Bashkim Koçi: Todo Gjermani, shkencëtari i vreshtarisë shqiptare

430
Sigal

 

 

Njerëzit që ecin përpara në këtë botë janë ata që ngrihen dhe kërkojnë për rrethanat që ata duan, dhe kur nuk i gjejnë, i krijojnë. Sapo citoj këtë ekstrat të mendimit njerëzor, me anë të të cilit vlerësohet  këmbëngulja dhe vullneti për të arritur të pamundurën në një punë të caktuar, mendja më shkon tek mjeshtri i madh i vreshtarisë shqiptare, Todo Gjermani. Arritjet e tij në vreshtari, në saje të inteligjencës dhe një  pune të pashoqe,  janë si ai “guri rubin”, i cili nuk e humb shkëlqimin edhe pse kanë kaluar disa dekada.

Todo Gjermani bën pjesë tek ajo kategori njerëzish të cilët hedhin diçka të mirë për diçka më të mirë. Dhe nuk qëndrojnë për të pritur të mirën. Jo. Ashtu si Todo, ata e ndjekin punën për të zbuluar më vonë se e mira ishte mjaft e mirë, dhe më e mira ende nuk ka ardhur. Me këtë stil të tijin e ngrysi të gjithë jetën Todo Gjermani si specialist i vreshtarisë.

Po cili është Todo Gjermani? Ai lindi në fshatin tashmë shumë të njohur të Boboshticës në Korçë më 23 shkurt të vitit 1913. Shkrim e këndim mësoi aty në Boboshticë, në shkollën e hapur për herë të parë në vitin 1917, nga Mihal Kuneshka, një emigrant i shkolluar në Rumani dhe i kthyer në vendlindje, në Boboshticë. Kujtojmë këtu se nga ky fshat ishte edhe një shqiptar tjetër i shquar, akademiku, poeti dhe shkrimtarit Viktor Eftimiu.

Vitet iknin njëri mbas tjetrit dhe më 1936, kur Todo ishte 23 vjeç, atëherë kur sapo kishte mbaruar Liceun e Korçës, do ta mrekullonte fati. Atij iu dha mundësia që të specializohej për një degë të veçantë të bujqësisë, për vreshtari, në një nga shkollat e larta me emër në Europë, në Institutin “Gureydom” në Montpelie, në Francë. Si i ri që ishte, kur ndjenjat janë akoma rrëmujë, ai nuk iu nda pasionit që fshihte brenda vetes, duke i përfunduar mësimet shkëlqyeshëm dhe për të qenë i gatshëm për të kryer punë si ato që kish parë e mësuar në Francë, nga mësimet dhe praktikat që i ishin fiksuar në mendje e në zemër, e si të shpjeguara aq bukur nga profesori francez, Mishel Dybua.

“Shtrimin”, për zbatimin në praktikë të specialitetit të vreshtarit të shkolluar, Todo e bëri në fshat, në Boboshticë. Aty pranë familjes, dhe nën mbikqyrjen e vëmendëshme të baba Milos, i cili, për aq sa e ushtroi profesionin aty në pemëtoret e familjes, ia pëlqeu punën. Madje, edhe pse nuk e bëri veten, u çudit që djali i tij i porsa ardhur nga Franca, sillej me pemët si të ishte rritur bashkë me to, të vinte dorë në shërbim ndaj tyre si një usta i lindur, si një mjeshtër i vërtetë.

I porsa diplomuari Todo Gjermani nuk ishte shkolluar për punë të vogla, si ato që të kufizonin në sipërfaqe pemëtoresh “kopshtije”, si ato të baba Milos. Ai e kishte praktikuar profesionin në plantacione të mëdha të mbjella me vreshta, në sipërfaqe që nuk t’i kapte dot as syri, siç ishin ato në Montpelie të Francës. Dhe nisur edhe nga ky gjykim, atë nuk e mbante vendi që të mund të gjendej aty ku edhe të justifikohej përgatitja si specialist i vreshtarisë. Ishin vitet e para të pasçlirimit të vendit nga pushtuesit dhe që Shqipëria kish dalë e djegur dhe e shkatërruar nga lufta, aq sa çdo gjë duhej të fillonte nga e para. Todo e kishte të përcaktuar sektorin ku do të mund të bëhej pjesë e rimëkëmbjes së vendit. Nëse të tjerët po kontribonin në fusha të ndryshme, si për ngritjen e shkollave, të rindërtimit të rrugëve e të urave, të tharjes së kënetave e të tjera punë të mëdha që do t’i shërbenin popullit të lodhur e të sakatuar nga lufta, ai e gjeti veten në fushën për të cilën ishte shkolluar, në bujqësi. Në bujqësi, po ku konkretisht? Agronomit Todo Gjermani, edhe pse ishte specializuar për vreshtari, iu caktua të mbulonte zonën jugore të vendit, dy rrethe të njohur për mbarështimin e vreshtave e të hardhisë, siç ishin Përmeti e Leskoviku. Pasioni për të bërë punë shkencore e nxiti që të pyeste dhe të konsultohej me mjeshtra të kultivimit të rrushit, duke mbajtur shënime me synimin që ajo “fletorja” e vogël dhe e zhubrosur t’i shërbente më pas si të ishte piknisje për të zbuluar e zbatuar në praktikë mjeshtërinë e kultivimit të rrushit në vreshta, nisur edhe nga përvoja shumëvjeçare dhe e traditave të vendit. Në shënimet që ka lënë specialisti merakli Todo Gjermani, në ato fletorkat që nuk ta mbushin syrin, të cilat janë me plot të dhëna shkencore, gjen fakte që të mahnisin për forcën e karaktetit dhe të dashurisë për profesionin të këtij njeriu pasionant e të ditur. Aty i gjen emrat dhe karakteristikat e shumë kultivarëve të rrushit të vendit, një pjesë e të cilëve sot janë zhdukur. Debinën Cipëtrashë, Koridhin e Zi, Debinën Pikalore, Mereshnikun, Mjaltësin e shumë të tjerë janë dhe kanë gjetur strehëz vetëm në shënimet dhe librat e Todo Gjermanit. Sigurisht, në punë e sipër, Todo bëri zbulime po kaq shkencore edhe në Përmet, sidomos në zonën e Dëshnicës tek e cila ka patur dhe ka mjeshtra të jashtëzakonshëm për kultivimin e hardhisë në trajtë pjergulle. Specialiteti që kishte studjuar në Institutin “Gureydom” në Montpelie, Todo Gjermani, ëndërronte për të bërë gjëra të mëdha.

 

Ai për këtë ishte besimplotë sepse nuk i mungonin as dijet, as durimi dhe as pasioni për të sjellë diçka të re në mbarështimin e vreshtarisë, atë të prodhimit të verërave, në sektorin ku mjedisi, klima dhe toka, ishin si një dhuratë e çmuar e natyrës. Këtë gjë ai e dinte ndaj nuk mund të bëhej shkaktar për ta shpërdoruar. Dhe fati i trokiti në derë. Në fillim të vitit 1946 atij iu ngarkua detyra e përgjegjësit të fidanishtes antifilokserike, e cila po ngrihej për herë të parë e që projektues dhe zbatues ishte përzgjedhur Todo Gjermani. Për Todon kjo ishte vetëm një pjesë e ëndrrës, sepse të tjerat ai dinte t’i bënte vetë. Por brenda një kohe të shkurtër, vetëm pas gjashhtë muajsh, ai u ngarkua me një detyrë goxha të lartë, atë të drejtorit të NB “Irakli Terrova”, në një nga ekonomitë më të mëdha e më me peshë për furnizimin e qytetit të Korçës me të gjitha produktet bujqësore e blegtorale. Vitet e jetës të Todo Gjermanit aty në NB “Irakli Terrova” nuk kishte si të mos bëheshin pjesë e goditjeve që vinin nga njerëz që kërkonin t’i shpallnin “luftë”, aty ku nuk kishte as armik e as hije të ndonjë armiku. E, meqë në Boboshticë duhej të cilësohej një kulak, një nga fshatrët që dispononte më shumë tokë se të tjerët, ky që do ta “gëzonte” këtë titull, pra “armik i klasës” ishte i ati i Todos, Milua. Kaq iu desh “vigjilentëve”. Muaj më pas iu gjend një punë tjetër  “armiqësore” e kryer nga Todoja,  krejt banale, e që për shkak të saj Todo Gjermanin, do ta izolonin në qeli. Nuk po meremi me hollësira qysh e tek, për ç’gjë e bënë pis njeriun e punës dhe idealistin Todo, por ai aty nuk qëndroi gjatë, e liruan për mungesë provash, duke e larë këtë padrejtësi me porosinë nga lart “Todua të rifillojë punën aty ky ishte”. Po ku mund të mbante mbi supe, t’u përgjigjej pyetjeve të njerëzve “pse e si të ndodhi që të futën në qeli” Todo Gjermani? Për këtë arsye ai vendosi të shkonte familjarisht, me gruan, Aliqin dhe djalin e vogël, Agrikolin, pranë familjes në fshat, në Boboshticë.

Aty në fshat, i drobitur dhe i zhgënjyer për punën që kishte bërë, por me shpresë të madhe për t’ju rikthyer profesionit, ndodhi çudia. Në fund të vitit 1950, përpara Krishtlindjeve, Todos, aty në shtëpinë e prindërve në Boboshticë, postieri i dorëzoi një zarf  brenda të cilit qëndronte vendimi për emërimin e tij si shef i sektorit të Fruti-Vitikulturës në Stacionin e Kërkimeve Bujqësore në Tiranë. Ishte një vetëtimë në qiell të kthjellët. Urdhëri mbante firmën e ministrit të Bujqësisë të atyre viteve, Iljaz Rekës. Në ato çaste gëzimi agronomi i ri, Todo Gjermani, më shumë vlerësoi heqjen e “njollës në biografi”, sesa punën, e cila tani e tutje përbënte jo thjesht një punë dosido, por se i çelej rruga e ngjitjes në shkallët e dijes dhe të eksperimentimit shkencor, në fushën e ëndrrës së tij, atë të vreshtarisë. Ca më shumë e ndjeu optimizmin se do të realizonte diçka nga synimet e tij të projektuara në mendje, kur filloi punën, kur përpara tij u shfaqën ca djem të rinj, vërsnikë të tij, të cilët jo vetëm se ishin me plot energji e të gatshëm për të shërbyer aty në punë krijuese, por edhe sepse që të gjithë ishin shkolluar e përgatitur jashtë vendit. Drejtor të stacionit gjeti Adem Deliun, cili kishte studiuar në Universitetin e Torontos, në Itali dhe, për shkak të përfshirjes në luftën çlirimtare, diplomimin e mbaroi në Akademinë “Timirjazev”, në Moskë. Me universitet dhe shkolla të larta ishin edhe Mentor Përmeti, Miri Papajani, Merkur Mero, Sulejman Xhepa, Skënder Gozhita, Thanas Nase, Abedin Çiçi, Liri Tirana e Athanas Stani, e që të gjithë mbetën korifej të bujqësisë shqiptare.Todo Gjermani tashmë ndodhej dhe punonte në një institucion shkencor siç ishte Stacioni i Kërkimeve Bujqësore “I.V. Miçurin”. Aty ishin të gjitha kushtet që të mund të studjoje, të eksperimentoje e të krijoje, të bëheshe i dobishëm për degën më të rëndësishme të ekonomisë, siç ishte bujqësia. Ndërkohë shteti, edhe pse i varfër, copë-copë, nuk u kursye për të krijuar kushte optimale e për të kryer punët në mjedise që kërkonte shkenca. Ai, pra shteti, kishte vënë në dispozicion jo vetëm zyra, mjete laboratorike, punëtorë të kualifikuar, por edhe 40 Ha tokë, sipërfaqe që ndodhej në afërsi të kryeqytetit, në Laprakë. Në këtë mjedis ku binte era shkencë, specialisti Todo Gjermani u çfaq ai që ishte në të vërtetë. Një nga studimet e tij, që mbetet ende nga më të plotët dhe me efektivitet të jashtëzakonshëm, është ai i zhvillimit dhe perspektivës të kulturës së mollës në rrethin e Korçës. Nëse blloqet me mollë të Dvoranit, që më pas u quajtën sektori “Mollas”, morën atë emër të madh, duhet thënë se aty është edhe emri i të madhit Todo Gjermani. Dhe emri i tij tashmë ishte konsoliduar dhe zinte vend në radhët  e specialistëve më në zë të kohës. Madje kjo punë e mirëfilltë shkencore, me rezultate shumë të mira në të gjithë sektorët, drithëra, pambuk, vreshta e pemëtari, në atë të mbrojtjes së bimëve, ndikuan që Stacioni e Kërkimeve Bujqësore të gradohej një shkallë më të lartë dhe të emërtohej “Instituti i Kërkimeve Bujqësore”. Emri i mirë i Todo Gjermanit përmendej gjithandej, jo vetën brenda institucionit shkencor,  por edhe në bazë, aty ku mbillej, korrej dhe sidomos tek vreshtarët e mbarështuesit e pemëve.

Dhe të gjithë këta zëra “trokisnin” edhe në dikaster. Kur erdhi momenti për t’i vënë gishtin njërit nga specialistve më të mirë të vendit për ta ngarkuar në detyrën e drejtorit të NB “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, ministri i atëhershëm i Bujqësisë, Hysni Kapo, thirri Todo Gjermanin. Ishte muaji gusht i vitit 1953. Atë çka i duhej të përballonte dhe ndërkohë ta ndryshonte rrënjësisht, Todo Gjermanit i duhej guxim, por edhe urtësi për t’i realizuar gjërat me sirá, që të gjitha së bashku ta çonin aty ku ai shikonte ëndërrën. E çfarë i duhej Todos për të mbëritur deri atje? Një diçka fare e “vogël”, të bëhej transformimi tërësor i zonës, nga hiçi tek përgatitja e sipërfaqeve të sistemuara, të projektuara si për një pemtore e vreshtari intensive, më saktë për të realizuar një mrekulli. Por siç edhe thamë, emri i tij i mirë  kish marë dhenë, duke krijuar tek të tjerët autoritet të padiskutueshëm. Nëse ai piketoi për të afruar rreth vetes agronomë, inxhinierë, mekanizatorë, topografë, punëtorë të kualifikuar të vreshtarisë, etj., dhe të gjithë këta t’i vinte në rrjesht, nën komandën e tij, për të vënë në jetë projektet jo pak të vështira, u realizuan në saje të autoritetit dhe formimit të tij si njeri që nuk pranonte asnjë kompromis në dëm të punës. Kujtoj këtu se në këto punë të mëdha drejtor ishte skraparliu Hamza Toto dhe specialist, më i domosdoshmi për trajtimin e vreshtave e pemtoreve për të luftuar sëmundjet dhe dëmtonjësit. Profesori i mirënjohur, i cili do të linte emër në vitet e mëpastajme si pedagog në shumë breza studentësh, Abdulla Kapidani. Po sjellim vetëm një rast ku Todo mund të merrte goditje të pariparueshme. Ishte 28 Maji i vitit 1959, ditë kur Hrushovi, në krye të një delegacioni të ardhur nga BS dhe i shoqëruar nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, vizitoi Shkodrën. E ku mund ta çonin Hrushovin që të mund të nderoheshin veçse në vreshtat e Shtoit, aty ku kish ngritur mrekullinë Todo Gjermani? Ç’ndodhi?! Pasi Hrushovi e dëgjoi me vëmendje Todon, në prezantimin që u bëri punëve, me dy fjalë ia hodhi poshtë leksionin, duke rekomanduar që ai vend, meqë liqeni Shkodrës ishte aty afër, do të dëmtonte hardhitë dhe pemët, mbasi ujrat nëntokësorë ishin shumë afër. “Ta mbillni misër”, porositi megallomani Hrushov, i cili kishte mbaruar shkollën e lartë për agronom. E çmund të bënte Todo kur aty në krah qëndronin edhe Enver Hoxha me Mehmet Shehun? Por ai, si specialist i guximshëm e me mendje të kthjellët, tha atë që dinte, por edhe me vendosmërinë e njeriut që nuk ka frikë të thotë të vërtetën. Ujrat nëntokësorë, nuk na paskeshin qenë afër sipërfaqes, por thellë, shumë thellë, aq sa e detyruan Nikitën të bëlbëzonte nëpër dhëmbë: ‘Da, da, pazhallusta (Po, po, ju lutem)’. Në çast Enver Hoxhës i çeli fytyra, ndërsa Mehmet Shehu vazhdoi ligjëratën e filluar, duke mbështetur fort specialistin Todo Gjermani. Eshtë një fjalë goje të shkruash për atë çka u bë për punimet e tokës, të sigurimit të fidanëve të varieteteve më të mirë, të cilët duhej të vinin nga jashtë, të mbjelljes me të gjithë kriteret shkencorë e shumë e shumë “vogëlsira” të tjera, të cilat mund t’i mendojë e përfytyrojë realisht vetëm ai që i ka hequr në kurriz të tilla punë.

Më duhet të them se kjo sipërfaqe e madhe vreshtash prej 720 Ha, përveç 200 Ha të tjerë me pemëtore, ishin ndër të paktat në shkallë vendi  që u trajtuan e që u arritën standarde të një bujqësie intesive. Mundësitë për të arritur deri atje ku edhe u arrit, paskeshin qenë minimale, gati-gati nuk ekzistonin. Por Todo Gjermani, i cili çuditërisht mbante për mbiemër atë të një kombi të njohur për guxim dhe vendosmëri në kryerjen e punëve, siç janë gjermanët, ua doli vështirësive deri në fund, madje ashtu si nuk e mendonte. Por thuhet se sa më të mëdha të jenë vështirësitë, aq më e ëmbël është fitorja, rezultati që arrihet. Fushat e Shtoit, nga sipërfaqe që të kallnin frikën për shkak të lënies prapa dore, djerrë dhe të patrajtuara për t’i kthyer në toka produktive bujqësore, shumë shpejt u kthyen në kopshtije gjigande të gjelbëruara. Aty në çdo stinë gjendeshe përpara pemëve të ngarkuara me rrush e fruta.

Produkti i punës dukej edhe tek rritja e shifrave të eksportimit të rrushit kur vetëm Gjermania e Çekosllavakia furnizoheshin çdo vit me një mijë tonë rrush të varieteteve për tavolinë. Todo Gjermanit, hapësirat e sipërfaqeve pafund, nga Oblika në Koplik, të transformuara tërësisht me “magjinë” e punës së kualifikuar dhe të ndershme, ja rritën shumë autoritetin dhe reputacionin, si specialist me vlera të padiskutueshme. E vështirë është të krijosh miq, gjë që është një pasuri e çmuar. Dhe miqësia nuk është diçka që mësohet nëpër libra, por është mëshirim i vlerave njerëzore. Todo Gjermani, pa as më të voglën mëdyshje ishte një vlerë. Nga çdo pikëpamje. Ai, kur themi se e donte profesionin për të cilin ishte shkolluar, e donte me shpirt, me zemër. Një fakt që të çudit. Djalin e madh e pagëzoi më emrin paksa të padëgjuar, Agrikol. Që do të thotë agronom, që do të thotë bujqësi. Dhe ky Agrikoli çuditërisht ka realizuar në mënyrën më të përkryer  thënien “bëmë  baba të të ngjaj”. Ai sot është një nga specialistët më të mirë të prodhimit të rrushit dhe verërave. Për prodhimin e verërave ka fituar disa çmime të arta, katër prej të cilëve i ka marë në panairin e përvitshëm  “Java e gjelbërt e Berlinit”, në Gjermani. Madje njëra nga këto verëra që është vlerësuar me çmim special mban emrin e babait të tij, “Todo”. Por të qëndrojmë tek ajo çka thamë më sipër, tek aftësia e tij për të bërë miq. Prapë po sjell një fakt, i cili flet shumë për Todo Gjermanin. Atij i lindën dhe rriti tre djem. Agrikoli dhe djali i dytë Misheli, erdhën në jetë kur punonte në Korçë. Djalin e tretë, Lekën, ia pruri si dhuratë Shkodra. E di pse e pagëzoi me emrin e bukur Lekë? Sepse Todo Gjermanit i ishte futur në zemër Shkodra në ata 16- vite punë dhe emri e djalit Lekë, tipik shkodran, do të bënte që ta kish për të gjithë jetën në kujtesë qytetin e tij të dashur, aty ku edhe e kishte, në zemër, ashtu siç kishte fëmijën e tij. Todo Gjermani e la fermën e tij të shtrenjtë, të cilën e ngriti me thonj e me dhëmbë, në mesin e muajit shkurt të vitit 1969. Urdhrin e transferimit ia komunikoi ministri emërmadh i asaj kohe, Pirro Dodbiba. E kishin emëruar pedagog në Institutin e Lartë  Bujqësor, në katedrën e Fruti-Vitikulturës. Sigurisht ai u largua me kokën mënjanë, si ai njeriu i cili ndahet njëherë e mirë, përgjithmonë, nga diçka që është bërë pjesë e trupit dhe e shpirtit, ashtu si ndërmarrja që ai po e “braktiste”, si të ndahej nga një fëmijë  i tij të lindur e të rritur më shumë mundim. Por mjedisin shumë të ngrohtë e miqësor që i krijuan drejtuesit e Institutit, rektori Mentor Përmeti, dekani i Fakultetit të Agronomisë, Skënder Xhiku dhe kolegët Trifon Puka, Taso Nini, Nevruz Kafazi, Petraq Sotiri, Jolanda Selimi, Zyher Beci etj., me të cilët do të punonte gjatë për të përgatitur breza të tërë specialistësh të bujqësisë, ndikuan që tashmë “profesori” i blloqeve me vreshta e pemëtore, të bëhej vërtet një profesor që na qenkej i tillë edhe si pjesë e auditoreve e laboratorëve si dikur kur filloi karrierën si specialist i bujqësisë. Madje edhe studentët e pritën dhe i dëgjonin leksionet e tij jo si pedagogët e tjerë, por me vëmendjen se aty fliste specialisti me emër të madh i NB “Perlat Rexhepi” të Shkodrës, Todo Gjermani. Por Todua gjatë asaj periudhe, madje edhe kur doli në pension, në fund të vitit mësimor të vitin 1973, nuk mbante vetëm leksionet si pedagog i vreshtarisë. Jo. Ai ishte i kudondodhur, aty ku kërkohej mendimi i specialistit dhe i njeriut që dinte të bënte zgjidhje të mëdha. Falë këtyre aftësive u thirr nga ministrja e Bujqësisë Themie Thomai, për të qenë konsulent i jashtëm dhe për ta angazhuar në çdo rast ku ishte i domosdoshëm mendimi i kualifikuar. Në këto kushte, shumë i kërkuari Todo Gjermani, pati raste të shkonte edhe jashtë shtetit, në Francë, nga ku vinte me duarplot, me kultivarë të hardhive antifilokserikë dhe me varietete rrushi për të prodhuar verëra të cilësisë së lartë.

Specialisti që la emër të madh në bujqësinë shqiptare, Todo Gjermani, u nda nga jeta më 30 Mars të vitit 2004. Jetoi gjatë, plot 91- vjeç, duke marë me vete vlerësimet më të larta si njeri që kontribuoi aq sa mundi për bujqësinë e vendin të tij. Për çka ai i dha bujqësisë është nderuar me shumë “Urdhra të punës” (1957, 1958 dhe 1959), ndërsa në vitin 1970 mori vlerësimin më të lartë,  “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë. Ndërkohë specialisti i mirënjohur i  pemëtarisë shqiptare, Prof. Resmi Osmani, ka përgatitur një monografi të titulluar, ashtu si ai e meritonte “Lule në gur”.