Prof. Dr. Edmond Panariti/ Marrëzia: Siguria Ushqimore u jepet me koncesion laboratorëve privatë, duke hequr kontrollin shtetëror

366
Sigal

 

Të japësh me koncension sigurinë ushqimore, do të thotë të pajisësh me licensë ndotje ushqimin tonë të përditshëm! Që do të thotë të licensosh për të helmuar dhe sëmurur! Zëvendësimi i kontrollit zyrtar të Ushqimit, vetëm me detyrimin për të kryer analiza vetëkontrolluese të subjekte private përkundrejt pagesës, duke nxjerrë jashtë loje shtetin dhe laboratorët e tij, është jo vetëm i paligjshëm, por është mbi të gjitha shumë i rrezikshëm. “Fiks fare”, provoi se si një pulë e shplarë me ujë fekalesh, del e pastër nga një laborator privat i autorizuar për kontroll ushqimi nga shteti, i cili ja heq këtë të drejtë institucioneve të tij për të cilët taksapaguesit dhe donatorët kanë investuar me dhjetëra miliona euro dhe ndër të tjera janë të akredituara dhe të njohura ndërkombëtarisht. Përdorimi i paligjshëm i ngjyruesve, aromatizuesve, konservuesve të rrezikshëm  te ushqimet tona,  është aq i hapur dhe “shqeto”,  sa që kushdo edhe në shtëpi mund t’i zbulojë ato me mjete dhe metoda të thjeshta…Por koncensionarët e analizave, i nxjerrin ushqimet në rregull dhe pa probleme! Domethënë i liçensojnë për të helmuar dhe sëmurë popullatën. A e dini përse? Sepse një pjesë e tyre janë vetë prodhues dhe importues ushqimesh. Ndërsa një pjesë e laboratorëve ka krijuar lidhje të shkurtëra klientele me porositësit privatë dhe shtetërorë dhe janë të autorizuar të veprojnë me moton:  “Lalë Kros, o Lalë Kros, vetë shkruaj dhe vetë vulos.”