Ushtaraku i lartë, Pali Nito: Policia e Shtetit duhet të spastrohet nga elementë të inkriminuar. Punonjësit e policisë janë pasqyra e qeverisjes

373
Sigal

Pali Nito

Ish-komisar Brigade

 

Policia e shtetit dhe ushtarakët në përgjithësi janë pasqyra e shtetit dhe ashtu si të jenë këta , ekonomia dhe administrata qëndrore dhe vendore ashtu është dhe shteti dhe qeveria. Është fakt i patjetërsueshëm se policia e shtetit e justifikon qënien e saj për vendosjen e rendit,qeverisë dhe sigurisë në jetën dhe veprimtarinë e përditshme të qytetarëve, të bizneseve, të nxënësve e të studentëve, të transportit interurban etj.

Organizimi dhe finalizimi me sukses i disa operatorëve përfshi edhe ata në bashkëpunim me policinë e shteteve fqinje tregon se policia e shtetit mundohet dhe është totalisht e impenjuar që të jetë në lartësinë e detyrave që kërkon koha dhe shoqëria jonë.Por që të ralizohet kjo duhet me patjetër që policia e shtetit të spastrohet nga element të inkriminuar, të papërgjegjshëm e të korruptuar të cilët janë futur kontrabandë dhe në mënyrë të padrejtë në radhët e policisë së shtetit. E theksoj me forcë këtë çështje pasi konstatohet se në radhët e policisë së shtetit madje ndër ta edhe me funksion drejtues në komisariate të rretheve e të qarqeve ka jo pak prej tyre që janë përfshirë në veprimtari kriminale si në favorizimin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të prostitucionit, të trafikimit të armëve e municioneve luftarake, të qënieve njerëzore e sidomos të fëmijëve të mitur drejt  vëndeve Europiane, të cilët përfundojnë në lypsa dhe shfrytëzohen mizorisht nga padronë të klaneve kriminale.Pra, para së gjithash policia duhet të impenjohet maksimalisht në punën dhe përpjekjet për të vendosur rendin brenda rendit. Kjo shtron kërkesën që kuadrot dhe policët e thjeshtë të policisë së shtetit të jenë me figure të pastër morale,të ndërgjegjshëm e të disiplinuar si dhe përherë të gatshëm në vendosjen permanente të qetësisë,rregullit e të sigurisë aq shumë të dëshiruar nga qytetarët tanë.Rëndësi të dorës së parë merr zgjedhja e përzgjedhur e kandidatëve dhe aspirantëve që do të shërbejnë dhe bëjnë karrierë në radhët e policisë së shtetit duke i kaluar ata në filtrin e imët të rregullave e të kritereve.

Pra , jo të marrim në radhët e policisë njerëz, radhika e këdo që na del përpara, apriori e derr në thes apo sikundër thotë populli ynë, merr nga dhitë e bëj zabit, apo merr çobanë e bëji gardianë pasi i padituri nuk mundet që të kryejë me kompetencë profesionale detyra specifike e të rëndësishme, në të kundërt është momenti të citojmë thënien e të madhit Fan Noli, i cili ka thënë:” Këtu, i padituri i di të gjitha dhe i pazoti, është i zoti për të gjitha”. Punonjësit e policisë duke filluar nga policët e thjeshtë e deri te kuadrot me përgjegjësi dhe funksione të rëndësishme duhet të karakterizohen nga një disiplinë e hekurt në çdo aspekt dhe veprimtari duke filluar nga rregulli dhe disiplina në mbajtjen e rregullt të uniformës.

E preka këtë çështje pasi shpesh dhe rëndomtë shohim police madje dhe kuadro që nuk e mbajnë kapelen në kokë madje dhe në ambientet publike,në autobus , në supermarket, kudo e gjithandej duke shkelur rëndë disiplinën ushtarake në mbajtjen e uniformës. Kapelja është pjesë përbërëse e uniformës. Dikush me prirje liberale mund të thotë,hë mo se nuk bëhet kiameti për vogëlsira të tilla. Përkundrazi unë do t’i thosha këtij dikushi që sështë askushi se shkeljet pasojnë shkelje dhe çrregullimet pasojnë çrregullimet e radhës dhe në aspekte të tjera gjatë kryerjes së detyrave madje edhe në aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me rregullin, qetësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. Prandaj, primare në policinë e shtetit mbetet forcimi i rendit brenda rendit dhe spastrimi i saj në mënyrë permanente nga elementç të inkriminuar,të korruptuar, të padëshiruar.