Albert Zholi: 135 vjetori i mësonjëtores së parë shqipe

Sot dita e bekuar e gjuhës shqipe, 135-vjet histori ndriçuese

Mësonjëtorja e parë shqipe veproi 15 vjet, sepse më 1902 u mbyll mizorisht nga pushtuesit turq

NOA

Albert Z. ZHOLI

Dita e 7 marsit 1887 është dita më e bukur e kombit, dita që ndriçoi si asnjëherë gjuhën shqipe, që na dha identitet të plotë. Dita e Mësuesit – 7 Marsi është një ditë dhe datë e madhe për arsimin shqip kudo që ndodhet në trojet etnike shqiptare. Sot, më 7 Mars 2022, mbushen 135 vjet nga dita e themelimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, me të cilën u shënua një kthesë thelbësore në historinë e popullit shqiptar e veçanërisht në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Së këndejmi, kjo datë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme politike e kulturore në historinë e arsimit kombëtar shqiptar. Shkolla e parë shqipe fillore kombëtare, ku mësimet mbaheshin në gjuhën shqipe, u themelua në kushtet e pushtimit osman, në Korçë më 7 Mars të vitit 1887. Shkolla e parë shqipe u hap me iniciativën e një grupi rilindasish dhe me përkrahjen e masave patriotike nga Korça, si dhe atyre të mërgimit. Atëherë drejtor e mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë ishte rilindësi e patrioti Pandeli Sotiri. Ai ishte një patriot i madh, i cili me vizionin e tij njerëzor e kombëtar bëri që 113 vjet të përhapet drita e arsimit dhe ngjallja kulturore e kombëtare e popullit shqiptar. Shkolla e parë shqipe konsiderohet një institucion kombëtar, si nga përmbajtja, po ashtu edhe nga forma, ngase ishte shkolla e parë shqipe laike për nxënës të të gjitha besimeve, gjinive dhe shtresave popullore dhe demokratike ku mësimi jepej falas. Si e tillë, ajo shkollë u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare, sepse këtu mbizotwronte parimi i kombëtares mbi ndasitë fetare. Si për nga përmbajtja, struktura dhe plani mësimor, shkolla në fjalë kishte fizionominë e një shkolle të përparuar, e cila shërbeu si penë (model) për shkollat e ngritura më vonë. Në atë shkollë jepeshin lëndët: shkrim-këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre, edukatë muzike etj. Përmbajtja e kësaj shkolle përshkohej nga fryma patriotike, e cila mbrohej nga lëvizja, që kishte ngjallur Rilindja jonë kombëtare nga edukata e punës dhe dashuria për dije. Realisht Korça për këtë arsye, në historinë kombëtare zë një vend të madh dhe të pakrahasueshëm me qytetet e tjera, sepse ishte e para në këtë drejtim. Kështu, vargjet e poetit të madh, Naim Frashërit, për rëndësinë e saj kanë domethënien e vet të jashtëzakonshme: “Lumja ti moj Korçë, moj lule, (që vet ia nise e para) për jetë ta paçim hua“ apo më mirë të themi, siç ka thënë ai vetë:

’’Lumja ti, moj Korçë,/Moj lule/ Q’i le pas shoqet e tua,/ Si trimi në ballë u sule,/ T’a paçim për jetë hua…!’’

Pas Pandeli Sotirit, drejtues të shkollës shqipe të Korçës, kanë qenë edhe disa personalitete të shquara të kulturës e të arsimit tonë të asaj kohe, si Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. Në fillim të viteve ’80-të të shekullit të XIX-të, patrioti Petro Nini Luarasi, në Shqipërinë jugore hapi pesë shkolla shqipe, por qeveria turke i mbylli. Kontribut të çmueshëm në hapjen e shkollës së parë shqipe të Korçës dhanë edhe Naim e Sami Frashëri. Në vitin 1890 në këtë qytet u hap e para shkollë fillore shqipe për vajza. Si tekste shkolle të para u përdorën ato të Naim Frashërit, Sami Frashërit, Jani Vretos dhe shënime të përgatitura sipas nevojës nga vetë mësuesit e shkollës.

Mësonjëtorja e parë shqipe veproi 15 vjet, sepse më 1902 u mbyll mizorisht nga pushtuesit, por me vonë sërish u rihap. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë u bënë një repart pararoje për çuarjen përpara të arsimit kombëtar dhe për edukimin e ndjenjës patriotike në masat e gjera të popullit. Pavarësisht çka u tha gjer më tani, flakadani i vetëdijes, i dijës dhe i arsimit shqip është ndezur shumë më herët, si p. sh. “Formula e Pagëzimit” (1462), shkruar nga Pal Engjëlli, Historia e Gjergj Kastiotit – Skënderbeut (1480) nga Anonimi Tivaras, Historia e Skënderbeut 1508-1510 shkruar nga Marin Barleti, etj. “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555, “Pasqyra e të Rrëfyerit”, i vitit 1621 nga Pjetër Budi, kurse më 1632 u hap shkolla shqipe në Kurbin, afër Krujës, më 1638 në fshatin Pdhanë (në Mat) më 1639, në Blinishtë (Zadrimë) më 1671, në Janjevë (Kosovë) më 1692, në Valje (Mirditë) më 1699, në Shkodër, 1699. Më 1635 Frang Bardhi botoi veprën “Fjalori latinisht-shqip”, kurse Andrea Bogdani botoi tekstin “Gramatika Latinisht-shqip”, etj.

Ideologët e Rilindjes Kombëtare

Këtu duhet t’i përmendim edhe ideologët e Rilindjes Kombëtare: Naum Veqilharxhin, Zef Jubanin, Jeronim de Radën, Elena Gjikën, Konstantin  Kristoforidhin, Koto Hoxhin, vëllezërit Frashëri, Abdylin, Naimin e Samiun, etj. Ndërkaq, kundër shkollës shqipe në fund të shekullit të XIX-të dhe në fillim të shekullit të XX-të ishin ngritur qarqet shoviniste serbo- malazeze, maqedone, kisha greke dhe rrethet shoviniste bullgare, turke, etj. Edhe pse qeveria turke i mbylli shkollat shqipe, mësimi i gjuhës shqipe nuk u ndërpre. Nëpër krahina të ndryshme të Shqipërisë u hapën shkolla të reja ilegale shqipe. Në Kosovë shkollat shqipe punuan në Stubëll të Vitisë, në Janjevë, në Pejë, në Prishtinë, në Prizren, etj. Ndërsa, qeveria turke e legalizoi shkollën shqipe pas revolucionit Xhonturk në vitin 1908.

Sakrificat e mëdha.

Për ta mbajtur gjallë shkollën shqipe, arsimtarët e popullit tonë kanë bërë sakrifica të mëdha. Prandaj, në këto kushte, duke nisur që nga Korça lindi dhe lëshoi shtat sistemi kombëtar edukativo-arsimor. Atëherë vëllezërit korçarë lironin shtëpitë e tyre për të shërbyer si shkollë. Nuk harrohet mësuesi Pandeli Sotiri, bie viktimë e shovinizimit grek. Së kendejmi, 7 Marsi është ditë e shënuar në historinë e arsimit të popullit tonë, ditë kjo që ka hyrë në kujtesën historike të mësuesve shqiptarë, si njëri nga fundamentet e qenies sonë kombëtare.

Rëndësia

7 Marsi- Dita e Mësuesit, është një ngjarje me shumë rëndësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, duke përfshirë edhe mërgatën gjithë shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Është e pakontestueshme se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti i një kombi. Për të ruajtur arsimin, kulturën, shkencën dhe artin e kombit tonë u flijuan shumë veprimtarë. Lavdi mësuesve të gjuhës shqipe, që flijuan jetën për alfabetin tonë! Në prag të kësaj dite të shënuar, populli ynë i ka ende të freskëta sakrificat e mëdha në rrugën e dijes dhe të lirisë. Kur kujtojmë 7 Marsin e vitit 1887, mendja jonë është gjithmonë tek Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës, e cila falë kontributit të pishtarëve të arsimit të asaj kohe si dhe të shumë brezave të tjerë, bëri të mundur që dituria dhe mendja e edukuar e kombit tonë ta përmbyste përgjithmonë heshtjen dhe asimilimin që të tjerët padrejtësisht me shekuj na kishin imponuar. Përvjetori i Mësonjëtores dhe Dita e Mësuesit shënojnë një nga elementët kryesorë të Rilindjes, kur përpjekjet e atdhetarëve nën drejtimin e Komitetit Kombëtar sollën çeljen e shkollës së parë të mirëfilltë kombëtare shqipe.  7 Marsi- Dita e Mësuesit, është një ngjarje me shumë rëndësi kulturore dhe kombëtare në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, duke përfshirë edhe mërgatën gjithë shqiptare të shpërndarë nëpër botë. Është e pakontestueshme se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti i një kombi. Për të ruajtur arsimin, kulturën, shkencën dhe artin e kombit tonë u flijuan shumë veprimtarë. Lavdi mësuesve të gjuhës shqipe që flijuan jetën për alfabetin tonë!