– Viti 2025 e gjeti ekonominë shqiptare në një pikë delikate ekuilibri, thënë ndryshe “momentum” dhe e la po në këtë pikë
-Asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar këtë gjendje dhe nuk kemi qenë në gjendje të menaxhojmë mundësitë dhe anët e forta, përballë rrisqeve dhe dobësive
– Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, rritja ekonomike për vitin 2025 pritet të moderohet në rreth 3.7%, nga 4% e vitit 2024
-Ky ritëm rritjeje, edhe pse pozitiv, është tërësisht i pamjaftueshëm për të përshpejtuar realisht konvergjencën me Bashkimin Europian
-Është 18, numri i viteve që shqiptarët të dyfishojnë të ardhurat e tyre, që janë ende shumë të ulëta nga ato të qytetarëve të Evropës
– Shqipëria po rritet, por themeli është pyetja se ç’farë lloj rritjeje po prodhon kjo ekonomi dhe sa e qëndrueshme është ajo për vitin 2026 dhe përtej vitit 2026
– Në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor të ardhurat tatimore mbeten në një nivel të ulët dhe shumë larg mesatares së Bashkimit Evropian, me vetëm rreth 17.8% të PBB-së
-Është pikërisht Evropa ajo që ja ka mbyllur derën Shqipërisë dhe shqiptarëve me pretekstin e mos plotësimit të standardeve
Dr. Enriko Ceko
Si përherë në çdo fund viti, duke filluar që nga dhjetori i vitit 1999, shkruaj një artikull të titulluar “Ekonomia shqiptare drejt vitit ….”, dhe, tashmë, është momenti më i përshtatshëm për të hedhur në rreshta mendimet e mija dhe analizën time ekonomike për vitin 2026, duke e sjellë për botim këtë radhë në faqet e Gazetës “Telegraf”.
Viti 2025 e gjeti ekonominë shqiptare në një pikë delikate ekuilibri, thënë ndryshe “momentum” dhe e la po në këtë pikë, sepse si gjithmonë, asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar këtë gjendje dhe nuk kemi qenë në gjendje të menaxhojmë mundësitë dhe anët e forta, përballë rrisqeve dhe dobësive.
Është e vërtetë se, për vite me radhë, treguesit makroekonomikë janë paraqitur si të qëndrueshëm, ku, rritja ekonomike (sipas institucioneve financiare ndërkombëtare) mbetet pozitive, inflacioni (sipas Bankës së Shqipërisë) është mbajtur nën kontroll, borxhi publik (sipas Ministrisë së Financave) shfaq një trend zbritës, sektorët që kanë mbështetur ekonominë (sipas Institutit të Statistikave) kanë qenë turizmi, ndërtimi dhe bujqësia dhe njëmbështetje e mirë për familjet shqiptare prej vitesh kanë vazhduar të jenë edhe remitancat, por pas kësaj fasade apo poshtë kësaj suprine stabiliteti, të cilën jemi mësuar t’a lexojmë përciptazi midis artikulimeve të drejtuesve të shtetit e financave shqiptare dhe përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare, sa herë që ata bëjnë analizë ekonomike për Shqipërinë, fshihen dobësi të vjetra të reformave të pa përmbushura institucionale dhe axhustimeve të papërfunduara strukturore, që vazhdojnë të pengojnë transformimin real të ekonomisë shqiptare dhe në tërësi të vendit përgjatë përpjekjeve qëna është thënë se duhet të bëhen për integrim në Bashkimin Evropian.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore
Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, rritja ekonomike për vitin 2025 pritet të moderohet në rreth 3.7%, nga 4% e vitit 2024, me një ngadalësim të mëtejshëm rreth shifrës 3.5% për vitin 2026. Duhet të theksoj se ky ritëm rritjeje, edhe pse pozitiv, është tërësisht i pamjaftueshëm për të (1) përshpejtuar realisht konvergjencën me Bashkimin Europian, për të (2) përballuar presionet demografike dhe për të (3) frenuar emigrimin masiv të kapitalit njerëzor. Këtu e kam fjalën për rregullin e numrit 72, sipas të cilit rritja ekonomike dyfishohet për aq vite sa edhe numri që del nga pjesëtimi i numrit 72 me rritjen ekonomike. Pra, 72 pjesëtim me 4 është 18, që është numri i viteve që shqiptarët të dyfishojnë të ardhurat e tyre, që janë ende shumë të ulëta nga ato të qytetarëve të Evropës. Pra shqiptarëve u duhen vite e vite që të arrijnë standardet e jetesës së Bashkimit Evropian, edhe sikur Evropa të qëndronte në vend dhe të priste qëshqiptarët të rritnin të ardhurat e tyre, dhe, përtej kësaj natyre diabolike të shifrave kokëforta, pyetja kyçe për politikëbërësit dhe komunitetin e ekspertëve, që trapllojnë me ecurinë e mirë të ekonomisë shqiptare, nuk është fakti se Shqipëria po rritet, por themeli është pyetja se ç’farë lloj rritjeje po prodhon kjo ekonomi dhe sa e qëndrueshme është ajo për vitin 2026 dhe përtej vitit 2026.
Për Shqipërinë, edhe pse rritja ekonomike duket solide në shifra, ajo, në thelb, është tërësisht e kufizuar, sepse në pothuajse 35 vitet e fundit ajo është mbështetur kryesisht te konsumi dhe në pesë a gjashtë vitet e fundit, konsumit i janë shtuar edhe dy shtylla të tjera që janë turizmi dhe ndërtimi. Këta faktorë kanë kontribuar në një performancë relativisht të mirë në një kontekst rajonal dhe global të pasigurt, por analiza e strukturës së kësaj rritjeje tregon kufizime të qarta, sepse turizmi edhe nëse zhvillohet nuk sjell zhvillim, por dy probleme madhore që janë ndotja e mjedisit dhe niveli i ulët i aftësive, njohurive dhe kompetencave që përcjell ky sektor, që kërkon kryesisht forca pune me arsim të mesëm dhe ndërtimi ka një kufi.
Konkretisht, industria, që përbën rreth 22.4% të PBB-së, ka shfaqur shenja stanjacioni, me rënie të prodhimit industrial në vitin 2024 (-0.2%). Bujqësia, ende një sektor i rëndësishëm me 15.5% të PBB-së, mbetet me produktivitet të ulët dhe shumë e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike përballë faktit se ferma shqiptare është e vogël dhe e ndarë mesatarisht në pesë a gjashtë parcela të cilat janë gjashtë a shtatë kilometra larg nga njëra tjetra, dhe në këto kushte kjo çdo gjë mund të jetë, por vetëm fermë nuk mund të emërtohet.
Ato që dominojnë ekonominë janë shërbimet, por edhe këto kanë një fokus të fortë në veprimtari me vlerë të shtuar të ulët dhe me një sezonalitet shumë të theksuar, sepse lidhen kryesisht me turizmin, që ende vazhdon të mbetet ai i diellit dhe bregdetit (edhe pse dy a tre vitet e fundit ka një prirje për diversifikim në turizëm malor, historik, kulturor, etj).
Kjo tablo sido që ta shesim, të bukur, me ngjyra, natyrë e qetë, a diçka surrealiste, sugjeron se rritja aktuale e ekonomisë shqiptare, nuk mbështetet në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, inovacion apo rritje të qëndrueshme të produktivitetit dhe kjo bën që ekonomia shqiptare të mbetet e brishtë dhe shumë e ndjeshme ndaj goditjeve të jashtme dhe cikleve të kërkesës dhe ofertës, veçanërisht nga lëvizjet e paparashikueshme të tregjeve europiane.

Kjo strukturë e PBB-së
Kjo strukturë e PBB-së, sipas përdorimit final, nxjerr në pah një problem të vjetër dhe mjaft solid të ekonomisë shqiptare, dominimin e konsumit mbi prodhimin, që në fakt në thelb ka të bëjë me dominimin e konsumit përballë investimeve. Konkretisht, konsumi familjar përbën më shumë se 70% të PBB-së dhe përballë këtij konsumi, investimet janë në shifrat rreth rreth 24%, një raport tipik për ekonomitë, që janë të bazuara dhe të varura nga burime të jashtme financimi. Nga një këndvështrim suplementar, remitancat, që përbënë rreth 8.4% të PBB-së në vitin 2024, vazhdojnë ende të luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e konsumit dhe balancimin e llogarisë korrente. Por, kjo çështja e remitancave nuk bën gjë tjetër veçse krijon realisht një varësi të zgjatur dhe në aspektin psikologjik krijon një iluzion stabiliteti, gjë që bën që presioni për reforma institucionale dhe axhustime strukturore të bjerë, duke ulur tempin e nxitjes së investimeve produktive dhe të punësimit cilësor e të qëndrueshëm. Edhe deficiti tregtar mbetet kronik, bazuar në importe që tejkalojnë ndjeshëm eksportet, një reflektim i qartë për një ekonomi që konsumon më shumë sesa prodhon dhe që nuk arrin të përfitojë plotësisht nga integrimi rajonal dhe europian.
Përtej rritjes ekonomike, nëse e shikojmë ekonominë nën aspektin fiskal, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në stabilizimin e treguesve makro. Inflacioni ka rënë ndjeshëm nga nivelet e larta të vitit 2022 dhe borxhi publik, pas kulmit të arritur gjatë krizave të njëpasnjëshme, ka hyrë në një trajektore zbritëse, edhe pse kjo më së kursit artificial të këmbimit lek / euro, sidoqoftë, duket se sfida kryesore për vitin 2026 mbetet kapaciteti i kufizuar i mbledhjes së të ardhurave. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor (Bosnje &Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), të ardhurat tatimore mbeten në një nivel të ulët dhe shumë larg mesatares së Bashkimit Evropian, me vetëm rreth 17.8% të PBB-së dhe këtu probleme persistente mbeten (1) informaliteti i lartë, (2) përjashtimet fiskale dhe (3) dobësitë në administratën tatimore dhe që të tre këta faktorë së bashku e kufizojnë në një masë shumë të konsiderueshme hapësirën fiskale për investime publike strategjike.
Nëse i referohemi Bankës Botërore, për strategjinë e të ardhurave për Shqipërinë, në lidhje me të ardhurat fiskale, mund të gjenerohet edhe rreth 1% shtesë përmes masave si (1) formalizimi i turizmit, (2) taksimi i pronës mbi bazë vlere tregu dhe (3) taksat mjedisore, por nga ana tjetër, Banka Botërore thekson se këto masa kërkojnë vullnet politik dhe kapacitete administrative, të cilat, që të dyja në rastin më të mirë shpesh kanë munguar dhe në rastin më të keq nuk kanë ekzistuar.
Përballë kësaj gjendjeje septike fiskale, struktura e shpenzimeve publike pasqyron shumë qartë tensionin mes nevojave sociale afatshkurtra dhe prioriteteve zhvillimore afatgjata. Konkretisht, mbi një e treta e buxhetit shkon për pensione dhe transferta sociale, duke kufizuar shumë hapësirën për investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, investime që kanë natyrë dhe ndikim afatgjatë në tërë jetën politike, ekonomike dhe sociale në vend. Specifikisht, sistemi i pensioneve, është një sistem që prej vitesh po përballet me sfida serioze, që pritet të përkeqësohen pas vitit 2026. Kjo sepse vetëm 46% e popullsisë në moshë pune po kontribuon realisht me pagesën e sigurimeve shoqërore (dhe shëndetësore), ndërsa pensioni mesatar përfaqëson rreth 32% të pagës kontribuese dhe vetëm 15 – 20% të pagës që gëzonin ata që janë aktualisht në pension, kur bashkëkohorët e tyre në Evropë gëzojnë pension sa 50% – 70% të pagës që kishin kur ishin të punësuar. Nga ky këndvështrim, me plakjen e shpejtë të popullsisë, presioni fiskal do të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme, duke filluar që në mes të vitit 2026. Pra që në fillim të vitit 2026 nevojiten reforma të thella që të zgjerojmë bazën kontribuese, të rrisim formalizimin dhe inkurajojmë jetëgjatësinë në tregun e punës, në mënyrë që të garantojmë manaxhimin e riskut të qëndrueshmërisë fiskale dhe të kthejmë këtë rrezik në një gjendje të përkohshme dhe jo persistente.
Përpos kësaj, thembra e akilit të Shqipërisë dhe të ekonomisë së saj mbetet gjendja e vazhdueshme e bjerrjes së nivelit të aftësive, njohurive dhe kompetencave të kapitalit njerëzor, pika më e dobët e modelit ekonomik shqiptar (nëse ka vërtet një model ekonomik). Shpenzimet për arsimin e hershëm në Shqipëri janë vetëm 0.08% e PBB-së, një shifër shumë shumë herë më të ulëta se standardet e vendeve të OECD-së, ndërsa aksesimi i arsimit në çerdhe publike është inekzistent ose fare minimal. Por më tej, me rritjen e moshës, në nivelet e mëtejshme arsimore në vend ka një problematikë të thelluar që shfaqet edhe në rankimin e nivelit të edukimit në sistemin Pisa (për arsimin parauniversitar), ku Shqipëria renditet aspak mirë dhe në rankimin e universiteteve shqiptare në rankimin ndërkombëtar të tyre, ku vetëm Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës renditen në nivelet rreth 4.000 – 4.200 pra shumë larg universiteteve më të mira në shkallë botërore.
Kjo gjendje shfaqet mjaft proporcionale në tregun e punës
Kjo gjendje shfaqet mjaft proporcionale në tregun e punës, ku papunësia e të rinjve mbetet e lartë (25.1%), që shfaq edhe një mospërputhje të thellë mes sistemit arsimor dhe nevojave të ekonomisë. Arsyetimi i punë marrësve mbetet niveli i ulët i aftësive, njohurive dhe kompetencave të të rinjve që dalin nga universitetet dhe gjendja e mjeruar e bizneseve shqiptare për nevojën e investimeve të munguara, pasi sipas tyre sektori bankar nuk i ka mbështetur dhe për këtë shkak edhe produktiviteti mbetet në nivele të ulëta, gjë që pengon për marrjen në punë të të rinjve me paga premtuese për karrierë. Shto këtu edhe emigrimin e vazhdueshëm të fuqisë punëtore të kualifikuar, që përkeqëson më tej problemin, duke ulur në nivele alarmante potencialin e rritjes afatgjatë. Në këtë kontekst, çdo strategji për vitin 2026 dhe përtej duhet të vendosë kapitalin njerëzor në qendër të politikave publike, duke e parë këtë jo si një shpenzim të kotë social, por si një investim zhvillimor për sot dhe për të ardhmen.
Përveç sa më lart, ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj luhatjeve të jashtme përmes deficitit të llogarisë korrente dhe përqendrimit të eksporteve vetëm në disa produkte dhe tregje, ndërsa sektori energjetik ofron potencial të konsiderueshëm, por edhe rreziqe shumë të mëdha për shkak të varësisë nga klima dhe reshjet. Varësia pothuajse totale nga hidroenergjia e bën sistemin energjetik shqiptar tërësisht të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe paralelisht me të edhe humbjet në rrjet që mbeten të larta, sjellin në mënyrë të pashmangshme nevojën për një manaxhim serioz dhe shkencor të këtyre burimeve dhe të energjisë në veçanti, duke sjellë si domosdoshmëri diversifikimin drejt burimeve të rinovueshme dhe investimet në eficiencën energjetike, parë këto jo vetëm në aspektin mjedisor, por edhe në lidhje me aspektin e sigurisë ekonomike.
Por, sado që ne të arsyetojmë në lidhje me atë që duket te ekonomia e Shqipërisë, një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe të ekonomisë së saj është e padukshme për sytë e qytetarëve të thjeshtë. E kam fjalën për cilësinë e institucioneve.
Është tashmë konkrete nevoja e menjëhershme e luftës kundër (1) dobësive në sundimin e ligjit, (2) korrupsionit dhe (3) mungesës së përgjegjshmërisë financiare, sepse këto tre gjendje kritike janë pikërisht ato që krijojnë kosto të larta ekonomike, kosto që në më të shumtën e rasteve janë tërësisht të padukshme në statistikat zyrtare. Konkretisht, (1) humbjet buxhetore për procese gjyqësore, çështje gjyqësore të humbura edhe në gjyqësinë ndërkombëtare, (2) menaxhimi joefikas i investimeve publike dhe (3) pasiguria ligjore për investitorët, janë ato që pikërisht minojnë potencialin e rritjes dhe të besimit të qytetarëve te qeverisja dhe te procesi i integrimit europian (përata që besojnë te ky proces).

Për vitin 2026 dhe përtej, duket se ekonomia shqiptare po hyn me një bazë makroekonomike relativisht të qëndrueshme, por me kufizime shumë të thella në lidhje me reformat institucionale dhe me mungesë shumë të madhe të axhustimeve strukturore, që janë aq të nevojshme për të ecur përpara.
Për këtë ka dy opsione ose dy zgjedhje, që janë shumë të qarta.
Ose vazhdim i modelit aktual, që prodhon rritje të moderuar dhe emigrim të vazhdueshëm, ose një axhendë e plotë reformash institucionale dhe axhustimesh të thella strukturore, që synojnë transformimin e ekonomisë së vendit dhe përafrimin me Bashkimin Evropian (për ata që e duan këtë përafrim). Në lidhje me këtë pikë personalisht kam objeksione të qarta, pasi përballë zgjedhjes së integrimit në Bashkimin Evropian, ka edhe zgjedhje të tjera që janë Komonuelthi Britanik, Komonuelthi Amerikan, BRICS, e ndonjë union tjetër ekonomik. Konkretisht, prej kohësh është hedhur ideja e Unionit të Vendeve të Mesdheut, si një alternativë për të cilën Franca, Italia, Spanja, etj, po punojnë dhe janë organizuar edhe disa takime. Shqipëria është pjesë e rëndësishme e zonës së Mesdheuut dhe kjo qasje është mjaft interesante, përballë Bashkimit Evropian, që po vuan prej kohësh, pasi Evropa Perëndimore është një territor me mungesë të theksuar të burimeve natyrore dhe me kosto të larta të realizimit të produkteve dhe shërbimeve dhe kjo gjendje po vazhdon prej kohësh të jetë aspak konkurruese me unione të tjera ekonomike. Nëse Bashkimi Evropian e sheh Ballkanin Perëndimor si një trampolinë për shkarkimin e krizave të njëpasnjëshme ekonomike, atëhere nuk shoh ndonjë arsye të fortë për të qenë pjesë e BE-së. Nëse BE-ja na do, atëhere derën e ka të hapur. Është pikërisht Evropa ajo që ja ka mbyllur derën Shqipërisë dhe shqiptarëve me pretekstin e mos plotësimit të standardeve, kur edhe vetë Evropa punon me dy a më shumë standarde. Një është standardi i Brukselit që shfaqet rëndom në rrugët e Parisit, Athinës, Napolit, Bukureshtit, Sofies, etj, rrugë që nuk ndryshojnë shumë nga rrugët e Tiranës dhe tjetri është standardi i periferive të qyteteve më të mëdha Evropiane, që si standard nuk ndryshon shumë nga standardi i periferisë së qyteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, çështja e integrimit në Bashkimin Evropian është dhe duhet të mbetet çështje referendum, ku shqiptarëve duhet t’u vihen përballë disa alternativa dhe jo vetëm një zgjedhje që paraqitet si e famshmja zgjidhje.
Si përfundim
Si përfundim, pa reforma të guximshme në fiskalitet, kapital njerëzor, institucione, industri dhe energji, stabiliteti i sotëm rrezikon të shndërrohet në stanjacion të keqmenaxhuar dhe për këtë viti 2026 nuk do të jetë thjesht një vit tjetër ekonomik, por një test për aftësinë e Shqipërisë për ta bërë qendrueshmërinë pjesë të zhvillimit të saj.
Përballë këtyre zhvillimeve dhe kësaj gjendjeje septike, ku jemi përfshirë si (1) individë, (2) familje, (3) biznese, (4) qeveri dhe si (5)komb, tre elemente kyçe kërkojnë vëmendje të veçantë, (1) krijueshmëria, (2) inovacioni dhe (3) standardet, që formojnë një marrëdhënie jo lineare, por kumulative, ku secili element ushqen dhe kufizon tjetrin njëkohësisht. Krijueshmëria përfaqëson fazën e gjenerimit të ideve të reja, shpesh jashtë kornizave ekzistuese institucionale dhe ekonomike, inovacioni është procesi përmes të cilit këto ide strukturohen, testohen dhe shndërrohen në produkte, shërbime ose procese me vlerë ekonomike dhe komerciale dhe standardet që janë ato që përbëjnë mekanizmin, i cili i kthen inovacionet në vlerë të shtuar, të përshkallëzuar dhe në besueshmëri në hapësirat e tregjeve të gjera. Në mungesë të standardeve, inovacioni mbetet i paqëndrueshëm dhe krijueshmëria fragmentare. Në mungesë të krijueshmërisë, standardet kthehen në barriera statike që frenojnë progresin dhe pa inovacion, lidhja mes krijueshmërisë dhe standardeve mbetet teorike dhe pa impakt real.
Për ekonomitë në tranzicion, si ekonomia e Shqipërisë, sfida nuk qëndron në mungesën e krijueshmërisë individual, por në paaftësinë institucionale për ta kanalizuar këtë krijueshmëri drejt inovacionit të standardizuar, duke krijuar një hendek mes potencialit krijues dhe produktivitetit ekonomik dhe vetëm me anë të një arkitekture politike dhe institucionale që i trajton standardet si katalizatorë dhe jo si kufizues, krijueshmëria mund të shndërrohet në inovacion sistemik për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm.
Sa për vitin 2025 duhet të theksoj se ky vit do jetë viti i fundit “normal”, ashtu si njerëzorët e konceptojnë “normalitetin” dhe sa për vitin 2026 duhet të theksoj se do jetë viti i parë i “normalitetit të ri”, vit në të cilin sistemet nuk do vlerësohen më nga paraja dhe pasuria, por nga mënyrë se si sistemet bëjnë trajtimin e qenieve njerëzore. Në këtë kuadër, duket se sistemi që shqiptarët historikisht kanë ndërtuar, nuk ka aspak lidhje me mënyrën e mirë të trajtimit të qenieve njerëzore.




















