Arsinoi Zengo: Dardha dhe magjia e motrave Zengo

1540
Sigal

“Në do jetë, o derëbardhë/Gjak në rremba dhe shëndet/Merre rrugën shko në Dardhë/ Ku ndjen gas me të vërtetë”. Kështu shkruante autori i Hymnit Kombëtar të Shqipërisë, i madhi Asdren. Tre fshatrat magjikë të Korçës: Drenova e Asdrenit, Boboshtica e Viktor Eftimiut dhe Dardha e Motrave Zengo. Nëse Boboshtica është mbretëria e 1000 rrënjë manave, e Drenova e 2000 rrënjë manave, Dardha është magjia e 10 mijë pishave. Dardha është vendi ideal i çdo stine. Ajo ndodhet në lartësinë e 1344 metrave dhe falë vendndodhjes mes maleve e pyjeve, ky fshat 300-vjeçar, është një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri. Ka një peizazh të paharrueshëm, ku karakteristikat e katër stinëve të vitit pasqyrohen më së miri.

 

Ajo është e ndërtuar me shtëpi prej guri, kurora të gjelbërta pyjesh, që vishen me të bardhë në dimër, dhe një pastërti ajri që të mbush mushkritë e të bën të ndjehesh i rigjeneruar. Dardha u themelua 300 vjet përpara nga të ikurit që donin t’i shpëtonin ndërrimit të fesë, gjatë Perandorisë Osmane. E jo rastësisht është pikërisht ajo, liria, ndjesia më e fuqishme që përjeton kur viziton Dardhën dhe zhytesh në ngjyrat e përsosura të natyrës së saj. Përfytyroni pak një qoshe të ngrohtë pranë zjarrit, me një libër të mirë pranë vetes,  apo një film klasik bardh e zi në sfond, teksa jashtë bie dëborë për ditë e javë të tëra. E tillë është Dardha në dimër, thjesht magjike!

Oxhaqet ndizen e prej shtëpive të gurta të veshura nga bora, dalin në sinkron retë e hirta të cilat e bëjnë akoma më përrallore pamjen që shfaqet përpara. E teksa dimri shënohet nga e bardha, stinët e tjera luajnë të treja me një tablo të rrallë ngjyrash, që të bëjnë të kuptosh lehtësisht pse prej këtij fshati kanë dalë plot piktorë e artistë që kanë lënë gjurmë. Që prej familjes së njohur të Piktorëve Zengo që vazhdon traditën deri në ditët e sotme, shkrimtari Teodor Laço dhe shumë figura të tjera të spikatura Dardhare! Ky fshat i vogël ka nxjerrë vërtet emra të mëdhenj për artin dhe kulturën shqiptare. Sofia Zengo është dhe ikona e Dardhës. Sofia krahas talentit të lindur, mësoi mjeshtërinë nga i ati, dhe ka qenë ndihmëse me të motrën Thomaidhën, që vinin punimet e të atit në kishat e Shën Gjergjit e të Shën Thanasit.

Më 1941 kreu studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. Po atë vit kthehet në atdhe dhe punon si mësuese vizatimi në Korçë. Në vitin 1942,  bashkë me të motrën Andromaqin, çelën në Tiranë ekspozitën e parë. Më 1965 bashkë me burrin e saj A. Papadhimitri dhe të motrën Andromaqi, pikturojnë kishën Ortodokse të Tiranës. Po më 1965 çel në Tiranë ekspozitën e dytë vetjake.

Piktura e saj dallohet për ndërtime me plane të mëdha, për ngjyrat e ngrohta e të thella. Me interes është vepra “Autoportret”. Ka lënë edhe shumë ikona të shpërndara në shumë familje në Dardhë e në Korçë, Tiranë e gjetkë. Në Muzeumin Mesjetar në Korçë, gjenden  5 ikona të punuara prej saj, të realizuara me nivel të lartë artistik. Sofia dhe motra e saj Andromaqi, janë piktoret e para shqiptare. Punimi i saj i fundit i takon vitit 1976. Jeta e tyre artistike ka ecur thuajse paralelisht duke nisur që nga vitet e shkollimit të lartë në Athinë, e deri tek ekspozita e parë e motrave që shkaktoi jo pak habi në Tiranë. Familja Zengo pikturën e ka filluar prej vitit 1750 me Andon Zengo dhe për pesë brezat që kanë ardhur pas tij, deri tek Vangjel Zengo.

Sofia lindi më 1915 në Korçë, në një familje të varfër me shumë fëmijë. Të ardhurat e tyre vareshin vetëm nga peneli i babait të saj, piktorit ikonograf, Vangjel Zengo Papajani. Ai studioi në Selanik për Ikonografi dhe u rikthye në Korçë, ku krijoi familje. Sofia dallohej në vizatim, ku mësues kishte piktorin Vangjush Mio. Me gjithë kushtet e këqija ekonomike, Vangjeli arriti t’i shkollojë të bijat në shkollat më të mira të kohës. Dy prej vajzave të tij, Androniqi (vajza e dytë) dhe Sofia (e treta) u diplomuan në Akademinë e Arteve në Athinë. Në vitin 1935, Sofia filloi kursin përgatitor për t’u futur në Akademinë e Athinës. Motra, Androniqi, e cila sapo ishte diplomuar, bëri enkas një vit më tepër studime për Skulpturë, për t’i qëndruar afër së motrës. Veç të tjerash, Sofia kishte vesh shumë të mirë muzikor. Në vitin 1937 kur studionte në Akademi, në verë u kthye në Korçë dhe punoi me të atin në kishën e Shën Triadhës dhe kisha të tjera.

Në vitin 1939 në pranverë, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe filluan provokimet në kufijtë me Greqinë, Androniqi ishte kthyer në Shqipëri. Megjithëse e vetme, Sofia, duke marrë parasysh kushtet, kërkoi që të bënte vitin e fundit të studimeve në muajt e verës dhe të diplomohej më parë se studentët e tjerë. Ashtu u bë, mori diplomën me rezultate maksimale dhe u kthye në Korçë, ku punoi së pari në Shkollën Femërore. Në vitin 1942, Sofia mori pjesë në ekspozitën e piktorëve Shqiptarë me një portret dhe po në këtë vit të dy motrat hapën një ekspozitë të përbashkët në Tiranë, e cila bëri përshtypje të jashtëzakonshme. Pasi u njoh e u martua me skulptorin Akile Papadhimitri në ’47, familja e tyre u rrit në ujëra të qeta. Sofia ka marrë pjesë në ekspozitat më të rëndësishme të organizuara nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe dy herë në Bienalen e Aleksandrisë – Egjipt. Ajo ka 40 punime në Galerinë Kombëtare, në vaj dhe karbon. Në dimrin e vitit 1975, Sofia u sëmur rëndë nga kanceri në gjak dhe vdiq vetëm një vit më pas.

Por tradita vazhdon. Geni familjar mbahet gjallë nga mbesat dhe stërmbesat e Motrave Zengo. Nuk thonë kot “Dardha bie nën Dardhë”. Shëmbulli më i qartë është mbesa e tyre. Kjo mbesë e ”Motrave Zengo”, Arsinoi Zengo, trashëgimtare e tyre mbase nuk ka pikturën të trashëguar prej tyre, por ka artin e saj shpirtëror, intelektual, luftëtar dhe një bukuri magjepsëse të një “Dardhareje prej vërteti.”