Endrit Braimllari: Rilindja nuk ka politika sociale, por është në shërbim të oligarkëve . Fermerët e Korçës në falimentim

517
Sigal

Endrit Braimllari, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së

Qeveria Rama ka shkatërruar përfundimisht fermerët dhe bujqësinë në Qarkun e Korçës  dhe në gjithë vendin, ku shteti nuk shikohet si faktor ndihmës, por si një strukturë gjobvënëse

Rilindja nuk ka politika sociale, por vetëm politika në shërbim të oligarkëve

Endrit Braimllari, ish deputet i LSI-së kohët e fundit po zhvillon takime me fermerë e qytetarë në Qarkun e Korçës. Shumë herë fermerët e Korçës janë kryelajmi i ditës, për shkak se ata protestojnë, se ku kanë më treg ku të shesin produktet e tyre, ndërkohë, që në treg prodhimet stinore janë të importuara dhe me çmime shumë të larta. Ish- deputeti Braimllari, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se gjithë shoqëria janë zhgënjyer nga “Rilindja”, ndërkohë që socialistët janë lënë në harresë, sepse kryeministri Rama ka mbushur administratën e shtetit me njerëz të paaftë. Zoti Braimllari thotë se fermerët nuk ndihmohen nga shteti, as me subvencione, as ke kredi të buta, madje, as naftën që përdorin në bujqësi nuk e heq akcizën, ndërkohë që ua heq naftën jahteve të luksit dhe se shqiptarët nuk përfitojnë as ndihmë ekonomike dhe sociale nga qeveria, kur, njëkohësisht, qeveria u faturon oligarkëve koncesionarë mbi 5 miliardë euro, sa borxhi i Shqipërisë ka kapërcyer mbi 80 %.

 

Zhgënjim nga “Rilindja” ka përjetuar e gjithë shoqëria, por të zhgënjyer  mesa duket janë socialistët të cilët janë lënë në harresë nga “Rilindja”, e cila i ka zëvendësuar me njerëz të paaftë, të cilët nuk kanë mision shërbimin qytetar, por si të mbushin xhepat e tyre dhe të Edi Ramës në kurriz të qytetarëve të ndershëm të vendit

Zoti Brahimllari, ju keni zhvilluar shumë takime me qytetarë dhe fermerë në qarkun e Korçës. Cila është gjendja e tyre? Çfarë probleme kanë fermerët?

-Situata është shumë e rëndë jo vetëm në Korçë, por në të gjithë vendin për shkak të keqqeverisjes së “Rilindjes”, përqëndrimin e ekonomisë në duart e oligarkëve, largimin e të rinjve nga vendi dhe mungesën e vendeve të punës. Korça po përballet me një largim masiv të të rinjve, mungesën e investimeve në bujqësi, mungesën e infrastrukturës. Është e pafalshme nga kjo qeveri, por dhe e papërgjegjshme sesi vendi me prodhim më të madh bujqësor në vend, me një zonë të mrekullueshme, është sot e lënë në harresë,  kur fermeri vendas po përballet me një varfëri ekstreme. Sot në Korçë nuk ka subvencione për fermerët, nuk investohet nga shteti për bujqësinë, nuk ka mundësi punësimi si pasojë e një politike korruptive të “Rilindjes”. Qeveria mashtron fermerët e Korçës, të cilët po falimentojnë dhe prodhimi u ka mbetur stok. Të rinjtë shikojnë si mundësi punësimi sezonal Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Qeveria Rama ka shkatërruar përfundimisht fermerët dhe bujqësinë në qarkun e Korçës ku shteti nuk shikohet si faktor ndihmës, por si një strukturë gjobvënëse.

– Cila pjesë e elektoratit është më e zhgënjyer nga qeverisja e “Rilindjes” Socialiste?

– Zhgënjim nga “Rilindja” ka përjetuar e gjithë shoqëria, por të zhgënjyer  mesa duket janë socialistët të cilët janë lënë në harresë nga “Rilindja”, e cila i ka zëvendësuar me njerëz të paaftë, të cilët nuk kanë mision shërbimin qytetar, por si të mbushin xhepat e tyre dhe të Edi Ramës në kurriz të qytetarëve të ndershëm të vendit.

 

Qeveria Rama heq aksizën e naftës për jahte dhe mjetet e tjera të luksit, por mohon ta  heq për fermerët, duke u hedhur barrë të rëndë financiare

– A ka mundësi konkrete shteti të subvencionojë naftën që fermerët përdorin në bujqësi?

– Shteti nuk ka bërë asgjë për fermerët, sigurisht që ka mundësi po të ketë vullnet, por “Rilindja” nuk kërkon të subvencionojë  fermerët, sepse ka politikë tjetër, atë të varfërisë dhe shpopullimit. Teoria e tyre është e qartë,  sa më të varfër fermerët, aq më e lehtë për t’i sunduar për t’u marrë pronën dhe produktin në interes të olikarkëve. Qeveria Rama të mos heqë aksizën e naftës për jahte dhe mjetet e tjera të luksit, por ta heqë për bujqësinë. LSI-ja  angazhohet për heqjen e aksizës së naftës për femerët, subvencion të drejtpërdrejtë  dhe heqjen e burokracirave, të cilat lodhin dhe varfërojnë fermerin.

 

“Rilindja” nuk kërkon të subvencionojë  fermerët, sepse ka politikë tjetër, atë të varfërisë dhe shpopullimit. Teoria e tyre është e qartë,  sa më të varfër fermerët, aq më e lehtë për t’i sunduar për t’u marrë pronën dhe produktin në interes të olikarkëve

A përfitojnë të gjithë shqiptarët nga ndihma ekonomike dhe sociale e qeverisë?

– Nuk ka përfitim nga kjo qeveri. Kjo qeveri nuk ka politika sociale, por vetëm politika në shërbim të oligarkëve. Nuk është një qeveri sociale por një qeveri luksi në shërbim të një bande. Qeveria dështoi me menaxhimin e pandemisë dhe falimentoi shumë biznese, duke mbyllur shumë vende pune. Mbylli ekonominë, kur ndërkohë nuk bënte testime, çfarë u vërtetua me pas hapjes,  ku  u infektuan më shumë qytetarë dhe ekonomia u shkatërrua, duke mbyllur vende pune. Nuk ka një njeri apo ekip që drejton qeverinë ka një bandë, që merr vendime në interes të disa oligarkëve.

 

LSI-ja është e vendosur në mbrojtje të interesit qytetar, shtetit të së drejtës dhe ruajtjes së demokracisë në vend, për këtë do sakrifikojë gjithçka

Zoti Braimllari, qeveria kërkon që të bëjë një ndarje të re territoriale, duke ndarë Shqipërinë në 4 rajone dhe administrimi i fondeve në njësitë administrative të bëhen nga pushteti qëndror, jo lokal. Konkretisht, çfarë pasoja mund të ketë për qytetarët kjo prishje e decentralizimit  të kompetencave midis pushtetit lokal dhe qendror?

– Kemi të bëjmë me një vendim antikushtetues të kësaj qeverie, e cila nuk e ka të parin, ky vendim cënon shumë parime. Pikësëpari atë të ndarjes së pushteteve dhe autonominë e pushtetit vendor. Edi Rama kërkon ta kthejë  si në kohën e komunizmit. Çdo gjë në duart e një partie, por ka dështuar, sepse reagimi popullor do të jetë shumë i ashpër, të cilët do mbrojne shtetin e së drejtës dhe demokracinë. LSI-ja  është e vendosur në mbrotje të interesit qytetar, shtetit të se drejtës dhe ruajtjes së demokracisë në vend, për këtë do sakrifikojë gjithçka. Rruga europiane e vendit kalon nëpërmjet shtetit të së drejtës dhe zbatimit të Kushtetutës. Nuk ka lëvizje të tilla që do e shpëtojnë “rilindjen” dhe Edi Ramën i cili do mbajë përgjegjësi drejtpërdrejtë.

Çfarë ju kërkojnë qytetarët nga Ju, për të ndryshuar gjendjen e tyre nëse bëheni forcë dhe pjesë qeverisëse?

– Qytetarët janë të vendosur kundër kësaj qeverie dhe këtij kryeministri arrogant, i korruptuar, peng i krimit. Largimi i Edi Ramës është i sigurtë, sfida e opozitës është ringritja e ekonomisë, hapjen e vendeve të punës, krijimim e vendeve të punës së mirëpaguar për të përballuar koston e jetës dhe rikthimin e të rinjve në vend. Qytetarët me zor po presin 25 prillin për të zhdukur me votë popullore këtë fatkeqësi kombëtare.

– Faleminderit!

Gazeta Telegraf