Flet Prof. Lush Susaj: Shqiptarët duhet të heqin dorë nga krismat ogurzeza të “Open Ballkan, korrupsioni po prodhon ikje dhe dëshpërim

357
Sigal

 

  • -Shqiptarët duhet të heqin dorë nga krismat ogurzeza të “Open Balkanit”
  • – Fshatrat e Shqipërisë ngjajnë me zona të shkretuara nga lufta, ose me me një pasluftë të egër
  • – Në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë flitet për 60 000 ha toka të lëna djerrë
  • – Nga territoret e shpopulluara e të braktisura, vijnë deri në mesin e Tiranës modelet më të zeza të krimit ndaj jetës dhe pasurisë së shqiptarëve
  • – Nga rajonet e shpopulluara vjen droga dhe trimëria në vrasje, në hajni dhe në korrupsion
  • -Ne nuk prodhojmë, por shohim shqiptarët që vrapojnë për të blerë produktet e dobëta të importit që vijnë nga Greqia, Turqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Serbia
  • – Toka djerrë e vret dhe e degradon prosperitetin dhe mirëqënien.
  • – toka djerrë është mungesë punësimi, mungesë prodhimit dhe mungesë mirëqënie të qëndrueshme
  • Korrupsioni dhe injoranca prodhojnë ikje dhe dëshpërim  pa fund
  • Ikja e rinisë, elitës dhe specialistëve ka në thelb keqqeverisjen, korrupsionin dhe qeverisja pa platformë
  • – Dëbimi i ngadaltë i shqiptarëve bëhet përmes mynxyrës ekonomike, përçarjes kombëtare dhe pasigurisë së thellë për jetën dhe pronën

 Albert Z. ZHOLI

 Nëse bën një vizitë në të katër anët e atdheut shikon me keqardhje se shumë toka janë lënë djerrë, të tjera pa sistem vaditje, të tjera pa dranazhim dhe pa sistemim. Më keq akoma tashmë shumë toka janë ndarë në ngastra të vogla ku nuk mund të hyjë asnjë traktor pune.  Në këtë intervistë Prof Susaj tregon se largmi, ka ndodh: Nga kjo mënyrë e qeverisjes klanore, hajdutërore e despotike ka shkaktuar e do të shkaktojë vetëm ikje pa kthim dhe shpopullim dhe varfëri përmes degradimit të mëtejshëm të potencialeve tona prodhuese, shoqërore dhe politike…”. . Shqiptarët, pavarësisht nga  shqyerjet apo nga krismat ogurzeza të “Open Balkanit” mbi ekonominë dhe demografinë e vëndit tonë, nuk duhet të harrojnë kurrë traditën e bukur të mbijetesës tonë historike, një traditë, që është bazuar totalisht në tokën bujqësore dhe në djersën e pastër të ballit. Toka dhe tradita jonë e qëndresës, sot më shumë se kurrë, duhet që të ushqehen e të lartësohen në mënyrë të atillë që të mos vdesin kurrë në breza, as në epoka e as në qytetërime. Këto janë disa probleme që z. Susaj ngre në këtë intervistë…

-Disa herë kemi thënë për largimin e trurit të kombit dhe për specialistët. Pse i ndodh kjo gjëmë Shqipërisë?

Viktor Hygo, ka shkruar: “Përmbi popujt qëndrojnë sunduesit, përmbi sunduesit lufta, përmbi luftën murtaja, përmbi murtajën zija e bukës, dhe përmbi të gjitha marrëzia”. Duket sikur këto rreshta janë shkruar enkas për shqiptarët dhe enkas për këtë kohë të përgjumjes sonë shoqërore e politike, fiks në këtë mjedisin e tonë të kontaminuar që ka krijuar injoranca, korrupsioni, gojëkyçja dhe mosreagimi i gjatë ndaj shushunjave dhe lugetërve, që mbjellin errësirë, varfëri dhe shpopullim të ngadaltë të vëndit. Shpopullimi duket që po merr përmasat e një katastrofe të thellë kombëtare. Aq më tepër në kushtet kur ky shpopullim nuk ka për bazë mungesën reale të burimeve të punës dhe as mungesën e burimeve natyrore të prodhimit dhe mirëqënies. Ikja e rinisë, elitës dhe specialistëve tanë më të mirë drejt kampeve të azilit, apo edhe drejtë administratave, tregjeve dhe sipërmarrjeve së vendeve të tjera, ka për bazë mungesën totale të demokracisë dhe të prosperitetit tonë shoqëror e politik përgjatë gjithë këtyre viteve dhe dekadave të qeverisjes së mbushur me dhunë, me klane dhe me hajdutë të pangopur të pronave dhe të çdo gjëjë publike të popullit shqiptarë. Ikja pa kthim është një fenomen që më ka shqetësuar që nga viti 2006, kohë kur unë kam shkruar dhe publikuar librin me titull “Dëbimi i ngadaltë”. Kjo mënyrë qeverisje me të korruptuar e me injorantë, kurrë nuk ka prodhuar dhe nuk mund të prodhojë mirëqënie, qëndrueshmëri dhe as kohezion shoqëror e politik, për të cilin kemi aq shumë nevojë. Përkundrazi, kjo mënyrë e qeverisjes klanore, hajdutërore e despotike ka shkaktuar e do të shkaktojë vetëm ikje pa kthim dhe shpopullim dhe varfëri përmes degradimit të mëtejshëm të potencialeve tona prodhuese, shoqërore dhe politike. Unë e di që ikja për kushte më të mira klimatike, punësimi dhe jetese është normale. Ndërsa në këto përmasa dhe forma, ikja është marrëzi. Nga mungesa reale e reagimit, duket sikur ikja dhe shpopullimi i krahinave shqiptare po ju konvenon sundimtarëve dhe kafkave idjote të politikës. Ndërsa po shkakton një katastrofë të vërtetë në tregjet e punës, në tregun e prodhimit, në tregjet e konsumit dhe në të gjithë jetën tonë shoqërore, arsimore e kulturore. Ikja pa kthim e shqiptarëve nga supervëndi i tyre i pasur dhe i begatë me naftë, me fusha e male për bujqësi, blegtori dhe turizëm, me minerale të bakrit, hekurit, nikelit e deri edhe me uranium, zhivë, flori dhe diamantë, nuk është dhe nuk mund të jetë rastësi. Dëbimi i ngadaltë i shqiptarëve përmes mynxyrës ekonomike, përçarjes kombëtare dhe pasigurisë së thellë për jetën dhe pronën, janë forma dhe teknologji politike të njohura e të përdoruar edhe më parë nga sundimtarët dhe nga pushtuesit bizantinë, otomanë e deri edhe nga sundimtarët e këtyre viteve e dekadave, të cilët ndertuan dhe funksionalizuan formën më të pështirë e më të neveritshme të perandorisë së tyre të krimit dhe korrupsionit. Shqiptarët, pavarësishtë demagogjisë dhe shprehjeve se gjoja po ikin për një jetë më të mirë, apo e gjithë bota është në levizje, apo të gjithë ikin e vijnë, etj, realishtë po ikin të detyruar nga sundimi kakistokratik e hajdutërorë i këtyre 80 viteve, e në mënyrë të veçantë i këtyre 25 viteve të fundit, ku injoranca dhe ligësia politike e administrative arritën që të bëhëshin sundimtare me dominancë absolute. Realishtë shqiptarët po ikin nga vjedhja dhe nga mashtrimi i skajshëm, i përditshëm e në çdo gjë të jetës së tyre. Për fatin e keq, në këto vitet e fundit, shqiptarët kan parë e përjetuar nga afër dy dëbimet më masive.

-Cilat janë këto në këndvështrimin tuaj këto dy “dëbime”?

I pari ka ndodhur në vitet 1988-1999, dhe ka patur për filozofi dhe metodologji dëbimin apo spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova, realizuar përmes mynxyrës së luftës dhe operacioneve të tilla sikurse janë “Patkoj”, “Reçaku”, “Gjakova”, etj. Ndërsa dëbimi apo spastrimi i dytë, saktësisht ai që po ndodh në Shqipëri, nuk ka dhe nuk mund të ketë emër tjetër përveçse shpërngulje e qëllimshme dhe e programuar e shqiptarëve nga tokat, pronat dhe shteti i tyre. Shpërngulja përmes pasigurisë dhe mizerjes ekonomike është një produkt i njohur i marrëzisë politike e shtetërore, i cili po realizohet përmes mekanizmave të sistemit të njohur të korrupsionit, krimit, fiktivitetit dhe injorancës së zbatuar dhe të instaluar në të gjithë Shqipërinë. Sipas Viktor Hygosë, përmbi të gjitha të këqijat e kësaj bote është marrëzia. Në këtë kontekst, unë gjithnjë kam menduar dhe vazhdoj që të mendoj që ikja është marrëzi, dhe se ikja nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja e duhur. E megjithatë marrëzia e ikjes duket që na është bërë traditë, duke mos u përballur kurrë me pushtuesit e mirëfilltë të hapësirave tona ekonomike, politike e shtetërore. Marrëzia e ikjes dhe mospërballjes së gjatë me të keqën dhe të këqijtë e këtij populli, gjithnjë ka ushqyer modelin e qeverisjes dhe sundimit me kriminelë, injorantë, autokratë dhe të shkulturuar. Të mos harrojmë kurrë që kjo është dhe do të mbetet fatkeqësia jonë më e madhe.

-Por ikja ka dhe një dhimbje tjetër atë të lënies së tokës djerrë. Pra ikja dhe tokat djerr të Shqipërisë. Cili është komenti juaj për këtë dëm kolosal për ekonominë shqiptare dhe të ardhmen e Shqipërisë?

 Përveçse shkretimit real të tregjeve dhe të kapaciteteve tona administrative e shtetërore, nga marrëzia e ikjes dhe heshtjes përballë të keqës, po rritët në mënyrë të frikshme edhe sipërfaqja e tokave bujqësore të lëna djerrë në të gjithë Shqipërinë. Qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë ngjajnë me zona të shkretuara nga lufta, apo në rastin më të mirë ngjajnë me një pasluftë të egër, në të cilën janë vrarë rinia, familjet e reja, intelektualët dhe fuqia transformuese. Në Jug dhe Veri të Shqipërisë, pavarësishtë ekzistencës së klimës së mrekullueshme dhe tokave pjellore, duket që e gjithë toka është lënë djerrë. Në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë flitet për 60 000 ha toka të lëna djerrë, ndërsa jam i sigurtë që kjo sipërfaqe djerrë është shumë e shumë herë më e lartë. Në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Fusha e Çajupit në Gjirokastër, nga Trebeshina, nga Tomorri e deri në bjeshkët e bukura të Korabit, Tërbunit dhe Kakisë së Nikajve, duket që nuk ka më familje që përgatitën për të dalë në bjeshkë me tufat e tyre të bagëtive. Për pasojë, nga bjeshkët dhe nga burimet tona të prodhimit dhe mirëqënies, duket që nuk na vjen asnjë e ardhur e qëndrueshme. Përkundrazi, nga territoret e shpopulluara e të braktisura, vijnë deri në mesin e Tiranës modelet më të zeza të krimit ndaj jetës dhe pasurisë së shqiptarëve. Nga rajonet e shpopulluara vjen droga dhe trimëria në vrasje, në hajni dhe në korrupsion. Vjen rënia e frikshme e qëndrueshmërisë ekonomike, politike e shtetërore. Fiks në këtë situatë kur bota sapo ka hyrë në një cikël të gjatë të rritjes së çmimeve dhe mungesës së produkteve jetësore, si për ironi të fatit, në Shqipëri ka heshtje dhe braktisje totale të tokës bujqësore dhe kullotave. Unë kam punuar gjatë edhe në kohën e superkolektivizimit, kohë kur shqiptarët kishin 300-500 m tokë afër banesës së tyre. Kujtoj faktin që në atë kohë të trishtë, njerëzit e punonin këtë sipërfaqe të vogël dhe nuk linin asnjë pëllëmbë tokë të pambjellur me kultura bujqësore, sikurse janë perimet, frutat, rrushi, agrumet, drithërat, etj. Unë mendoj se kjo praktikë ka qënë një nga veprimet më të zgjuara të shqiptarëve, përmes të cilit siguruan ushqimet për përballimin e  kushteve të rënda ekonomike. Ndërsa ndihem shumë keq kur nga njëra anë shof parcelat pjellore të misrit, grurit, perimeve, etj, të lëna djerrë e jashtë çdo kontrolli dhe interesi. Ndërsa nga ana tjetër shof shqiptarët që vrapojnë për të blerë produktet e dobëta të importit që vijnë nga Greqia, Turqia, Italia, Maqedonia e Veriut, Serbia, etj, që të gjitha blihen duke nxjerrë jashtë valutën e pakapitalizuar e të fituar nga rreth 1,5 milion emigrantë shqiptarë, ironikisht pa të drejtë vote. Lënia e tokës djerrë në kushtet aktuale të thellimit të krizës botërore dhe rajonale për drithëra dhe produkte të tjera bujqësore e blegtorale, është marria tjetër më e madhe, e cila duket që na ka pushtuar dhe përçudnuar nga të gjitha anët.

-Si do ta përkufizonit ndryshe lënien e tokës djerrë? Aq më tepër sot që është rritur ndjeshëm çmimi i grurit në tregjet botërore?

Për mendimin tim, toka djerr është treguesi më i qartë i keqqeverisjes dhe keqpërdorimit të burimeve natyrore, burimeve të punës, të prodhimit dhe të mirëqënies. Toka djerrë e vret dhe e degradon prosperitetin dhe mirëqënien.

 

-Po nga lufta në Ukrainë që është ndër prodhuesit kryesorë të grurt në botë, çfarë mësojmë?

Ndërsa në situatën e pas konfliktit në Ukrainë, toka djerrë është mungesë totale e përgjegjshmërisë dhe vizionit zhvillimor në qeverisje. Toka djerr është mungesë totale e një stabiliteti të mirëfilltë ekonomik, politik e shoqëror. Në këtë kontekst, sjell në vëmendje faktin që toka djerrë është mungesë punësimi, mungesë prodhimi dhe mungesë mirëqënie të qëndrueshme. Toka djerrë është burim kaosi, varfërie dhe vesesh nga më të ulëtat e species dhe strukturave të shoqërisë njerëzore. Shqiptarët duhet që të ndryshojnë me patjetër sjelljen e tyre ndaj tokës dhe ndaj fateve politike të vëndit të tyre. Është koha që shqiptarët të mbledhin mendjen në shërbim të punës dhe daljes zot ndaj vetes, familjes dhe kombit të tyre, duke filluar menjëherë me punimin dhe me kultivimin e çdo parcele e pëllëmbe të tokës bujqësore me drithëra, perime, patate, fruta, etj. Shqiptarët, pavarësishtë nga  shqyerjet apo nga krismat ogurzeza të “Open Balkanit” mbi ekonominë dhe demografinë e vëndit tonë, nuk duhet të harrojnë kurrë traditën e bukur të mbijetesës tonë historike, një traditë që është bazuar totalishtë në tokën bujqësore dhe në djersën e pastër të ballit. Toka dhe tradita jonë e qëndresës, sot më shumë se kurrë, duhet që të ushqehen e të lartësohen në mënyrë të atillë që të mos vdesin kurrë në breza, as në epoka e as në qytetërime. Besoj që shqiptarët e mi të dashur, janë aq të zgjuar e të guximshëm sa për ta gjetur rrugën e sigurtë të prosperitetit e të zhvillimit të qëndrueshëm demokratik.