Alida Hisku: Vlerat e muzikës dhe këngës shqiptare

768
Sigal

 

– Festa Kombëtare e Këngës, pati qëllim që të risjellë përsëri në skenë
muzikën origjinale e tradicionale Shqiptare

– Justina Aliaj, Liljana Kondakçi, Ilir Shaqiri, Kozma Dushi, Rakipe Karaj, Elida Shehu sollën  këngët e vjetra në një frymë të re

– Ishte për herë të parë që një eveniment filmohej nga një Dron

-Brezat e rinj, do të shohin realisht në këtë Festë se kush kanë qenë këngëtarët e atij brezi që këndonin live

– Ahengu me muzikë të huaj tallava, nuk i mban gjallë zemrat e artëdashësit

– Sot shikohet fitimi,  përpara se të dalë në treg kënga

– Sot nga juria zgjidhet fustani e bukura, para tekstit, muzikës dhe talentit

-Këto ditë dhe pse Pandemia ka kufizuar lëvizjet, është realizuar dhe filmuar nën drejtimin e Gjergj Lekës, Festa e Këngës Shqiptare. Kjo Festë ka mbledhur këngëtarët e vjetër që kanë kënduar live për vite të tëra dhe që sot kërkohen gjerësisht nga publiku i gjerë. Kjo Festë u zhvillua që dhe brezi i ri të mësojë se kush ishin ata këngëtarë që e rritën cilësinë e këngës  së muzikës së lehtë shqiptare dhe nuk e deformuan atë. Pjesë e kësaj feste ishte dhe mikja e gazetës “Telegraf”,  Alida Hisku, me të cilën zhvilluam këtë bisedë..

-Tashmë duket  sikur jeta artistike është e vakët. Por ju sërishmi erdhët nga Gjermania për një projekt të ri. Cili ishte ky projekt, kush e realzioi dhe çfarë kishte si qëllim?

-Ashtu siç jeni të njoftuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe rjeteve sociale, në Mars u bë njoftim i një projekti të mjeshtrit Gjergj Leka, për një Festival ose një Feste të Këngës Shqiptare në  Tiranë, për në muajin Maj. Menjëherë mora kontaktet dhe dërgova edhe unë kërkesën time
për këtë projekt shumë të rëndësishëm dhe të parin deri tani në llojin e tij. Por  në të njëjtën kohë filloi dhe epidemia e Coronës të bëhej Pandemi dhe frika e
paniku u këtij virusi të panjohur na demoralizoi pak. Megjithatë Gjergji
nuk humbi kontaktin dhe punën, por  çdo të shtunë me neve dhe medien bëri njoftimin për vazhdimin e këtij projekti festivali. Mbas shumë muajsh pune në distancë
të largët, e mbasi në Tiranë u vendos që kjo Festë e Këngës Shqiptare të
bëhej, por pa spektatorë, dhe në kushte Pandemie. Vendosa dhe unë që
këtë ëndërr ta realizoja deri në fund e të udhëtoja, duke marrë mbi
veten  time  rrezikun e këtij virusi përsipër. Kjo tregoi tek mua, që
virusi i Coronës është shumë i vogël përpara dëshirës sime për këngën
dhe Muzikën Shqiptare.

-Cila ishte rëndësia dhe qëllimi i kësaj Feste të Këngës Shqiptare?

Ky takim në këtë Festë Kombëtare të Këngës, pati një rëndësi të veçantë
për mua dhe për të gjithë artistët, që të risjellim përsëri në skenë atë
muzikë origjinale e tradicionale Shqiptare të brezit tonë dhe këtë ta
bashkëngjisim me po aq emocion  edhe artistëve të brezit të rinj….

-Cilët nga këngëtarët e brezit tuaj  mori pjesë në këtë Festë?

Më lejoni të përmed disa nga artistët e njohur të muzikës së lehtë
Shqiptare si e madhja, Justina Aliaj, Liljana Kondakçi, Ilir Shaqiri, Kozma
Dushi, Rakipe Karaj, Elida Shehu, Bahri Rusja, Rajmonda Kamberi, por edhe të
tjerë artistë të njohur si Alda Cukaj,  Alban Emiri, Teuta Pango, Irma
Gurakuqi, Neptun Gjata, Dhimitër Stefa, Artan Bakija, Anisa Grenazi, Ardiana
Pinari,  Agim Poshka, Elidon Prodani, Sajana Kodheli, Leonard Bulku, Marinela
Kasneci, …e shumë e shumë pjesëmarrës të tjerë (Kërkoj ndjesë për mos
përmendjen e emrave të të gjithë pjesëmarrësve)  që me kaq dashuri
interpretuan këto këngë të asaj kohe me një fryme e një freski të re
muzikore,
– Kush ishin në stafin realizues?

Një lavdërim shumë, shumë të veçantë meriton stafi i Gjergj Lekës, me
artistët e tij Alma Strazimri dhe Erisela Leka, nën regjinë e Edi
Dingu. Të gjithë këngët tona të asaj kohe u rifreskuan në një
orkestracion të ri dhe kohor, si dhe me një profesionalitet të lartë, nga
kantautori Gjergj Leka, i cili drejtoi për 4 net me radhë në skenë,
këtë Festë të Këngës Shqiptare, me një moderacion fantastik, dhe që u
pëlqye jashtë mase …

-Kush ishte risija në këtë event?

Ishte për herë të parë që një eveniment,  filmohej nga një Dron dhe
11-12 kamera si dhe aparaturat të teknikës më moderne në botë, të
drejtuara nga një mjeshtër i vërtetë, si Elton Pelari. Gjithashtu edhe djemtë
kameramane të Kanalit Neës24, marin një falënderim të veçantë nga ana
ime.. Ishte një privilegj i madh, që dhe unë të merja pjesë këtu në këtë
sofër të madhe të muzikës sonë, me artistë të ardhur nga Kosova,
Italia, Greqia, USA, Gjermania,  Belgjika e nga shumë qytete të Shqipërisë. Pra ishte  një
pjesëmarje e përngjallur në zemrat e artistëve…

-Kjo nismë ishte një sakrificë apo jo? Në mes të Pandemisë?

Artistët që shfaqën dëshirën të mernin pjesë në këtë Festë të Këngës, jo
vetëm që morën përsipër gjendjen e rezikshme të Pandemisë,
por morën përsipër edhe të gjitha shpenzimet kohore e monetare, të cilat
ishin në shuma të ndryshme, duke u nisur nga dita e udhëtimit e
deri në kthim nëpër shtëpi. Kjo dëshmon më së miri dëshirën
dhe zemërmirësinë e artistëve të vërtetë (BIO), që për muzikën dhe
artëdashësit e tyre nuk ka kufi që i ndalon. Kjo dëshmi e madhe që u
tregua për të parën herë këtu në Tiranë, është dhe vlen për brezat e
rinj, që të shohin realisht se kush kanë qenë këngëtarët e atij brezi,
që krahas punës së përditëshme profesionale e familjare uleshin në
pjano me kompozitorë e me poetë, për të ndërtuar një këngë, e cila do t’i
përkiste popullit e shoqërisë. Ky mendoj se është dhe çelësi i
pazevendesueshëm i jetëgjatësisë së këngëve tona të asaj kohë. Ato këngë bashkonin tre zemra artistësh vetëm për një qëllim – vërtetësinë origjinale.  Ky ka qenë dhe është sekreti i artistëve “Bio”. Këngët që prodhohen në agregate dhe kopjime të ndryshme,
nuk u vjen era Shqipëri, jo,….Ahengu me muzikë të huaj tallava, nuk i mban gjallë zemrat e artëdashësit.  Sot shikohet fitimi,  përpara se të dalë në treg
kënga,  zgjidhet fustani e bukuria, para tekstit, muzikës dhe talentit. Kjo
lloj muzike mendoj unë,  duartrokitet me një dore, sepse i mungon dora
tjetër, që është origjinaliteti dhe kënaqësia e dëgjuesit e
shikuesit,.. Pra ky komunikim i përbashkët jep atë që quhet
duartrokitje me të dyja duart  e që të çon në atë sukses të gjatë e të
papaguar…

-Si ndihesh pas kësaj feste?

Ndihem krenare të marr pjesë në çdo koncert të tillë të vërtetë, ku sado pak të jap edhe unë kontributin tim për këto perla të traditës sonë të lashtë muzikore
shqiptare, që fatkeqësisht po deformohen nga koha e re moderne.
Gjithashtu  më vjen keq edhe për harresën e këtyre artistëve që
dëshmojnë më së miri që kënga dhe muzika kurrë nuk do të vdesë në zemrat
e tyre edhe pse ka Pandemi. Ja pra edhe unë jam një e  këtij
brezi krenar, e pa vlerësuar nga Shteti dhe qeveria, por mbetem po ajo që kam
qenë,  një artiste në shërbim të artit dhe Muzikës Shqiptare me
artëdashësit e saj që na mbajtën gjallë shpirtërisht. Rroftë Muzika e
vërtetë Shqiptare !

 

Gazeta Telegraf