Dy standardizimi i tekstit mësimor “ Gjuha shqipe” ka filluar që në kohën e monizmit
Shkelja: Strukturën sintaksore të togfjalëshit dhe të periudhës; Strukturën morfologjike të nyjes; strukturën e llojeve letrare dhe llojeve letrare shkencore e publicistike, të cilat në tekstet e gjuhës shqipe kanë emërtime jo të standardit gjuhësor ose nuk studiohen fare.
Gjuha shqipe në shkolla mësohet me dy standarde. Në universitet mësohet sipas normave standarde miratuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. në arsimin parauniversitar mësohet në shkelje të standardeve normative.
Teksti mësimor “Gjuha shqipe” në arsimin parauniversitar , 30-vitet e fundit, është lënë pa u studiuar nga Akademia e Shkencave; nga Këshilli Ndërakademik Gjuhësor; nga institucionet studimore shtetërore të arsimit (IZHA, QKA.., nga Universiteti shtetëror i Tiranës, dega gjuhë- letërsi, nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga Fakulteti Histori-Filologji dega gjuhë-letërsi etj. Mungesa e këtij studimi, ka sjellë vazhdimësinë e shumë temave mësimore gjuhësore që shtjellohen në tekstet e gjuhës në shkelje të shqipes standarde.
Për të argumentuar këto shkelje analizojmë: Strukturën sintaksore të togfjalëshit dhe të periudhës; Strukturën morfologjike të nyjes; strukturën e llojeve letrare dhe llojeve letrare shkencore e publicistike, të cilat në tekstet e gjuhës shqipe kanë emërtime jo të standardit gjuhësor ose nuk studiohen fare.
- Emërtimi “Togfjalësh”në të gjitha tekstet e gjuhës të arsimit parauniversitar është zëvendësuar me “Grup emëror” dhe “Grup foljor”!
Në programin mësimor 2019, përgatitur nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit, klasa 5, lexojmë :- Nxënësi të marrë njohuri dhe të dallojë “grupin emëror” dhe “grupin foljor”, brenda një fjalie… I referohemi tekstit normativ gjuhësor “Gramatika e Gjuhës Shqipe 2” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (përgatitur nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, fq 81-101), ku lexojmë që grupet e fjalëve, të cilat shprehin një kuptim brenda fjalisë emërtohen togfjalësh dhe kryejnë funksion si pjesë përbërëse e analizës sintaksore të fjalisë, si: “Kryefjala shprehet me emër, përemër edhe me togfjalësh”. “Gjymtyrët e dyta të fjalisë shprehen edhe me togfjalësh” etj. Në këtë kapitull duke u mbështetur në gjymtyrën kryesore të togfjalëshit që është pjesa emërtuese emër, folje, përemër… kemi: Togfjalësh emëror; foljor; mbiemëror; përemëror; numëror; ndajfoljorë. Mësuesit nuk dinë si të argumentojnë pyetjet e nxënësve, kur në bashkimin kuptimor të fjalëve brenda një fjalie janë dy numërorë si: Dy dhe tre…( togfjalësh numëror) ose kemi ndajfolje me një mbiemër, Shumë i ëmbël… (togfjalësh mbiemëror. Sipas tekstit mësimor këto grupe emërtohen grup emëror ose grup foljor. Në cilin grup do t’i renditë mësuesja? Në grupin emëror ku nuk kemi emër bërthamë apo në grupin foljor ku nuk kemi folje bërthamë? Edhe në tekstet mësimore të gjuhës së huaj anglisht, frëngjisht në shkollat tona përdoret emërtimi togfjalësh dhe jo grup emëror ose grup foljor. Për të realizuar këtë temë mësimore të vendosur në program me siguri autorët kanë shfletuar tekstet e gjuhës shqipe të vitit 1996-2004 ku shpjegohen në mënyrë të pashpjegueshme dhe të pakuptueshme grupi emëror dhe grupi foljor. Në veprën e Ismail Kadaresë “Ftesë në studio”, fq 263 lexojmë: “Vështirë se do të gjendej një gjuhë tjetër ku do të jepeshin me saktë mallkimet kozmike të Eskilit, …Kjo kryhet në shqip falë formës dëshirore të foljes ose togfjalëshat e famshme eskiliane, ato fjalë të lidhura si dërrasa, për të cilat ai u akuzua se i përdorte për të tromaksur spektatorët…!” Po shkëputim disa vargje nga Prometheu i lidhur: “Kryetar i ri, që sundon mbi hyjet fort të lumtur. Aj medet! Medet ! Grupi i fjalëve Aj medet!-është një togfjalësh ndajfoljor, që shpreh thirrjen dëshpëruese kur kujton hyjet në antitezë me gjendjen shpirtërore të personazhit. A mund ta emërtojmë ne grup emëror ose foljor kur ajo ndërtohet me pjesë ligjërate pasthirrmë dhe ndajfolje? Megjithëse në tekstet shkollore është fshirë termi togfjalësh, ai vazhdon të përdoret edhe sepse, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, 1972 vendosi përfundimisht përdorimin e shqipes standarde si normë letrare në të gjitha hallkat e strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Një nga detyrat,që la Kongresi krahas shumë detyrave të tjera ishte : “Të përkrahet prirja e shqipes letrare drejt njëfjalësimit të disa togfjalëshave, veçanërisht të disa shprehjeve ndajfoljore, parafjalore, lidhëzore. Në konferencën shkencore organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2002 “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, në shumë kumtesa termi togfjalësh është i pranishëm. Në faqen 291 lexojmë: “Termat togfjalësha mund të thuhet se mbizotërojnë në çdo fushë. Kryesisht janë me dy-tre– katër përbërës, si: çelje kredie, shenjat e pikësimit, dendësim i avullit të ujit, pas kryerjes së veprës penale …Emërtimi togfjalësh gjendet dhe në Udhëzimin Nr 4, datë 15.02.2017 të Ministres së Arsimit ku lexojmë:Udhëzoj: Pas çdo togfjalëshi, që është “tekste shkollore të reja”…të shtohet togfjalësh, “dhe përmbajtje digjitale”…
Mësuesit e gjuhës shqipe në fakultet mësojnë njësinë sintaksore të togfjalëshit, ndërsa në shkollë shpjegojnë grup emëror dhe grup foljor në vend të kategorisë sintaksore togfjalësh. Ka vite që në mbledhjet rutinë organizuar nga IZHA, është ngritur kjo shkelje e shqipes standarde, por përsëri në programet e reja 2014-2019 , kemi vazhdimësi të programeve 2004-2012.
- Emërtimi “Periudha” është zëvendësuar me “Fjalia e përbërë”.
Nga viti 1980 e në vazhdim disa terma gjuhësore, me pretendimin për lehtësi kuptimi u ndryshuan në emërtim. Në vend të emërtimit “Periudha” u zëvendësua me emërtimin” Fjali e përbërë”. Në vazhdimësi edhe sot në programet mësimore, klasa 6 ,7 ,8, 9 lexojmë që nxënësi të marrë njohuri për fjalinë e përbërë. Krahasojmë: Libri i standartizuar si shqipe standarde “Gramatika e Gjuhës Shqipe 2” e Akademisë së Shkencave dhe njëkohësisht tekst mësimor në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë-letërsi ndahet në dy kapituj: 1. Sintaksa e fjalës. 2. Sintaksa e periudhës. Sintaksa e periudhës analizohet me veçoritë gjuhësore të saj në 250 faqe. Në tekstet shkollore të gjuhës shqipe është hequr termi “Periudha” si njësi sintaksore dhe është zëvendësuar me termin “Fjali e përbërë”. Cili emërtim i përgjigjet akteve normative të gramatikës së gjuhës shqipe? “Periudha“, e cila ndërtohet me disa fjali, që kanë lidhje bashkërenditëse, nënrenditëse ose të përzier ndërmjet tyre apo“ Fjalia e përbërë”, që ndërtohet me disa fjali…? Sa e kuptueshme është për nxënësin përdorimi i dykuptimshëm i fjalës “Fjali”? Njëherë shpjegon në mënyrë të pakuptueshme” fjalia e përbërë” dhe, pastaj kemi disa fjali brenda fjalisë së përbërë të cilat të veçuara nuk mund të qëndrojnë më vete ! Në arsimin parauniversitar nxënësi merr njohuri për fjalinë jo sipas akteve normative, ndërsa në degën gjuhë letërsi në universitet studenti merr njohuri për periudhën ! Të njëjtat argumente mund të përdoren edhe për emërtimin “Fjalia e thjeshtë”, që ndërtohet vetëm me një folje e emërtuar në të gjitha tekstet shkollore në vend të emërtimit normativ “Fjalia e mëvetësishme” emërtuar në tekstin e Akademisë së Shkencave 2. Analizojmë: Fjala e thjeshtë shpreh një mendim, që ndërtohet me një folje. A mund ta quajmë fjali të thjeshtë tekstin e mëposhtëm ndërtuar me një folje? – “Përpara stendave kalojnë me turr turli racash e njerëzish, myslimanë, anglezë, maoistë, turq, disidentë, eskimezë.” Emërtimi fjali e mëvetësishme i përgjigjet ndërtimit të fjalisë me një kuptim të shumanshëm, të plotë dhe të larmishëm. Do të vazhdojnë të mësojnë nxënësit: Njësia sintaksore e fjalisë së përbërë apo do të korrigjohet sipas aktit normativ njësia sintaksore e periudhës? Do të vazhdojnë të mësojnë nxënësit: Njësia sintaksore e fjalisë së thjeshtë apo do të korrigjohet sipas aktit normativ njësia sintaksore e fjalisë së mëvetësishme? Më tej në programet mësimore që nga viti 2004 lexojmë: “Nxënësi duhet të marrë njohuri për llojet e fjalisë së përbërë: 1. përcaktore, 2. ftilluese, 3. vendore, 4. kohore etj. Krahasojmë me tekstin “Gramatika e Gjuhës Shqipe 2” të Akademisë së Shkencave, fq 528 dhe lexojmë se; kur në fjalinë e përbërë fjalia e varur përcaktore krijon lidhje me fjalinë kryesore nëpërmjet lidhëzave nënrenditëse ftilluese –se, që– kemi fjali të varur përcaktore ftilluese.Shembull.: Në klasë ishte hapur lajmi se do të krijohej grupi artistik i klasës. Sipas këtij përcaktimi të shqipes standarde nuk kemi fjali ftilluese të mirëfilltë, por fjali përcaktore ftilluese.
- Nyja
Nyja si morfemë trajtëformuese dhe fjalëformuese nuk zhvillohet si temë mësimore teorike në asnjë proogram mësimor në lëndën e gjuhës shqipe. Natyrisht dhe autorët e teksteve duke i qëndruar besnik programit nuk e kanë trajtuar nyjen. Shembull.: Në programet mësimore udhëzohet që nxënësi të marrë njohuri për përbërësit e fjalës, (rrënja, tema, parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa) . Në tekstin mësimor universitar të gjuhës standarde “Gramatika e Gjuhës Shqipe 1”, në faqen 46-49 lexojmë: Shumica e fjalëve mund të zbërthehen në njësi më të vogla, që quhen morfema. Dallohen dy grupe morfemash; morfema rrënjore, që përfaqëson në vetvete bërthamën leksikore të fjalës (punë, larg…) dhe morfema ndajshtesore ( parashtesa, prapashtesa, mbaresa, nyja ), që mund të shoqërojnë rrënjën në përbërjen e një fjale. Nyjet- i-e-të-së- në shumicën e rasteve janë të barasvlershme me parashtesat, prapashtesat dhe mbaresat. Me nyje dalin mbiemrat, që për këtë tipar quhen të nyjshëm, i bardhë, i gëzuar ; përemrat pronorë të vetës së tretë dhe disa forma të vetës së parë e të dytë, i tij, i saj, e mi; përemri dëftor, i tillë dhe përemri lidhor, i cili; forma e rasës gjinore e emrit dhe të përemrit, drejtori i shkollës, mendimi i kujt? Marrin nyje përpara edhe numërorët themelorë dhe përemrat e pacaktuar kur shënojnë një sasi të njohur, të dy, të gjithë dhe disa emra, që shënojnë emërtime farefisnie e ëma, i ati etj. Po të pyesësh nxënësit se çfarë është nyja, ata të përgjigjen se është pjesë e mbiemrit të nyjshëm. Po të drejtosh pyetjen se në cilën strukturë morfologjike të fjalës bën pjesë nyja nxënësit heshtin, sepse në asnjë orë mësimore nuk kanë mësuar funksionet gramatikore që kryen nyja si morfemë fjalëformuese dhe trajtëformuese. Ismail Kadare në librin ”Ftesë në studio”, fq 261 shkruan për vlerën e pallogaritshme të nyjes si faktor i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës shqipe: “Shqipja është një nga gjuhët më të zhvilluara flektive, ( me nyja e parafjalë). Falë kësaj cilësie dhe pa dyshim gjithë mekanizmave të tjerë të saj ajo përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë, sulmin osman në çështjet e gjuhës, që për 500-vjet nuk arriti ta asimilojë.
- Emërtimi “Lloje letrare dhe Lloje letrare-shkencore dhe publicistike është zëvendësuar ”me emërtimin “Tekste letrare dhe tekste joletrare” .
Në programet e gjuhës shqipe për arsimin parauniversitar që nga viti 2004, lexojmë që nxënësi do të analizojë tekste letrare si: tekste poetike, në proz dhe dramatike nga letërsia shqipe dhe botërore, si dhe nga krijimtaria popullore gojore. Nxënësi do të analizojë edhe tekste joletrare, si: reportazhe, kronika, biografi, autobiografi, kujtime, udhëpërshkrime, intervista, rregullore, ese, artikuj gazetash, ditare, udhëzime, njoftime etj. Ndarja e parë e natyrshme në teorinë e letërsisë është klasifikuar në dy grupe: letërsia gojore dhe letërsia e shkruar dhe jo tekste letrare dhe joletrare. Emërtimin e ri tekste joletrare autorët e programeve deri në vitin 2019 nuk kanë arritur ta argumentojnë me akte standarde se ku janë mbështetur për këtë emërtim! Shkëputim dy fragmente:
- Tregim nga Mitrush Kuteli “Unë një dhe Çuli dy “, analizuar në tekstet shkollore si tekst letrar: “Shtëpia jonë qe ndërtuar me gurë lumi të radhitur varg si ato hallkat e zinxhirit të mushkës. Atje brenda Marina dhe nusja e Çulit bënin punët e shtëpisë, bukë të rëndomta dhe bukë me qiqra, petanikë e dredharakë e gjëra të tjera që të lëshonte goja lëng.” 2. Shkëputim nga biografia e Fan Nolit, analizuar në tekstet shkollore si tekst joletrar. “Po cila ishte ajo vajzë, që i kishte dërguar shaminë? Gjyshe Sumba e zbuloi atë, ditën e diel pasdite, kur filloi si zakonisht vallen e saj në sheshin e fshatit duke e valëvitur atë shami të qëndisur. Ishte Sasha dhjetëvjeçare, vajza që e njohu shaminë, iu afrua gjyshes dhe e pyeti…” Dy tekstet nga përdorimi i fjalorit, forma e rrëfimit, përshkrimi i personazhit, metodika e njëllojtë e analizës (punon, njeh, kupton, interpreton, analizon, gjykon, vlerëson ) janë të njëjta, por njëra emërtohet tekst letrar dhe tjetra tekst joletrar. Në tekstin mësimor shkollor “Njohuri nga Teoria e letërsisë “, 1996 me autor Z Rrahmani lexojmë: “Secila vepër letrare klasifikohet në lloje të veprave letrare. Tri llojet kryesore letrare të zhvilluara historikisht janë poezia, proza, drama. Krahas llojeve letrare kemi dhe grupimin e dytë me emërtimin Llojet Letrare Shkencore dhe Publicistike ku lexojmë:- Me zhvillimin që ka marrë proza artistike ka shtuar gjithnjë e më shumë shtrirjen e saj dhe është kombinuar me forma të tjera të prozës shkencore dhe publicistike. Ndërmjet këtyre nuk ka kufi të prerë. Si shembull i kësaj prirjeje mund të përmendet përfshirja e esesë në strukturën e romanit eseist, pra, si tekst letrar. Edhe udhëpërshkrimi, biografia, reportazhi etj, janë lloje letraro-publicistike ose letraro-shkencore ku gërshetohen faktet reale me përshtypjet subjektive.
Ndërsa në tekstet e letërsisë në përdorim lexojmë që tekstet ndahen: Tekste letrare, të cilat janë të realizuara me mjete stilistikore letrare, me kuptime figurative, me tema të thella filozofike. Tekste joletrare, që ndërtohen pa mjete stilistikore letrare, me kuptime të drejtpërdrejta dhe me tema të thjeshta. Argumenti që shtjellon dallimin ndërmjet teksteve letrare dhe joletrare bie në kundërshtim me shembujt e mësipërm. Edhe në tekstin mësimor universitar “Hyrje në Shkencën për Letërsinë”, përshtatur nga F Dado, në faqen 165 kemi të njëjtin klasifikim si në tekstin mësimor “Njohuri nga teoria e letërsisë”. Cila do të jetë vazhdimësia? Emërtimi standard apo vazhdimësia jo standarde të emërtimeve në tekstet shkollore?
Klasifikimi i teksteve në “Tekste letrare” dhe “Tekste joletrare” është i pritshëm, sepse programet mësimore nuk shoqërohen me literaturën përkatëse ku duhet të mbështeten autorët e teksteve shkollore. Profesor Shaban Demiraj kumtesën “Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes standarde”, (gjashtë faqe) e shoqëron me 10 emërtime literature ku është mbështetur për kumtesën e përgatitur. Ndërsa hartimi i programeve mësimore realizohet me udhëzime përgjithësuese dhe të pashoqëruar me literaturën përkatëse që do t’u shërbejë autorëve të hartojnë tekste në përputhje me normat standarde të shqipes.