Çmendet “Rilindja”: 534 milionë euro gjoba nga Gjykatat Ndërkombëtare
Engjëll Musai
Drejtor i Telegraf
PPP ose Paratë e përdorura paturpësisht nga spekulantët e Rilindjes , duket se po groposin përfundimisht ekonominë e vendit. Shqiptarët po përjetojnë varfërinë më të skajshme në historinë e kombit të tyre dhe po shikojnë përditë betejën mes kriminelëve që kontrollojnë ‘Rilindjen’ dhe qeveritarëve që ushqejnë dhe kontrollojnë krimin. Gjobat e Gjykatës Ndërkombëtare që Shqipëria duhet t’iu paguajë kompanive nga prishja e kontratave të qeverisë së Edi Ramës, përbën një shifër të frikshme, duke arritur në 534 milionë euro ose afërsisht 650 miliardë lekë. Shteti ka rënë, institucionet janë kapur, Parlamenti është kthyer në noter të kontratave qeveritare pasi “opozita e re” është e blerë, disa janë me rekorde kriminale dhe një pjesë tjetër janë bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit. Prishja e kontratave koncesionare përtej papërgjegjshmërisë, shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës, është një këmbanë alarmi për organet e hetimit, SPAK dhe Sigurisë Kombëtare, të cilat duhet të verifikojnë urgjentisht hipotezat që qarkullojnë, se prishja e këtyre kontratave bëhet e qëllimshme dhe në marrëveshje me kompanitë e huaja, pas të cilave fshihen shtetas shqiptarë. Prishja e kontratave pa asnjë bazë ligjore thuhet se mund të jetë edhe pjesë e pazareve të “Rilindjes” me kompanitë përfituese dhe ndarjes së shumave midis tyre. 534 milionë euro gjoba të Gjykatave Ndërkombëtare për shkak të papërgjegjshmërisë së “Rilindasve” , pensionet në Shqipëri do ishin dyfishuar, dhe pagat e administratës do të rriteshin me mbi 20%. Kryeministri Rama pasi i shiti Detin Greqisë, tentoi shitjen e territorit të Kosovës tek Serbia, tani me borxhet dhe gjobat po hap gropën e zezë për Shqipërinë. Bëni Shqipërinë, pastaj Minishengenin Ballkanik. Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatin e kombit, pasi nesër do jetë vonë dhe do të vijë koha që do të kemi një Shqipëri pa shqiptarë dhe të lënë peng nga një i papërgjegjshëm, që për moral ka vetëm paranë.






















