Bashkim Koçi: Vigjilenca Demiraj, mjekja që në recetë vendos edhe zemrën

75
Sigal

“Ndoshta për këtë fakt, jeta e tyre plot mundime e të papritura gjatë luftës, u kishte diktuar këshillën aq të vyer për ta, por edhe për njerëzimin në të gjitha kohërat, “gjërat në jetë, të mira apo të këqija, vijnë në mënyrë të papritur, ndaj duhen mbajtur sytë hapur, pra të jemi vigjilentë”. Dhe këtë porosi që vjen nga lashtësia, për të mos e harruar, e përjetësuan tek emri i vajzës së tyre, tek Vigjilenca.”

Nuk më kish rënë rasti të dëgjoja një emër femre Vigjilencë. Madje në fillim  nuk e besova, por kur doktoreshën, me këtë emër të bukur, por disi të “panjohur”, e kontaktova në proces të punës së saj, aty ku punonte për të shpëtuar jetë njerëzish. Edhe nga ky fakt më duhej që të mos e harroja kurrë.

Po përse ky emër, Vigjlencë? Nuk e kam pyetur dhe nuk kam “guxuar” t’i kërkoj shpjegime kësaj mjeke të nderuar, duke e konsideruar diçka intime, por kur mora vesh se ajo është bijë e dy ish luftëtarëve antifashistë, e dy partizanëve të Luftës së Dytë Botërore, e çiftit shkodran Ramiz e Muazes Mustafës, kam menduar se edhe emri i vajzës së tyre, lindur pas luftës, ka të bëjë me idealet  e tyre që kanë shumë emra, por ai Vigjilencë u është dukur më i gjetur e më i bukur.  Dhe meqë jemi dhe zumë në gojë emrat e prindërve të saj, duhet të them diçka rreth jetës dhe vuajtjeve të tyre e që ia ka vlejtur të sakrifikoheshin aq shumë. Ramiz e Muazes Mustafa gjatë viteve të luftës çlirimtare iu desh të përjetonin e të lëndoheshin me atë çka ua dha si peshqesh lufta, por që ajo ishte rruga e zgjedhur prej tyre, rruga që përcaktonte jo vetëm drejtimin, por edhe fatin e së ardhmes të atdheut. Shkodrani Ramiz Mustafa është një ndër të dënuarit e kampit famëkeq të Prishtinës e ndërsa nëna Muazes, një ndër rastet e rrallë e cila, për shkak të terrorit dhe gjendjes që iu krijua në shtëpinë ku jetonte nga pushtuesit dhe përfaqësuesit e qeverisë kuislingë të Shkodrës, mori fëmijët e doli ilegale. Ndoshta për këtë fakt, jeta e tyre plot mundime e të papritura gjatë luftës, u kishte diktuar këshillën aq të vyer për ta, por edhe për njerëzimin në të gjitha kohërat, “gjërat në jetë, të mira apo të këqija, vijnë në mënyrë të papritur, ndaj duhen mbajtur sytë hapur, pra të jemi vigjilentë”. Dhe këtë porosi që vjen nga lashtësia, për të mos e harruar, e përjetësuan tek emri i vajzës së tyre, tek Vigjilenca.

Vigjilencë Demiraj (Mustafa) ka lindur pas çlirimit. Ajo u rrit e u shkollua falë kujdesit të dy prindërve të saj, Ramizit e Muazesit, të cilët atë që nuk e përmbushën dot vet, pra të shkolloheshin e të bëheshin dikush në jetë, të mund ta realizonin këtë ëndërr tek fëmijët e tyre, edhe tek vajza, tek Vigjilenca. Nuk është koha që ngjiz njeriun, por njeriu që krijon emrin e tij, që mbjell dhe selit të ardhmen për të sotmen dhe vitet që vijnë. Kjo filozofi e jetës do të udhëhiqte edhe Vigjilencë Demiraj. Ajo përfundon studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1979, me rezultate të shkëlqyera, me notë mesatare 9.8. Dhe ky shkëlqim di t’i shërbente për ardhmërinë e saj, e madje ta armatoste me guximin për të ecur në rrugë të pashkelura. Duke qenë e tillë, ajo u bë shpejt anëtare e Katedrës së Sëmundjeve të Brendshme qysh në vitin e tretë të Fakultetit si dhe u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e Këshillit Shkencor të Fakultetit. Së bashku me stafin e profesoriatit organizonte dhe drejtonte eventin më të rëndësishëm shkencor të përvitshëm në Fakultetin e Mjekësisë, Sesionin Shkencor Vjetor, ku paraqiteshin punimet më të mira shkencore të përbashkëta, pedagog-studentë. Bazuar në këto atribute, menjëherë pas mbarimit të fakultetit u propozua nga stafi i Fakultetit të Mjekësisë, për të qenë pjesë e tij si pedagoge, por për shkaqe që u “ujdisën bukur” nga ata që ishin dhe mbeten ende armiq të betuar ndaj  Komunistëve Çlirimtarë, siç ishin dy prindërit e Vigjilencës, do të “qortohej” për ta larguar në mënyrë të pakthyeshme.

Nëse do të donim të vlerësonim punën plot pasion të kësaj mjekeje, me patjetër ajo e meriton një kurorë, kurorë që është shpërblim modest i punës të një jetë të tërë. Vitet që ajo punoi e punon si mjeke specialiste ndaj pacientëve pranë Klinikës Universitare të Gastroenterologjisë, QSU “Nënë Tereza” për më shumë se 35 vjet, janë mjaftueshëm të përdorësh togfjalëshin: “Vigjilencë, puna jote dhe emri yt e kaluan suksesshëm provën e kohës.” Sepse janë shumë vite-provë që njeriut i mjaftojnë të shpalosë përkushtimin e tij për punë të ndershme, të shpalosë jo vetëm aftësitë si profesionist, por më së shumti pasionin ndaj të cilit, Vjollca Demiraj  ishte dhe mbetet ende skllave e tij, ashtu si një përrua, që zbret nga mali, e që nuk mund ta ndalësh dot.

Çdo mjek duhet të furnizohet me dije, jo vetëm me ato që gjenden në libra, por edhe pacientët, të cilët duhet të jenë “librat” e tij të preferuar. Nëse ndjekim udhëtimin e kësaj mjekeje për të mbetur në çdo kohë “e kohës”, mjafton të sjellim faktin se ajo ka dhënë 8 provime pasuniversitare, nga të cilat, tre në gjuhë të huaja. Në fushën e specializimeve mbetet të jetë “kampjon më vete”. Kurset pasuniversitare, specializimet në fushën didaktike apo si lektore dhe kërkuese shkencore brenda e jashtë vendit, mbeten një garë që nuk mund të parashikosh se kur do të mbarojë. Kualifikimet e specializimrt në Firenze e Padova (Itali), në Slloveni, në Kanada (Vancouver,Toronto), në Kroaci dhe në dy projekte të Komunitetit Europian, janë të mjaftueshme për të thënë se mjekja Vigjilencë Demiraj ka “shëtitur botën” për ta sjellë përvojën, përparimin e shkencës  në Shqipëri. Dhe e ka sjellë jo me teori boshe e fjalë të bukura, por në plot kuptimin e fjalës, duke aplikuar  tek pacientët metoda bashkëkohore të trajtimit shëndetësor. Madje ajo në një farë mënyre e ka ndjerë veten të lumtur e të përmbushur për qëllimet që i ka dhënë vetes.

Suksesi është përdorimi më i mirë i aftësive. Dhe kjo gjë mund të bëjë të arrish në majë. Por që të qëndrosh aty duhet të kesh edhe një karakter të fortë. Vigjilenca, kjo mjeke me zemër e shpirt të madh, i kish të vetat, prona të patjetërsueshme këto dy gjëra kaq të çmuara për një specialist të fushës së mjekësisë. Aktualisht ajo punon pranë Spitalit Amerikan 2 dhe Santa-Plus, në Tiranë. Sigurisht edhe këtu ajo vazhdon të jetë pjesë e historive të suksesit dhe pa u ndikuar aspak nga verbëria e njeriut të vetëkënaqur. Vigjilenca Demiraj nuk e ka braktisur kurrë  karakterin e saj të fortë, atë karakter që e bën të jetë këmbëngulëse dhe e motivuar ndaj idesë se lumturia dhe kënaqësia  në profesion nuk kërkohet kurrë, porse do t’i gjesh gjatë udhëtimit. Për këtë mjeke të pasionuar marrëdhënia me pacientët mbetet e pandryshkur: Ju merrni shëndetin dhe unë kënaqësinë e madhe që shpëtova dhe shërova një njeri.

Sipas saj puna e mjekut është nga më të bukurat. E di pse? Sepse të jep një kënaqësi që nuk e gjen kund, një kënaqësi që as nuk shitet e as nuk blihet me para. Nuk ka gjë më vlerësuese, madje më shumë se të ngrejnë një monument, kur shikon njeriun, i cili mbëriti në spital pashpresë e, në sajë të ndërhyrjes për ta kthyer në jetë, ai e arrin këtë gjë, i kthehet buzëqeshja dhe me plot besim guxon të jetojë ashtu si më përpara, i shëndetshëm. Vigjlenca në marrëdhëniet me të sëmurin, për të mbetur e papërlyer, e painfektuar nga ato çka e bëjnë të neveritshëm profesionin e mjekut, është udhëhequr nga parimi për ta parë pacientin si njeri, me halle e probleme që të sjell jeta, si familjar me të gjitha problematikat që mund të ketë, pra ashtu si do të dëshironte edhe ajo ta shihnin atë. Ja, për të gjitha këto, profesioni i mjekut është aq i vështirë, profesion aq delikat e që nuk pranon të rrahësh gjoksin, të mbahesh të jesh “i shtrenjtë” pse ke një diplome. Jo. Profesioni i mjekut është diçka tjetër, një aliazh profesionesh ku mbretëron ai i dashurisë  për njeriun, ashtu si ai që ushtron pas kaq dekadash Vigjilencë Demiraj.