Banda e miellit po helmon shqiptarët

111
Sigal

Gruri i kafshëve po përdoret për bukë në tavolinat e shqiptarëve, cilësia e dobët e të cilit, myku dhe përzierja e me kimikate të rrezikshme është edhe një nga shkaqet kryesore për sëmundjet e gjakut dhe tumoret tek qytetarët. Askush nga intitucionet e shtetit nuk kontrollon nivelin e proteinave që dhe mykotoksimave për miëllin serb që vjen nga Kosova. Ja skema e abuzimit

 

Miell me mykotoksina në kufirin e lejuar, proteina të ulëta dhe asnjë kontroll, nëse shkon për bukë apo prodhime industriale. Risku më i madh nga mielli i Serbisë dhe Kosovës

Skema e abuzimit

Pasi një tregëtar miellin me 9% proteinë që është i destinuar sipas udhëzimit vetëm për ëmbëlsira, mund t’a përdorë në prodhimin e bukës massive, që sipas kërkesës ligjore kërkohet përqëndrimi i proteinës mbi 12%. Ky lloj abuzimi mund të ndodhë për shkak të fitimit që mund t’i sjellë një çmim më i favorshëm për tregtarin e miellit që ka destinacion të ndryshëm nga sa shkruhet në etiketë.

 

Pikat e shitjes së miellit në Shqipëri gjenden plot me produkte që nivelin e proteinave nuk e kanë të lejuar për prodhim buke, picash, etj. Bien në sy miellra nga Serbia e Kosova, me proteina të ulëta, pavarësisht brenda limiteve të deklaruara në ambalazh. Por, kushdo, mund të marrë sasi të ndryshme mielli, që mund ta përdorë atë për furra puke, piceri, makarona e kudo, pa asnjë kontroll. Ndërkohë AKU, institucioni që e ka për detyrë, nuk është në gjendje të garantojë gjurmueshmërinë e produkteve që prodhohen në Shqipëri apo importohen, për destinacionin final dhe “topin” ia lë konsumatorit. Ndërkaq, nga analizat dhe interpretimi i ekspertëve, mykotoksinat në miell, janë në nivelet maksimale të lejuara.

Konsumatorët ekspozohen çdo ditë ndaj rrisqeve të shtuara për shkak të produkteve që konsumojnë. Mes këtyre sfidave, qytetarët zgjedhin ose të informohen dhe të marrin vendime ose të jenë në dorë të subjekteve prodhuese, duke ju besuar shëndetin e tyre. Përballë një morie produktesh që konsumohen, qytetarët perceptojnë si ekspozim më të madh ndaj padrejtësive dhe abuzivizmit produktet e shportës, sepse janë produkte që kanë një frekuencë konsumimi shumë të lartë, thuajse çdo ditë.

Produktet me bazë mielli janë pjesë e tryezave në çdo familje dhe kërkesa e shtuar për një bukë, kroasan, picë apo biskotë, mund të sjellë rrezikun për të abuzuar nga tregtarët me limitet e përqëndrimit të proteinave dhe për të rritur sado pak fitimet, qoftë edhe në kohët e vështira ekonomike që po jetojmë.

Ndërkohë, produkti më masiv, buka, është ai me të cilin mund të abuzohet më shpesh për shkak të cilësisë së miellit apo nivelit të proteinave. Kjo, pasi në tregje të ndryshme, në pika shitje, gjenden tonelata me miell me proteina të ulëta, i cili është importuar apo prodhuar në vend me destinacion industrinë, si pastiçeri, fabrika prodhimi produktesh brumi, biskota etj. Dhe, pikërisht për këtë, konsumatori nuk mund ta dijë asnjëherë, sepse ai sheh produktin final, bukën dhe nuk është në gjendje të dijë as nivelin e proteinës në të, e as miellin me të cilin është prodhuar. Gjithashtu, i njëjti abuzim mund të ndodhë dhe me picat, petët etj, produkte që konsumatori fundor nuk është kurrë në gjendje të dijë se sa proteina po merr nga sasia e bukës apo produkteve tjera.

Pikërisht në këto pika shitjeje, kushdo mund të blejë lehtësisht sasi të mëdha mielli, me proteina më të ulëta sesa norma e lejuar për prodhim buke dhe t’i dërgojë në furrën apo picerinë e tij, etj.

Qendra ‘ALERT’, një Organizatë Jofitimprurëse, po zbaton projektin “Ushqimi, risku masiv për konsumatorët, mungesa e kontrolleve dhe e informimit nga institucionet”, si një ndihmesë për të rritur cilësinë e ushqimeve të tryezës, nisur edhe nga shqetësimet e konsumatorëve por edhe interesi i shtuar mbi sigurinë ushqimore. Qendra ‘ALERT’ bleu në disa qytete të ndryshme miellin që tregtohet në pikat e shumicës, por edhe pakicës, për të analizuar nëse të dhënat e etiketës së deklaruar janë realisht edhe pjesë e produktit në brendësi. Dhe, lehtësisht mund të merrnim sasinë që donim, për ta përdorur në furrat tona të bukës, nëse do të kishim.

Në bashkëpunim me laboratorin e akredituar “Noval” analizuam përqindjen e proteinës në 5 lloje të ndryshme mielli që blemë në mënyrë të rastësishme në Elbasan, Tiranë dhe Kamëz, por edhe të mykotoksinave në përmbajten e tyre dhe më pas kërkuam intepretimet nga ekspertët e fushës se si, rezultat e përftuara a janë në raport të drejtë me urdhërat dhe udhëzimet në fuqi të Ministrisë së Bujqësisë. Mykotoksinat në miell janë më të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit, ndërsa çështja e proteinave është kryesisht mashtrim, që nuk lidhet me sigurinë ushqimore, por me vlerat ushqyese që duhet apo mund të marrë çdokush.

Ministria e Bujqësisë për produktin “Miell Gruri”, referuar Udhëzimit të Ministrit Nr.207, datë 31.3.2015 “Për përcaktimin e treguesve të sigurisë dhe cilësisë së miellit të grurit të parapaketuar, për t’u shitur tek konsumatori i fundit ose për prodhimin e produkteve të tjera ushqimore”, ka vendosur se niveli minimal i proteinës që duhet të ketë mielli që importohet në vendin tonë, për prodhimin e produkteve ushqimore është:

Për prodhimin e produktit ushqimor “Bukë (masive popullore)” niveli minimal i proteinës është 12% (ndaj lëndës së thatë).

Për prodhimin e produktit ushqimor “Bazë picash, krusan, petë” niveli minimal i proteinës është 12.5% (ndaj lëndës së thatë).

Për prodhimin e produktit ushqimor “Ëmbëlsira, kek, biskota, petulla” niveli minimal i proteinës është 9% (ndaj lëndës së thatë).

Për prodhimin e produktit ushqimor “Makarona” niveli minimal i proteinës është 11% (ndaj lëndës së thatë).

Pjesë nga Udhëzimi i Ministrit të Bujqësisë, ku saktësohet niveli i proteinave në miell dhe përdorimi, si dhe autoritetet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Eksperti Kapllan Sulaj, i cili është edhe Dekan i Bioteknologjisë Ushqimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, analizoi përgjigjet e laboratorit “Noval”, bazuar mbi kriteret e vendosura nga Ministria e Bujqësisë për miellin dhe përbërësit e tij.

Në qytetin e Kamzës në një subjekt të shitjes me shumicë të miellit blemë një thes miell 25 kg të markës “Elledi”, e cila prodhohet në Serbi dhe ofrohej si mundësi për tregun shqiptar.

Nga analizat e laboratorit “Noval” rezultoi se mielli “Elledi” pavarësisht se në paketim thoshte proteina mbi 9% dhe është i destinuar për ëmbëlsira dhe biskota, rezultoi se ka përmbajtje të proteinave 12.11%. E krahasuar me limitin e përcaktuar nga legjislacioni, rezulton brenda normës. Mostra është analizuar gjithashtu edhe për praninë e mykotoksinave dhe tregon se është brenda limitit të përcaktuar në aktet nënligjore. Që në fabrikën e prodhimit, ky miell është destinuar për industri dhe jo për bukë apo pica.

Po në qytetin e Kamzës në pikën e shumicës blemë miell “M.Sillosi Finesa, Tip 500” me amblazh letre dhe i prodhuar ne Kosovë. Ne e analizuam në laboratorin “Noval” për përqindjen e proteinave dhe mykotoksinave në përbërje të tij. Nga analiza e kryer tregohet se, përmbajtja e proteinave rezulton 11.25%. Vlera e raportuar rezulton brenda normës së deklaruar në ambalazh, ku thuhet se minimumi i proteinës është 10 %. Rezultati për praninë e aflatoksina është brenda limitit të përcaktuar në aktet nënligjor. Siç e deklaron dhe prodhuesi në etiketë, mielli është i destinuar për indusrinë ku lejohet ky nivel proteine.

Qytetari nuk di as nivelin e proteinës në të, e as miellin me të cilin është prodhuar. Gjithashtu, i njëjti abuzim, mund të ndodhë dhe me picat, petët etj

Në qytetin e Elbasanit në një market blemë miell gruri, “Euromill Erina”, miell gruri Tip 500 i prodhuar në qytetin e Elbasanit. Edhe për këtë mostër, analiza e kryer nga laboratori “Noval” tregohet se përmbajatja e proteinave rezulton 12.45 % dhe jo 13.5% siç është deklaruar në paketim, por gjithesesi referuar limit në legjislacion, ky miell rezulton brenda normës për përdorimim edhe për prodhim buke apo picash. Brenda normave rezultoi edhe përqëndrimi i mykotoksinave në monstrën e analizuar. Në qytetin e Elbasanit u ble edhe një tjetër paketim mielli nga fabrika “Skraqi”. Analiza e kryer nga laboratori “Noval” tregohet se përmbajtja e proteinave rezulton 12.56 %, e  krahasuar me limitin e përcaktuar nga legjislacioni, rezulton brenda normës. Tregues të tjerë analitik kanë qenë edhe provat për praninë e mykotoksinave dhe rezultoi se është brenda limitit të përcaktuar. Në një market në Tiranë, blemë një miell të importuar nga Italia me emrin “Amoruso, tip 00”, nga kampioni i marrë rezultoi se përmbajatja e proteinave ishte 10.85 % e  krahasuar me limitin e përcaktuar nga legjislacioni. Edhe ky miell është i destinuar për industri apo prodhim ëmbëlsirash në shtëpi, ndërkohë që në etiketë, proteina është e shënuar 10 g. Ndaj ky lloj mielli mund të përdoret vetëm për ëmbëlsira dhe për asnjë produkt tjetër. Tregues të tjerë analitikë kanë qenë edhe  provat për praninë e mykotoksinave dhe rezultoi se është brenda limitit të përcaktuar. Eksperti i teknologjisë ushqimore, Profesor Abdyl Sinani, pasi u njoh me rezultatet e monstrave të analizuara në 5 lloje të ndryshme mielli, deklaroi se gruri i përdorur për përftimin e këtyre 5 lloje miellrash, duhet të pastrohen plotësisht edhe me makineritë më abrazive dhe me furça, pasi sipas tij, kjo mënyrë pastrami, siguron largimin e mykotoksinave dhe të elementëve të tjerë që kanë ngarkesë deri në kufijtë maksimalë.

“Nga analizat rezulton se, mykotoksina dhe përbërësit e tjerë janë në kufijtë maksimalë të lejuar. Prandaj, fabrikat e miellit duhet të zbatojnë gjithë diagramën e pastrimit, duke vënë në punë edhe makineri që pastrojnë edhe brazdën e kokrrës së grurit nga mykotoksinat”, deklaroi Sinani.

Pas analizimit të detajuara të këtyre monstrave, edhe pse shumica e miellit të blerë rezultoi brenda normave, shqetësimi mbetet prezent për qytetarët , pasi ata nuk kanë një matës të sasisë të proteinave për miellin e përdorur për prodhimin e një ëmbëlsire, buke apo pice në subjektet e vogla tregtare.

Kjo, pasi një tregëtar, miellin me 9% proteinë që është i destinuar sipas udhëzimit vetëm për ëmbëlsira, mund t’a përdorë në prodhimin e bukës massive, që sipas kërkesës ligjore kërkohet përqëndrimi i proteinës mbi 12%. Ky lloj abuzimi mund të ndodh për shkak të fitimit që mund t’i sjell një çmim më i favorshëm për tregtarin e miellit që ka destinacion të ndryshëm nga sa shkruhet në etiketë.

Në këtë kontekst për të mbrojtur konsumatorin një rol vendimtar merr procesi i gjurmueshmërisë që ushtrohet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe sensibilizimi me kontrolle të shpeshta e bizneseve që ushtrojnë aktivietin në këtë fushë.

Të pyetur mbi sistemin e gjurmueshemërisë dhe ndërgjegjësimin që duhet të ketë konsumatori, AKU deklaroi “çdo subjekt është përgjegjës për plotësimin e kushteve ligjore për hedhjen e çdo produkti në treg dhe marrjen e masave për sigurinë e tyre. “Theksojmë rolin e konsumatorit si “inspektori më i mirë”, në lidhje me ndërgjegjësimin e tij për përdorimin e produkteve ushqimore, (përfshirë bukën si një nga produktet më masive), dhe blerjen e tyre vetëm në subjekte të cilat ofrojnë kushte ku siguria dhe cilësia e ushqimeve, është sa më e garantuar. Shumë e rëndësishme mbetet përqasja qytetare dhe qëndrimi ndaj shkeljeve të ndryshme të cilat duhen denoncuar pranë AKU-së”, deklaroi zyra e shtypit e AKU-së. Por, megjithëse përgjigjia e AKU është tejet zyrtare dhe diplomatike, konsumatori nuk është asnjëherë në gjendje të indentifikojë nivelin e proteinës në bukë, pica apo produkte të tjera brumi. Dhe, është pikërisht detyrë e Autorititetit Kombëtar të Ushqimit, që ndjekë gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore. Në rastin konkret, edhe të miellit, i cili nëse është me proteina të ulëta duhet të shkojë vetëm për industrinë e prodhimit dhe jo të qëndrojë në shitje ku mund ta blejë kushdo e ta përdorë për çfarëdo.

Abuzimin që mund të shkaktohet ndaj konsumatorit, sipas AKU, duhet vetë ky i fundit të jetë vigjilentë për të kuptuar nëse mielli që është prodhuar produkti që duhet të konsumojnë është prodhuar me miellin me proteinën 9, 11 apo mbi 12%. Gjë e cila është absurde dhe nuk mund të evidentohet në asnjë rrethanë nga qytetarët. Me këtë kalim përgjegjësie AKU shmang kështu detyrimin e kontrollit rigoroz dhe fsheh mungesën e fushatave ndërgjegjësuese masive për bizneset dhe konsumatorët.

Faktet flasin. Në pikat e shumicës dhe pakicës ku shitej mielli, punonjësit nuk kishin asnjë kriter se për çfarë do të përdorej mielli që ata shisnin. Kur kërkohej një këshillë prej tyre për përdorimin e një lloj mielli apo një lloji tjetër, ata nuk bënin diferencime sipas standardit të proteinave për destinacionin final të produktit, por të sygjeronin se nëse ishe një furrë e re buke apo byrektore, të zgjidhje miellin më të mirë të tregut dhe pas 2 apo 3 muajve të merrje një cilësi më të dobët, duke mashtruar konsumatorin dhe rritur fitimin e biznesit të ri, pasi mielli me proteinë më të ulët bënte diferencë në çmimin e blerë. Inspektorët e AKU-së, ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme sipas këtij institucioni, dhe në përgjigje të kërkesës tonë nëse kanë hasur shkelje në përmbajtjen proteinike të miellit që hyn në Shqipëri përgjatë dy viteve të fundit, AKU deklaroi se nuk ka konstatuar asnjë parregullsi.

“Sa lidhet me analizimin e mostrave te miellit për treguesin proteine informojmë se nga sektori PIK për periudhën 2019-2021, janë analizuar në total  31 mostra, nga këto 8 në laboratorin e AKU dhe 23 në laboratorin e ISUV, të cilat kanë rezultuar konform deklarimit për përdorimin e miellit sipas nivelit të proteinës”, shprehet AKU. Gjurmueshmëria, ndërgjegjësimi i konsumatorit dhe biznesit mbeten hallka të dobëta të një sistemi, ku konsumatori mashtrohen çdo ditë dhe në shumë raste, edhe rrezikojnë shëndetin e tyre./Nga Mariglen Mertiri