa Sami Frashëri u ngarkua me detyrën e Sekretarit të inspektimit të këtij komiteti ushtarak.  Abedin Dino, Hasan Tahsini dhe krerë të tjerë lokalë i bënë thirrje popullsisë vendase për mbrojtjen nga agresioni grek. Thirrjes ju përgjigjën me mijëra vullnetarë, të cilët rrëmbyen armët për mbrojtjen e vendit. Për të ndihmuar në shpartallimin e vorioepirotëve, Abedin Dino duke shfrytëzuar postin e tij qeveritar thirri nga Janina (qendra e vilajetit) 1500 ushtarë dhe një kryqëzor turk, që ndodhej në detin Jon. Nga jugu i thellë i Shqipërisë erdhën shumë vullnetar të udhëhequr nga atdhetarët Jakup Çapari, Ibrahim Dalani, Tahir Mete Mazrreku, etj. Në mbrojtje të vendit luftuan edhe himarjotët të komanduar nga dy kapedanët e Bregut të Detit, Odise Kasneci dhe Sokrat Leka. Edhe Mustafa Nuri Vlora dërgoi 1600 vullnetarë për të zmbrapsur trupat greke. Pas rezistencës së fuqishme shqiptare më 23 shkurt 1878 banda greke u shpartallua plotësisht duke u tërhequr gjatë bregdetit derisa u hodh në Korfuz.

Delegat në Kuvendin e Frashërit dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Traktati i Shën Stefanit nuk e trajtoi çështjen shqiptare pasi për Rusinë Shqipëria nuk ekzistonte, si subjekt të drejtash politike. Sipas traktatit të Shën Stefanit gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike, ndërsa pjesa tjetër i mbetej Turqisë. Në këto rrethana kur copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë Komiteti i Stambollit adaptoi një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore:

1) Kundërshtimi me luftë të armatosur në emër të kombësisë shqiptare të çdo vendimi që do të merrnin Fuqitë e Mëdha në dëm të tërësisë tokësore territoriale të Shqipërisë. 2) Bashkimi i të gjithë trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar të pajisur me disa të drejta autonomiste. Siç dihet Traktati i Shën Stefanit u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, veçanërisht nga Anglia dhe Austro-Hungaria, të cilat kërkuan rishikimin e marrëveshjes së Shën Stefanit nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878. Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën Stefanit, nuk ishin të prirur që të merrnin parasysh interesat kombëtare të Shqipërisë. Në këto kushte Komiteti i Stambollit organizoi tre kuvende ndërkrahinore në Prizren, në Shkodër dhe në Frashër të Dangëllisë, të cilët shqyrtuan detyrat politike dhe përgatitën kushtet për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm në Prizren dhe formimin e Lidhjes Shqiptare. Në Kuvendin e Frashërit dhe në mbledhjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka marrë pjesë si delegat i Çamërisë edhe Hasan Tahsini. (AQSH, Fondi 270, dosja 49, fq,118) Pjesëmarrja në këto kuvende dhe kontributi i tij në mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe formulimin e programit autonomist për bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative, dëshmon qartë e flet shumë për atdhetarinë e Tahsinit. Programi autonomistë u diskutua në degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Dibrën dhe u miratua më 14 tetor nga të gjithë anëtarët e saj. Ndërkohë që një delegacion me intelektualë shqiptarë vendosi t’i paraqesë Portës së Lartë “Rezolutën e Dibrës” (programin autonomistë). Lindi përsëri rreziku i aneksimit të pjesë jugore të Çamërisë nga ana e qeverisë greke. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e saj.

Kuvendi i Prevezës në mbrojtje të trojeve jugshqiptare.

 Për mbrojtjen e trojeve jugore u organizua më 11 janar 1979 Kuvendi i Prevezës ku morën pjesë 400 delegatë. Ky kuvend kundërshtoi deri në fund dhënien e Çamërisë Mbretërisë greke deri në lumin Kalama. Për mbrojtjen e Çamërisë do të mobilizoheshin, siç thuhej në rezolutë, “të gjithë shqiptarët e aftë për luftë”.Vetëm Çamëria u zotua që në rast nevoje të vinte në dispozicion të Lidhjes 10.000 burra.

Kuvendi i Prevezës formoi tre komisione me detyra të posaçme:

1) Komisioni politik që do të qëndronte në Prevezë për të ndjekur nga afër punimet e Konferencës turko-greke, e cila do të shqyrtonte dhe caktonte kufirin në Epir dhe Thesali (Kongresi i Berlinit rekomandonte si vijë kufitare lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali.

2) Komisioni ushtarak i cili do të shpërndahej në Shqipëri për të organizuar forcat luftarake të Lidhjes.

3) Komisioni diplomatik që do të shkonte në Stamboll për t’i bërë trysni Portës së Lartë që të mos pranonte lëshimin e trojeve shqiptare Greqisë. Në krye të këtij komisioni u vu Abdyl Frashëri. Kur delegacioni turko-grek arriti në Prevezë delegatët e Kuvendit të Prevezës së bashku me popullsinë e qytetit shpërthyen në një demonstratë në rrugët e Prevezës. Presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin osman që të mos i nënshtrohej kërkesave greke.

Një rol të rëndësishëm në dështimin e punimeve turko-greke luajti personaliteti i njohur shqiptar, biri i Çamërisë, Abedin bej Dino, i cili ishte anëtar i delegacionit turk, por njëherazi anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes Shqiptarë për Vilajetin e Janinës Delegacioni turk u tregua i gatshëm t’i lëshojë Greqisë Thesalinë, por jo Epirin. Në maj 1881 Fuqitë e Mëdha i imponuan Portës së Lartë të lëshojë gjithë Thesalinë dhe një pjesë të Epirit, krahinën e Artës. Fusha e Artës e mbiquajtur dhe “Egjipti i Vogël” është një nga rajonet më të begatë të Çamërisë, ku ndodheshin edhe pika stragjike të rëndësishme si kalaja e Janinës e Prevezës dhe ajo e Artës, që historikisht kishin shërbyer si një prapavijë për qëndresën e shqiptarëve në trevat e tyre. Me aneksimin e Artës fillon vënia në jetë e programit politik grek të Megalo Idesë për pushtimin e Çamërisë. Gjatë gjithë periudhës së Krizës Lindore të gërshetimit të luftës së popullit tonë në frontin antiosman me atë antishovinist, personaliteti i Hasan Tahsinit u ngrit deri në shkallën e organizatorit të luftës së armatosur të popullit, deri në shkallën e një prej udhëheqësve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Veprimtaria më e gjerë patriotike e Hasan Tahsinit është zhvilluar në fushën e kulturës, shkrimit të gjuhës shqipe dhe përhapjes së diturive në këtë gjuhë, si një ndër fushat më të rëndësishme të luftës për çlirim dhe pavarësi. Për këtë qëllim që në vitet ’60 të shek. XIX, në bashkëpunim me atdhetarët e tjerë si Pashko Vasa, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Ismail Qemali etj, filluan të mendojnë dhe të veprojnë për krijimin e shoqërisë, që do të punonte për përhapjen e diturive, midis shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe.

Hasan Tahsini alfabetin e vet e hartoi qysh në vitin 1870. Është një punë e tillë, që tregon se kemi të bëjmë me një personalitet erudit dhe me kulturë, që ka njohuri për gjuhën dhe në veçanti për fonetikën.

Kurorëzimi i përpjekjeve të gjata të rilindësve në fushën e kulturës, ku spikat kontributi i Hasan Tahsinit është krijimi në vitin 1879 i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja shqipe apo Shoqërisë së Stambollit. Hasan Tahsini ishte një nga autorët e shquar të saj dhe luajti një rol të rëndësishëm për sa ekzistoi ajo.

Me përpjekjet e pandërprera në dobi të popullit, të kombit e të atdheut, për zgjimin dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare Hasan Tahsini vuri një gurë të shëndoshë në themelet e Pavarësisë së Shqipërisë.