12 ditë grevë urie. Përkeqësohet gjendja shëndetësore e naftëtarëve në Ballsh. Shtrohet në spital kreu i sindikatës, Sokol Dautaj

259
Sigal

Ende asnjë reagim nga qeveria për naftëtarët e Ballshit, që kanë hyrë në ditën e 12 të grevës së urisë.

Ndërkohë gjendja shëndetësore e naftëtarëve grevistë është përkeqësuar. Mësohet se gjatë natës ka shkuar dy herë në spitalin e Mallakastrës kreu i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj që ka pësuar dy goditje në zemër.

Dautaj ka pasur luhatje të tensionit duke e detyruar të shkojë drejt spitalit me mjete private, pa pranuar ndihmën e stafit mjekësor në mjediset e grevës. Aktualisht Dautaj ndodhet në spital por do t’i rikthehet mjediseve të grevës.

Në gjendje të vështirë shëndetësore ndodhen edhe 9 grevistët e tjerë, të cilët vazhdojnë të jenë të ngujuar në mjediset e qendrës shëndetësorë të uzinës. Ata kanë deklaruar se greva e tyre nuk do të ndalet dhe përgjatë këtyre ditëve nuk ka pasur asnjë reagim për zgjidhjen e situatës.