Piktori Xhevdet Spahija: Kisha idhuj Paskalin, Paçon dhe Muntaz Dhramin

277
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori kosovar Xhevdet Spahija: Enverin e ka dashur çdo kosovar.

  • -Kisha idhuj Odhise Paskalin, Janaq Paçon, Muntaz Dhramin.
  • -Ne dëgjonim fshehtazi radio Tiranën dhe TVSH.
  • – Stacionet e RTSH i dinim me symbyllur.
  • -Enverin e quanim gjeni, si udhëheqësin e gjithë kombit shqiptar
  • -Na befasoi vetëvrasja e Mehmet Shehut.
  • -Skulptorët dhe piktorët shqiptarë janë me famë.
  • -Kam qenë kundër prishjes së mozaikut në ballinën e Muzeut Kombëtar.

Albert ZHOLI

Ka mbaruar Magjistraturën për pikturë, pas përfunsimit të Akademisë së Arteve dhe ndihet mëse i emocionuar që ka hapur një ekspozitë në Tiranë para shumë vitesh. Eshtë e para ekspozitë që ai hap në Shqipëri dhe është befasuar me vizitorët e shumtë, por edhe me njohjen e mirë që kanë shqiptarët për këtë lloj arti. Në Kosovë sipas tij në vitet e sistemit komunist Enveri njihej si shpëtimtar dhe udhëheqës i Kombit. Vetëvrasja e Mehmet Shehut la  një hendek në kujtesën e kosovarëve, por ardhja e tij në vitin 1992 e çuditi me varfërinë. Në vitet e diktaturës të gjithë dëgjonin në fshehtësi Radio Tiranën dhe Radio Kukësin.

Çfarë ju shtyu që të bëni një ekspozitë pikërisht në Shqipëri?

Dëshira ime për të hapur nëj ekspozitë në Tiranë ka qenë e kahershme. Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, qyteti kryesor i artit, muzikës, që gjallon në çdo stinë. Më tej mund ët them se në Shqipëri ka me qindra skulptorë dhe piktorë me emër dhe të njohur në Europë ku fjala e tyre profesionale patjetër që do të lërë diçka tek unë.

Ekspozita juaj titullohej “Vjeshtë në Tiranë” përse ky emërtim dhe sa piktura ishin në këtë ekpsozitë?

Përse titullohet kështu? Shumë e thjeshtë pasi ekspozita u zhvillua në Tiranën tonë, dhe në stinën e vjeshtës, madje në ditët e para të fillimit të saj. Në këtë ekspozitë publikova 64 piktura ku mund të them se pjesa dërrmuese u ekspozuan për herë të parë.

Sa ekspozita keni hapur gjithsej?

Kam hapur rreth 8 ekspozita, por në Tiranë e para. Të tjerat i kam hapur në Kosovë, Pejë, Gjakovë, Prishtinë, por më kryesorja në Godeborg të Suedisë. Aty arti vlerësohet.

Ju keni mbaruar studimet e larta për pikturë. Ishte dëshirë apo nxitje familjare?

Sigurisht dëshirë, që lidhej me prirjet e mia. Jam Magjistër i pikturës, kam mbaruar Akademinë e Artit në Prishtinë dhe shkollën e mesme për pikturë në Pejë. Pra i kam marrë të gjitha shkallët e kualifikimit.

Si i njihje piktorët dhe skulptorët shqiptar të sistemit monist?

I kam njohur nëpërmjet një libri të Ferit Hudhrit, por më shumë i kam dëgjuar në radio Tirana, apo në biseda të ndryshme. Kjo deri në vitet e demokracisë, pasi më vonë u njoha shumë mirë me jetën dhe veprën e skulptorëve të shquar. Kam njohur nga larg më të mëdhenjtë e skulpturës dhe pikturës shqiptare.

 Kë prej tyre ke njohur, apo veprat e kujt ke njohur për së largu?

Jam njohur me jetën dhe veprën e Odhise Paskalit, Janaq Paços, Muntaz Dhramit, si skulptorë që mbeten prijës të skulptorëve shqiptarë, por njoh dhe Skënder Krajën, nga Shkodra,  apo Guri Madhin dhe të tjerë. Piktorët Prof. Hasan Nallbani, Fatmir Haxhiu, por edhe disa nga të plejadës së vjetër. Pra Shqipëria ka skulptorë dhe piktorë të kalibrit botëror. Veprat e tyre si të Kol Idromenos, Spiro Xega, etj kanë lënë pas një vepër të paharruar.

Si e njihnit Shqipërinë dhe Enver Hoxhën në regjimin komunist, a kishit njohuri të plota dhe si e ndiqnit ecurinë e Shqipërisë?

Eh, ne atëhere me ëndje dhe me zemër ishim në Shqipëri. Me sy dhe vesh të merrnim një lajm sadopak. Dëgjonim shumë gjëra për figurën e Enver Hoxhës dhe na dukej hyjni. Kush e kishte takuar Enverin në atë kohë për ne ishte më i lumturi. Ne, kur flitej për Enverin, heshtnim vetëm dëgjonim. E quanim udhëheqësin tonë.

E donin kosovarët Enver Hoxhën?

Dëgjo, ai kosovar që thotë sot se nuk e donte Enverin gënjen. Ne tek ai shihnim shpëtimin, tek atdheu mëmë. E kemi dashur gjithnjë. Ne në radhë të parë e donim se ishte udhëheqësi i Shqipërisë, pra e quanim udhëheqës të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Unë për vete e kam dashur edhe pse ka qenë i bukur, i gjatë, i pashëm, madhështor. Në Paris ai ishte më gjigandi.

Si e njihnit realitetin shqiptarë në atë kohë?

Nëpërmjet radios dhe televizionit, por më shumë nëpërmjet radios. Ne Radio Kukësin dhe Radio Tirannën i kishim si bibël. Mbylleshim brenda dhe e dëgjonim se mos na dëgjonin. Këto stacione i dinim përmendësh. E dëgjonim dhe mahniteshim me arritjet e Shqipërisë.

Kush ishte emisioni më i ndjekur për ju?

Ishte emisioni “Heroizmi i popullit shqiptarë në shekuj”. Një emision plot histori. Kur dëgjonim dhe arritjet e Shqipërisë sidomos për ushtrinë na bëhej zemra mal. Por çdo gjë në mënyrë të fshehtë. Ne mendonim se me atë fuqi ushtarake Shqipëria është si NATO. Flitej shumë për ushtrinë e Shqipërisë në atë kohë. Mendonim se s’ka kush i bën asgjë. Madje kur ka fol njëherë Enveri për sigurinë e Shqipërisë si nga Greqia dhe Serbia, kur ka ngritur zërin, ne na dridhej mishi. Ai zë sikur na jepte forcë, sikur na mobilizonte. Ishte zëri i atdheut.

Po televizionin shqiptar si e ndiqnit?

Kemi bërë çdo gjë, çdo marifet, për antena të veçanta, për paisje të veçanta për të marrë TVSH. Madje kishte raste që vepronte dhe UDB. Por këtu dua të ndalem tek filmat shqiptar. Ato filma i shoh me shumë dëshirë edhe sot. Kudo në shtëpitë tona kemi kaseta me filmat shqiptarë. Madje edhe brezi i ri në Kosovë i don fort. Unë i shikoj në çdo kohë madje di përmendësh shumë dialogje nga këto filma.

Po serbët a shpreheshin për figurën e Enverit?

Se di nga afër, por e kishin si kundërshtar të fortë. Ne madje kur donim me mendje të dënonim ndonëj serb të keq thoshnim me vete, Ah, ti do Enverin! Ai ua gjen vendin juve. Ai ua di kleçkat. Pra e kishim si të plotfuqishëm, madje në Kosovë thuhej se Shqipëria ka dhe armë nukleare të dhuruara nga Kina.

Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?

Kam ardhur në vitin 1992, në Festivalin Mbarëkombëtar që u zhvillua në Shkodër. U befasova, pasi gjeta njerëz të mrekullueshëm. Pra pashë rrugë të këqija, furrnizim shumë të keq, varfëri. Nuk e prisja. Mendoja se në Shqipëri gjeje çdo gjë. Psherëtiva. Nuk besoja se do ta gjeja vendin tim në atë gjendje (loton).

Po figurën e Mehmet Shehut e njihnit?

Po e njhnim, por jo aq sa të Enver Hoxhës. Madje kur vrau veten u pezmatuam. Dinim që ishte një burrë shteti. Na thoshin se ishte tepër i drejtë dhe i zoti. Unë kam lexuar librin e vëllait të tij Duro Shehu. Gjej shumë gjëra kontraditore, shumë befasira.

Ku ke qenë ditën kur ka vdekur Enver Hoxha dhe si e ke përjetuar?

Kam qenë jashtë Kosovës dhe kur e kam marrë vesh kam ngel i hutuar. S’më ka ardhë hiç mirë, por mendoja se si do t’i vejë halli Shqipërisë. Por kur erdha më pas në Shqipëri dhe pashë gjithë atë urrejtje, ngela në dilemë. Më vinte çudi, që deri dje e donin aq shumë dhe tashmë e shanin. Unë mendoj se ajo histori 50 vjeçare nuk duhet të shuhet, të shkruhet me realitet. Nuk kam qenë dakort me prishjen e mozaikut në ballinë të Muzeut Kombëtar, pasi ai mozaik është pjesë e kulturës, pjesë e historisë, pjesë e artit shqiptar në një periudhë të caktuar të historisë.

Si t’u dukën këto ditë në Tiranë, duke qëndruar në Muzeun Kombëtar?

Jam ndjerë shumë mirë, Jam ndjerë si në shtëpinë time. Por ajo që dua të theksoj është se këtu pashë dashamirës të pikturës, pra pashë njerëz që dhe pse nuk ishin piktorë, pyesnin dhe e njihnin pikturën.