Atë që godet historinë me kobure, unë e qëlloj me top

655
Sigal

Heronjtë janë shtyllat e mëmëdheut, gurë ku është mpiksur gjaku i dëshmorëve të Atdheut. Zëvendësimi i emrit të dëshmorit bëhet nga urrejtja për LANÇ. 5 Maji mbetet i lavdishëm, sepse dëshmorët u vranë në betejat e mëdha dhe jo si kolaboracionistët që rrinin të fshehur prapa kapotave fashiste dhe naziste. Krijimet e mia për luftën nga Komandanti Rrapo, Partizani Meke, Komisari Memo, Maro Mokra, Njeriu me top, poema “Nënë Shqipëri” etj.

Në Historinë e Popullit shqiptar një nga faqet më të lavdishme që ka shkruar me gjak e sakrifica titanike është Lufta Nacional Çlirimtare, e cila e radhiti Shqipërinë në kampin e Fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse Italia në Luftën e Dytë Botërore ishte vendi i Fashizmit, në sheshin qendror të Bolonjës, është shkruar me germa të arta Historia e luftës së partizanëve italianë kundër nazistëve gjermanë. Çuditërisht, tani disa në Shqipëri, duke spekuluar me domosdoshmërinë e rishikimit të Historisë, për ta çliruar atë nga dogmat dhe ideologjia komuniste, duan të baltosin pikërisht gjithë LANÇ-in, meqë ishte PKSH udhëhoqi gjithë luftën e popullit shqiptar kundër nazifashizmit, duke dashur të ngarkojnë me krime lufte gjithë komandantët dhe komisarët e çetave, batalioneve, brigadave Sulmuese partizane, të cilët luftuan me heroizëm dhe sakrifikuan edhe jetën për lirinë e Shqipërisë. Mirëpo, siç kishte thënë dikur, i madhi Dritëro: “Më gjeni një këngë t’i kushtohet Ballit Kombëtar? Më thoni, një dëshmor nga Balli Kombëtar?”, këta që kërkojnë të ngarkojnë komisarët dhe komandantët e LANÇ-it me krime lufte, mos duan që të renditin Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore me fashistët dhe nazistët, sikurse bashkëpunuan dhe luftuan krahas tyre ballistët?

Intervista e dhënë, më 1993/ Shoqatat Atdhetare –Kulturore, janë gurë ku është mpiksur gjaku i dëshmorëve të Atdheut, dhe që shërbejnë si shtyllat e mëmëdheut, ndër të cilët janë edhe martirët e diturisë. Krijimet për LANÇ, nisin me: Komandanti Rrapo, partizani Meke, Komisari Memo, Maro Mokra, Njeriu me top, poema “Nënë Shqipëri”,

Dritëro Agolli: Atë që godet traditën me kobure, unë e qëlloj me top

 

– Megjithëse e di që e keni kohën tepër të çmuar, vij tek ju pa ndrojtje. Kam bindje të thellë se do të lini çdo punë dhe do të më plotësoni një kërkesë. Është fjala t’i jepni një intervistë “Për Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar”. Si e prisni këtë kërkesë?

– E pres si një dëshirë fisnike, pasi përmes kësaj kërkese respekton mendimin intelektual dhe çmon fjalën e njerëzve të kulturës, që kanë qenë dhe janë ndër gurët më të qëndrueshëm ku mbahen shtyllat e mëmëdheut, gurë ku është mpiksur gjaku i dëshmorëve të Atdheut, ndër të cilët janë edhe martirët e diturisë.

– Ju faleminderit shumë. Atëherë le të fillojmë me pyetjet: Vepra juaj letrare e publicistike është plot e përplot pa­triotizëm. Komandanti Rrapo, partizani Meke, Komisari Memo, Maro Mokra, Njeriu me top, poema famëmadhe “Nënë Shqipëri” etj. janë disa nga veprat tuaja, që i kushtohen Luftës. Në këto kohë mohimesh të mëdha, cili është qëndrimi juaj ndaj Luftës në tërësi dhe a do t’i bënit ndonjë korrigjim veprës suaj?

– Për mua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë mbi të shenjtat. Është ndër luftërat më të mëdha dhe me ideale humane dhe më të larta nga të gjitha luftërat. Çdo popull do të krenohej me të, pasi është harku me qemer i urës më të madhe dhe më të qëndrueshme të historisë së Shqipërisë, që lidhin dy brigje: Bregun e traditës së shkuar dhe bregun e kohëve moderne. Pa këtë urë demokracia e sotme do ta kishte të vështirë. Ai që mundohet ta rrëzojë këtë hark mad­hështor me qemer, rrëzon gjithë urën, bie në lumë bashkë me mbeturinat e urës, mbytet dhe bëhet ushqim i mirë për zhabat dhe qeniet e tjera të lumit. Unë veprës sime nuk i bëj ndonjë korrigjim. Ajo pasqyron një epokë të historisë sonë, shpreh idealet kombë­tare dhe socialiste. Përderisa ka dhe do të ketë të pasur dhe të varfër, do të ketë dhe ideale socialiste. Unë nuk jam penduar që kam shkruar për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për komunistët e vrarë, për komisarët apo komandantët. Tani do të shkruaj më mirë për ta. Në të ardhmen do të redaktoj ndonjë fragment, mund të shtoj diçka qoftë edhe në poemën “Nënë Shqipëri”. Censura shtetërore për këto vepra është jetëshkurtër, si të gjitha censurat e tjera. Vepra e botuar as griset, as mbytet dhe as digjet. Ajo jeton. Këtë na mëson historia.

Duke shkruar për Luftën ju u keni kënduar me frymëzim dëshmorëve të saj, bijave dhe bijve më të mirë të këtij vendi, që dhanë jetën për idealet e lirisë. A mendoni se e keni kryer detyrën?

– E thashë se unë për dëshmorët kam shkruar. Ata janë në romanet “Komisari Memo”, “Njeriu me top”; janë në librin me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”, në po­emat dhe në përgjithësi në gjithë poezinë time. Por nuk i kam thënë të gjitha. Tani do të them më shumë, pasi mendimi në demokraci është i lirë. Kjo nuk mohohet. Prandaj tani kam më shumë inat kur shoh se nga mjaft zyrtarë e partiakë, lufta dhe dëshmorët e saj mohohen. Këto po zëvendësohen me idhuj të tjerë, me tradhtarë, me bashkëpunëtorë të fashizmit apo me vetë fashistët. Nga kjo unë tërbohem dhe ky “tërbim” më nxit për të shkruar më mirë për dëshmorët partizanë. Këtë inat vetëm dëshmorët ma falin, pasi të tjerët ndofta edhe prishin buzët…

Sot në vend të fjalës “dëshmor”, që në thelb do të thotë, njeri që ka dhënë jetën me dëshirë për atdhe, po përdoret termi “martir”. A vëreni juve ndonjë dallim a ndonjë nuancë dhe me çfarë qëllimi bëhet?

– Sot është bërë modë zëvendësimi i simboleve, monumenteve dhe gjithçkaje. Sot disa kokëkrisur janë gati të zëvendësojnë edhe hidrocentralet, madje kanë qenë gati edhe t’i shkatërronin, po të mos ndodhte ndonjë mrekulli që ta mer­rnin ujin e tyre me pompa dhe ta degdisnin lart në hënë.

Zëvendësimi i emrit “dëshmor” me “martir”, këtyre njerëzve, u duket më e lehtë. Emri “martir” është i mirë, por i përket një periudhe tjetër. Zëvendësimin e bëjnë nga urrejtja për Luftën Antifashiste dhe nga epshi i antikomunizmit. Ata tremben nga fjala “dëshmor”, prandaj duan ta largojnë nga vetja këtë fjalë. Disa popuj primitivë e kanë frikë shqiponjën dhe nga frika në bisedat familjare e shoqërore i venë një emër tjetër. Ndërsa shqiponja vazhdon të fluturojë mbi kokat e tyre primitive.

Ka dhe nga ata budallenj që bëjnë dëshmorë frikacakët e fshehur prapa kapotave fashiste dhe naziste. Kjo do të thotë të zëvendësosh shqiponjat me karkalecat…

– Për ditë po bëhen varrime e zhvarrime. Mjetet e masmedias po u bëjnë jehonë të madhe. Një psikozë e rëndë është krijuar. Cili është mendimi juaj për këtë problem?

– Me varrimet e zhvarrimet ne varrosim e zhvar­rosim veten tonë; varrosim e zhvarrosim dinjitetin; varrosim e zhvarrosim historinë, gjenezën dhe biografinë e popullit. Të vjen të pështirë që këto varrime e zhvarrime i bëjnë ata që bërtasin për fenë, për Krishtin e Muhametin, që me fytyrën lajkatare marrin pjesë në ceremonitë fetare. Feja kurrë nuk zhvarros. Varri për fenë është i shenjtë. Këta që varrosin e zhvarrosin nuk besojnë as engjëllin, as djallin. Ata duhet të krijojnë një fe apo një besim tjetër, atë të “varrzhvarroskizmit” në vend të krishterimit e myslimanizmit. E keqja është se këto varrime e zhvarrime i përkrahin edhe klerikët, si servilë të çdo pushteti që janë historikisht. Ata që varrosin e zhvarrosin publikisht me shtyp e RTV, humbin dinjitetin intelektual të tyre. E mbajnë të ndezur ndjenjën e hakmarrjes dhe nuk mendojnë për të nesër­men e vetvetes. Tani, meqë fabrikat dhe uzinat nuk punojnë, janë kthyer varret në uzina e fabrika dhe kockat e njerëzve janë bërë lëndë përpunuese. Propaganda dhe shtypi, parlamenti dhe administrata, bien erë kockash. Kjo është shenja më dalluese e krizës së thellë shpirtërore, morale dhe politike. Po krijojmë tabore të tërë varrmihësish dhe varrzhvarrëmihësish. Kockat dhe kafkat duke bërtitur na dalin në ëndërr. Tmerruam fëmijët dhe gratë. Unë nuk them që të afërmit mos të kërkojnë eshtrat e etërve dhe vëllezërve të tyre për t’i gjetur dhe për t’i varrosur me dashuri dhe respekt. Por të mos zhvarrosim tradhtarët dhe kriminelët, vrasësit e sa e sa bijve e bijave të këtij populli. Vrasës si Markagjonajt nuk kanë varr, pasi toka nuk i pranon. Ata janë kundër tokës dhe natyrës pasi vrasin njeriun, që është pjesë e natyrës. Radio-televizioni ynë dhe zyrtarët mburrin këta lloj kriminelësh dhe janë kundër natyrës.

– Varre dëshmorësh janë dhunuar, lapidare e monumente janë shkatërruar. Kujt i shërben kjo? A mos ka forca të caktuara që duan të varroset historia?

– E preka këtë pyetje pak më lart dhe i dhashë një përgjigje të shkurtër. Dhunimi i lapidarëve dhe i monu­menteve, siç thashë, është dhunim i vetvetes dhe i historisë. Me këtë tregojnë se edhe Skënderbeut armiqtë e tij shqiptarë ia kanë dhunuar varrin, prandaj historianët dhe arkeologët nuk ia gjejnë dot varrin. E them këtë, pasi perandoria osmane nuk ka pasur kultin e varrit dhe nuk kishte arsye përse t’ia prishte varrin Skënderbeut. Myslimanët nuk i dinë varret e tyre. Ata që zëvendësuan Skënderbeun, që u bënë servilë të pushtuesit osmanë, iu përveshën punës për të varrosur dhe zhvarrosur. Ne jemi të çuditshëm! Nuk i duam ata që kanë bërë emër përpara nesh. Duam të bëjmë emër vetëm dhe vetëm ne! Duam ta fil­lojmë çdo gjë nga zeroja, prandaj për periudha të tëra historike mbetemi tek zeroja.

Pra, jemi varrmihës të vetvetes.

– Ç’përshtypje të ka bërë 5 Maji i sivjetshëm?

– Më kanë bërë përshtypje vizitat e pushtetarëve. Ata bënin vizita tek tradhtarët e tek vrasësit e dëshmorëve. Ndërsa populli i thjeshtë i kishte hapur dyert për farefisin, për miqtë, për dashamirët, për njerëzit e vërtetë që i respektonin dhe i respektojnë dëshmorët me ëndrrat e tyre të bukura për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Kurse unë përveç vizitave të tjera, shkova me rastin e 50-vjetorit të dëshmorit të vëllait të Emin Mysliut, të cilin e kam fqinj. Folëm për të, për vrasjen e tij, për 18-vjeçarin gjimnazist që e vranë fashistët e jashtëm dhe të brendshëm, që vranë edhe dy shokët e tij. Lexuam traktin që ishte shkruar me rastin e vrasjes së tij dhe ku nuk përmendej askund fjala komunizëm, por vetëm liri, demokraci… Veç kësaj më tepër përshtypje më ka bërë një fakt tjetër. Sivjet fëmijët e shkollave, të cilët çdo vit shkonin me nga një buqetë lulesh dhe bënin roje nderi pranë çdo varri dëshmori, sivjet nuk i lanë. Ndaluan një nderim të madh të natyrshëm e tepër të sinqertë të fëmijëve. Duke i ndaluar ua thyen zemrën dhe thyerjen e zemrës fëmija e mban mend gjersa të bëhet gjysh.

– Si e vlerësoni atë traditë që kishim krijuar në nderim të dëshmorëve?

– E vlerësoj si një traditë të bukur, humane dhe krejt origjinale shqiptare, që, me sa di unë, asnjë shtet në botë nuk e ka pasur dhe nuk e ka. Dhe kjo nderonte dëshmorët, nderonte dhe babanë e tyre, popullin.

– A jeni njohur ndopak me veprimtarinë e shoqërisë atdhetare “Për Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar”, si e vlerë­soni rolin dhe punën e saj të deritanishme?

– Jam njohur dhe e vlerësoj, mundohet t’i japë jetë organizmit së bashkimit të njerëzve për një mision të lartë, për të rritur nderin e Mëmëdheut dhe për të mos lejuar të shuhet dhe të merret nëpër këmbë ky nder i shenjtë.

– Ç’mesazh dëshironi t’i jepni, shoqatave Atdhetare dhe Kulturore ?

– Të mbajë lart dinjitetin e dëshmorëve dhe ta transmetojë atë brez pas brezi. Të mos trembet kurrë nga ata që ngrenë dorën kundër dëshmorëve. Ai që godet traditën me kobure, duhet goditur me top.

 

 

Qershor 1993