Rugova: Udhëheqësit shqiptarë të betohen në Krujë

78
Sigal

Ndodhemi në Krujë, teksa në Tiranë po mbahet Samiti i radhës i Berlinit dhe për një çast përfytyrojmë se pritja e liderëve të Europës nuk po bëhet para godinës së Kryeministrisë, por bash në kalanë e Krujës… nga kryezoti i shqiptarëve, i njohur si shpëtimtar i Europës në shekullin XV. Mirëpo nëse protokolli qeveritar e ka harruar Krujën dhe delegacionet e huaja nuk ngjitën më zyrtarisht deri këtu, turistët janë çdo çast të pranishëm, sa drejtori i muzeut kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Mehdi Hafizi, e ka të vështirë të shkëputet prej tyre për t’u përshëndetur me ne të njohurit e tij. “Është muzeu më i vizituar në vend, këtë sezon e kanë vizituar 94 mijë turistë dhe, siç e shikoni, vazhdon të vizitohet pareshtur…”, -thotë ai. Drejtor Mehdiu, plot pasion dhe dituri, prej 32 vitesh në këtë tempull të rrallë të trashëgimisë tonë kombëtare, njeriu i duhur për të mikpritur turistët, historinë tashmë e shqipton si një poemë, ashtu si të gjithë ciceronët.

Ai kujton shumë biseda, por pëlqen të riprodhojë për ne fjalët e Ibrahim Rugovës, kur vizitoi Muzeun në vitin 1995: “Të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijnë këtu në Krujë për t’u betuar, para se të marrin detyrën e lartë shtetërore”. Ishte vizioni i tij për shtetin e ardhshëm të Kosovës, pasi ai ishte i sigurtë për pavarësinë e saj.

Kruja ngase është kryeqyteti i historisë kombëtare asesi nuk duhet parë si një periferi administrative e Tiranës apo Durrësit.

Duhet thënë se nuk është i lehtë raporti i shtetarëve me Krujën dhe jo vetëm. Miqtë tanë, që na shoqërojnë, tregojnë se kur erdhi Enver Hoxha për vizitë më 1968, kanë sjell njerëz me makina nga kryeqyteti, pasi krutanët nuk duartrokisnin. E njëjta gjë ka ndodhur në një rast të ngjashëm dhe në Gjirokastër, ku kishin mbushur saurelat me njerëz nga rrethet fqinje. E kur njerëzit guxonin mos me e duatrokit udhëheqjen në diktaturë, mendoni sa e pamundur është të të duartrokasin në demokraci! Ndaj dhe sot disa evente qeveritare paraprihen nga të “ftuar” që mbushin sallat apo sheshet…

Kjo sjellje shpjegohet me karakterin krutan dhe përgjithësish shqiptar, çka shprehet dhe në personazhe të qytetit në prehër të “Sari Salltikut”. Njëri ndër ta, Saimir Kupi, nacionalist, bir i familjes së njohur të Abaz Kupit, kulla e të cilit gjendet në Perlataj, u internua qysh 15 vjeç dhe më pas u burgos; burrë i fisëm që e çoi jetën në ngujim politik, si “hasëm” i komunizmit, sa nuk arriti as të krijonte familje e të kishte pasardhës, në fillim të viteve ’90 e gjykonte demokracinë me “degë” të të njëjtit trung politik, atij të djeshëm.