Analizë nga Engjëll Musai/  Luftëtarët dhe Heronjtë e Popullit nuk janë varrmihës

467
Sigal

 

 Elisa Spiropali ti je turpi i Shqipërisë, Luftëtarët e Vlorës, Heronjtë e Popullit dhe të Punës, nuk janë varrmihësa. Populli dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i duan dhe do i çmojnë mbi çdo gjë, heronjtë që i dhanë lavdi Shqipërisë. Gjaku i luftëtarëve e shkruajti historinë me pushkë dhe me penë, ndryshe nga ty, që e shikon Atdheun si vend ku mund të pasurohesh.

 

Engjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

( Pasardhës i heronjve të LANÇ)

 Jetët tona mbarojnë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë vlerë

 ( Martin Luther King )

Dje në mbrëmje në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut foli edhe Elisa. Sigurisht se kush është Elisa dhe se çfarë përfaqëson ajo në Partinë Socialiste e dinë të gjithë, madje edhe se si erdhi, çfarë vlerash kishte dhe me çmënyra  ajo u ngjit në “majën” e partisë dhe të qeverisë së socialistëve, të transformuar në “Rilindjen” Mavi. Ti u ngjite me katapultë në këto poste Elisa, pas peripecive dhe “sprovave” që dhe në FRESH, duke zëvendësuar intelektualët dhe vlerat e vërteta të Partisë Socialiste, të cilët u flakën nga “Skënderbeu” yt  për të të hapur vendin pikërisht ty, Elisë  në “kotecin e ngrohtë të ylberistëve”. Pra, ju Elisë erdhët aty ku jeni pikërisht pasi u flakën dhe u  degdisën potencialet që bënë historinë e Partisë Socialiste dhe e trasformuan atë parti nga një pasuese e Diktaturës së Proletariatit dhe kufijve të izoluar, në një Parti moderne Europiane, anëtare të Internacionales Socialiste. Ju dhe shpurra juaj Mavi,  që keni marrë peng Partinë Socialiste, nuk mund të krahasoheni me Rexhep Mejdanin, Ermelinda Meksin, Dritëro Agollin, Namik Doklen, Arta Daden, Ethem Rukën, Robert Kolin, Pëllumb Vladin, Xhevat Lloshin, Violeta Manushin, Spiro Deden, Luan Hajdaragën, Edlira Haxhiymeri, Majlinda Keta, Rajmonda Stefa, Arben Malaj, Shkëlqim Cani, Makbule Çeço, Limoz Dizdari, Elida Tepelena, Elmaz Sherifi,  Taulant Dedja, Sabit Brokaj, Vath Koreshi, Valentina Leskaj, Kastriot Islami, Agron Dibra, Shaqir Vukaj, Marko Bello e qindra e mijra intelektualëve (që nuk mund t’i përmend dot të gjithë në këta rreshta  për efekt vendi),  që ishin, janë, dhe do të mbeten krenaria jo vetëm për PS,  por edhe nder për brezat dhe Kombin.

Elisa, arsyeja pse vendosa të përmend më sipër këto figura  ka të bëjë me faktin se kë ke zëvendësuar  dhe  se ty të ka  rënë telebingo për të vegjetuar tek kjo parti që u krijua si vlerë për të ardhmen dhe simbol i traditës kombëtare dhe mbrojtëse e së kaluarës. Elisa! Një Komb nuk e ka të ardhmen e sigurt nëse nuk e kthen kokën prapa për të kujtuar heronjtë që derdhën gjak për Atdheun,  dhe jo si banda juaj “rilindase” që po grabisni Shqipërinë dhe keni detyruar shqiptarët të marrin arratinë. Mos harroni, se Rilindasit e Vërtetë të Kombit shqiptar, shkrinë pasurinë për të bërë Shqipërinë, ndërsa Ju e shkritë Shqipërinë për të bërë pasuri.

Ju dje në mbrëmje Elisa folët përçartë dhe deklaruat se Presidenti i Republikës Ilir Meta, po dekoron “Varrmihësa” ?! Sa turp, sa poshtërsi, sa pabesi për gjakun që Luftëtarët dhe  Heronjtë derdhën për vatanin!  Ata heronjë Elisa, luftuan dhe dhanë jetën në lulen e rinisë, që Shqipëria të jetë e lirë dhe e pavarur. E dhanë jetën Elisa, pikërisht në të njëjtën moshë kur ti ngjisje shkallët e karrierës drejt pushtetit  të turpit dhe babëzisë. Heronjtë e Popullit, kudo në botë Elisa, nderohen dhe respektohen. Ata ngrihen në piedestal si simbol i Kombit. Por ty Elisa, nuk të interesojnë ata, për ty mjaftojnë vetëm milionat dhe helmi që derdh për të justifikuar ato miliona. Ata ishin të varfër Elisa, ata lanë nënat, motrat gjithë jetën të veshura me të zeza. Dhe e di pse? Për Pavarësinë dhe Lirinë e Atdheut. Dhe jo si ty Elisa, që veshjet firmato të mbulojnë nga maja e këpucëve, tek fijet e flokut. Ata morën në pajë plumbat e nazi-fashizmit, të shovinizmit serb dhe grek, ndërsa ti Elisa, je mbathur dhe ngjeshur me veshjet më të shtrenjta të botës. Edhe Heronjtë e Punës Socialiste janë dhe do të mbeten shpirti dhe gjaku i këtij kombi. Këta heronj, punëtorë të thjeshtë nga fshati dhe qyteti, ndërtuan fabrika dhe uzina, kombinate dhe plantacione, thanë kënetat, ngritën spitale, shkolla, universitete, ujësjellësa, termocentrale dhe hidrocentrale që ju Elisa, të shisni sot me tendera energjinë dhe të jepni me PPP shëndetësinë. Por mos harro Elisa, se mëkatet do t’i lani deri më një dhe lotët, gjaku dhe sakrificat e këtij populli do t’ju bien një ditë mbi kokë.

Ti Elisa, ashtu sikurse ‘Skënderbeu” yt para pak kohësh, vazhdoni të hidhni baltë mbi mësuesit  e gjuhës shqipe, që me penë dhe me pushkë mbrojtën Abetaren e Kombit. Por ju harroni se  Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Migjeni, Fishta e dhjetra Heronj të Rilindjes Kombëtare, do mbeten të pavdekshëm dhe jo varrmihësa. Ju i rivratë partizanët dhe luftëtarët e LANÇ, ju  treguat shpirtin tuaj të zi prej barbari me papërgjegjshmërinë tuaj kur i cilësuat  dëshmorët e Atdheut dhe Luftës së Vlorës, si varrmihësa. Ndryshe nga ty Elisa, që i konsideron heronjtë varrmihësa, populli i thjeshtë dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i duan dhe do i çmojnë mbi çdo gjë, heronjtë që i dhanë lavdi Shqipërisë. Ndryshe nga ty Elisa, që e shikon sot Shqipërinë si vend ku pasurohesh, heronjtë e shikonin  vendin e të parëve dhe tokën që ata u lanë amanet, si gjënë më të shtrenjtë, ndaj edhe sakrifikuan jetën e tyre. Ështe kjo tokë, ku siç thoshte Çajupi “edhe balta na duket më e ëmbël se mjalta”. Ndaj edhe Presidenti Ilir Meta e do dhe e çmon historinë, që na mban gjallë, na jep forcë e na ripërtërin vazhdimisht. Ndryshe nga “Skënderbeu” yt Elisë, që para pak javësh nuk i dha lamtumirën një figure të shquar kombëtare, sepse u ngujua në “kullë” me një person të njohur nga organet e specializuara europiane dhe amerikane të lëndëve narkotike, sa ishte bërë “dru” nga “mielli i bardhë”, shqiptarët dhe Presidenti Ilir Meta i nderojnë dhe u çojnë tufa me lule, një për një të gjithë Luftëtarëve dhe Heronjve që luftuan për vatanin. Ti duhet të japësh dorëheqje menjëherë nga ai post ku lundron me taksat e shqiptarëve, pasardhës të Heronjve të Kombit, pasi edhe muaj më parë i konsiderove Artistët e Popullit,  të Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë si “trutharë”.

Komiteti i Veteranëve të LANÇ duhet të zgjohet dhe t’i tregojë vendin cilitdo kolaboracionist që nga Rama, Elisa e kompani që hedhin helm e baltë mbi gjakun dhe sakrificat e Luftëtarëve dhe Heronjve të Luftës dhe Punës. Mos bëni kompromis të nderuar familjarë të LANÇ dhe të respektuar anëtarë dhe drejtues të Komitetit të Veteranëve, pasi turpi do të bjerë edhe mbi Ju. Çdo lloj justifikimi për çështje pushteti, nuk ju bën nder, ndaj bëhuni burra dhe mos u turpëroni në këtë moshë, se nuk ka më kohë për të rivënë në vend nderin dhe amanetin që të parët tuaj dhe të mij, na kanë lënë.

Lavdi përjetë, Luftëtarëve, Dëshmorëve dhe Heronjve të Luftës dhe Punës!

( Vijon nesër me “Gjeneralët e Ushtrisë së vdekur” sipas Elisa Spiropalit