Caka: Presioni i qytetarëve, laku që do të mbysë qeverinë mafioze, s’ka zgjedhje më 30 qershor

486
Sigal

Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një realitet, shumë shpejt i pritshëm, të cilit nuk do të mund t’i shmanget askush

“E diela e 30 qershorit, për shqiptarët do të jetë një ditë e zakonshme, e cila nuk do të prodhojë farsën elektorale të rradhës. Vetë shqiptarët dhe opozita e bashkuar nuk do të lejojnë të ndodhë përsëri një tallje e tillë”,-thotë ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Caka thotë se përplasjet civile nuk vijnë si pasojë e protestave qytetare por si rezultat i shurdhërisë dhe vebërisë së qeverisjes. Pse kërkon koalicioni opozitar qeveri tranzitore? Një nga arsyet e jep ish-deputetja. “Një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, e cila ka për qëllim krijimin e kushteve për të futur një herë e mirë në shina morale, ligjore dhe kushtetuese, proceset zgjedhore në Shqipëri”.

LSI-ja firmosi marrëveshjen e koalicionit opozitar me 10 pika, ku më e rëndësishmja është qeveria tranzitore, që do të garantojë zgjedhet e lira pa Edi Ramën kryeministër. A i keni ju mekanizmat ligjorë, institucionalë, politikë për të zbatuar një realitet të tillë?

Për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme, në rradhë të parë nevojitet ekzistenca e vullnetit dhe mirëbesimit nga të gjitha palët. Kur ekziston vullneti dhe mirëbesimi, mekanizmat ligjorë, institucionalë dhe politikë bëhen rrjedhojë e këtij vullneti dhe nuk ka asnjë forcë apo faktor që mund të bëhet pengesë për qëllimin kryesor. Aktualisht ne ndodhemi në një situatë ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme dëshirohen vetëm nga opozita e bashkuar dhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët të ndodhur çdo ditë përpara një shteti të kapur, i cili vetëm për qytetarët nuk punon, zgjedhjet e lira i sheh si një emergjencë kombëtare. Zgjedhjet e lira, ku vullneti zgjedhor i shqiptarëve lexohet drejt, prodhojnë qeverisje të përgjegjshme, parlament përfaqësues dhe institucione të forta. Që prej vitit 2017, ne kemi një qeverisje të papërgjegjshme, armike të qytetarëve shqiptarë, një parlament ilegjitim, me deputetë të dalë nga vota e blerë apo e vjedhur e shqiptarëve dhe institucione të kapura e të vendosura në shërbim të njerëzve që rrethojnë Kryeministrin dhe ministrat e tij. Në këto kushte, qytetarët shqiptarë do të reagojnë gjithnjë e më shumë ndaj këtyre padrejtësive dhe do të jetë zëri e reagimi i tyre që do të sjellin ndryshimin e shumëkërkuar nga ata. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një realitet, shumë shpejt i pritshëm, të cilit nuk do të mund t’i shmanget askush.

“Opozita e re” po cilësohet si krahu i djathë i Ramës. Nëse kjo opozitë merr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, si do të reagojë koalicioni opozitar? Si do t’i pengoni ju zgjedhjet lokale?

E diela e 30 qershorit, për shqiptarët do të jetë një ditë e zakonshme, e cila nuk do të prodhojë farsën elektorale të rradhës. Vetë shqiptarët dhe opozita e bashkuar nuk do të lejojnë të ndodhë përsëri një tallje e tillë, pasojat e të cilës i vuajnë të gjithë më pas. Çdokush që pretendon se do kontribuojë në zhvillimin e një farse të tillë, do të mbajë përgjegjësi përpara qytetarëve dhe sa më të madhe t’a kenë peshën në këtë farsë, aq më e madhe do të jetë përgjegjësia që do të mbajnë përballë shqiptarëve.

Pas finalizimit të koaliconit opozitar, Rama u shpreh se zgjedhjet do mbahen më 30 qershor. Sipas opozitës, presioni është rritur dhe qeveria është izoluar më shumë por si do ta izolojë LSI-ja qeverinë “Rama 2” për të shkuar në zgjedhje të lira?

LSI-ja nuk ka asnjë arsye të izolojë apo pengojë qeverinë e këdo tjetër të shkojë në zgjedhje të lira. LSI-ja, gjithë partitë opozitare dhe qytetarët e Shqipërisë do të ndalojnë zhvillimin e zgjedhjeve të pandershme, farsë dhe të kapura nga Edi Rama dhe qeveria e tij. Zgjedhjet e lira janë ato që ne kërkojmë dhe që do të realizohen me çdo kusht, pasi kjo është ajo që meritojnë qytetarët shqiptarë, pas kaq shumë vitesh tranzicion. Qeveria, përveçse është izoluar, çdo ditë po nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të saj, duke dhunuar shqiptarët, duke i varfëruar më shumë ata, duke i vjedhur pasuritë publike e private çdo ditë, duke u rritur taksat e duke larguar të rinj e të vjetër nga ky vend. Të gjitha këto e shumë arsye të tjera, po bëjnë që presioni i qytetarëve ndaj qeverisë po rritet dhe po kthehet në një lak që do t’a mbysë shumë shpejt këtë qeverisje e maxhorancë kriminale e mafioze.

Ju kërkoni shtyrjen e zgjedhjeve vendore dhe zhvillimin e tyre bashkë me zgjedhjet e parakohshme për pushtetin qendror. Sipas jush, kur duhet të zhvillohen ato dhe si do të arrihet kur në vend mungon Gjykata Kushtetuese?

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese është një nga arsyet për të cilën qytetarët shqiptarë protestojnë. Sistemi i drejtësisë, i kapur kokë e këmbë nga qeveria dhe maxhoranca, po prodhojnë padrejtësi të një niveli të paparë më herët në Shqipëri. Siç e thashë më sipër, vullneti i mirë për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme, e bën çdo teknikalitet ligjor e praktik, të zërë një rol dytësor. Gjithsesi, ne tashmë e kemi thënë: kjo realizohet vetëm nëpërmjet një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, e cila ka për qëllim krijimin e kushteve për të futur një herë e mirë në shina morale, ligjore dhe kushtetuese, proceset zgjedhore në Shqipëri.

Protesta e radhës e opozitës do të jetë më 11 maj, çfarë do të ndodhë atë ditë, pasi rikujtojmë se protesta e 13 prillit ishte më e fortë se protestat paraardhëse. A do të ketë përplasje civile?

Përplasjet civile nuk vijnë si pasojë e protestave qytetare por si rezultat i shurdhërisë dhe vebërisë së qeverisjes, për të dëgjuar dhe parë aksionin qytetar. Çdo protestë, mbart një mesazh, i cili duhet dëgjuar me përgjegjshmëri nga ata të cilët kanë në dorë të reflektojnë e të zgjidhin kërkesat e mesazheve të protestuesve. Nëse i referohemi rasteve konkrete, lind natyrshëm pyetja: si do duhej të reagonin qytetarët që banojnë në zonën “Bregu i Lumit”, kur jo vetëm po u prishen shtëpitë, nuk po marrin dëmshpërblimin që u takon por edhe dhunohen nga policia, e cila ka për detyrë t’i mbrojë ata? Si duhet të reagojnë banorët e Astirit, kur shteti tregohet i padrejtë, gënjeshtar dhe i korruptuar, përpara kërkesave të tyre? Si duhet të reagojnë gjithë shqiptarët, kur gënjehen çdo ditë nga ata të cilët duhet t’u shërbejnë e të punojnë për interesin e Shqipërisë? Pra edhe një herë, nuk janë protestat qytetare ato që shkaktojnë përplasje civile por arroganca dhe ligësia e qeverisjes, e cila për fatin tonë të keq, ndodhet në nivelet më të larta të malinjitetit karshi shqiptarëve.

Për kandidatët tuaj, që po pranojnë mandatin e deputetit, jeni shprehur se do të ketë padi penale, për ata që thonë se janë anëtarë të LSI-së. Ende sot nuk kemi parë diçka të tillë…

Së pari më lejoni t’ju korrigjoj, duke cituar shprehimisht atë që kam thënë: nëse ndonjë prej emrave të listës shumëemërore të kandidatëve për deputetë, të zgjedhjeve të vitit 2017, që pranon mandatin e deputetit dhe që shpreh publikisht apo jo publikisht, se e konsideron veten deputet të Lëvizjes Socialiste për Integrim, atëherë për ta do të ketë një padi penale, referuar nenit 246 të Kodit Penal, i cili parashikin kundërvajtjen penale të përvetësimit të titullit. Ata nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë ndonjëherë deputetë të LSi-së. Fakti që emrat e tyre ndodhen në listat e LSI-së, i bënte ata dikur thjesht kandidatë, pra nuk kanë qenë deputetë të LSI-së. Aktualisht, LSI-ja i ka dorëzuar në blok mandatet e saj, madje ka çregjistruar edhe listat shumëemërore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kjo bën që çdo përson që merr mandatin e deputetit, automatikisht të mos futet në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i LSI-së. Për këtë arsye të pastër ligjore, asnjë nga emrat që ka pranuar mandatin e deputetit, nuk është as de jure e as de facto deputet i LSI-së. E më tej, arsyes ligjore, i shtoj edhe një arsye morale, e cila i bën emrat që kanë pranuar të bëhen pjesë e farsës, qenie pa shtyllë kurrizore, që duhet të bëjnë kujdes me terminologjinë politike e juridike, me të cilën i referohen vetvetes.

Si e lexoni nxitjen dhe thirrjen që Ambasada Amerikane dha për cilindo kandidat, që të regjistrohen në zgjedhjet lokale? A po ju dëgjojnë sa duhet ndërkombëtarët dhe si e vlerësoni këtë qëndrim pohues të një qeverie legjitime dhe të një Kuvendi funksional?

Thirrjen e zv.Ambasadores Moses-Ones, e shikoj si një mungesë qartësie në leximin e situatës ekonomike, politike dhe sociale në Shqipëri. Madje, ajo që më habit më shumë se mungesa e qartësisë për të parë objektivisht situatën në Shqipëri, më shqetëson fakti që zv.Ambasadorja, duket se nuk e ka lexuar raportin më të fundit që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit, ka nxjerrë për Shqipërinë. Gjykoj që nëse do të ishte thelluar pak më shumë në raport, kjo deklaratë do të ishte më e rezervuar. Thirrja e zv.Ambasadores do të ishte e drejtë dhe e justifikuar, në një vend ku bëhen të gjitha përpjekjet për të siguruar një proces të rregullt e të lirë zgjedhor. Në Shqipëri, fatkeqësisht ende nuk ka ardhur kjo ditë!