Suplementi Pena Shqiptare/ Arsinoi Zengo Kallço: Libri me poezi “Dashuri dhe ca pika shi”

Poetesha lirike korçare Arsinoi Zengo ka lindur në Dardhë të Korçës, pas mbarimit të arësimit të hershëm. Arsinoi dhe familja e saj, emigrojnë në vendin helen, dhe aty mbaroi edhe shkollën e mesme në Janinë, -Greqi. Ka mbaruar studimet e larta për mësuesi, Cikël i Ulët, pranë Universitetit “Fan Noli”, Korçë. Prej 11 vitesh punon si kontabiliste te Posta Shqiptare. Pasioni për artin, letërsinë dhe poezinë kanë shndërruar Arsinoin, në një poete lirike të admiruar nga dashamirësit e poezisë të çdo moshe. “Dashuri dhe ca pika shi” është libri i parë i saj me poezi kryesisht të ndjera e lirike. Poezia e Arsinoit eksploron kompleksitetin e dashurisë dhe dehjes nga dashuria, përmes reflektimeve të poetes dhe botës përreth saj. Lidhja e Arsinoit me botën njerëzore, natyrore dhe hyjnore shërben si një metaforë për përvojat jetësore, emocionale, dhe sociale. Toni bisedor, muzikaliteti i vargut lirik, dhe gjuha e thjeshtë e poezisë krijojnë një ndjenjë intimiteti dhe dobësie femërore. Imazhet lirike janë konkrete dhe ndjellëse, duke kapur përvojat shqisore dhe gjendjen emocionale të poetes. Struktura e poezisë, me rreshtat e saj të shkurtër dhe me pauzat e shpeshta, imiton mendimet ngurruese dhe soditëse të poetes.

NOA

Parafjala

Ishte vërtetë një befasi e këndshme kur m’u besua dhe fillova të redaktoj librin me poezi të poetes së re Arsinoi Zengo. Autorja është e lirshme, e çiltër në poezitë e saj, kur i këndon dashurisë së sinqertë me gjithë pathosin e shpirtit. Që tek poezia “Të dua” e cila hap librin, sheh pasionin, shpirtin e zjarrtë, mirësinë, fisnikërinë e autores: Sa herë frymë marr/Sa herë ëmbël më prek/drithërima e ndjenjës/buzët më ledhaton/Trupin më fërgëllon/ Oh sa e shtrenjtë/dhe e shenjtë/është fjala: Të dua! Poetja është krenare për të shkuarën e saj, për traditën familjare, piktorët e shquar të familjes Zengo, të cilët lanë gjurmë në pikturën dhe artin shqiptar. Ajo i këndon me dashuri dhe mall fshatit të saj të lindjes, Dardhës së bukur. Në poezinë e saj ka trishtim të thellë që ky fshat kaq i bukur dhe piktoresk, i rrallë në Shqipëri nuk është më si dikur. Ky fenomen i trishtueshëm: ikja, braktisja, rrënimi po ndodh pothuajse në të gjitha fshatrat shqiptare.


Autorja nuk është indiferente, por si qytetare dhe krijuese ajo ngre zërin fuqishëm dhe trishtueshëm përzier me nostalgji te poezia: “Për Dardhën time”: Aty pak më lart/disa drurë të thatë!/Aty pak më poshtë/shtëpi me oxhakë pa flakë! Eh, ja dhe një nënë/ Si e mjer’ pa fëmijë!/Ikur kurbeteve/Pak më tej një qenushe/qan për zotin e saj! Këtu del në pah mungesa e thellë e freskisë dhe e bukurisë së fshatit të saj të bukur. Nuk ka poet që nuk i ka kënduar nënës dhe dashurisë së pashterrueshme ndaj saj, kështu që edhe autorja ka skalitur me dashuri portretin e nënës në disa poezi të librit të saj. Gjithashtu poetja nuk qëndron indiferente ndaj realitetit që e rrethon; ajo mediton, filozofon, shpreson dhe përçon mesazhe të rëndësishme për lexuesin nëpërmjet poezive të saj të ndjera dhe plot intensitet. Këtë gjë e shohim qartazi te poezitë: “Erdhi koha t’i shkruaj pranverës”, “E destinuar të dashuroj”, “Stacionet e jetës’’, “Nëse vërtetë do dikë”, “Vitet dhe lamtumirat”, “Vajza dhe deti”, “Jeta”, etj. Autorja është një zë i freskët dhe premtues mes poetëve dhe krijuesve korçarë dhe më gjërë. I uroj poetes Arsinoi Zengo suksese të mëtejshme në rrugëtimin e saj të bukur dhe të vështirë të artit dhe poezisë.

Kristaq Turtulli

Të dua

Sa herë frymë marr!
Sa herë ëmbël më prek
drithërima e ndjenjës
buzët më ledhaton,
trupin më fërgëllon,
më pas, më lër të vdes!
Oh sa e shtrenjtë
dhe e shenjtë,
është fjala:
Të dua!

Për Dardhën time

Aty pak më lart
disa drurë të thatë!
Aty pak më poshtë
shtëpi me oxhakë pa flakë!

Eh, ja dhe një nënë
si e mjer’ pa fëmijë!
Pak më tej një qenushe
qan për zotin e saj!

Më kujtohet koha
kur fshati oshtinte!
Fëmijët brohorisnin
nëpër sokak’ e hije!

Eh moj vendlindje
ç’mall më ke dërguar?
Pse nuk më kthen sërish
në shtëpia ime e çmuar?

Qan ky shpirti im
sa herë të thërret!
Ku shkuan vitet;
malli po të vret!

Festat e Nëntorit
me hare dhe këngë!
Iknim që pa gdhirë,
e ktheheshim me hënë!

Eja seç më thua;
po të pres me mallë!
Dardha ime bukur;
dashuri e rrallë!

Nuk do të largohem
asnjë çast nga ty!
Derisa të mbyll sytë,
frymë do marr për ty!

Një engjëll po vjen

Si ylli polar, që ndriçon në qiell,
si rreze diellit ngroh botën,
si kristali bores, që zbardhën token;
kështu të pres ty engjëlli im i vogël!

Sa shpejt shkuan muajt? Dhjetori trokiti
dhe 5 ditë më ndajnë emrin “teze” do marr.
Lumturi pa fund më pret në vazhdim,
motra ime vockël pret një bekim!

I shenjt’ muaji dhjetor gjithmonë do jetë
feston biri im bashkë me nënën e vet’!
Ja dhe një engjëll i shtohet këtij muaji:
dhurata pa fund për të bekuarin!

Pres në krahët e mi të mbaj,
faqkave të buta erë t’ju marr.
Tingujt e ëmbël të zërit të ndiej
dashuria ime e vogël dhuratë perëndie!

Kalo njëherë si dikur!

Kalo njëherë si dikur,
në pragun e ëndrrës sime.
Mos harro, zemrën që më premtove.
Mes flladit flokët çmëndurohen…

Malet oshtijnë dhe mallet përvëlohen!

O jehona ime zemërakë…
qiellin tim mos ma trazo…
Edhe furtuna nëse do sjellësh kur unë s’jam gati…
Fortesë kalaje unë prap do të qëndroj!

Kalo njëherë si dikur,
në pragun e ëndrrës sime.

Edhe dy jetë të kisha prap ty do dashuroja

 

Kohë e zgjatur… dhimbje!
Heshtje në distancë… lëndim!
Shuplakë fati …zhgënjim!
Dashuri e bukur…ëndërrim!

Diell i zjarrtë …rilindje.
Aromë pranverore…rizgjim.
Fëshfërima gjethesh….simfoni.
Shtegtim mendimesh…shpresë!

Dashuri me diell në shpirt
parfumi dehës më zgjon!
Larmi ngjyrash pikturojnë;
me ty shpirtin gjallërojnë!

Fluturo o zemër e dashuruar
matanë do më gjesh.
Aty ku shpirtrat ritakohen
në pavdekshmëri dashurohen!