Blerësi i databazës, ish-bashkëshorti i ministres aktuale, punoi për miliarderin rus në ‘listën e zezë’ të SHBA

720
Sigal

Ish burri i ministres Frida Krifca, dora e zezë që nxori listën e pagave; u pagua nga oligarku rus i skeduar nga SHBA si vegël e Putinit

 

Njeriu që bleu me para të dhënat e shqiptarëve për pagat tek punonjësit e korruptuar të Tatimeve është Endri Ikonomi, ish burri i ministres së Bujqësisë, Frida Krifca

Në jetëshkrimin që ka publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, ministrja e aferave në AZHBR, thotë se është vetëm nënë e dy fëmijëve, por nuk flet për burrin. Nuk dihet nëse ministrja mban sërish marrëdhënie apo jo me Endri Ikonomin, por ky i fundit, sipas prokurorisë, kishte arritur të korruptonte punonjësit e Tatimeve, duke u blerë të dhënat dhe kështu një ditë lista doli në publik. Po pse i duheshin të dhënat për pagat Endri Ikonomit?

Dy janë versionet:

Së pari, Endri Ikonomi punonte si përmbarues privat në mënyrë të paligjshme. Sipas Dhomës së Përmbarimit, Ikonomi ishte thjeshtë një mashtrues. Por, të dhënat për pagat, atij mund t’i jenë dashur si informacion për të zbuluar të ardhurat e personave, të cilët mund të ishin në shënjestrën e tij për t’u marrë pasurinë.

Së dyti, Endri Ikonomi mund të jetë rekrutuar nga shërbimet ruse, të cilat janë interesuar për të trazuar dhe destabilizuar Shqipërinë.
Endri Ikonomi është paguar dhe paguhet nga oligarku rus Oleg Boyko, i skeduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një personazh që mbështetet nga Moska për të ndërhyrë në zhvillimet e vendeve që janë pro SHBA.
Oleg Boyko i ka besuar Endri Ikonomit kompaninë Credit 2 All që ka hapur në Tiranë. Vetëm me anë të kësaj kompanie, oligarku rus, i akuzuar edhe për lidhjen me krimin e organizuar, e paguan Endri Ikonomin me një pagë 3.8 milionë lekë në muaj./Pamfleti

Skandali me pagat, një nga blerësit e databazës punoi për një miliarder rus në Shqipëri,një nga 100 biznesmenët më të pasur

 

Një nga të arrestuarit e Policisë për skandalin e pagërrjedhjes, Endri Ikonomi rezulton të ketë punuar deri së fundmi për kompaninë e një miliarderi rus në Shqipëri, e quajtur Credit 2 All (Digital Finance International SHPK), që sipas të dhënave të QKB, është e specializuar në konsulencë financiare dhe në produktet elektronike në këtë fushë.

Biznesmeni 57-vjeçar rus Oleg Viktorovich Boyko raportohet të ketë një pasuri prej 1.3 miliardë dollarë sipas Forbes dhe përshkruhet në faqen e tij të internetit si një nga 100 biznesmenët më të pasur rus, investitor ndërkombëtar prej 30 vitesh në industrinë bankare dhe shërbimet digjitale financiare dhe drejtues i Finstar Financial Group.

Megjithatë një raport inteligjence i Senatit të SHBA e citon oligarkun rus Oleg Boyko si person “Me lidhje shqetësuese me qeverinë ruse, inteligjencën dhe shërbimet e sigurisë së Rusisë dhe me lidhje me krimin e organizuar”.

“Shtypi moldav ka raportuar se Boyko ishte i përfshirë në një operacion të mbeshtetur nga Kremlini për influencimin e jashtëm të zgjedhjeve atje,” shkruhet në raportin sensitiv të SHBA, ku disa paragrafë janë të censuruar.

Një investigim i platformës së gazetarëve rumunë anti-korrupsion “Black Sea” e citon Oleg Boykon si investitorin e Fashion TV që së bashku me një partner në Letoni e kanë përdorur Maltën si parajsë fiskale për të operuar në Europë dhe SHBA ndërsa kanë fituar shuma marramendëse për kredi emergjente tek më të varfrit e Europës pa paguar taksa.

Nga të dhënat e QKB rusi ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë më 8 maj 2018 nga pronari i mëparshëm: Piressa Holding Limited një kompani që operonte në parajsën fiskale Qipro, një ditë pasi administrator i saj emërohet i arrestuarit i policisë Endri Ikonomi i cili ka punuar deri më 17 shtator 2021. Vlado Cvetkosvki rezulton administrator i kompanisë nga tetori 2021.

Oleg Viktorovich Boyko e përshkruan misionin e Finstar si pararojë në “përdorimin e teknologjisë së thellë dhe shkencës së të dhënave për të siguruar gjithëpërfshirje financiare globale”.

Zbulimi i të dhënave personale dhe pagave të qindra mijëra shqiptarëve tronditi vendin në muajin dhjetor dhe ngriti shqetësime për cënimin më të rëndë të privatësisë në këtë shkallë në Shqipëri.

Policia ka arrestuar sot katër persona për skandalin e pagërrjedhjes, dy prej të cilëve janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy personat e tjerë janë punonjës të sektorit privat.

Kush janë katër të arrestuarit për skandalin e pagërrjedhjes?

Eni Qirjako, specialiste IT-je në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ajo i ka kaluar kolegut të saj Andi Agarajt të dhënat sensitive të qytetarëve shqiptarë përmes e-mail-it. Qirjako rrezikon 6 muaj deri në 7 vite burg për shpërdorim detyre.

Andi Agaraj, specialist IT-je në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka marrë të dhënat nga kolegia e tij Eni Qirjako dhe i ka shitur te dy subjekte private për 20-30 mijë lekë. Agaraj rrezikon 6 muaj deri nës 7 vite burg për shpërdorim detyre dhe 2 deri në 8 vjet burg për korrupsion pasiv.

Klodian Sota, i punësuar si menaxher pranë kompanisë private “SMART Collection”. Kompania ku Sota punon ka si funksion mbledhjen e detyrimeve të prapambetura dhe kredive të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të tretë. Shërbimi i kompanisë është call-center me funksion përmbarues.  Rrezikon 1 deri në 3 vite burg për korrupsion aktiv.

Endri Ikonomi, drejtor i kompanisë “Credit 2 All”, ofron ndërtimin e produkteve elektronike për institucionet financiare kredidhënëse dhe konsulencën financiare për shoqëritë e interesuara. Ai rrezikon gjobë ose burgim deri në 5 vite për korrupsion aktiv sipas Euroneës

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj sqaroi skemën e abuzimit, ndërsa theksoi se nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje në rrjetin kompjuterik por me punonjës që kanë shpërdoruar detyrën.